OpEd

Profesorët në politikë dhe pasojat për universitetin

Gezim Selaci

Shkruan: Gëzim Selaci

Rënia e një profesionisti të shkencës në shtrat me politikën rrezikon ta komprometojë jo vetëm atë si profesionist, por edhe institucionin ku e ushtron shkencën ai, domethënë universitetin. Dukuria e profesorëve në politikë e minon autonominë e universitetit dhe rrezikon ta vërë atë në shërbim të politikave partiake, duke e shembur kështu strehën që universiteti ofron për profesorët që duan dhe guxojnë të mendojnë e të shprehen të lirë dhe të kritikojnë. Më shumë se pjesëmarrje në të, politika ka nevojë për kritikë nga mesi i intelektualëve profesorë universitarë.

Politika dhe shkenca janë dy forma të ndryshme të veprimit dhe mendimit njerëzor. Përderisa ato dallojnë si për nga qëllimet që ndjekin ashtu dhe për nga rrugët drejt tyre, dallimi midis tyre është thelbësor. Qëllimi i politikës është pushteti: marrja, mbajtja, forcimi dhe legjitimimi i tij, ndërsa rruga e saj është përdorimi i çfarëdo mjeti për të arritur qëllimin, duke përfshirë edhe përdorimin e “të vërtetave” të pashqyrtuara, të cunguara, të paplota, të përziera me të pavërteta, të manipuluara e të trilluara, ose me një fjalë, përdorimin e argumenteve politike pavarësisht nëse ato janë të vlefshme nga aspekti empirik (faktik) a metodologjik (shkencor). Pasi ta marrë pushtetin, politika ka në dispozicion mekanizma detyrues e ideologjikë të shtetit për të siguruar bindjen dhe besimin e subjekteve në të vërtetat politike. Krejt ndryshe nga kjo, logjika shkencore e merr të vërtetën e validuar shkencërisht për qëllim në vete, duke shqyrtuar në vazhdimësi metodat dhe premisat që i përdorë si mjete për të arritur tek e vërteta. Shkenca as e ka, as e përligj përdorimin pushtetit detyrues a indoktrinues për të siguruar besimin a pranimin e të vërtetave të saj.

Por, si është halli kur tentohet të përzihen shkenca dhe politika, siç ndodh në rastet kur një profesor universitar përfshihet në politikë, si anëtar i një partie politike. Është kjo një dukuri e pranishme në realitetin tonë, ku, në dy zgjedhjet e përgjithshme të fundit në vitet 2021 dhe 2025, identifikohen mbi dhjetë mësimdhënës të Universitetit të Prishtinës në listat zgjedhore të partive politike. Në raste të tilla, profesori politikan pushon së qeni shkencëtar, pasi te një person nuk mund të banojnë edhe e vërteta politike edhe e vërteta shkencore, edhe argumenti politik edhe argumenti shkencor, bashkë. Profesori, si pedagog dhe si kërkues shkencor, ushtron profesion që nuk shkon me politikën. Profesori politikan, përderisa gjendet në një, si me thënë, ekskursion politik, domethënë në një hapësirë të papajtueshme me shkencën, në të vërtetë, e pezullon profesionin e shkencës. (Andaj, për hir të sinqeritetit me publikun dhe të korrektësisë etike në raport me akademinë ku ai ka ndërtuar reputacionin e tij publik, është e domosdoshme që profesori politikan të mos tentojë të ndërtojë kapital politik nga kredencialet e tij akademike përderisa gjendet në ekskursionin politik.)

Sidoqoftë, kjo nuk domethënë se pjesëmarrja e profesorëve në politikë është e pamundur a e padobishme në mënyrë absolute për politikën. Në të vërtetë, nëse politika fiton a jo vlerë të shtuar nga pjesëmarrja e profesorëve, nuk mund të gjykohet apriori. Dija dhe ekspertiza që profesorët i sjellin politikës, mund të jenë të dobishme për jetën politike të një shoqërie. Sidoqoftë, përveç pjesëmarrjes, dhe me siguri më shumë se pjesëmarrjes së profesorëve në parti politike ose qeveri, politika ka nevojë për kritikë nga mesi i intelektualëve profesorë universitarë. Arsyeja është e thjeshtë: politika e synon pushtetin, ndërsa pushteti i pakritikuar degjeneron kollaj dhe shpejt në shërbim të elitave politike dhe klientëve të tyre nga grupet e interesit, në vend se të jetë në shërbim të publikut, siç pritet nga politika demokratike. Por në vend të kritikës intelektuale, profesorët që janë bërë anëtarë partish, janë shndërruar në shërbyes të interesave të partive politike apo pushtetit. Dhe kjo ka ndodhur vazhdimisht në Kosovë, duke e krijuar një cikël negativ për shoqërinë, universitetin dhe politikën.

Kur flasim për rëndësinë e kritikës së pushtetit politik në përgjithësi, kritika që artikulohet nga ana e profesorëve universitarë si intelektualë të pavarur në veçanti, ka një vlerë të pazëvendësueshme për jetën politike të shoqërisë. Duke qenë se vetë nuk janë të interesuar për të marrë pushtet, profesorët universitarë janë në pozitë të volitshme të artikulojnë kritikë të painteres të pushtetit. Qëllimi i kësaj kritike nuk është pushteti, por që pushteti të vlerësohet dhe të gjykohet nga dikush që vetë nuk është në garë për pushtet politik. Andaj, kur një profesor vlerëson orientimin ideologjik a programin e kësaj a asaj partie ose kur gjykon politikat a veprimet e kësaj a asaj qeverie, kjo assesi nuk mund të kuptohet si veprimtari opozitare politike me qëllim për të marrë pushtet për vete, por si kritikë e pushtetit me qëllimin për ta mbajtur atë në llogari nga të qeverisurit.

Mirëpo, animi i pakusht nga një parti ose anëtarësimi në një parti politike, e rrezikon pavarësinë intelektuale dhe akademike që duhet ta ketë një profesor a studiues – sidomos i shkencave shoqërore e humane që merren veçanërisht me studimin e politikës – për të mundur të veprojë si kritik i painteresuar për pushtet politik. Pavarësia intelektuale e profesorëve është thelbësore për mbajtjen gjallë të kritikës së painteres në shoqëri. Ajo duhet të mbrohet nga dy kërcënimet e saj: nga përpjekjet e politikës për ta instrumentalizuar universitetin për qëllime të forcimit të pushtetit, si dhe nga oportunizmi i profesorëve që ndjekin poste politike duke rrezikuar ta shtënë universitetin në kthetrat e politikës.

Për kërcënimin e parë, është shkruar dhe është tërhequr vërejtja pak më shumë, mirëpo, fare pak vëmendje i është kushtuar kërcënimit të dytë. Në gjendjen larg së lakmueshmes në të cilën tash për tash është universiteti ynë, me prodhim shkencor tepër modest, me kontribut tepër të kufizuar të profesorëve universitarë në zhvillimin dhe artikulimin e ideve për çështjet publike, si dhe me organizim jopartiak studentor të kufizuar, përthithja e profesorëve universitarë në parti politike, jo vetëm që nuk e ka pasuruar politikën, por ka pasur ndikim negativ edhe në drejtim të kundërt, domethënë në universitet, duke qenë se e ka penguar krijimin e kushtit më elementar të një universiteti shoqërisht relevant: autonominë e tij. Duke mos qenë autonom, universiteti nuk ka mundur të ngrihet asnjëherë në një institucion mendimi të pavarur nga forcat politike dhe në një burim idesh politike, kulturore e sociale. Një universitet ku politika me qëllimet dhe rrugët e saj është e pranishme, nuk mund ta ketë autonominë që i duhet për ushtrimin e lirë të shkencës dhe të mendimit kritik. Cenimi i autonomisë së universitetit dëmton në veçanti studimet shoqërore, humane dhe të arteve, domethënë hulumtimin, zhvillimin e lirë të ideve dhe krijimin në këto fusha, që kanë potencialin e krijimit të diskurseve dhe përgjigjeve për dilemat politike e kulturore të shoqërisë.

Rënia e një profesionisti të shkencës, si sferë e mendimit të lirë, në shtrat me politikën, si sferë e praktikës së detyruar, fare lehtë mund ta vë atë në situatë konflikti midis interesave të universitetit si institucion shkencor, në njërën anë, dhe interesave të partisë, si grup politik, në anën tjetër. Përdorimi i statusit shoqëror të profesorit universitar për të nxjerrë kapital politik prej tij dhe përzierja e profesionit shkencor me profesionin politik, përzien logjikën shkencore me logjikën politike, që nuk mund të ndodhë pa e komprometuar njërën ose tjetrën. Nuk do mend se në një kontekst ku universiteti ynë është i dobët dhe i pafuqishëm karshi politikës, ka qenë logjika akademike ajo që është komprometuar në këtë përzierje. Kjo rrezikon ta komprometojë atë si profesionist, dhe rrjedhimisht, vetë universitetin, si institucion ku e ushtron shkencën ai. Me një fjalë, dukuria e profesorëve në politikë, minon autonominë e universitetit dhe rrezikon ta vë atë në shërbim të politikave partiake, duke shembur kështu strehën që universiteti ofron për profesorët që duan dhe guxojnë të mendojnë, të kritikojnë dhe të shprehen të lirë nga kufizimet e pushtetit, nga animet e publikut, nga kërkesat e kapitalit dhe nga çfarëdo autoriteti armiqësor ndaj mendimit të lirë dhe kritikës.

(Autori është profesor i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës)