OpEd

Pluhuri që e mbulon hajninë

Betejën kundër korrupsionit Kosova nuk do të mundë ta luftojë e as ta fitojë kurrë, përderisa nuk do të ekzistojë vullneti politik për një gjë të këtillë. Pa këtë vullnet politik nuk funksionojnë as Kuvendi e as Prokuroria. Prandaj, edhe do të vazhdojmë të vendnumërojmë

Është kategori kushtetuese dhe i ka pak më shumë se 9 vjet. Është themeluar me ligj të veçantë, thuhet të jetë i pavarur dhe është i njohur për nga fakti se një herë në vit boton mbi njëqind raporte. Profesionistët dhe vëzhguesit e situatës vlerësojnë se raportet janë të mira. Problemi me to është se pothuajse rregullisht mbesin të tilla, raporte të mira të cilat i mbulon pluhuri.

Ajo që fillimisht ishte Zyra e Auditorit të Përgjithshëm tash njihet si Zyra Kombëtare e Auditimit. Është mbase institucioni i vetëm që ka të drejtë t’u qaset që të gjitha dokumenteve financiare e të tjera që shërbejnë për konstatimin nëse paraja publike është shpenzuar mirë apo jo, qoftë nëpër institucionet e shtetit, qoftë në institucionet ku shteti është aksionar, ose ku ka interesa të përcaktuara me ligj.

Kështu ka vepruar që nga themelimi. Personeli i ZKA-së rregullisht ka vizituar shumicën e institucioneve dhe po në të njëjtin ritëm ka prodhuar raporte përmbledhëse në të cilat për çdo vit buxhetor ka konstatuar humbjen, keqmenaxhimin, mosarsyetimin e miliona eurove që buxheti i varfër i Kosovës nuk do t’i kishte mbledhur kurrë po mos të ishte importi dhe tagrat doganore që ai ngërthen.

Shtetet e avancuara demokratike, që njësoj e kanë korrupsionin pjesë integrale të shtetësisë, kanë themeluar institucione ekzekutive e madje edhe gjykata speciale që merren me mbrojtjen e parasë publike. Kosova e brishtë, me zgjidhjen e vet legjislative, këtë përgjegjësi ia ka lënë Kuvendit të Kosovës dhe, në instancën e fundit, Prokurorisë së Shtetit e sistemit gjyqësor. Në teori, gjithçka në rregull.

Por, të kesh ligje të mira e të mos kesh trupa dhe mekanizma të fuqishëm dhe efikas për zbatimin e tyre, bën që korrupsioni të lulëzojë, ngase të korruptuarit përherë do t’i shmangen hetimit dhe ndjekjes. Kjo i bie përafërsisht si ta kesh një plan të mirë lufte, po të mos kesh ushtarë për betejë.

* * *

Betejën kundër korrupsionit Kosova nuk do të mundë ta luftojë e as ta fitojë kurrë, përderisa nuk do të ekzistojë vullneti politik për një gjë të këtillë. Sepse pikërisht është ky vullnet ai i cili e bën të pamundur që raportet e auditimit të merren seriozisht dhe që nëpërmjet tyre të identifikohen fajtorët e drejtpërdrejtë për zhdukjen e parave të taksapaguesve kosovarë. Meqë detyra e auditorëve është vetëm të konstatojnë gjendjen, është punë e udhëheqësve të institucioneve shtetërore të merren me përgjegjësit e keqpërdorimeve dhe keqmenaxhimit nëpër to. Është punë e udhëheqësve që ta detyrojnë personelin që t’i zbatojë rekomandimet e ZKA-së, dhe që për moszbatim të japin edhe përgjegjësi. Sipas hulumtimit të ZKA-së, vetëm 26% e rekomandimeve të dhëna në vitin 2015 janë zbatuar nga institucionet e audituara. Porse nuk kemi dëgjuar që ndokush ta ketë humbur vendin e punës për këtë shkak. Përkundrazi, kemi parë që institucionet të kenë vazhduar t’i bëjnë gabimet e njëjta që i bartin prej një viti në tjetrin me lejen e shefave. Të atyre që udhëhiqen me parimin e mosndëshkimit.

I njëjti parim e ka udhëhequr edhe Kuvendin e Kosovës. Nuk më kujtohet nëse ndonjëherë ndonjëri nga raportet e auditimit që ka kaluar nëpër Komisionin për mbikëqyrjen e financave publike të ketë dalë në debat, në seancë plenare. Atë që e di me siguri është se kjo nuk ka ndodhur në legjislaturën e fundit dhe madje kryesisht duke iu falënderuar deputetëve të koalicionit të atëhershëm qeveritar – të cilët e bënin shumicën dhe që në këtë formë i mbronin allishverishet e ministrive udhëhequr nga kolegët partiakë.

Valles së mosndëshkimit i bashkohet edhe Prokuroria, që, sipas detyrës zyrtare, do të duhej të merrej me raporte të këtilla alarmante. E Prokuroria, si Prokuroria e Kosovës më, mbase edhe do ta hapë ndonjë rast, i cili do të përfundojë diku i humbur në procedurë, me fillim të zbehtë e pa mbarim, duke mos e shtyrë rastin përtej ndonjë sirtari të largët në ndonjë birucë që shërben si zyrë.

* * *

“Do të shqyrtoj seriozisht dhe do të ndërmarr veprimet e nevojshme të parapara me ligj për të hetuar apo ndjekur rastet kur ka dyshime për kryerjen e veprave penale nga gjetjet e ZKA-së”, është mbase deklarata e përvitshme e Prokurorit të Shtetit që asnjëherë nuk shkon përtej kësaj retorike. Natyrshëm, nuk do të pritej që shefi i një institucioni që i bën po të njëjtat shkelje sikurse institucionet e tjera shtetërore, të nisë të merrej me hetimin e dikujt tjetër para se ta zhvillonte atë hetim në shtëpi të veten. E ta hetosh veten i bie pa lidhje, prandaj, më mirë është të mos ndërmerret asgjë. Sepse ariun duhet lënë të flejë të qetë.

Problemin e prokurimit publik, punësimit joligjor, përdorimit të aseteve shtetërore për nevoja private, fshehjen e kontratave dhe të dokumentacionit, mosrespektimi i planifikimit buxhetor, punësimi i këshilltarëve të kotë politikë, humbje e milionave në pagesën e pensioneve njerëzve që nuk kualifikohen për to, e shumë, e shumë gjetje të tjera, nuk do të mundë të zhduken kurrë përderisa Kosova ka këtë mentalitet qeverisjeje dhe këtë strukturë institucionesh për luftimin e krimit dhe korrupsionit.

Mbase nga italianët do të duhej marrë shembullin. Nuk është se Italia është shteti më së paku i korruptuar, porse mund ta imagjinoj se çfarë do të ishte po të mos e kishte Guardia di Finanzan. Kjo trupë është ushtarake, por mbikëqyret nga ministri i Financave. Ka disiplinë dhe mjete teknike në dispozicion. Dhe, nuk ka kufizime në veprim – për ta janë të njëllojtë si ministri ashtu edhe zyrtari për fotokopjim.

Do të ishte mirë që Agjencia Kundër Korrupsionit të bëhej me fuqi ekzekutive dhe me një “ushtri” të veten, vetëm po të mundë të gjendeshin njerëz të përgatitur e që nuk janë miq apo kushërinj të kryetarit të Kuvendit apo edhe të ministrit; e që do të dinin t’i lexonin raportet e auditimit; e që besojnë se Kosova meriton më mirë.

Mbase kjo do të mundë të na zgjidhte problemin e vendnumërimit. Por, deri atëherë do të vazhdojmë të merremi me raporte të mira, që mbesin të mira vetëm për t’u mbuluar me pluhur.

[email protected]