Derisa nuk ka një Planet B, opsion mbetet njëfarë revolucionarizimi ekologjik dhe ku secili me pjesën e vet të përgjegjësisë bën diçka për një mjedis të jetueshëm. Kjo, një përpjekje minimale për t`u bërë bashkë me Paktin global për t`i dalë në ballë krizës mjedisore. Së paku, në një segment, Kosova e ka hisenë e vet në ngrohjen globale. Prej disa vjetësh, analizatorët e klimës e nxjerrin Prishtinën ndër vendet më të ndotura në glob me një nivel enorm prezence të dyoksid karbonit
Është prirje e zakonshme që asociacioni i parë për termin “ngrohje globale” të ndërlidhet me verërat tropikale e vjeshtat pranverore. Ka një saktësi në këtë përkufizim, në shikim të parë naiv.
Verën e këtij viti janë shënuar temperatura ekstreme rekorde. Të dhënat e institutit “Berkeley Earth” të Kalifornisë flasin për 400 rekorde me temperatura të larta. Afro 1200 vende të hemisferës veriore ishin më të nxehta këtë verë.
***
Të dhënat si këto, në kontekstin kosovar, duken abstrakte teksa ngrohja globale ende vazhdon të trajtohet më shumë si term sesa si problem.
Vendet që përballen më së shumti me të tashmë e kanë transformuar përkufizimin “ngrohje globale” në atë “krizë klimatike”.
Pra, një problem për të cilin flitet më seriozisht nga vitet ‘90, tashmë ka marrë formë dhe paraqet një nga sfidat kryesore për njerëzimin.
Ndërmjet shumë teorive në lidhje me shkaktarët e saj, sikur ekziston një anim i natyrshëm kah adresimi i fajit te faktori njeri.
Dy muaj më parë aktivistë klimatikë në Londër, New York City, Perth dhe Paris mbajtën marshe proteste kundër krizës klimatike. Kjo lëvizje globale simbolikisht u mbështet edhe nga një numër i vogël protestuesish në Prishtinë.
Të provuar me ikjen nga lufta, nuk është larg mendsh që numri simbolik i protestuesve të jetë i lidhur me ndonjë ide “gjeniale”, të ikjes edhe ngrohjes globale, në ndonjë vend tjetër më të sigurt. Ama, ku se? Derisa nuk ka një Planet B, opsion mbetet njëfarë revolucionarizimi ekologjik dhe ku secili me pjesën e vet të përgjegjësisë bën diçka për një mjedis të jetueshëm. Kjo, një përpjekje minimale për t`u bërë bashkë me Paktin global për t`i dalë në ballë krizës mjedisore.
Së paku, në një segment, Kosova e ka hisenë e vet në ngrohjen globale. Prej disa vjetësh analizatorët e klimës e nxjerrin Prishtinën ndër vendet më të ndotura në glob me një nivel enorm prezence të dyoksid karbonit.
Kjo periudhë viti sërish po regjistron statistika të frikshme të cilësisë së ajrit. Pothuajse gjatë gjithë kohës ajri në kryeqytetin kosovar është kategorizuar “i pashëndetshëm”.
E shkaqet tashmë të njohura, porse masat të panjohura. Me gjithë ndalesën ligjore të shitjes së qymyrit, mëngjeseve e mbrëmjeve Prishtina kundërmon nga era e qymyrit, me të cilin ngrohen jo pak njerëz.
Masat simbolike me vendosjen në qendër të saj të disa paneleve të gjelbra, më shumë duken dekor sesa përpjekje serioze për të ndihmuar në përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Si një vend që fle mbi rezerva të qymyrit, Kosova ende nuk e ka një ide të qartë se si të ndërtohen politikat ekologjike në relacion me sasinë e qymyrit që posedon.
Ndërmjet idesë për kapitalizimin e qymyrit në planin ekonomik dhe ndalesës së tij për ngrohje, ndotja vazhdon. Niveli i emetimit të gazrave serrë është i panjohur. Ose mund të jetë i njohur, por vetëm për zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit. Mbase, të mësuar nga varësia prej të huajve, presin që uljen e nivelit të CO² ta bëjnë japonezët. Jo vetëm me obligimet që dalin nga Protokolli i Kyotos, por edhe me mbështetje direkte për të na e bërë një mjedis më të pastër.
***
Një vit më parë suedezja 16-vjeçare Greta Thunberg braktisi shkollën për të protestuar para Parlamentit suedez për ndryshimet klimatike dhe nevojën për veprime urgjente.
Ajo tashmë është bërë figura kyç e një lëvizjeje botërore, e cila në majë të agjendës e ka mbrojtjen e klimës. Moshatarët e saj kosovarë ndoshta nuk mund ta arrijnë të njëjtin efekt, porse mund të kontribuojnë sadopak.
Ta shkëpusin një kohë nga prezenca në Instagram, Facebook apo rrjete të tjera sociale dhe me aktivitete konkrete ta shohin se ekziston edhe një botë tjetër përveç asaj virtuales.
E kjo botë është planeti Tokë, të cilin kush më shumë e kush më pak po e terrorizon, thuajse ka një planet tjetër rezervë.
Derisa një i tillë nuk ekziston, e vetmja mundësi është që përkushtimi për mjedisin të shndërrohet në kauzë. Njëlloj siç është bërë kudo në botë. Nismës së tillë së fundi i është bashkuar edhe këngëtarja me famë botërore, me prejardhje kosovare, Rita Ora. Krahas Kate Moss e Cara Delevingne, ajo po bën fushatë në mbrojtje të oqeaneve, në kuadër të përpjekjeve për ruajtjen e ekuilibrit ekologjik.
“Kemi ikur nga mësimet që t`ju mësojmë juve”, është njëra ndër parullat e tinejxherëve protestues, të cilët në këtë mënyrë bëjnë presion në autoritetet politike për të rritur masat ndaj mbrojtjes së mjedisit, jo vetëm me fjalë.
***
Për ironi, të rinj kosovarë ikin nga mësimet, por për shkaqe banale. Derisa testi ndërkombëtar PISA sërish i nxori qesharakë në relacion me dijen, të ranguarit në vendin e 69-të ka mundësi të jenë të dobishëm në sferën e mjedisit. Nëse veç ikni nga mësimi, krijoni një kauzë sikurse Gretha, bashkohuni me fushatën globale në mbrojtje të klimës. Bëni së paku një të mirë për veten dhe vendin!
Në listën e gjërave që mund të bëjë secili në mbrojtje të klimës janë edhe ato nga përditshmëria.
i ujit në rubinete, shpejtësia e të bërit dush, përdorimi më i madh i ushqimeve të freskëta dhe organike, riciklimi i shisheve të plastikës dhe reduktimi i përdorimit të veturave në distanca të vogla, janë disa prej veprimeve praktike që ndihmojnë për ruajtjen e klimës.
Nëse injorimi ynë ndaj mjedisit nuk e ka një fund, një ditë mbase jo një Armstrong por një specie do ta ngulë flamurin e triumfit duke e shpallur Tokën planet të kushedi se kujt!
Por, një është e sigurt, Planet B hëpërhë nuk kemi!