OpEd

Njet-i!

U ula në njërën nga bankinat e parkut, sodisja bukurinë, riktheja kujtime, ashtu siç bëj prore. Në një çast m’u afrua një zonjushë e re. “Is it free?” (A është e lirë?) - më pyeti. Gjithsesi, iu përgjigja. Kohë e bukur sot, vazhdoi ajo. Hmm, t’i gëzohemi edhe ndonjë dite se pastaj do të na mbërthejë dimri morbid i Londrës. Buzëqeshi

E mërkurë, 14.11.2018

I adhuroj ditët e vjeshtës me perëndimin e rrezeve të arta të diellit përderisa shëtis në parkun aq të bukur të Regents Park. Më rikthen kujtime të shumta. Kujtimet me babanë e ndjerë, bisedat e panumërta për botën, historinë, kulturën, me djalin e lindur në Londër, me vëllanë e ndjerë. Shëtitje të shumta, të cilat i bëmë bashkë, dhe fati ishte i tillë që qysh nga vendosja ime në Londër të jetoja në afërsi të këtij parku aq të bukur mbretëror.

U ula në njërën nga bankinat e parkut, sodisja bukurinë, riktheja kujtime, ashtu siç bëj prore. Në një çast m’u afrua një zonjushë e re. “Is it free?” (A është e lirë?), më pyeti.

Gjithsesi, iu përgjigja. Kohë e bukur sot, vazhdoi ajo. Hmm, t’i gëzohemi edhe ndonjë ditë se pastaj do të na mbërthejë dimri morbid i Londrës. Buzëqeshi.

Prej nga jeni? - e pyeta.

Jam nga St. Petersburgu - m’u përgjigj. Quhem Irina, jam duke përfunduar disertacionin në lëmin e Literaturës Angleze.

Shumë bukur - i thashë. Edhe pse, edhe ju keni literaturë të pasur.

Tha: po, është e vërtetë zotëri. I kemi Pushkinin, Tolstoin, Gogolin, Chekhovin, Dostojevskin. E keni lexuar “Idiotin” e Dostojevskit? - më pyeti ajo.

lexuar, unë atë e kam president - iu gjegja, e edhe gogola kemi plot, ndërsa asi me pushkë e me INA i kemi edhe më shumë se ju për kokë banori.

Edhe unë e kam presidentin “Idiot”, m’u përgjigj Irina, dhe të dy vazhduam së qeshuri.

Nxora telefonin nga xhepi, një kërkim të shpejtë në sirtarët e zyrës sime në Facebook, dhe ia tregova foton e presidentit pranë Vladimirit (jo vendlindjen e të parëve të Albin Kurtit, si dëshiron presidenti ta thotë në mënyrë pezhorative), por Vladimir Putinit.

Tha: po e njoh këtë idiotin tim? Po ky tjetri?

Ky është idioti im, Irina.

Qenka idiot i ri por i thinjur, tha Irina.

Tha: unë e di me çfarë meritash e quaj këtë timin “Idiot”, po ky i juaji? Do të ma iluminoni ditën që të njoh një “idiot” botëror më shumë?

Ku t’ia filloja? Fillova aty nga viti 1999, mbledhja e Rambujesë, shëtitja e “Idiotit” me James Rubinin, ndihmëssekretarin e Shtetit amerikan asokohe, i cili profilin e çunit nga Buroja e kishte të zbërthyer nga A-ja deri në ZH. I premtoj filma në Hollywood me karakterin dhe të bëmat e tij vetëm që të ishte kooperues gjatë takimeve. Vazhdova tutje me fjalimin e tij te ura ndarëse e qytetit të Mitrovicës dhe premtimet se të gjithë banorët do të ktheheshin në shtëpitë e tyre në veriun e qytetit. Më tutje e vazhdova me vjedhjen industriale të votave në zgjedhje, me privatizimet e egra të pasurisë shoqërore për jaranë e njerëz të interesit, hapje të panumërta të universiteteve nëpër Kosovë, të shmangte votuesit potencialë kundër tij dhe partisë së tij, punësimin dhe uzurpimin e kompanive publike me militantë partiakë … e gjitha kjo, tha, e dëgjuar për mua - ma priti Irina. Definitivisht kualifikohet për idiot.

Zotëri, tha, unë nuk e kuptova emrin tuaj, ju kërkoj ndjesë në arrogancën time.

Unë quhem Asdren - iu përgjigja.

Emër interesant, ka ndonjë domethënie zotëri?

Është akronim i shkrimtarit tonë të njohur të Rilindjes Kombëtare dhe ia sqarova. Uaauu, sa bukur, tha Irina. Sikur edhe unë të quhesha Magor (Maxim Gorki). Por edhe Irina është emër i bukur, ia ktheva, që mos ta bëja të ndihej keq.

Është emër që ka origjinën nga Greqia antike - u përgjigj. Është emri i njërit nga zotat që personifikonte lirinë.

Asdren, do të më tregosh më shumë për këtë foton e Idiotëve, çfarë i bashkoi? Më fal për injorancën!

Irina, i bashkoi organizimi dhe ftesa të cilën ua bëri presidenti francez me rastin e 100- vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, që u mbajt këto ditë në Paris.

Ahhh, sa jetë të humbura … luftërat …. nuk i kuptoj, nuk i dua …. janë tragjike … nuk janë njerëzore … u përgjigj Irina, dhe për një moment edhe disa pika loti i rrodhën nga sytë. Jo, nuk pata faculetë që t’ia ofroja ashtu qysh rëndom xhentëlmenët kanë në filma apo romane, por së paku atë që mund ta bëja ishte ta pyesja - a jeni mirë?

Po, mirë jam, m’u përgjigj, por luftërat kanë marrë jetën e shumë familjarëve të mi gjatë historisë, më kanë treguar prindërit.

Ju lutem, më tregoni më shumë për dy idiotët, çka e karakterizoi këtë takim të tyre?

Unë e di që ky idioti im nuk del aq kollaj në fotografi me dikë, ai saktësisht e di arsyen dhe qëllimin pse ka dalë në atë fotografi? Po ky idioti yt flokëthinjur? Edhe ky idioti im mendon se e di arsyen dhe qëllimin se pse ka dalë në fotografi me idiotin e juaj.

Cili është qëllimi i idiotit tuaj - më pyeti. Më falni për injorancën, por ndodhitë e politikës globale nuk janë ana ime e fortë.

Qëllimi i idiotit tim është që ta faktorizojë veten në skenën politike vendore (ku ka humbur besimin) edhe në atë globale, ku gjithashtu ka humbur besimin dhe përkrahjen duke plotësuar interesat ruse, përkundër interesave të vendit të vet, deri në ndarjen e territorit të vendit. Uaaauu, unë po që jam laike në politikë, por ky me të vërtetë qenka idiot! Po a nuk filluakan kështu edhe luftërat? Më falni zotëri, nuk di dhe s’kam njohuri për forcën ushtarake të vendit tuaj, por sikur edhe vetëm një ushtar ta ketë, nuk e besoj që ashtu blanko do të pajtohej cilido vend që të copëtohej.

Vendi im i ka 60.000 veteranë lufte - iu përgjigja.

Z. Asdren, ju qenkeni fuqi ushtarake, me aq sa unë mund të kuptoj. Për t’i pasur 60.000 veteranë e paramendoj se sa mund të jenë aktivë dhe në rezervë.

Z. Asdren, po mund të më tregoni diçka nga biseda e dy idiotëve?

Po, Irina, do të mundohem me aq sa unë kam informata se si kanë rrjedhur ngjarja dhe biseda.

Baton Haxhiu është një gazetar i vendit tim, i cili i shërben dhe vrapon pas cilido pushtetari, s’kanë lidhje sistemet, s’kanë lidhje kauzat. Vetëm le të jetë pushtetar.

E kam të njohur situatën e ngjashme edhe në Rusi, ata të cilët s’janë të tillë sikur ky gazetari juaj, idioti ynë i zhduk në Vollgë apo diku ku copat nuk iu gjenden … vazhdoni ju lutem…!

Aty duke dalë prej njërës nga sallat ku presidentët kishin drekuar, Batoni i afrohet idiotit tim dhe i thotë: “Shef, kom folë me njerin, m’ka thonë që Putini po na pret me u taku ti me to, edhe me e ndrru naj llaf, edhe ka pranu një selfie a dy me i bo me ty”. Bravo, Baton, ti punon për çashtjen sikur unë. Tash i avytna Putinit unë ashtu kadale si gjarpën pa më hetu hiç.

Tovarish Hashim, nazdravljot! BatUn qa pe thotë? Shef, po thotë gëzuar! Vlladimir çirs edhe tye! Vollkom, vollkom. Vljadimir maj pipëll e kanë bo njet me … aaaaaa tovarish Hashim davaj, davaj, no njet. President Vljadimir bre maj pipëll e kanë bo njet me e …. Aaaaa no tovarish Hashim no njet, davaj davaj. BatUn bre spo m’le me e kry fjalinë po du me i thonë që populli jem e kane bo njet me e kundërshtu çfarëdo marrëveshje që une du me e bo me Serbinë po unë s’jau veti fort letrat. President von piqkër for maj instagram end fejsbuk with ju plliz. Davaj, Hashim, davaj.

President Putin, maj pipëll e kanë bo njet me e …. President Hashim ti bonë piqkër me mu a po? PoE. Ska te unë tash njet po davaj, davaj. Qe dorën president Putin dreqi qi te koke! Unë kum menu që Sandri osht dreq e ti dreqi qi te koke, avytu ktu të dushi nihere.

Kjo Irina është ajo qysh dhe si shkoi takimi sipas informatave të cilat unë i kam.

Z. Asdren, qenkeni njeri i informuar, por unë asnjëherë nuk u pyeta se me çfarë merreni, vazhdoj të tregoj injorancën time dhe ju kërkoj ndjesë edhe një herë.

Nuk është ai ndonjë problem, Irina. Unë jam Ambasador i popullit tim në Facebook.

Qenkam e nderuar dhe e privilegjuar me këtë njoftim spontan. Kjo edhe e sqaron njohurinë tuaj mbi çështjet politike dhe qasjen në informacion, supozoj, tha Irina.

Irina më pyeti se a e keni lirinë e shprehjes në vendin tuaj.

I thashë: po, unë mund të shkoj para ndërtesës së Qeverisë, ku është edhe presidenti, dhe mund të bërtas “poshtë Hashim Thaçi, me hajna, me hajna nuk ka shtet” dhe nuk do të më gjejë asgjë, nuk do të ketë asnjë pasojë për mua … E shihni, ekselenca juaj, edhe tek ne mbizotëron shprehja e fjalës së lirë. Edhe unë mund të shkoj para ndërtesës së Kremlinit dhe të bërtas “poshtë Hashim Thaçi, me hajna, me hajna, nuk ka shtet”, as për mua nuk do të ketë kurrfarë pasojash ligjore.

Këtu edhe takimi im spontan me zonjushën Irina nga St. Petersburgu përfundoi pasi që alarmi i telefonit tim nuk më kursen nga ëndrrat dhe është i pamëshirë që të më zgjojë nga gjumi, ndoshta edhe në momentet kur unë ndihem më së miri …

ëndrra …