Bujar Bukoshi (1947-2025)
1.
Dyzet vjet më vonë Bujar Bukoshit i përsëriteshin në formë rituale dy pamje që përbënin pothuajse një të vetme. E para ishte ajo e dr. Bujar dhe dr.Zana Bukoshit që janë para dilemës jetësore, të rrinë në Gjermani si mjekë tashmë të specializuar e të ftuar nga profesorët gjermanë - është viti 1985, çdo gjë në Kosovë ka shkuar e po shkon kah një degradim i sigurt pas represionit që po e ushtron Serbia dhe pjesa tjetër e Jugosllavisë. E dyta është një fshat i vogël në Egje, në veri të Greqisë në të cilin çifti dhe tre vajzat e tyre i kalojnë pushimet verore me kujdesin e përditshëm të pronarëve të shtëpisë së lëshuar me qira. Të shkrira në një, të dy pamjet jepnin pasqyrën e një familje evropiane të shtresës së mesme që gëzon jetën në sigurinë e parashikueshme të saj.
Dhe të shkrira në një , të dy pamje janë krejtësisht e kundërta prej përzgjedhjes që i bënë Bukoshët jetës dhe që jeta u bëri atyre. Deri atëherë, Bujar Bukoshi kishte qenë një nxënës shembullor i gjimnazit të Prizrenit, i biri i nëpunësit të Postës që erdhi nga Suhareka, studenti shembullor në Beograd që me kokëfortësi e bindte veten në Konvikt se nuk është edhe aq i uritur sa i tregon organizmi dhe se do të meritonte notën më të lartë te profesori më i mirë dhe më nacionalist në tërë Fakultetin e Mjekësisë, atij që kur i dha 10-she deklaroi para të gjithë studentëve se përkundër faktit se është shqiptar, studenti Bukoshi kishte shkëlqyer mbi të gjithë të tjerët. Kishte qenë edhe mjeku i ri i dërguar në Gllogoc (“çfarë fukarallëku o Veton, s’ta merr mendja”) atëherë kur i tërë Gllogoci ishte një shkollë, një stacion i milicisë, një kafene, një ambulantë dhe një dhomë përmbi të, e tërë jeta sociale ishte takimi me milicin, mësuesin e kafexhiun në mbrëmje. Kishte qenë edhe njeriu që u martua me të bijën e doktor Dautit, institucion më vete në Prizren, e i cili iu dorëzua kokëfortësisë së mjekut të ri apo thënë më mirë përcaktimit të vajzës së tij.

2.
Kur policia sekrete e Serbisë e futi në bagazhin e një automjeti tashmë kishin kaluar pesë vjet nga vendimi për të mos punuar në Berlin. Ishte gjithnjë e më pak kirurgu Bukoshi- ai i cili ishte bërë i njohur si rekordmen i tërë procesit kirurgjikal prej hapjes deri në qepje, me matës sekondash e vlerësues milimetrash të varrës së mbyllur- dhe ishte gjithnjë e më shumë kryengritësi kokëfortë, ai që mblidhte nënshkrime në Fakultet të Mjekësisë për Apelin e intelektualëve dhe ai që u paraqit në listën e nismëtarëve të LDK-së dhe u bë sekretar i përgjithshëm i saj.
Kur policia sekrete e Serbisë e futi në bagazhin e automjetit, e mbajti në hetime gjatë natës dhe e liroi nga bagazhi të nesërmen në mëngjes në një livadh, kishte bërë veprimin e vet përshkallëzues, i ardhshmi nuk do të ishte lirim i menjëhershëm e as pa pasoja fizike.
Përgjigjja e tij ndaj kësaj ngjarjeje ishte si edhe ndaj çdo të keqeje që vinte ato ditë: me mërrolë, shpërfillje e jo rrallë edhe me ndonjë të sharë, diçka me të s’ëmës. Qe i njëjti si në atë ditë para një viti kur filloi të shkonte ta merrte e kthente me veturë tijën Ibrahim Rugovën nga banesa në Lakrishtë, një akt solidarizimi me dikë që ishte në rrezik e nuk kishte ofertë mbrojtje; prej se vendosi që të mos ishte kirurgu i respektuar i Berlinit, ai u bë edhe mbledhës nënshkrimesh i Apelit, edhe vozitës e truproje i Rugovës , edhe zyrtar i LDK-së. Dhe, ditën kur në Këshillin koordinues të Partive politike të Kosovës kishim vendosur që të kemi Qeveri të Republikës së Kosovës , pranoi propozimin e dr.Rugovës të ishte kryeministri i saj, kryeministri i saj në ekzil.
3.
“Këtu ka pasë qeli burgu për diplomatët e padëgjueshëm”, më tregon Bukoshi, me sensin e tij të humorit, godinën e dikurshme të ambasadës së Koresë së Veriut që tash është Zyra e Republikës së Kosovës në Tiranë, një objekt i rinovuar me modesti arkitekturore gjermane , me fondet e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Është viti 1998, Republika e Kosovës ka një Qeveri në ekzil që funksionon me leje të Qeverisë gjermane. Republika e Kosovës është një projeksion mendor, ide që mbledh shumicën dërrmuese të qytetarëve të Kosovës brenda dhe jashtë vendit, është paraqitje fizike e me shkrim e kryeministrit të Kosovës në kancelari evropiane, është Fondi i 3-përqindëshit me të cilin diaspora (kryesisht nëpërmjet degëve të LDK-së) derdhë mjete në Qeveri në mënyrë që ajo ta mbajë të gjallë sistemin e arsimit, damarin ekzistencial të popullit shqiptar.
Por tash jemi në vitin 1998 dhe damari ekzistencial bëhet lufta. Bukoshi me vite të tëra ka pritur se do të vijë ky moment. Kur votuam për Qeverinë në ekzil, pjesë e mandatit të saj ishte të krijojë institucione të mbrojtjes. Në formë gjysmësekrete Qeveria mbajti të strukturuar një pjesë të madhe të eprorëve shqiptarë të ish-APJ-së që kishin luftuar në Kroaci e Bosnje e Hercegovinë; u bënë përpjekje për trajnim të ushtarëve në Shqipëri.
Lufta megjithatë zhvillohet si një lloj revolucioni; Lëvizja popullore e Kosovës konteston strukturën komanduese të përgatitur për luftë sepse konteston njëkohësisht strukturën politike që qëndron prapa saj, Rugovën dhe LDK-në.
Bukoshi përpiqet të unifikojë forcat e luftës. Në godinë shoh për herë të parë Ahmet Krasniqin, ministrin e tij të mbrojtjes. Më thotë se është optimist se megjithatë, do të bashkohen të gjitha forcat e luftës. Herën e ardhshme kur të dëgjoj për Ahmet Krasniqin është në lajmin se është vrarë në Tiranë, në një atentat.
“M’i ka këputë krahët”, më thotë Bukoshi, duke iu referuar Krasniqit dhe bllokimit me vrasje të idesë së bashkimit të të gjitha forcave për çlirim të vendit.
Bukoshi ende beson në idenë e bashkimit e niset për në Kukës , në vizitë kampit të ushtarëve që janë nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes. Kryeministri Majko e lajmëron që të mos kthehet me makinë, ia dërgon një helikopter. Po të kthehej me makinë, këtu do të përfundonte rrëfimi për Bujar Bukoshin, personin e vrarë në pritën e radhës.
4.
Por rrëfimi kishte marrë një kahe tjetër, që më herët në vitin 1998, në maj.
Jemi në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Clinton sapo ka dalë nga mbledhja me bashkëpunëtorët e ngushtë të sigurisë kombëtare, të mbledhur urgjentisht për të shqyrtuar acarimin mes Indisë e Pakistanit, dy fuqive bërthamore.
Takimi ynë është për të shqyrtuar mundësitë e arritjes së një paqe dhe një procesi politik që do të çojë tek përmbushja e aspiratave tona.
Takimin e kryesonte Ibrahim Rugova, me të ishim Bujar Bukoshi, Fehmi Agani dhe unë. Kishim kaluar pothuajse tërë dhjetëvjetëshin duke i bindur bashkëbiseduesit të njëjtën gjë: të ndërpritet dhuna ndaj nesh e të na mundësohet një proces politik që do t’i përmbush aspiratat tona demokratike. Republika e Kosovës, një projeksion mendor, fliste me zërin e presidentit të saj dhe kryeministrit; që të dytë kishin kaluar vite duke folur me diplomatë të rangut të ulët, duke trokitur në dyer të kancelarive, duke kërkuar miq kudo për të dhënë një intervistë e deklaratë në medie.
Tash ishim në zyrën më të fuqishme në botë.
Clinton na tha “nuk do të lejojmë Bosnjë të dytë”. Bukoshi pyeti, a mund ta themi këtë publikisht? Clinton pohoi.
Kur dolëm nga Shtëpia e Bardhë, heshtazi, pa komentuar mes nesh, kishim një ndjenjë të kalimit të një dhjetëvjetëshi brenda gjysmë ore.
Rrëfimi pastaj ka rrjedhën e vet.
5.
Dyzet vjet pas vendimit të vet mund të kishim dëgjuar lajmin për vdekjen e urologut të njohur dr. Bujar Bukoshi në Berlin. Nuk i dihet, siç nuk dihet çka do të kishim dëgjuar për jetën e këtij urologu të njohur gjerman me origjinë kosovare.
Ajo çka dihet është se Bujar Bukoshi ka pasur vullnet për jetë, siç ka pasur vullnet për çdo gjë që i ka tërhequr vëmendjen e kërshërinë. Ka pasur vullnet për të lexuar një gazetë e libër të mirë, parë një film të arritur, dëgjuar muzikë e për bisedë intelektuale dhe program debati të televizionit gjerman apo francez, aty ku mëson diçka prej debatuesve. Ka pasur gëzimin e çdo dite të jetuar me familje, buzëqeshjen me sy të Zanës dhe qetësinë e përkrahjen e saj edhe në momentet më të vështirë, hapin e bërë në jetë e profesion të vajzave, aftësinë e nipave për të mësuar gjuhë të huaja e arritje sportive. Ka pasur gëzimin e largimit të vdekjes nga vetja ditë pas dite, muaj pas muaji, vit pas viti- jo rrallë me një të sharë, me aso në të s’ëmës.
Në këtë shekull të lirisë, ka pasur gëzimin që deri në fund ai dhe të afërmit e tij kanë ditur se çdo ditë e jetës së tij ka qenë e një njeriu të ndershëm e me integritet, të përgjegjshëm e të përkushtuar që dyzet vjet më herët zgjodhi rrugën gjembore të kontributit për vendin.