OpEd

Një shtet si një labirint

Marrëveshja e Dejtonit i dha fund gjakderdhjes në Bosnjë-Hercegovinë para 30 vjetëve, por nuk krijoi një shtet funksional

Ishte një ditë e zymtë kur, më 22 nëntor 1995, presidentët e Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë dhe Kroacisë u lejuan të largoheshin nga baza ushtarake në Dejton, në shtetin amerikan të Ohajos. Alija Izetbegoviq, Sllobodan Millosheviq dhe Franjo Tuxhman kishin kaluar 20 ditë të ngujuar dhe nën presionin për të negociuar. Në fund ata pranuan një marrëveshje paqeje, me të cilën mori fund lufta gati katërvjeçare, që shkaktoi rreth 100 mijë viktima. 

Që në javën e parë të takimeve në Dejton, amerikanët kishin krijuar një atmosferë kërcënuese mbresëlënëse, e cila nuk dështoi të kishte efektin e saj psikologjik: Delegacionet nga Sarajeva, Beogradi dhe Zagrebi shpesh duhej të hanin mëngjesin e drekën në një hangar - nën hundën e avionëve bombardues amerikanë. Sllobodan Millosheviqi madje duhej ta pinte supën në afërsi të një rakete të ushtrisë amerikane.

Richard Holbrooke prezantoi marrëveshjen para shtypit botëror, jo pa krenari. Dokumenti prej 65 faqesh vulosi ndarjen e Bosnjës në dy entitete: Serbët e Bosnjës, të cilët në një moment kishin pushtuar dy të tretat e vendit, morën 49 për qind të territorit, mbi të cilin u ngrit një kuazi-shtet - Republika Srpska; boshnjakët (myslimanët) dhe kroatët formuan një federatë, e përbërë nga dhjetë kantone. Formalisht, Bosnjë-Hercegovina duhej të mbetej një shtet i bashkuar me institucione qendrore. Megjithatë, fuqia e tyre mbetet, në rastin më të mirë, simbolike edhe sot e kësaj dite.

Marrëveshja e Dejtonit krijoi një formacion shtetëror tepër të komplikuar me 13 qeveri, 180 ministra, tre presidentë dhe mbi 700 deputetë në parlamente të ndryshme - shumë për një vend të varfër dhe të shkatërruar nga lufta me 3.2 milionë banorë.

Papunësia mbetet e lartë, industria e dominuar nga shteti në kohën e Titos është bërë kryesisht gërmadhë. 

Në të dy entitetet dominojnë kryesisht partitë e themeluara në prag të luftës dhe të cilat e shohin veten si përfaqësuese të interesave të bashkësisë së tyre. Himni i Bosnjës ilustron gjendjen: është një melodi pa tekst, sepse boshnjakët, serbët dhe kroatët nuk donin të binin dakord për një tekst të përbashkët. 

Marrëveshja e paqes e Dejtonit është zbatuar gjatë 30 vjetëve të fundit kryesisht nga protektorët ndërkombëtarë, të cilët janë pajisur me kompetenca të gjera. Këto kompetenca ata shpesh i kanë përdorur gjerësisht, duke shkarkuar politikanë nacionalistë ose duke anuluar ligje që ishin në kundërshtim me frymën e Dejtonit.

Sa është e suksesshme kjo marrëveshje e paqes? Gjithsesi, suksesi kryesor është ndalja e gjakderdhjes. Me gjithë retorikën shpesh toksike, kërcënuese e nacionaliste të politikanëve, sidomos atyre nga entiteti i dominuar nga serbët, në përditshmëri njerëzit nuk atakohen fizikisht për shkak të përkatësisë etnike. 

Por Bosnja mbetet një shtet si labirint, një konstrukt i ndërlikuar, me institucione të paralizuara, me rrëmujë kompetencash, me beteja politikanësh për të futur nën kontroll resurset dhe për t’ia ndarë ato klientelës partiake. 

Ndasitë etnike nuk janë tejkaluar. Glorifikimi i kriminelëve të luftës është bërë zakon në republikën serbe. Lidhjet me Rusinë po ashtu. Pothuaj çdo javë një delegacion i entitetit serb shkon në Moskë apo Shën Petërburg - ose një delegacion rus vjen në Banjallukë, në kryeqytetin e serbëve të Bosnjës. Në shkolla fëmijët mësojnë historinë më të re sipas interpretimit nacionalist apo patriotik, varësisht nga këndvështrimi. 

Megjithatë, në gjithë këtë zymtësi politike ka diçka pozitive: pas një fushate shumëvjeçare kundër shtetit të Bosnjë-Hercegovinës nga ana e presidentit të republikës serbe, Millorad Dodik, pas vendimeve antikushtetuese të parlamentit të kontrolluar nga partia e tij në Banjallukë, pas një sërë veprimesh që synonin të minonin institucionet qendrore, pas kontestimit të autoritetit të përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Sarajevë, edhe Dodikut i erdhi fundi: e largoi drejtësia nga posti (me ndihmën edhe të përfaqësuesit të lartë, politikanit gjerman Christian Schmidt). Përjashtimi i Dodikut nga politika tregon se sa është e rëndësishme që drejtësia të jetë e pajisur me instrumente për të paralizuar politikanët problematikë.

Ish-ambasadori amerikan në Bosnjë, Michael Murphy, i cili në shkurt përfundoi mandatin, shkroi në një editorial për gazetën “Oslobogjenje” se udhëheqësit politikë në Bosnjë-Hercegovinë e kanë keqpërdorur sistemin dhe kanë dështuar në zbatimin e reformave të nevojshme. Sipas tij, ndarjet etnike nuk u krijuan nga Marrëveshja e Paqes e Dejtonit, por janë pasojë e manipulimeve historike me nacionalizmin.

Reformat që ishin në përputhje me Dejtonin, siç janë formimi i forcave të armatosura dhe i gjyqësorit të përbashkët, dëshmojnë se Dejtoni mundësonte zhvillimin e shtetit, por ato u bllokuan ose u sfiduan më vonë nga të njëjtët politikanë që i kishin mbështetur fillimisht, shkroi Murphy.
Ai theksoi se për shkak të refuzimit të kompromisit, bllokimit të reformave, korrupsionit dhe vënies së interesave personale para interesave të qytetarëve, përgjegjësia për gjendjen në vend u bie udhëheqësve politikë. Murphy nënvizoi se Bosnja po përballet me kërcënimin më të madh që nga lufta, si pasojë e planeve secesioniste të Milorad Dodikut dhe rrëzimit të strukturës së Dejtonit. Ai theksoi se politika e Dodikut kërcënon paqen edhe në rajon dhe se ajo shërben si manipulim për fshehjen e përgjegjësisë personale dhe krimit.
Bosnjës nuk po i kërcënohet rreziku vetëm nga Banjalluka dhe Beogradi; edhe politikanët kroatë në Kroaci dhe në Bosnjë janë gjithnjë e më të zëshëm në kërkimin e një entiteti për vete - kësisoj Bosnja do të përçahej edhe më shumë. Murphy shpjegoi se federalizimi si mjet për krijimin e entitetit të tretë është një projekt i rrezikshëm retrograd. Ai konsideron se bashkësia ndërkombëtare duhet të veprojë me vendosmëri. Sipas tij, nuk mjafton më vetëm dhënia e mbështetjes, por konkretisht duhet të mbrohet integriteti territorial i Bosnjës dhe të sigurohet vazhdimi i rrugës drejt BE-së.
A do të ndodhë kjo? Askush nuk e di. Disa shenja janë negative. Administrata e presidentit Donald Trump ia ka hequr sanksionet Millorad Dodikut, ndërsa Zhelka Cvijanoviq, e cila përfaqëson serbët në presidencën treanëtarëshe të Bosnjës, është lejuar të vizitojë disa herë SHBA-në, përkundër se ndodhet në listën e zezë amerikane.