Shumëçka e thënë nga politika dhe e vulosur nga «drejtësia» kosovare për të ashtuquajturin grup «Syri i popullit» i ngjan një filmi nga fabrikat më të largëta propagandistike të Indisë. Me këtë proces Bollywoodi ka ardhur në Prishtinë.
1.
Murat Jashari ka kryer një krim. Në gjykimin e të ashtuquajturit «Syri i popullit» për këtë krim ai mori – me gjasë - dënimin e merituar, sipas gjendjes së tij shëndetësore. Por është tepër e tmerrshme që Murat Jashari të dehumanizohet krejtësisht dhe të shpallet përbindësh e multiagjent, siç bënë jo pak media digjitale të Prishtinës së fundi. Se çfarë ka ndodhur me Murat Jasharin, si e kur është sëmurë pas luftës së Kosovës, me çfarë problemesh psikike ballafaqohet etj., për këtë ekzistojnë autoritetet kompetente, mjekët në Zvicër (ku ka jetuar) dhe në Kosovë, si dhe ekspertë të tjerë.
Këtu dua të flas edhe për Murat Jasharin tjetër. I përndjekur nga regjimi maqedonas në kohën e Jugosllavisë, ai shpëtoi kokën në Zvicër si i strehuar politik. Në Zvicër nuk është ndalur kurrë – aq sa ka ditur e mundur – të punojë për çështjen kombëtare. Në prag dhe gjatë luftës së Kosovës Murat Jashari ka qenë njëri prej armëblerësve dhe armëbartësve më të gjindshëm në shërbim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kur u zbulua se po çonte armë nga Zvicra në Shqipëri për UÇK-në, e nxorën para gjyqit në qytetin St. Gallen në Zvicër. Mori një dënim shumë të lehtë: 18 muaj burg me kusht. Dhe ata që kanë qenë aty kur është shpallur dënimi, nuk e harrojnë arsyetimin e jashtëzakonshëm të gjykatësit zviceran. Ai tha se Murat Jashari po shpëtonte kaq lehtë për shkak se motivet e tij për të kontrabanduar armë për UÇK-në kanë qenë të «respektueshme» (në gjermanisht: «achtenswerte Beweggründe»).
Këto motive e shtynë edhe vëllanë e tij Ismet Jashari të vijë nga Zvicra në Kosovë, t’i bashkohet UÇK-së dhe të japë jetën për lirinë e Kosovës. Edhe kjo është pjesë e biografisë së familjes Jashari nga Kumanova. Lufta i shkatërron njerëzit, lufta edhe i çmend njerëzit, lufta i dërrmon shpirtërisht njerëzit, lufta i bën shokët e luftës pikë e pesë, i ndan, i përçan, i shndërron në armiq që akuzojnë njëri-tjetrin për vjedhje, mashtrime, vrasje. Me sa duket lufta dhe besimi nganjëherë i verbër në ideologji Murat Jasharin e kanë futur në një skëterrë. Por kjo nuk e arsyeton assesi krimin e tij. Kurrsesi.
Mediat e cituan kryesuesen e trupit gjykues duke thënë se grupi të cilit i përkiste Murat Jashari ka bërë plane për të rrëzuar rendin kushtetues të Kosovës – këto përgatitje, sipas kryesueses, qenkan bërë «në një shtet perëndimor». Jo vetëm të dënuarit, por edhe publiku duhet patjetër ta dijë se në cilin shtet janë kryer këto përgatitje për, siç thuhet, vrasjen e figurave politike në Kosovë. I mbetet instancës së dytë gjyqësore që të sqarojë edhe këtë çështje, sepse duket se nuk është thënë fjala e fundit në këtë proces të shoqëruar me shumë pompozitet e politizim të skajshëm. A ishte Murat Jashari njeri me lidhje deri në Moskë (siç akuzonte një prijës shteti) apo viktimë e sëmundjes së tij të rëndë, që e hodhi në një lojë komplotesh të nëntokës kosovare – a do të sqarohet kjo ndonjëherë? Kjo është detyrë e drejtësisë.
2.
Në gjykimin e të ashtuquajturit «Syri i popullit» personi A.L. u dënua jo vetëm për përgatitje të veprave terroriste, por edhe për «dhunim» të një të burgosuri me të cilin ndante qelinë. (Detajet e këtij «dhunimi» nuk është e nevojshme të tregohen këtu). Por meriton vëmendje avokati Ramiz Krasniqi, i cili në “Interaktiv” të KTV-së tha se personi kinse i «dhunuar», pasi ka dhënë deklaratën paska ikur në Francë, ku ka kërkuar azil. Gjoja të dëmtuarin, sipas avokatit Krasniqi, kurrë nuk e ka parë askush në sallën e gjykimit, ku do të duhej të dëshmonte. Mbetet për t’u sqaruar si paska dalë nga burgu ky i dhunuari. Ka ikur? Është liruar pasi ka dhënë deklaratën e kërkuar prej tij? Ky episod i ngjan shumë një metode sovjetike si në vitet ‘30 nën Stalinin...
3.
Gjykimi, ndërkaq, i përngjan një filmi nga fabrikat më të largëta propagandistike të Indisë, nga Bollywoodi. Për këtë flet politizimi që i është bërë. Së pari nga kryetari i shtetit dhe kryetari i PDK-së. Të dy, si një duet i koordinuar e ushtruar mirë, kanë drejtuar gishtin nga Lëvizja Vetëvendosje si inspiruese, themeluese e çka jo tjetër e «grupit terrorist» «Syri i popullit». VV-ja ka bërë mjaft marrëzi gjatë ekzistencës së saj, por për ta akuzuar për themelim organizatash terroriste duhet pasur fakte. Kur «faktet» i prezanton kryetari i shtetit, duhet pasur shumë rezerva.
Politizimi ka vazhduar edhe pas shpalljes së aktgjykimit gjysmak. Nxënës politikë të kryetarit të PDK-së si argument se VV-ja qëndron pas «Syrit të popullit» përmendin një lidhje familjare që një i dënuar ka me kryetarin afatshkurtër të Kuvendit të Kosovës. Kjo akuzë ka aq cilësi sa akuza e shtypit të verdhë kosovar që ia bënte pas luftës një politikani të PDK-së se kur ka qenë në Zvicër «ka vjedhur farmerka», kuptohet pa prezantuar asnjë fakt. Në propagandën për «Syrin e popullit» nuk mungon edhe akuza për «lidhje» me Moskën. Kjo është një akuzë mjaft e popullarizuar, por a ka ndonjë fakt? Prokuroria nuk ka ofruar asnjë dëshmi. Ndërsa gjykata ka marrë një vendim thënë më së buti të dyshimtë.
Cilësia e dobët e hetimeve, procesi gjyqësor i shoqëruar me shumë mangësi dhe aktgjykimi që lë shumë pyetje hapur, janë arsye të bollshme që kjo lëndë të trajtohet urgjentisht nga Gjykata e Apelit. Nëse një gjykatë jep 31 vjet burg, ajo së paku duhet të jetë në gjendje të tregojë pa asnjë mëdyshje se në cilin shtet perëndimor qenkan përgatitur aksionet terroriste të «Syrit të popullit»?
Ndërsa kjo nuk tregohet nga gjykata dhe prokuroria, po aq është i mundur një skenar tjetër: që Murat Jashari (me shëndet të rrënuar fizik dhe mendor) të jetë keqpërdorur nga strukturat e nëntokës dhe ato (para)shtetërore për të kryer një krim ndaj një njeriu të pafajshëm dhe të pambrojtur. Këtu e tutje pastaj mund të jetë kallajisur afera me dokrra për lidhjet e «Syrit të popullit» me Kremlinin. Procesi kundër të ashtuquajturit «Syri i popullit» duket më shumë shembull frikësues i shtetit të kapur, ku në betejat për ruajtje të pushtetit nuk zgjidhet asnjë mjet. «Syri i popullit» më shumë i ngjan një organizate si ajo që u shfaq në nëntor 2008 dhe mori përgjegjësinë për sulmin kundër Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO). Më parë kishte dështuar tentimi i pushtetit të atëhershëm që sulmi t’u vishej tre agjentëve të shërbimit sekret gjerman.