"Kultura ruse”, vëren historiani Timothy Garton Ash, është bërë "viktimë kolaterale e kanibalizmit vetëgllabërues të Putinit". Prandaj, “ka ardhur koha për të pyetur nëse, duke folur objektivisht, Vladimir Putini është një agjent i imperializmit amerikan. Sepse asnjë amerikan nuk i ka bërë ndonjëherë as gjysmën e dëmit asaj që Putini e quan "bota ruse" sa vetë lideri rus". Duke ofruar një analizë të ngjashme, gazetari kazak, Arman Shuraev, së fundmi kritikoi ambasadorin ngacmues të Rusisë në vendin e tij: “Rusofobia është gjithçka që keni arritur me veprimet tuaja budallaqe. … Ju jeni idiotë. Ju jeni kanibalë që hani veten”
Kujtoni historinë për eksploruesin që ndeshet me një fis aborigjen për herë të parë. "A ka kanibalë mes jush?" – pyet ai. "Jo", përgjigjen ata, "të fundit e hëngrëm dje". Për të krijuar një komunitet të qytetëruar duke ngrënë kanibalin e fundit, akti përfundimtar duhet të quhet ndryshe. Është një lloj mëkati i parë që duhet fshirë nga kujtesa.
Në mënyrë të ngjashme, kalimi në një rend ligjor modern në "Perëndimin e Egër" amerikan u realizua përmes krimeve brutale dhe krijimit të miteve për t'i mbuluar ato. Siç shprehet një personazh në westernin e John Fordit, “The Man Who Shot Liberty Valance”, “Kur legjenda bëhet fakt, shtype legjendën".
Por "faktet" që lindin nga legjendat nuk janë të vërteta, të verifikuara. Përkundrazi, ato janë artefakte shoqërore: ide të përbashkëta që formojnë bazën e rendit ekzistues socio-politik. Nëse mjaft njerëz do të refuzonin, i gjithë rendi do të shpërbëhej.
Këto artefakte sociale lejojnë që mëkatet e para të një shoqërie të mbeten në sfond, ku ato vazhdojnë të veprojnë në heshtje, sepse qytetërimi modern ende mbështetet në barbarizëm. Kujtoni se si aparati ligjor i pushtetit u përdor për të sanksionuar praktikën jashtëligjore të torturës duke e quajtur "marrje e madhe në pyetje".
Megjithatë, tani, një lloj i ri fryme politike po shfaqet. Siç vëren filozofja Alenka Zupançiq në librin e saj të ri, “Let Them Rot” (në të cilin unë mbështetem gjerësisht këtu), ne kemi gjithnjë e më shumë liderë që krenohen me krimet e tyre "sikur të ishte një lloj ndryshimi moral themelor ose dallimi i karakterit, domethënë, 'duke pasur guximin', 'guxim' për ta bërë atë haptazi”. Por, Zupançiq nxiton të shtojë:
“Ajo që mund të duket si shkelja e tyre e guximshme e ligjeve shtetërore duke shmangur ‘hipokrizinë’ që kërkojnë ndonjëherë ato ligje, nuk është gjë tjetër veçse një identifikim i drejtpërdrejtë me anën tjetër të turpshme të vetë pushtetit shtetëror. Nuk përbën asgjë tjetër apo ndryshe. Ata po 'shkelin' ligjet e tyre. Kjo është arsyeja pse, edhe kur janë në pushtet, këta liderë vazhdojnë të veprojnë sikur janë në opozitë me pushtetin ekzistues, duke u rebeluar kundër tij – e quajnë atë ‘kapje shteti’, apo diçka tjetër”.
Natyrisht, ky përshkrim të kujton imazhet e Donald Trumpit, i cili vetëm këtë muaj bëri thirrje për "anulimin" e Kushtetutës së SHBA-së. Por, sigurisht, paraqitjet janë shpërbërë edhe në Rusi. Për dhjetë muaj presidenti Vladimir Putin këmbënguli se nuk kishte luftë në Ukrainë dhe rusët e zakonshëm rrezikuan me ndjekje penale për të sugjeruar të kundërtën. Por tani, Putini ka thyer sundimin e tij dhe ka pranuar se Rusia është në luftë.
Po kështu, Yevgeny Prigozhin, mik i Putinit, mohoi prej kohësh se ai kishte ndonjë lidhje me Grupin Wagner të mercenarëve rusë. Megjithatë, ai ka pranuar tani se e themeloi grupin dhe se ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë.
Për figurat politike si Trumpi dhe Putini, guximi ripërcaktohet si gatishmëri për të shkelur ligjet e shtetit nëse interesat e shtetit - ose të tyre - e kërkojnë këtë. Implikimi është se qytetërimi qëndron vetëm nëse ka patriotë të guximshëm që do të bëjnë punën e pistë. Kjo është një formë e qartë e krahut të djathtë të "heroizmit". Është e lehtë të veprosh me fisnikëri në emër të vendit – pa sakrifikuar jetën për të – por vetëm njerëzit me zemër të fortë mund ta detyrojnë veten të kryejnë krime për të.
Prandaj, në vitin 1943, Heinrich Himmler, arkitekti i Holokaustit, foli për "një kapitull lavdie në historinë tonë që nuk është shkruar kurrë dhe që nuk do të shkruhet kurrë". Pyetja ishte çfarë të bënin me gratë dhe fëmijët hebrenj. "Vendosa këtu për të gjetur një zgjidhje plotësisht të qartë", tha Himmler në një mbledhje të oficerëve të SS. “Unë nuk e konsideroja veten të justifikuar për shfarosjen e burrave … dhe për të lejuar hakmarrësit në formën e fëmijëve të rriten për djemtë dhe nipërit tanë. Duhej marrë vendimi i vështirë që ky popull të zhdukej nga toka”.
Por në Rusinë e sotme, ideja se mizoritë "nuk do të shkruhen kurrë" del gjithnjë e më shumë jashtë modës. Larg nga injorimi i ngrënies së kanibalëve, akte të tilla janë duke u përfshirë në ligj. Më 14 dhjetor, Duma ruse (legjislativi) miratoi një projektligj ku thuhej se çdo mizori e kryer në Donenjck, Luhansk, Zaporizhia dhe Kherson përpara aneksimit të këtyre rajoneve të Ukrainës "nuk do të konsiderohet një krim i dënueshëm me ligj" nëse gjykohet se ishte "në interes të Federatës Ruse".
Se si do të bëhet ky përcaktim është e paqartë; por është e sigurt të supozohet se të gjitha torturat, përdhunimet, vrasjet, plaçkitjet dhe vandalizmi i kryer nga forcat ruse do të justifikohen – madje do të festohen. Dikujt i kujtohet paradoksi tek Antigona e Sofokliut, ku është më e rrezikshme t'i bindesh moralit sesa të bëhesh bashkëpunëtor në kriminalitet.
"Kultura ruse”, vëren historiani Timothy Garton Ash, është bërë "viktimë kolaterale e kanibalizmit vetëgllabërues të Putinit". Prandaj, “ka ardhur koha për të pyetur nëse, duke folur objektivisht, Vladimir Putini është një agjent i imperializmit amerikan. Sepse asnjë amerikan nuk i ka bërë ndonjëherë as gjysmën e dëmit asaj që Putini e quan "bota ruse" sa vetë lideri rus". Duke ofruar një analizë të ngjashme, gazetari kazak, Arman Shuraev, së fundmi kritikoi ambasadorin ngacmues të Rusisë në vendin e tij: “Rusofobia është gjithçka që keni arritur me veprimet tuaja budallaqe. … Ju jeni idiotë. Ju jeni kanibalë që hani veten”.
Në mënyrë paradoksale, ushtrimi i transparencës së rreme të Rusisë i bën edhe më të rrezikshme mistifikimet e pushtetit shtetëror, duke gërryer ndjeshmëritë tona morale. Tregon pse na duhen figura si themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange më shumë se kurrë. Assange është Antigona jonë. Për vite të tëra ai është mbajtur në një gjendje të pavdekur, të izoluar, në pritje të ekstradimit në Shtetet e Bashkuara për të shërbyer si spiun për njerëzit, duke bërë publike vetëm një pjesë të vogël të anës së errët të pahijshme të politikës amerikane. Edhe pse Assange mund të ketë bërë disa gjëra shumë problematike, dëshira ime për Vitin e Ri është që presidenti Joe Biden të tregojë guximin e vërtetë dhe të shfuqizojë akuzat kundër tij.
(Autori, profesor i Filozofisë në Shkollën Evropiane të Diplomimit, është drejtor ndërkombëtar i Institutit për Shkenca Humane Birkbeck në Universitetin e Londrës dhe autor, së fundmi, i “Heaven in Disorder” (OR Books, 2021). Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).