Që nga fillimi Mini-Schengeni si nismë ka qenë e paqartë dhe vazhdon të mbetet e tillë. Njohës të ekonomisë dhe të integrimeve rajonale kanë shprehur dyshime në fuqinë e saj për t’i adresuar barrierat që ekzistojnë aktualisht mes vendeve të rajonit, e sidomos të Kosovës me Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, të cilat nuk e njohin atë dhe as dokumentet e saj
Dymbëdhjetë vjet pas Pavarësisë, Kosova vazhdon të mbetet laborator eksperimentesh për interesa të llojllojshme, si vendore ashtu edhe rajonale e globale. “Eksperimenti” i fundit ishte marrëveshja e nënshkruar në Washington më 4 shtator. Kjo marrëveshje, që nuk po konsiderohet as marrëveshje, por më shumë si dy letra zotimesh nga pala serbe dhe ajo kosovare, përmban më vete disa pika që nëse zbatohen në praktikë prodhojnë efekte më të volitshme për interesat dhe synimet e Serbisë.
Hapja e çështjes së paqenë kontestuese të Liqenit të Ujmanit, moratoriumi i aplikimit të Kosovës në organizmat ndërkombëtarë dhe pranimi i Mini-Schengenit janë tri pikat e kritikuara të marrëveshjes në Kosovë. Ishte pakëz befasi pranimi i palës kosovare që Kosova të përfshihet në zonën e ashtuquajtur Mini-Schengen, sepse kjo nismë pati hasur në kundërshtim të fortë që nga lansimi i saj para dy vjetësh, e sidomos nga nënshkruesit e marrëveshjes, Hoti dhe partia e tij.
E meta më e madhe e marrëveshjes është se nuk e preku thelbin e problemit – njohjen e ndërsjellë të Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç e pati proklamuar kryenegociatori Hoti. Jo se është pritur një gjë e tillë, sepse pakkush ka besuar se kjo qeveri është e aftë të negociojë marrëveshje që do t’i hapte rrugë normalizimit më të shpejtë të raporteve me fqinjin verior. Por pikërisht mosnjohja e ndërsjellë hap dilema dhe shihet si problem i zbatimit të Mini-Schengenit në Kosovë.
Kjo ka qenë edhe arsyeja që Kosova mori qëndrim refuzues për projektin e lansuar nga presidenti i Serbisë, Vuçiq, kryeministri Rama dhe kryeministri maqedonas Zaev, e që, sipas tyre, mbështetet në zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.
Që nga fillimi kjo nismë ka qenë e paqartë dhe vazhdon të mbetet e tillë për mënyrën se si do të funksionojë. Njohës të ekonomisë dhe integrimeve rajonale kanë shprehur dyshime në fuqinë e saj për t’i adresuar barrierat që ekzistojnë aktualisht mes vendeve të rajonit e sidomos të Kosovës me Serbinë dhe Bosnjë- Hercegovinën, të cilat nuk i njohin as dokumentet e saj.
Nisma shihet me dyshim nga opozita edhe për faktin se Serbia është vendi me fuqinë më të madhe ekonomike mes shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe nisma e re do ta përforconte edhe më shumë pozitën e saj në rajon. Më mirë se Kosova qëndrojnë ekonomikisht edhe shtetet e tjera të rajonit, ndërsa problemet e pazgjidhura politike e bëjnë edhe më të pabarabartë pozitën e saj në Mini- Schengen.
Për njohësit e integrimeve evropiane, Kosova nuk duhet të humbasë energjinë me iniciativat të cilat nuk janë prioritete në rrugën integruese. Ata thonë se me nismat e reja nuk mund të zgjidhen problemet e vjetra dhe se Kosova duhet të tregojë shumë kujdes në ndërlidhjen e efekteve të MiniShengenit me liberalizimin e vizave për Kosovën.
As Qeveria e Shqipërisë, as ajo e Maqedonisë, si iniciuese të nismës, nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën se si e kanë planifikuar të zbatohet Mini-Schengeni. Dihet vetëm se pritet të nisë në vitin 2021.
Meqenëse ende nuk është publikuar një plan i qartë rreth kësaj nisme, mbeten të hapura shumë dilema dhe dyshime nëse do të mund të realizohet fare.
Qeveria e Kosovës nuk ka treguar se përse ndryshoi mendjen për Mini-Schengenin në Washington. E ka arsyetuar vetëm me faktin se ishte kërkesë e ShBA-së. Madje Hoti ka shprehur dyshime për pikën e marrëveshjes që e ka nënshkruar duke thënë se “pa u mbyllur çështja në mes të Kosovës dhe Serbisë, mes Kosovës dhe Bosnjës, pa u integruar komplet rajoni në BE, nuk mund të arrijmë shumë nga kjo çështje”.
Politikanët e Kosovës janë të njohur për ndryshimin e qëndrimeve për marrëveshjet që vetë i nënshkruajnë. Varësisht prej rrethanave të tyre personale politike, tentojnë të dirigjojnë edhe politikën shtetërore. Politikanët e krahut të luftës tentuan të shfuqizojnë Gjykatën Speciale, të cilën vetë e kanë miratuar në Kuvend, kur e panë rrezikun personal që u vinte nga ajo. Së fundi presidenti Thaçi ka nisur ta kundërshtojë formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, të cilin vetë e ka pranuar. Rrezikun që po e sheh tani prej tij nuk e kishte parë në kohën kur i duhej për ta ruajtur pozitën e tij, duke lëshuar pe ndaj kërkesave të Serbisë.
Kryeministri Hoti dhe partia e tij e ndryshuan qëndrimin për Mini-Schengen kur hipi në pushtet, e nuk përjashtohet mundësia që ta ndryshojnë atë sërish nëse ashtu u konvenon më shumë politikisht në të ardhmen. Se a përfiton, a humb Kosova, fare pak ka rëndësi.