Shkruan Nebojsha Vujoviq, ish-ambasador i Serbisë në SHBA. Reagim ndaj shkrimit të publicistit Veton Surroi më 20 gusht në KOHA.net “Lufta e fundit e Serbisë, ajo shqiptaro-kroate”. Shkrimi i Vujoviqit u publikua në mediumin në gjuhën serbe “kossev.info” të premten
Shkrimi i plotë:
Veton Surroi është një përfaqësues inteligjent i interesave kombëtare shqiptare, shpesh edhe në dëm të serbëve në Kosovë. Krah për krah me një grup intelektualësh shqiptarë — nga Adem Demaçi deri tek Albin Kurti i sotëm — ai “me zgjuarsi” parashikon luftën e fundit serbe me “ustashët” dhe “shqiptarët”. Si dëshmi të supozuar, ai përmend edhe thirrjet “Aco, Šiptar!” nga studentët dhe qytetarët rebelë - dhe për gishtin e mesëm të ngritur të Andrej Vuçiqit dhe thirrjen e tij “Ustashë!”
Suroi ka nxjerrë me delikatesë nga mëngët e tij dhe të Kurtit simbole që menjëherë i përdor kundër Serbisë në betejën e sotme të vështirë të studentëve dhe qytetarëve për demokraci, me qëllim që të pengojë përsëri nga Prishtina, sepse regjimit të Kosovës nuk i konvenon ndryshimi demokratik në Serbi. Dhe për këtë arsye, na tërheq zvarrë për dyshemeje.
Aty edhe sot qëndron e ashtuquajtura demokraci e Kosovës, e cila ka dështuar 55 herë ta nxjerrë kuvendin nga kurthi zgjedhor në të cilin janë bllokuar vetë shqiptarët. Si të mos i kishte dëgjuar Surroi 50 mijë tifozë të Crvena Zvezdës dhe Partizanit duke bërtitur “Vuçiq, ti je pederast”; apo, në fund të fundit, qytetarët dhe studentët që bërtasin të njëjtën gjë. Asgjë nga kjo nuk është kulturore, por është fakt.
Jo, ai zgjedh atë që është politikisht dhe kombëtarisht e përshtatshme për regjimin e Kurtit, me qëllim që ta margjilanizojë edhe më tej, pra, për të shtypur popullatën e mbetur serbe në Kosovë.
Komenti i tij përputhet në mënyrë të përkryer me sulmet e skifterëve politikë të Kosovës kundër “shkijeve”. A jam edhe unë “shka” meqë kam lindur në Prizren? Po ai, shqiptari i rafinuar nga hoteli “Marriott” në Capitol Hill, kur e takova dhe kur, duke ndier (atëherë) rënien politike dhe gjakderdhjen e Milosheviqit, po jepte leksione? Edhe pse, fatkeqësisht, edhe ne serbët u lamë gjatë në atë gjak.
A e ndien ai tani fundin e regjimit të Vuçiqit dhe ndonjë gjak të ri, dhe për këtë arsye përmend luftën e fundit serbe?
A nuk janë bashkuar Kosova, Shqipëria dhe Kroacia dhe kanë blerë së bashku armë amerikane të sofistikuara, dhe a do të thotë kjo që Veton Surroi, si gazetar i rafinuar ose, ndoshta, si nacionalist shqiptar, po i fton serbët në luftë? Atëherë kush është këtu naiv dhe “dashamirës”?
Folklori i rrugëve dhe stadiumeve është i ngjashëm, qoftë në serbisht, kroatisht dhe në kosovarçe. Ekziston vetëm një ndryshim.
A nuk e shihni, zoti Surroi, se rinia serbe po angazhohet për një komunitet shumetnik dhe shumëfetar? A nuk i keni parë imazhet dhe ngjarjet nga Novi-Pazari? Nuk i keni vënë re studentët në rrugën e tyre drejt Strasburgut dhe Brukselit?
E gjithë kjo, nga stadiumet, nëpër rrugët që brohorisnin prej nëntë muajsh kundër regjimit, deri te vëllazërimi në Novi-Pazar – pavarësisht propagandës së të njëjtit regjim – e deri te flluskat dhe lotët e vrapuesve dhe çiklistëve në Strasburg, nuk mund të shihen sot as në Prishtinë, as në Zagreb!
Hiqeni mbulesën kombëtare nga sytë dhe mprehni shikimin – do t’i shihni ato imazhe dominuese, ashtu siç keni dëgjuar “Aco, shiptar” apo “ustashën” e Andrejit.
A i lexoni vetëm tabloidët serbë që nxisin, ndërkohë që neglizhoni ngjarjet e bukura reale që po lulëzojnë në Beograd? Çfarë shkruhet në mediat shqip dhe si flitet në studiot e tyre për serbët në veri, për serbët dhe Serbinë në përgjithësi?
A po e ngrenë zërin të rinjtë shqiptarë, bashkë me komunitetin tuaj akademik, kundër një regjimi gjithnjë e më autokratik dhe ultranacionalist?
Luftoni kundër ekonomisë suaj të ngrirë, korrupsionit, krizës së rëndë institucionale, kufizimit të demokracisë dhe, më në fund, shkeljes së të drejtave të serbëve. Tregoni se keni një dhunti qytetarie dhe demokracie; atë tjetrën, nxitësen e urrejtjes, e kemi parë dhe e refuzojmë.
Sa ka ndikuar arsimimi juaj në Amerikë në qëndrimet tuaja?
Mos kini frikë nga Serbia e re. Mos i frikësoni dhe mos i shqetësoni bashkatdhetarët tuaj. Përdorni talentet tuaja. Mos i mashtroni fqinjët tuaj.
Përshëndetje nga Beogradi që ka marrë erën e lirisë.
Shkrimi i Veton Surroit: