Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Ndryshimi i rregullave të demokracisë: një reformë e mundshme zgjedhore në Kosovë

Nisja e një reforme zgjedhore në Kosovë nuk do të jetë një proces i lehtë dhe do të përfshijë sfida dhe mosmarrëveshje politike të cilat nuk janë tejkaluar që nga zgjedhjet e para në vitin 2001. Këto sfida politike janë produkt i mungesës së stabilitetit të qeverive dhe të një konsensusi të partive politike se a duhet të ketë reformë zgjedhore, dhe nëse po, çka duhet të përfshijë ajo. Një ndër premtimet e agjendës politike të Qeverisë Kurti II ka qenë edhe reforma zgjedhore. Në këtë drejtim është krijuar edhe komisioni ad-hoc, i cili ka marrë përsipër ndryshime në këtë fushë, dhe, ndër të tjera, synon një draft propozim në fillim të vitit të ardhshëm. Deri tash ky komision i përbërë nga deputetë të të gjitha partive të përfaqësuara në Kuvend ka zhvilluar disa mbledhje, të cilat nuk kanë shfaqur ende ndonjë rezultat përmbajtjesor.

Por çka është reforma zgjedhore dhe si e ndikon kjo reformë sistemin e votimit të qytetarëve të Kosovës? Për ta thjeshtëzuar, mund të thuhet se sistemi zgjedhor i një vendi vendos rregulla dhe procedura për organizimin dhe mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore dhe transferimin e votës së qytetarëve në mandate politike. Ndërsa një reformë zgjedhore do t’i ndryshonte disa nga elementet aktuale të sistemit tonë, siç janë zonat zgjedhore, listat e votimit, pragu për partitë politike dhe koalicionet, mënyrën e votimit nga jashtë, votimin me kusht, kuotat gjinore, ndryshime thelbësore në Kushtetutë dhe legjislacion, mënyrën e zgjedhjes së presidentit, e kështu me radhë.

Ndryshimet në sistemin zgjedhor në Kosovë nuk kanë munguar. Për të bërë një historik të shkurtër të ndryshimeve vlen të përmenden disa faktorë që kanë ndryshuar dhe ato që nuk kanë ndryshuar. Sistemi zgjedhor që nga viti 2001 deri më sot është i tipit të përfaqësimit proporcional. Lista e kandidatëve në zgjedhjet e vitit 2001 dhe 2004 ishte e tipit të mbyllur, ndërsa nga viti 2007 u kthyen në lista të hapura. Që nga viti 2001 Kosova ka një zonë të vetme zgjedhore dhe Kuvendi i Kosovës ka gjithsej 120 ulëse. Ndryshim përbëjnë ulëset e veçanta të rezervuara për komunitetet joshumicë, të cilat deri në vitin 2014 kanë qenë të rezervuara, dhe pastaj janë kthyer në të garantuara. Në grupin e elementeve të cilat kanë mbetur të pandryshuara hyn edhe kuota gjinore e cila që nga viti 2001 ka mbetur e pandryshuar dhe është 30%.

Duke pasur parasysh ndryshimet që kanë ndodhur në sistemin zgjedhor në vend, sado të pjesshme që janë, dhe të ndërmarra në intervale kohore të ndryshme, i njëjti duhet të analizohet rregullisht për të pasur një siguri që është duke u përshtatur me kërkesat dhe zhvillimet shoqërore e politike.

Çfarë duhet të përfshijë reforma zgjedhore dhe pse?

Edhe Kolumne Një sistem zgjedhor ndryshe: Koha për ta kthyer politikën në duar të qytetarëve

Janë dy aspekte të rëndësishme të sistemit zgjedhor të cilat nuk duhet ndryshuar assesi, të cilat janë sistemi i përfaqësimit proporcional, si dhe përdorimi i listave të hapura të votimit. Së pari, në rastin konkret të Kosovës si një vend multietnik, modeli zgjedhor më i përshtatshëm për ndarjen e vendeve në mesin e deputetëve të zgjedhur drejtpërdrejt është sistemi zgjedhor i përfaqësimit proporcional. Ky sistem lejon që partitë më të vogla të fitojnë vende në Kuvend, në vend që pushteti të mbahet vetëm mes partive të mëdha. Së dyti, për sa i përket legjitimitetit demokratik, listat e hapura janë superiore në krahasim me listat e mbyllura. Një sistem ku votuesit kanë një zgjedhje se cilët individë mund të bëhen deputetë është pa dyshim më demokratik sesa një sistem në të cilin kush zgjidhet përcaktohet nga vendosja e tyre në një listë të krijuar nga udhëheqjet partiake ose anëtarësimet e vetëpërzgjedhura partiake. Gjithmonë do të jetë dilema se listat e mbyllura mund të përdoren në mënyrë hakmarrëse për ta bërë më të vështirë zgjedhjen e kundërshtarëve të brendshëm në parti, pavarësisht nga popullariteti i individit.

Por cilat janë disa nga pikat kryesore të cilat do të duhej të ishin temë diskutimi gjatë punimeve për inicimin e reformës zgjedhore? Pika e parë dhe më e rëndësishme është diskutimi se a duhet të kemi një apo më shumë zona zgjedhore? Përderisa Kosova është e organizuar administrativisht në 38 komuna, ky numër do të ishte shumë i lartë për njësitë zgjedhore. Dobësia më e dukshme duket të jetë fragmentimi i vendit (më tej) duke miratuar zona të vogla zgjedhore – kjo mund të ndikojë rëndë në shanset që kandidatët e pakicave, gratë apo kandidatët e të pavarur të kenë sukses, dhe përfundimisht të bien në një grackë të sistemit të partive të mëdha. Natyrisht, gjasa e shpërdorimit të votave të partive më të vogla ose të pavarura do të rritej nëse numri i zonave zgjedhore do të rritej dhe madhësia e tyre do të zvogëlohej. Marrë parasysh të gjitha gjërat, vazhdimi i një zone zgjedhore mundëson një stabilitet politik dhe ndalon krijimin e zonave etnike në Kosovë.

Mënyra e zgjedhjes së presidentit vazhdon të jetë një ndër elementet e diskutimit lidhur me këtë proces. Kjo pozitë ka dëshmuar se kërkon një konsensus të vendosur në mes të partive politike në Kuvend, për të pasur sukses. Të gjithë jemi dëshmitarë se zgjedhja e presidentit jo rrallëherë është përcjellë me shumë “drama” dhe pazare politike të skajshme. Andaj ndër vite ka pasur edhe propozime që kjo pozitë të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët. Por a është praktike një ndryshim i tillë? Përgjigjja e thjeshtë është jo. Nëse do të ndryshonte mënyra e zgjedhjes së presidentit, rrjedhimisht edhe kompetencat e kësaj pozite do të duhej të ndryshonin, dhe do të shkaktohej një përzierje e kompetencave në mes të Kuvendit, Qeverisë edhe Presidencës. Në një skenar të mundshëm detyrimisht edhe ndryshimi i sistemi nga ai parlamentar në sistem të përzier (mix) do ishte në tavolinën e diskutimit.

Një tjetër pikë diskutimi është pragu i përcaktuar për partitë politike. Aktualisht pragu zgjedhor është 5% dhe ka thirrje për uljen e pragut kombëtar në 3%. Shifra prej 3%, e vendosur aktualisht në Shqipëri dhe Mal të Zi për shembull, njihet si një metodë midis stabilitetit dhe lejimit të partive të reja për të hyrë në Kuvend. Në rastin e Kosovës, propozimi për një prag të ri në nivel kombëtar nuk do të zbatohej për kandidatët e pavarur apo pakicat, dhe shifra origjinale prej 5% do të zbatohej ende për koalicionet. Për të gjitha të tjerat, shifra prej 3% do të ishte valide.

Për më tepër, çështja e mbetur pezull për çështjet e reformës është votimi me shumë preferenca. Momentalisht votuesit mund të zgjedhin midis 5 kandidatëve partiakë në mënyrë preferenciale, megjithatë ka pasur kërkesa që ajo të jetë një votë me një preferencë të vetme ose të zvogëlohet numri i kandidatëve të partisë në tre. Në një nivel mjaft teknik të listave dhe fletëve të votimit, thjeshtimi i fletës së votimit dhe zvogëlimi i numrit të kandidatëve preferencialë është një mënyrë për të luftuar numrin e lartë të votave të pavlefshme që do të nxiste përqindje më të larta të pjesëmarrjes.

Për sa i përket kontekstit institucional dhe rolit mbikëqyrës mbi zgjedhjet dhe politikën partiake, një pjesë kyç e reformës kalon gjithashtu përmes grumbullimit të organeve transparente dhe të pavarura që rregullojnë ciklet zgjedhore. Zyra e Regjistrimit të Partive Politike duhet të fuqizohet, ashtu edhe siç parashihet në draftligjin për financimin e partive politike, që është ende në procedura të votimit në Kuvend, dhe është zvarritur për vite të tëra në agjendat legjislative. Vetëm atëherë kjo zyre do të ishte në gjendje të luftonte në mënyrë adekuate sfidat e tjera të sistemit zgjedhor, siç është vendimmarrja joformale ndërmjet anëtarëve të profilit të lartë brenda një partie të caktuar dhe sanksionimi efektiv i partive politike. Nevoja për të forcuar organet e menaxhimit të zgjedhjeve, përkatësisht Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Zyrën e Regjistrimit dhe Certifikimit të Partive Politike është shprehur edhe në rekomandimet e Komisionit Evropian. Të dy organet kanë nevojë për rinovim të mandateve të tyre, si dhe rritje të buxhetit për të luftuar mungesën e burimeve dhe kapaciteteve që kanë çuar, për shembull, në lista të pasakta të zgjedhësve që ende përfshijnë qytetarë të cilët nuk jetojnë më. Formimi i institucioneve të besueshme është një pjesë kyç e një demokracie funksionale me vlera të transparencës dhe llogaridhënies, e cila parandalon vendimmarrjen joformale dhe sanksionon siç duhet keqbërjet. Në këtë aspekt, e rëndësisë së madhe është miratimi i projektligjit për financimin e partive politike, projektligj që zvarritet që nga viti 2014 në agjendat legjislative. Miratimi i këtij projektligji do të ofronte zgjidhje adekuate për kompetencat e KQZ-së dhe Zyrës për Regjistrim dhe Certifikim të Partive Politike; duke rritur gjithashtu edhe llogaridhënien e partive politike lidhur me burimin e financave të tyre.

Problematikë tjetër është përfaqësimi gjinor në lista të kandidatëve për deputetë, fenomen ky i përmendur edhe në raportin e vëzhgimit të Bashkimit Evropian. Siç përmendet edhe më lart, kuota gjinore mbetet e pandryshuar që nga viti 2001, kuotë kjo adekuate për të garantuar një përfaqësim të grave në mandate politike. Por shtimi i elementit të garancisë përfaqësuese gjinore prej 50% në listat e kandidatëve të partive politike do të ndikonte tejet pozitivisht dhe do të garantonte një përfaqësim të barabartë gjinor.

***

Edhe Kolumne Disa sugjerime për analizë të zgjedhjeve të 7 qershorit

Përparësitë dhe disavantazhet e lidhura me secilin element dëshmojnë se, në fund të fundit, nuk ka një sistem zgjedhor të përsosur pa të meta – çështja qëndron tek gjetja e përshtatjes më të mirë për realitetin socio-ekonomik të vendit dhe nevojat e qytetarëve. Gjetja e sistemit të duhur zgjedhor nuk është punë e lehtë dhe mund të kërkojë disa reforma zgjedhore në vazhdimësi. Si themel i proceseve të tilla është stabiliteti politik, përkrahja ndërkombëtare dhe një konsensus në mes të të gjitha forcave politike.

(Autorja është pjesë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike. Ky editorial është shkruar në kuadër të projektit: “Rritja e transparencës dhe integritetit të partive politike në Kosovë: Theks i veçantë në zbatimin e Ligjit për Financimin e Partive Politike dhe Reformës Zgjedhore”, implementuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe financuar nga National Endowment for Democracy – NED).