OpEd

Ndërhyrja e NATO-s nuk pati alternativë

Po të mos ndërhynte në Kosovë në pranverën e vitit 1999, NATO-ja do ta humbte arsyen e ekzistimit të saj. Pse të ekzistonte një NATO edhe pas përfundimit të luftës së ftohtë, pas shembjes së Traktatit të Varshavës, nëse do të lejonte gjenocid të ri në Evropë. Serbia, që nuk po tregon asnjë shenjë të gatishmërisë për përballje me të kaluarën e saj të errët, nuk mund të ndërtojë paqe me shqiptarët, por as me fqinjët e tjerë, nëse refuzon të njohë arsyet e ndërhyrjes së NATO-s dhe krimet ndaj shqiptarëve që sollën deri te kjo ndërhyrje

Përvjetori i 20-të i ndërhyrjes së NATO-s më së shumti u shënua në Kosovë dhe në Serbi, përderisa në vendet anëtare të NATO-s mbeti pa u vërejtur, me përjashtim të disa analizave të mediave dhe rikujtimeve se pse dhe si ndodhi kjo ndërhyrje e parë dhe e fundit ushtarake e Aleancës më të fortë në botë. Në Kosovë e në Serbi u përkujtua nisja e bombardimeve në mënyra të ndryshme. Kosova e përkujtoi edhe si fillimin e fundit të sundimit të Serbisë së Slobodan Milosheviqit dhe ndaljen e krimeve që po bënte ai regjin në Kosovë. Serbia e kujtoi si një agresion “të panevojshëm, kriminel dhe të paligjshëm ndaj një shteti sovran”. Ndërsa NATO nuk e përmendi fare. Në përpjekje për të pasur raporte sa më të mira për Serinë, NATO duket sikur heziton ta përmendë këtë fushatë ajrore. Nganjëherë, sa herë kujtohet ky veprim, shprehet edhe keqardhje për viktimat civile, që është edhe e logjikshme, por edhe rikujtohet se ndërhyrja ishte rezultat i dështimeve për të gjetur një zgjidhje politike.

Ose, në një distancë kohore prej 20 vjetësh do të pritej që gjërat të ishin pak më të arta për të gjithë, e edhe ata që nuk dinin pse kishte ndodhur kjo ndërhyrje, tash do ta kenë kuptuar më mirë, por kjo nuk po ndodh. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, edhe sot thotë se “serbët nuk mund ta kuptojnë pse ka ndodhur ndërhyrja e NATO-s kundër tyre”. Por nuk mund të ketë person më të duhur sesa pikërisht ai që tua shpjegojë edhe atyre serbëve që nuk e dinë pse kishte ndodhur kjo ndërhyrje. Si ministër në Qeverinë e atëhershme të Slobodan Milosheviqit, Vuçiq, por edhe ministri i Jashtëm, Daçiq, e dinë fort mirë se çfarë ndodhte në Kosovë dhe pse u desh të ndërhynte NATO-ja për t’iu dhënë fund krimeve të tyre. Por Vuçiq dhe Daçiq janë në vazhdim të përpjekjeve të tyre për një të kaluar më të mirë. Ata do të donin që lufta në ish-Jugosllavi të kujtohej vetëm si një sulm i NATO-s ndaj Serbisë, pa asnjë arsye, dhe të mos flitet fare për krejt çfarë ka ndodhur me agresionin dhe krimet serbe në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë.

Gjithmonë duhet të flitet me pietet për të gjitha viktimat. Pa marrë parasysh sa ka pasur viktima, për nga përkatësia etnike të gjitha viktimat janë individë dhe kanë emër e mbiemër. Prandaj është jo e duhur të bëhen llogari me numrin e viktimave. Por kur përballen me propagandën e Serbisë, e cila flet vetëm për viktimat serbe të bombardimeve të NATO-s, duhet rikujtuar se shumica e madhe e viktimave ishin shqiptarët e Kosovës. Siç rikujtoi në një intervistë për numrin e së dielës të “Kohës Ditore” Jamie Shea, ish-zëdhënës i NATO-s në kohën e luftës, kishte shumë viktima edhe shqiptarë të gabimeve të NATO-s, por shqiptarët asnjëherë nuk kërkuan që të ndalej fushata.

Një prej gabimeve të NATO-s ishte pa dyshim edhe hezitimi që të përdorte edhe sulmet tokësore. Në këtë mënyrë shqiptarët që kishin mbetur në Kosovë, përpos vazhdimit të dhunës së regjimit të Milosheviqit, ishin shndërruar edhe në viktima të hakmarrjes serbe për shkak të bombardimeve. E NATO-ja nga qielli dhe UÇK-ja nëpër male dhe fushëbeteja, nuk mund t’u dilnin në mbrojtje.

Ndërhyrja e NATO-s ishte rezultat i dështimeve politike jo vetëm në rastin e Kosovës. Por ishte një gabim konstant politik i bashkësisë ndërkombëtare që kërkonte për gati dhjetë vjet zgjidhje politike me Milosheviqin. Rezultati ishte katastrofik. Kroacisë, pas shumë dëmeve dhe viktimave, iu desh ta çlironte vetë tokën e saj të okupuar. Marrëveshja paqësore për Bosnjë-Hercegovinën e copëtoi këtë shtet dhe shpërbleu ata që bënë gjenocid. Kështu edhe sot ky shtet është jofunksional, ndërsa në vendin ku forcat serbe bënë gjenocid, në Srebrenicë, pushtetin e kanë serbët dhe ai qytet ndodhet në entitetin “Republika Srpska”. Edhe ky entitet, edhe Serbia vazhdojnë të mohojnë gjenocidin në Srebrenicë, ani pse dy gjykata ndërkombëtare dhanë verdikte me të cilat edhe juridikisht konfirmohet gjenocidi në Srebrenicë. Së fundi, kjo u përsërit edhe në dënimin e plotfuqishëm të ish-liderit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, që javën e shkuar u dënua me burgim të përjetshëm. Ndërsa në Kosovë me vite bashkësia ndërkombëtare toleroi aparteidin e Milosheviqit. Kësaj u desh t’i vinte fundi në vitin 1999, pas dështimeve kolosale të bashkësisë ndërkombëtare.

Me ndërhyrjen në Kosovë, NATO-ja mbajti premtimin ndaj popullatës shqiptare dhe ndaj atyre liderëve që kishin pranuar kompromisin e Rambouilletit. Mbajti edhe fjalën kërcënuese dhënë Milosheviqit se, nëse nuk e pranon atë marrëveshje, nëse nuk dëshmon gatishmëri për të ndalur dhunën ndaj shqiptarëve dhe tërheqjen e forcave serbe, do të pasojë ndërhyrja ushtarake. NATO-ja përballej me humbjen e madhe të kredibilitetit të saj, ndërsa Milosheviqi sikur nuk besonte se do të vinte deri te ndërhyrja. Në një mënyrë NATO-ja me këtë ndërhyrje deshi edhe të përmirësonte gabimet që kishte bërë duke hezituar aq gjatë që të ndërhynte.

Po të mos ndërhynte në Kosovë në pranverën e vitit 1999, NATO-ja do ta humbte arsyen e ekzistimit të saj. Pse të ekzistonte një NATO edhe pas përfundimit të luftës së ftohtë, pas shembjes së Traktatit të Varshavës, nëse do të lejonte gjenocid të ri në Evropë. Serbia, që nuk po tregon asnjë shenjë të gatishmërisë për përballje me të kaluarën e saj të errtë, nuk mund të ndërtojë paqe me shqiptarët, por as me fqinjët e tjerë, nëse refuzon të njeh arsyet e ndërhyrjes së NATO-s dhe krimet ndaj shqiptarëve, që sollën deri te kjo ndërhyrje.

Nuk i ka bërë NATO-ja krimet në Prekaz, Reçak, Izbicë, Padalishtë dhe Krushë. Nuk i ka futur nëpër frigoriferë trupat e shqiptarëve të vrarë NATO-ja për t’i dërguar në Serbi dhe për t’i varrosur në varreza masive për të fshehur gjurmët e krimeve. Këto krime nuk mund të harrohen, dhe nuk guxojnë të harrohen, për hir të një farë paqeje. Nganjëherë dëgjohet nga liderët e Serbisë se me shqiptarët dhe kroatët “kurrë nuk do të pajtohemi rreth së kaluarës, por duhet të pajtohemi rreth së ardhmes”. Kjo është një qasje e gabuar, sepse pa e kuptuar mirë të kaluarën nuk mund të arrihet kurrfarë pajtimi. Evropianët shpesh na thonë se duhet të marrim shembuj nga pajtimi i Francës dhe Gjermanisë. Por pajtimi i tyre nuk ka ndodhur si rezultat i harresës, por si pajtime dhe rreth së kaluarës.

Edhe sot, 20 vjet pas ndërhyrjes, duhet përsëritur se kjo ndërhyrje e NATO-s nuk kishte alternativë. Gjithçka, dhe tepër gjatë, ishte provuar që ajo të mos ndodhte. Dhe asgjë që ka ndodhur pas luftës nuk e bën të paarsyeshme këtë ndërhyrje. Sepse NATO-ja vërtet nuk kishte ndërhyrë për ta bërë Kosovën shtet. NATO-ja as sot nuk e konsideron Kosovën shtet. Nuk kishte ndërhyrë për inat të serbëve, sepse edhe sot dëshiron të ketë raporte të mira me Serbinë. Por kishte ndërhyrë për t’i dhënë fund një dhune dhe kishte arritur sukses. Për të gjitha dështimet në Kosovë pas luftës, si në shtetndërtim, në ndërtim të demokracisë, krim të organizuar dhe dështime politike kanë përgjegjësi të tjerët. Sepse Kosova nuk ka sot shumë probleme ushtarake, e për problemet e tjera nuk është përgjegjësi e NATO-s me misionin e saj ushtarak. Ka shumë gjëra që njerëzit në NATO i kanë paramenduar se do të shkojnë ndryshe në Kosovë. Por njësoj kanë bërë edhe vetë qytetarët e Kosovës. Në përvjetorin e 20-të të ndërhyrjes së NATO-s me siguri kanë menduar se Kosova do të jetë ndryshe nga ç’është sot. Por sikur NATO-ja të mos ndërhynte do të ishte shumë më keq. Këtë e dinë mirë kosovarët, prandaj i janë gjithmonë falënderues NATO-s për këtë ndërhyrje të vitit 1999 që u solli lirinë.