Mënyra më e mirë për ta luftuar korrupsionin janë kushtet më të mira të jetesës dhe punës
Qe njëzet vjet kërkesa për zvogëlimin e nivelit të korrupsionit në Kosovë është vazhdimisht pjesë e dokumenteve të rëndësishme zyrtare dhe zotimeve të politikanëve dhe organizatave ndërkombëtare nga ShBA-ja dhe BE-ja. Po aq shpesh i gjejmë edhe premtimet përkatëse standarde nga ana e qeverive të deritanishme të Kosovës për “t’iu përveshur kësaj pune në mënyrë energjike”.Kjo, pasi që vendi dikur duhet të anëtarësohet në BE, apo jo? Por si është e mundur që pas gjithë këtyre viteve niveli i korrupsionit nuk është zvogëluar fare; përkundrazi, ai është bërë i tillë, saqë sot edhe fëmijët e vegjël “dinë” për të.
Njëzet vjet kërkesa dhe premtime – asgjë s’ka ndodhur!
Natyrisht që tani politikanët e mençur do t’i numërojnë të gjitha masat që janë ndërmarrë kundër korrupsionit –por qytetarët e pyesin veten se pse nuk po vënë re asgjë nga ato masa. Po i shoh para vetes ato gjestet e zakonshme! Qe sa kohe po përgatiten“dokumente të mençura”,po organizohen debate televizive e po mbahen fjalime fushatash mbi këtë temë. Megjithatë, njerëzit në Kosovë nuk mund të çlirohen nga ndjenja se udhëheqësit e tyre përgjegjës për këtë thjesht nuk po duan t’i ndryshojnë sistemet ekzistuese të “të dhënit dhe të marrit”. Votat në zgjedhje, pra edhe mbajtja e mëtejshme e pushtetit, varen nga ky sistem. Korrupsioni krijon dhe konsolidon varësinë, “përulësinë” dhe nënshtrimin në mesin e shumicës së kosovarëve –kurse pushtet dhe të ardhura pafund për një grup të vogël njerëzish.
Korrupsioni krijon pushtet dhe varësi – a është kjo e qëllimshme?
Edhe Rruga e Kosovës drejt prosperitetit: roli i reformave strukturoreKorrupsioni, në një mënyrë, është vetëm rezultati madhor i një shkaku shumë më të keq. Kushtet e jetesës në Kosovë kanë qenë, janë dhe rrezikojnë të mbesin “kushtet më të mira të jetesës” për korrupsionin: papunësia jashtëzakonisht e lartë, paga të padenja në shumë sektorë, mungesa e perspektivës për të rinjtë, shërbime të pamjaftueshme apo pothuajse që mungojnë fare, të shëndetit publik, arsimit dhe shumë të tjera. Mungon pothuajse gjithçka e nevojshme për të jetuar një jetë të sigurt dhe dinjitoze. Kjo është përgjegjësi e politikes, sepse përmirësimi i kushteve të jetesës nuk ka qenë prioritet i ndonjë agjende politike. As në agjendën e atyre shumë të huajve me ndikim! Ata vazhdimisht kërkojnë me zë të lartë rezultatin përfundimtar, rrënimin e korrupsionit, por njëkohësisht mbështesin një elitë politike e cila është përgjegjëse për privatizimin, izolimin dhe varfërimin e një pjese të madhe të popullsisë. Në terminologji juridike kjo quhet “bashkëfajësi”.
Korrupsioni i përditshëm është i nevojshëm, apo jo?
Kushdo që ka pasur ndonjëherë një fëmijë të sëmurë, apo ka qenë vetë i sëmurë rëndë, e di se çfarë duhet të bëjë për të marrë të paktën trajtimin më të domosdoshëm: t’u japë “njerëzve të duhur” pak, apo edhe pak më shumë para. Edhe ai që kërkon vend pune për fëmijët e tij e di çka duhet të bëjë: t’i shfrytëzojë “lidhjet”, të krijojë varësi, e kështu me radhë. Ndonjëherë ndihmojnë edhe paratë në dorë. Të rinjtë që duan të rregullojnë jetën e tyre kanë opsione të ndryshme:opsioni më premtues është t’i bashkohen një partie që është në pushtet dhe që shpërndan vendet e punës në sektorin publik – jo sipas aftësive, por sipas “besnikërisë” dhe me lidhje familjare. Më pak premtuese është që thjesht të besosh në aftësitë e tua dhe të shpresosh që do të punësohesh sepse je i aftë. Shumë prej atyre që janë përpjekur të punësohen në bazë të aftësive në Kosovë kanë qenë shumë më të suksesshëm jashtë vendit dhe tani mungojnë këtu! Fëmijët dhe të rinjtë “duhet” të jenë “më i miri apo më e mira” dhe t’i marrin notat më të mira në shkollë dhe universitet. Kjo jo vetëm që sjell stres, por gjithashtu është burim “i mrekullueshëm” i korrupsionit. Sepse vetëm njëri apo njëra mund të jetë më i miri apo më e mira, dhe të tjerët duhet të improvizojnë. Si? Këtë e dinë të gjithë! Në Kosovë ka aq shumë nga këta “më të mirët”saqë nuk mund të imagjinohet “qarkullimi” i këtij improvizimi.
S’ka vetëracizëm: ballkanasit nuk janë më të korruptuar se të tjerët!
Megjithatë, jo të gjithë mund të veprojnë kështu; shumë njerëz as nuk duan të veprojnë në këtë mënyrë. Ata pastaj mbesin mbrapa – dhe të tillët po shtohen çdo ditë e më shumë. Por shumica merren me këto gjëra, kudo qoftë që i marrin ato para… Prandaj nuk është çudi që shumica e njerëzve këtu besojnë që sjellja në mënyrë të korruptuar është veçori specifike në Ballkan: “Ç’t’i bësh, ne ballkanasit kështu jemi…” Kjo i bie si racizëm ndaj vetvetes! Jo, ballkanasit nuk janë ndryshe nga njerëzit e tjerë të kësaj bote. Korrupsioni lulëzon gjithandej ku padrejtësia, pabarazia, mungesat, nevojat dhe detyrimet e dominojnë jetën e përditshme. Prandaj këto të këqija duhet të luftohen. Ato janë shkaqet e korrupsionit. Dhe kur të ketë drejtësi – e cila gjithashtu nuk varet nga kuleta por nga ligji, i cili është i pavarur dhe zbatohet njëjtë për të gjithë – atëherë korrupsioni do të çrrënjoset hap pas hapi.
Nëse luftohen shkaqet, pasojat zhduken
Prandaj është e rëndësishme që më shumë njerëz të fitojnë në mënyrë të ndershme aq shumë para për t’i siguruar të gjitha gjërat e nevojshme pa korrupsion. Ata kanë nevojë për kontrata të rregullta pune, të cilat përfshijnë sigurimet shoqërore dhe detyrime tatimore – edhe për punëdhënësit. Ata kanë nevojë për një ofertë të arsimit publik të hapur për të gjithë fëmijët dhe që promovon talentet e tyre – dhe që nuk është i orientuar kah kuleta e babit. Punëtoret dhe punëtorët duhet të jenë në gjendje që nga pagat e tyre të dinjitetshme të kontribuojnë në sigurimet shoqërore, me të cilat garantohet një sistem i pavarur i shëndetësisë i cili qytetarit i jep siguri edhe në rast sëmundjeje. Të moshuarit duhet ta dinë se pas pesëdhjetë vjetësh pune dhe shumë vështirësive ata nuk do të hidhen thjesht “në plehra”. Për fat të keq, krejt këto“gjëra që konsiderohen normale në shoqëritë e Bashkimit Evropian”mund të përvijohen, pafundësisht, si listë e kërkesave për Kosovën.
Filloni nga vetvetja me gjërat e vogla – dhe kërkoni me ngulm nga “peshqit e mëdhenj”
Edhe Të sëmurët, të veshur me kostume të bukuraKorrupsioni shpesh fillon me gjëra të vogla. Punëdhënësi ju ofron pak më shumë para, por në dorë, duke iu shmangur tatimit; e njihni dikë që e njeh dikë i cili mund t’ju ndihmojë të kryeni një punë, jashtë rrugës normale, e kështu me radhë. Korrupsioni është bërë pothuajse sjellje normale edhe për ta menaxhuar përditshmërinë. Por ai është helm i fshehtë dhe rritet krahas rritjes së mundësive. Nëse unë jam vetëm një “peshk i vogël”, ndoshta e përdori vetëm për “t’ia dalë disi”. Por sa më i madh peshku, aq më të mëdha mundësitë për korrupsion! Atëherë, nuk bëhet më fjalë vetëm për “t’ia dalë disi”, por për ruajtjen dhe rritjen e pushtetit, apo për para, para dhe para. Shpesh bëhet fjalë për të dyja. Por korrupsionin mund ta ndalni vetëm nëse nuk filloni edhe vetë ta praktikoni atë “si peshk i vogël”, sepse kufijtë janë lehtë të kapërcyeshëm– dhe korrupsioni mbetet korrupsion. Por kjo ndodh atëherë kur njerëzit angazhohen bashkërisht, njëzëri dhe fuqishëm që kushtet e jetës dhe punës të përmirësohen gradualisht; që zhvillimi shoqëror dhe ekonomik të bëhet prioritet i parë në agjendën politike; që të ketë kontrata të rregullta pune dhe më pak punë në të zezën; apo kur të ketë sisteme sociale funksionale, solidare dhe të pavarura, të cilat u garantojnë të gjithëve përkujdesje në rast sëmundjeje, atëherë korrupsioni nuk do të“luftohet” më me fjalë të bukura, por do të reduktohet gradualisht me vepra. Kjo do t’ia vlente.
(“Baldur Baldoni“ është pseudonim i një zyrtari ndërkombëtar në Kosovë. Emri i vërtetë i autorit, si dhe puna që kryen në Kosovë janë të njohura për redaksinë)