Trendi i keqësimit të gjendjes në Kosovë nuk ka të ndalur. Shteti tashmë praktikisht ka bankrotuar dhe vazhdon t’i harxhojë paratë e gatshme për ndërtimin e rrugëve më të shtrenjta në botë dhe për mbulimin e skemave klienteliste, si dhe pagesën e penaleve për shkak se lidh kontrata me klauzola të cilave u vjen era përqindje. Fatkeqësia e gjithë kësaj është se tashmë kjo është bërë aq e zakontë, saqë duket se kurrkujt më nuk i lë përshtypje. As atyre që shtiren se po udhëheqin shtet e as atyre që me paratë tona promovojnë libra të shkruar për ta.
Kaloi edhe një javë “historike”. Për takimin e radhës në Bruksel e morëm vesh nga Petrit Selimi, i cili në llogarinë e tij në Tweeter na tregoi se “do ta kishte edhe një takim të rëndë”... postimi u fshi dhe më pas u postua në llogarinë e Thaçit, duke e vërtetuar atë që dihej prej kohësh: se vetë Thaçi nuk i shkruan postimet e veta në rrjete sociale.
Pra, sikur kjo mos t’i mjaftonte, e dha edhe një intervistë (ndoshta edhe nuk e ka dhënë vetë, ku ta dimë) duke thënë se “më me qejf do të negocionte me dreqin sesa me Vuçiqin”, duke dashur ta paraqesë veten viktimë, e njëkohësisht edhe njeri që po flijon aq shumë, saqë ne duhet pasur mirëkuptim për të. Dhe e gjithë kjo në kushtet kur niset të shkojë sërish në Bruksel kokë më vete, pa e pasur as mbështetjen e as autorizimin nga Kuvendi.
Sidoqoftë, takimi i së enjtes në Bruksel u mbajt me paralajmërimin pompoz të BE-së se po nis faza finale e marrëveshjes dhe e bisedimeve, dhe nën hijen e vendosjes së taksës shtesë prej 10% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës, që kinse e kishte irrituar Vuçiqin. Natyrisht duke mos ditur se çfarë po ndodh brenda në bisedime, detyrohemi të mbështetemi në deklaratat për gazetarë që mund të jenë të koordinuara ndërmjet të treve që kanë vendosur të arrijnë marrëveshje, pati apo nuk pati përkrahje. Dhe pa u mërzitur fare se pasojat e këtyre vendimeve do t’i bartë populli i Kosovës.
Marrëveshje kot
E se procesi shtatëvjeçar i negociatave nuk ka sjellë shumë më tepër sesa një megaautogol nënshkruar nga Thaçi për Zajednicën, më së bukuri u elaborua nga Vjosa Osmani. Në një postim në FB, ia rikujtoi edhe Thaçit e edhe Vuçiqit së paku 13 marrëveshje, të cilat nuk janë zbatuar nga ana e Serbisë, e cila, nga ana tjetër, insiston se pala kosovare s’po bën gjë për punën e Asociacionit. Telegrafikisht dhe me argumente juridike, Osmani tregoi se Serbia: nuk ka miratuar ligjin për amnistinë; që nuk i ka shpërbërë strukturat paralele; që nuk i ka respektuar partitë politike serbe që nuk janë proqeveritare në zgjedhjet e shkuara; nuk e ka zbatuar marrëveshjen për energji; e as atë për lëvizje të lirë; nuk e ka respektuar marrëveshjen e gjykatave dhe për përdorim të vulave të RKS në ato institucione; nuk ka lejuar zgjerimin e zyrave ndërlidhëse; ka vazhduar me përdorimin e vulave paralele doganore serbe; nuk e ka bërë asnjë përparim te kadastrat e as te njohja reciproke e diplomave; nuk ka lëvizur drejt hapjes së urës së Ibrit dhe ka vazhduar të krijojë pengesa ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizatat rajonale....
Pra, duke e ditur se krejt çka është arritur deri tash nuk është zbatuar as madje nën mbikëqyrjen e BE-së, pretendimi se ky është momenti për marrëveshje përfundimtare s’është gjë tjetër pos një insistim i pashpjeguar publikisht ndonjëherë nga Mogherini, e cila me gjasë të vetmen gjë që e pret është që edhe ajo të hyjë në histori. E si po shkojnë punët, vështirë të thuhet se kjo do të ndodhë dhe se do të mbahet në mend për të mirë.
Nyja që nuk po zgjidhet
E këto lëvizje do të vazhdojnë dhe Thaçi do të vazhdojë të mos mbahet nën kontroll nga askush – përfundimisht jo nga ky Kuvend.
Seancat po thirren, ndonjëherë po votohet ndonjë ligj, po mbahen edhe mbledhjet e kryesive të partive dhe në fund asgjë. Dhe përderisa Kuvendi, i cili supozohet se duhet t’i përfaqësojë interesat e popullit, nuk funksionon, nuk mund ta mbajë nën kontroll as Qeverinë më të keqe që ka pasur ky vend ndonjëherë.
Lajmi i fundit dhe mbase më i rëndësishmi nga sfera e politikës së jashtme doli nga fejsbuku i ambasadorit britanik në Kosovë, i cili e konfirmoi se një numër shtetesh tashmë e kanë tërhequr njohjen e Kosovës. Nëse para ardhjes së kësaj Qeverie nuk e kemi pasur të qartë se sa shtete na kanë njohur, tash pas valës diplomatike serbe në këtë drejtim e kemi edhe më pak të qartë se si qëndrojmë. Dhe përderisa Pacollit nuk i besohet ama bash asnjë deklaratë në lidhje me njohjet a mosnjohjet, fjala e O’Connellit nuk ka pse të vihet në dyshim. Përfaqësuesi i një shteti i cili na ka përkrahur në të gjitha format e mundshme jo rrallë ka qenë sinjalizuesi i shumë gjërave negative që na ndodhin.
Duke e pasur parasysh këtë situatë, si dhe shmangien e qëllimshme nga obligimi për ta vënë Thaçin nën kontroll, vazhdimi i mbajtjes së pushtetit nga kjo Qeveri nuk ka absolutisht asnjë logjikë të vetme. Me të gjitha dështimet që i ka regjistruar që nga formimi i saj dhe me vazhdimin e punës së paide, më së paku të mira do t’i sjellë Kosovës. Për më tepër, veç sa do ta bëjë situatën edhe më pak të durueshme për aq kohë sa do të jetojë.
Koalicion i ri?
Pra, përderisa Kuvendi nuk i gjen numrat e mjaftueshëm as për ta votuar një rezolutë, vija të kuqe apo madje delegacion që do ta merrte përsipër çështjen e negociatave (të cilat nuk duhet medoemos të mbarojnë as në fund të vitit e as në pranverën e ardhshme – bile jo pa u ngritur çështja e personave të pagjetur, reparacionet e luftës dhe fondet e vjedhura nga Kosova, sa për fillim), është vështirë të besohet se do të mundë të ndodhë edhe mocioni i mosbesimit ndaj kësaj Qeverie.
Duket shumë e vështirë që dikujt nga partitë të koalicionit do t’i zgjohet ndërgjegjja për ta rrëzuar këtë Qeveri, për të shkuar në zgjedhjet e reja, edhe pse as ky variant nuk duhet përjashtuar. Në veçanti, pas ndryshimeve që kanë ndodhur në Komunën e Prishtinës.
Lajmi i javës në nivelin komunal e që do të mundë të reflektohet edhe në atë qendror është se Shpend Ahmeti i shkarkoi dy nga tre drejtorët e Vetëvendosjes, me të cilët deri dje ishte krenuar si drejtorët më shembullorë të Komunës. Arsyetimi qe paksa i ngjashëm me ato të kohës kur VV-ja u nda: pra shumë i paqartë dhe që la të nënkuptohet se do të ketë lidhje të reja politike që do t’ia mundësojnë mbajtjen e pushtetit në Prishtinë.
Nëse këta dy drejtorë kanë qenë aq të mirë, është krejtësisht irelevante se cilit subjekt politik i takojnë, e sidomos nëse punën që e kanë kryer e kanë bërë në të mirën e qytetarëve. Se dy vota apo tri nuk kanë mundur të ndikonin në vendimet e kryetarit, po qe se vendimet janë votuar në kolegj, sepse e kanë bërë pakicën.
Gjasat janë që ky veprim është pasojë e marrëveshjes së mundshme për koalicion të PSD-së me PDK-në në nivel komunal, ngase kjo e dyta gjithsesi do t’ia siguronte shumicën për vendime në nivel komunal. Dhe të rikujtojmë, se kryetari do të mundë ta humbte mandatin, po qe se Kuvendi Komunal nuk do të ishte në gjendje ta kalonte buxhetin komunal, dhe për pasojë do të duhej të shkohej në zgjedhje të reja. Dhe siç qëndron puna tash, po qe se Ahmeti do të garonte sërish për kryetar, gjasat për të fituar do t’i kishte të vogla, sepse më nuk mund të llogarisë në votat e VV-së që fundja e bënë kryetar.
E nëse kjo vërtet del të jetë kështu, nuk do të duhej përjashtuar se një lidhje e tillë do të mundë të zhvillohej edhe në nivelin qendror. Atëherë, gjasat do të ishin që vetë PDK-ja do ta votonte rënien e kësaj Qeverie.
* * *
Trendi i keqësimit të gjendjes në Kosovë nuk ka të ndalur. Shteti tashmë praktikisht ka bankrotuar dhe vazhdon t’i harxhojë paratë e gatshme për ndërtimin e rrugëve më të shtrenjta në botë dhe për mbulimin e skemave klienteliste dhe pagesën e penaleve për shkak se lidh kontrata me klauzola të cilave u vjen era përqindje.
Fatkeqësia e gjithë kësaj është se tashmë kjo është bërë aq e zakontë, saqë duket se kurrkujt më nuk i lë përshtypje. As atyre që shtiren se po udhëheqin shtet e as atyre që me paratë tona promovojnë libra të shkruar për ta.
Duket se fija e fundit e shpresës ka mbetur te Specialja, me kusht që politika e lartë më në fund e fut në funksion... se sa për partitë politike opozitare dhe sjelljes së tyre oportuniste, kjo Qeveri madje edhe mund ta çojë mandatin deri në fund, e Thaçi mbase do ta promovojë edhe një libër për “si e arriti marrëveshjen historike me djallin”.