OpEd

Lufta kundër krimit ka avancuar, Shqipëria në negociatat e anëtarësimit në BE

Sado paradokse t’i duket dikujt në Shqipëri apo jashtë saj, pikërisht suksesi në luftën kundër krimit të organizuar ka siguruar progresin e madh në udhëtimin drejt BE-së. Krimi i organizuar në Shqipëri nuk është vetëm shqiptar, por edhe ndërkombëtar dhe është mirë i integruar në BE. Prandaj edhe lufta kundër këtij krimi është ndërkombëtare dhe me ndihmën e BE-së. Në momentin kur SPAK-u do të ketë pengesa politike në punën e tij, do të ndalet edhe progresi i Shqipërisë drejt BE-së.

Si vendi më i ri anëtar i Bashkimit Evropian, ani pse kanë kaluar më shumë se 12 vjet prej kur hyri në BE, Kroacia vazhdon të jetë shembulli më i mirë për procesin e zgjerimit. Vazhdon të jetë një shembull për vendet kandidate se çfarë duhet të bëjnë për të përparuar në këtë rrugëtim. Por është edhe shembull për BE-në se nga zgjerimi ka dobi për të gjithë dhe se me anëtarësim në BE nuk merr fund as lufta kundër korrupsionit.

Sot Kroacia ka papunësinë në nivelin rekord, vetëm 4 për qind e kur hyri në BE e kishte 17 për qind. I është afruar nivelit të brutoprodhimit vendor për kokë banori prej 80 për qind të mesatares së BE-së, ka hyrë në Schengen dhe eurozonë. Pas hyrjes së Kroacisë në BE jo vetëm se nuk ka pasur më zgjerim, por ka ndodhur zvogëlimi i BE-së me largimin e Britanisë së Madhe. Prandaj BE-ja për të dëshmuar se ky proces është gjallë dhe i mundshëm duhet të pranojë sa më shpejt anëtarë të rinj. Të parat në listë janë Mali i Zi dhe Shqipëria. Ato duhet të shohin mirë shembullin e Kroacisë. Të shohin se çfarë është dashur të bënte Kroacia kur i ishte afruar përfundimit të procesit negociator, por edhe pasi hyri në BE.

Mësimi më i mirë është ai se rruga drejt BE-së do të jetë e pakthyeshme nëse procesi i reformave e sidomos lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është e pakthyeshme. Në Kroaci shkurtesa që më së shumti përmendej gjatë fazës së negociatave të anëtarësimit ishte USKOK, që është e njëjtë me atë që në Shqipëri sot është SPAK-u. Kur BE-ja u bind se në Kroaci askush nuk është mbi ligjin, se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivel të lartë kap vërtet nivelin e lartë, negociatat e anëtarësimit u përmbyllën. Por me hyrjen e Kroacisë në BE nuk u ndal lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sepse nuk u ndal as korrupsioni. Për më tepër u hapën mundësitë e reja, edhe më të mëdha, për korrupsion. Është një fjalë e urtë kroate që në origjinal thuhet „Prilika stvara lopova” e që e përkthyer do të thotë „mundësia e bën hajdutin”. Me mbi 15 miliardë euro të BE-së në dispozicion në dhjetë vjetët e para të anëtarësimit në BE shumë hajdutë në Kroaci e panë mundësinë e mirë. Dhe menduan se mund ta shfrytëzojnë. Kështu edhe në Kroaci shënjestër për vjedhje nuk ishin më vetëm paratë e taksapaguesve vendorë, por edhe ato të taksapaguesve evropianë. Por krahas organizatave vendore për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kroaci u përfshinë edhe ato Evropiane si OLAF dhe EPO (Zyra e Prokurorit Evropian). Dhjetëra ministra, zëvendësministra, kryeinspektorë, shefa agjencish ranë në burg duke u kapur në rrjetet e prokurorive dhe hetuesve edhe kroatë edhe evropianë. Vetëm javën e shkuar u ngrit aktakuzë kundër kryeinspektorit të shtetit, sepse u gjetën dëshmi se ka marrë së paku 100 mijë euro ryshfet, dhe dhjetëra kilogramë mish të freskët: po po, mish të freskët. Sepse me rritjen e çmimeve edhe mishi u bë mjet i mirë për pagesën e “borxheve” ndaj atyre që siguronin në këtë rast të mos ketë inspektime në gurthyes apo në kasaphane. Të njëjtën ditë kryeministri i Kroacisë në takim urgjent të qeverisë largoi nga posti dhjetëra drejtorë të kompanive më të mëdha shtetërore, nga Posta e deri te hekurudha.

Me para të BE-së paguan supë nga bishti i mëzatit!

Para disa javësh në Kroaci vuajtjen e dënimit me burg e nisi ish-zëvendëskryeministrja Gabriella Zhalac. Ajo ishte në krye të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe fondet e BE-së. Pra menaxhonte me rreth 15 miliardë euro fonde. U kap duke keqpërdorur paratë e BE-së. Bile edhe për gjëra të vogla si festimi i ditëlindjes. Dhe mediat argëtuan publikun me pikanteri se çfarë hanin e pinin dhe paguan me para të BE-së. Kështu doli lajmi se me para të BE-së kishin paguar, mes tjerash edhe „supë nga bushti i mëzatit”. Ky madje në disa media ishte edhe kryetitull. Gjatë një feste ishin detyruar që një pjesë të faturës prej mijëra eurosh ta paguanin nga mjetet e qeverisë kroate pasi dikush u kishte thënë se me mjete të BE-së nuk mund të paguhet alkooli. Kështu me mjete të BE-së kishin paguar supën nga bishti i mëzatit, ndërsa verërat dhe birrat nga buxheti i shtetit. Edhe pse kryeministri ishte shprehur se ajo ministre ishte “një ndër personat më të aftë që kishte takuar ndonjëherë, bisedat e përgjuara dëshmuan se ajo nuk kishte aspak kujdes. Me shoqet e saj, po ashtu me influencë politike, i uronin njëra-tjetrës “punët e mira të kryera”. Në një moment njëra i thotë “edhe disa projekte të tilla dhe mund të shkojmë në shoping në Milano”.

Nuk i ka ardhur dhe nuk i vjen mirë kryeministrit të sotëm të Kroacisë kur i zbulojnë hajninë e bashkëpunëtorëve të tij. Por ai as nuk i mbron e as nuk mund t’i mbrojë. I largon dhe distancohet nga ta.

Rasti i Kroacisë dëshmon se edhe në BE ka korrupsion dhe krim të organizuar. Ka edhe vende të tjera të BE-së ku ka fenomene të tilla. Por ajo që është e nevojshme është që të ketë luftë kundër korrupsionit. Fakti se ka korrupsion në Kroaci nuk përmendet asnjëherë si arsye për të thënë se nuk është dashur të pranohej ajo në BE. Sepse në Kroaci ka edhe luftë kundër korrupsionit.

Shqipëria muajve të fundit po kalon një periudhë në të cilën kanë nisur të ndodhin gjërat që ishin parë në Kroaci në vitet 2007 e tutje. Pa hyrë në rastet individuale, dhe duke pranuar prezumimin e pafajësisë derisa të mos dëshmohet me vendime gjykatash, në BE dhe në vendet anëtare janë shumë të kënaqur me suksesin e Shqipërisë në luftë kundër krimit serioz dhe krimit të organizuar. Këtë e shohin si dëshmi se Shqipëria është duke u pjekur si vend që meriton anëtarësimin në BE. Por ky është vetëm fillimi dhe ky proces nuk duhet të ndalet.

Sado paradoksale t’i duket dikujt në Shqipëri apo jashtë saj, pikërisht suksesi në luftën kundër krimit të organizuar ka siguruar progresin e madh në udhëtimin drejt BE-së. Krimi i organizuar në Shqipëri nuk është vetëm shqiptar, por edhe ndërkombëtar dhe është mirintegruar në BE. Prandaj edhe lufta kundër këtij krimi është ndërkombëtare dhe me ndihmën e BE-së. Në momentin kur SPAK-u do të ketë pengesa politike në punën e tij do të ndalet edhe progresi i Shqipërisë drejt BE-së. Sepse pasi me organet e drejtësisë në Shqipëri janë duke bashkëpunuar dhe hetuesit e vendeve të BE-së, sikur edhe agjencitë evropiane, kur të zbulohen dëshmitë veprat nuk do të mund të mbulohen dhe harrohen.

Natyrisht se edhe vullneti politik dhe situata gjeostrategjike ka ndihmuar që Shqipëria të përparojë drejt BE-së, por arsye kryesore është suksesi në reforma dhe sidomos në luftë kundër krimit të organizuar. Ky është edhe mësimi më i mirë që nga Kroacia, akoma vendi më i ri anëtar i BE-së, mund ta nxjerrin të gjitha ato vende që presin në radhë për integrim.