Për përmirësim të gjendjes duhet ndryshim rrënjësor, duke filluar nga shkollat e futbollit. Duhet federatë më kredibile, pa njerëz të dënuar e të përfshirë në parregullsi. Duhen trajnerë me dinjitet, klube me hierarki e përgjegjësi. Kurdisjet e parregullsitë megjithatë nuk do të ndalen shpejt. Disa skuadra tashmë janë në borxhe për edicionin e ri. Kanë premtuar pikë për ato që ua kanë dhuruar këtë edicion
Pasi caktoi formacionin që do të luante dhe ndau lojtarët nëpër reparte e pozita, trajneri kërkoi nga të rinjtë që të kenë kujdes.
“Është ndeshja e fundit dhe ruajuni mos u lëndoni”, iu drejtua ai lojtarëve të grupmoshës U-15, shumica 13 e 14-vjeçar. Lojtarët, që ishin duke u bërë gati për ndeshje, ngritën kokën si shenjë miratimi ndaj kërkesës së trajnerit. Pasoi ajo që do të mbahej mend nga të gjithë.
“Në pjesën e parë po e japim më të mirën, në të dytën shohim, ndoshta ua japim pikët”, vazhdoi trajneri. Pjesën e dytë të fjalisë e tha disi mes dhëmbësh, me gjysmë zëri. Foli derisa po dilte nga zhveshtorja, pa krenarinë e zakonshme, që ia kishte dhënë karriera e madhe si futbollist. Nuk i shikonte dot lojtarët derisa ua kërkonte këtë nder.
Lojtarët, ndonëse të rinj, e kishin të qartë. E dinin se do të duhej të ishin pjesë e një ndeshjeje të kurdisur. Apo një ndeshjeje të lëshuar, ashtu si njihen më shumë. E dinin po ashtu se kërkesa e trajnerit nuk ishte e tij, ishin fjalët e kryesisë së klubit.
“Vetëm kur duhet të lëshojmë ndonjë ndeshje këtyre iu bie ndërmend për ne”, thoshte njëri, pak më rebel në mesin e lojtarëve, që kuptonte momentin e vështirë të cilin e përjetoi trajneri bashkë me ta.
Ndodhi ajo që pritej. Pas pjesës së parë 0:0, në të dytën trajneri bëri disa ndryshime në formacion. Largoi nga loja dy lojtarët më të rrezikshëm. Me shikime e me ndonjë fjalë të rrallë komunikoi me portierin dhe “motorin” e ekipit. Dy situata naive prodhuan një gol. Gol për fitoren që i duhej skuadrës tjetër për t’i ndjekur objektivat.
Ndeshja mbaroi me skuadrën tjetër duke festuar. Edhe humbësit e mbanin kokën lart megjithatë. E dinin se do të ishin më të mirë sikur të jepnin maksimumin. I mbushte me krenari kjo.
Drejtuesit e dy klubeve, që si rrallëherë po shikonin një ndeshje të kategorive të reja, ishin të kënaqur. Së bashku u larguan nga fusha për në kafenenë më të afërt.
Egzoni ishte njëri prej lojtarëve që u paraqitën për ekipin humbës. Ai tashmë ka lënë futbollin. Nuk e arriti nivelin që besonte se do ta arrinte dhe kur përfundoi karrierën si junior, nuk gjeti hapësirë te të rriturit.
Ai vazhdon t’i përcjellë ndeshjet e futbollit në vend. Kryesisht përmes kronikave televizive, por ndonjëherë edhe në stadium. Kurdisjen e rezultateve - për të cilat flasin të gjithë, por të cilat nuk i fakton askush – nuk i vlerëson shumë tragjike. Në fillim të njëzetave tashmë, Egzoni, një student i dalluar, e di që ka kurdisje. Shumë madje. I vlerëson pjesë të lojës, ndonëse pjesë të ndyrë të saj.
Ai mundohet t’i shmangë vizitat në stadium kur ka ndeshje të kurdisura. Të lëshuara i quan. Për këtë thotë se është më mirë që stadiumet të vizitohen në vjeshtë, kur gjasat janë të mëdha që ndeshja të jetë korrekte, që të fitojë skuadra më e mirë në fushë.
Ashtu siç e di Egzoni dhe shokët e tij të dikurshëm të skuadrës, kurdisjet janë pjesë e futbollit kosovar, madje e rëndësishme për fat të keq. Që situata të jetë edhe më e rëndë, nga futbollistët, apo të paktën një pjesë e tyre, kurdisjet mësohen shumë herët, që në kategori të reja.
Ka shumë faktorë për këtë, por edhe për telashet e tjera që nuk po i ndahen futbollit kosovar. Shumë faktorë e kanë burimin që në kategoritë e reja.
Garat e fëmijëve shpesh keqpërdoren, nuk e kanë qëllimin që fëmijët të përvetësojnë dhe të pjekin në ndeshje atë që mësojnë në stërvitje. Të mësohen të luajnë futboll. Ekipe të caktuara, nëse jo të gjitha, vendosin shumë herët objektiva që janë të lidhura me renditje tabelare, dhe disa nuk zgjedhin kushte për t’i plotësuar ato. Fëmijët në shumë raste nuk lejohen të zhvillojnë kreativitetin e tyre në fushën e lojës, të mësojnë lojën me top, të mësojnë vendosjen në fushë, lëvizjen, të mësojnë vlerat e vërteta të sportit. Ata bëhen pjesë e sistemit, pjesë e ekipit që prioritet e ka fitoren e jo mësimin e lojës. Dhe në këtë frymë shumë rriten si futbollistë.
Është presioni për rezultat që në moshë të re, ai që shkatërron shumë gjëra. Presion që vjen kryesisht nga ata që drejtojnë shkolla të futbollit apo klube. Jo rrallë edhe prindërit, pa vetëdije, i kontribuojnë kësaj. Ky presion ndikon që shumë të talentuar të mos dalin asnjëherë në pah. Që më shumë të ecin lojtarët e detyrave se ata që kanë talent e kreativitet.
Dhe kur punët nuk shkojnë sipas planit, zbulohen gjëra të tjera. Presioni ndaj ekipit kundërshtar për të fituar ndeshjen. Ndërhyrjet e ashpra dhe jo sportive. Presioni ndaj arbitrave nga trajnerët, drejtuesit e klubeve, prindërit e në raste edhe nga njomakët. Dhe fare në fund edhe kurdisjet. Lëshimi i ndeshjeve thënë më butë.
Kjo po vazhdon për vite dhe nuk duket se do të ndryshojë shpejt. Prandaj, edhe kurdisjet vlerësohen të pranueshme, pjesë e “ndyrë” e futbollit. I pranojnë të gjithë, lojtarët, trajnerët, arbitrat, drejtuesit.
Edhe këtë edicion kishte shumë ndeshje në Superligë dhe në ligat e tjera që dyshohen si të kurdisura. Vlerësohet se është prej kampionateve me numrin më të madh të ndeshjeve të tilla. Motivet te seniorët ndryshojnë prej motivit te kategoritë e reja. Në lojë janë miliona euro. Dalja në Evropë shpërblehet shumë. Bastoret, po ashtu, luajnë rolin e tyre. Nuk është fshehtësi që për ndeshjet e kampionatit kosovar mund të vendosen baste legale e ilegale në vende të ndryshme, kryesisht aziatike. Ndikojnë edhe borxhet e trashëguara nga edicionet e kaluara. Skuadra që na ka lëshuar pikët kur ne ishim ngushtë, llogaritë në pikët tona kur t’i duhen më shumë apo në kohën për kur jemi marrë vesh. Favoret me lëshimin e pikëve kanë ndikim të madh në garën për titull e po ashtu në garën për mbetje në elitë.
Kjo nuk po ndryshon dhe nuk duket se do të ndryshojë shpejt. Është e pamundur që gjërat të kthehen në rrugën e duhur pa masa të rrepta. Për t’i stopuar parregullsitë që garën sportive e bëjnë të pandershme, mbi të gjitha duhet një federatë kredibile, me udhëheqësi kredibile, jo të dënuar me burg apo që në të kaluarën kanë qenë pjesë e parregullsive. Duhen komisione kredibile që marrin vendime të bazuara në rregullore dhe që respektohen. Duhen arbitra kredibilë, të gatshëm, të përgatitur dhe me njohuri për lojën e rregullat.
Për ndryshim është i domosdoshëm funksionimi i mirëfilltë i klubeve. Duhet që klubet të kenë kuvend, kryesi, kryetar e pozita të përgjegjësve sportivë. Duhet edhe përgjegjësi zinxhirë, trajneri drejtorit sportiv, drejtori sportiv kryesisë e kryetarit, kryesia kuvendit. Kur paratë janë të tatimpaguesve, përkatësisht të Komunës, kërkohet përfshirje e rregullt edhe e drejtuesve komunalë, të paktën në kërkimin e përgjegjësisë. Është e pamundur që në një klub që ka mënyrë të rregullt të funksionimit të pajtohen të gjithë për kurdisje të rezultatit.
Por është më i cenueshëm një klub që funksionon thuajse me një njeri të vetëm, me një udhëheqës që cakton ekipin që do të luajë, që kujdeset për rroga të lojtarëve, që vetë ndan dënime e shpërblime, që kujdeset edhe për blerjen e ujit e madje edhe vendosjen e reklamave rreth fushës. Për klube të tilla, futbolli kosovar nuk ka nevojë. Për fat të keq të tilla ka.
A është krejt zi?
Për fat të mirë jo. Ka shkolla të futbollit që funksionojnë si duhet, madje shumë të tilla. Trajnerë që shpërblejnë kreativitetin, që ua japin rastin talenteve, që urojnë lojtarët e rinj edhe kur humbin me rezultat, por kur luajnë mirë në fushë. Ka të tillë që nuk bëjnë presion, që i ndëshkojnë drejt lojtarët për veprime antisportive, që nuk i favorizojnë ata që paguajnë dy e trefish më shumë për “stërvitje private”.
Ka edhe shumë arbitra të ndershëm, që respektojnë djersën e lojtarit e investimin e prindit e klubit. Drejtues të klubeve që nuk përzihen në punën e trajnerit, nuk caktojnë formacionin e nuk kërkojnë pandershmëri.
Futbolli kosovar po zhvillohet, assesi nuk do të ndalet. Këtë nuk e lejon UEFA, që ndan fonde të mëdha për zhvillim. Futbolli është sporti bindshëm numër një në vend dhe do të vazhdojë të jetë i tillë. Futbollistët do të paguhen mirë e më mirë, do të dalin talente në skenë e ndonjë do të depërtojë edhe në nivel serioz evropian. Cilësia do të ngrihet gradualisht.
Por ka shumë hapësirë për përmirësim.
Për këtë, ndër të tjera, duhen më shumë trajnerë që refuzojnë të drejtojnë ndeshje të kurdisura. Të tillë ka, por u duhet mbrojtja. Duhen më shumë lojtarë që refuzojnë kurdisjet e favoret. Më shumë drejtues që refuzojnë të hyjnë në obligime me kompensim për edicionet e ardhshme. Komisione të fuqishme, që do të dënojnë dhe do të hetojnë drejt e pa anime në çdo rast ku ka pluhur e dyshime. Duhet një dorë më e fortë e organeve shtetërore, jo për të ndikuar në organizimin e futbollit, por për të siguruar ndershmëri.
Duhen më shumë trajnerë që fëmijëve ua mësojnë vlerat e futbollit dhe të sportit. Që refuzojnë të bëhen pjesë e pazareve.
Që fjalia “lëshoja se s’na vyn” të zëvendësohet me fjalinë “luaj, dëshmo se ne jemi sportistë”.