OpEd

Leksionet nga Evropa

Ftohja e marrëdhënieve ndërmjet aleatëve natyrisht se nuk është lajm i mirë. Por, Kosova mund të nxjerrë leksione të rëndësishme. Tekefundit kosovarët nuk duhet pritur përherë që të dalë dikush, ndonjë forcë e madhe, dhe t’u ndihmojë. Pa e ndihmuar së pari vetveten. Pikënisje do të ishte një qeveri stabile, e gatshme për reforma. Pra, janë qytetarët ata që vendosin. Natyrisht me votë. Dhe ky është një leksion që jep Evropa

Historia do ta mbajë mend si njërin prej presidentëve më të jopopullarizuar që ka pasur SHBA-ja. Aleatët si personin që i vuri përballë një ultimatumi. Mediat si njeri të prirë për gafa. Ambientalistët si armik. Rusia do ta priste me optimizëm presidencën e tij. Me shpresën se gjërat do të ndryshonin për të mirë. Ballkani, sidomos Kosova, do ta prisnin me padurim një fjalë të tijën. Kjo, pasi që ajo fjalë do të ishte vendimtare, në një pikë kritike, për kosovarët.

***

Kështu, pak a shumë, do të mundë të përshkruhej me pak fjalë presidenca e ish-shefit të Shtëpisë së Bardhë, George W. Bush. Ndonëse mandati i ka përfunduar mbi tetë vjet më parë, emri i tij ka nisur të përmendet përsëri sot. Sidomos nga ata që pretendojnë se nuk ka asgjë tragjike në zbehjen e dashurisë SHBA-Evropë, pasi që tekefundit raportet midis dy aleatëve kanë kaluar edhe më herët nëpër sfida.

Derisa bota do ta njohë si “presidenti kauboj”, në Kosovë do të mbetet në histori me deklaratën e tij të famshme: “....çka është boll, boll është. Kosova është e pavarur…”.

Pra, Bushit mund të mos ia kenë parë hairin të tjerët, por Kosova po. Fundja, politikën amerikane nuk e bën vetëm një njeri, por funksionimi i mirëfilltë i institucioneve, si edhe ndodh në demokraci.

Se a do të futet Trumpi në historinë e Kosovës, kjo gjë mbetet të shihet. Fundja, motoja e tij është ajo që është: “Amerika në rend të parë”. Një moto kjo që ka nisur të japë efektet e para. Trumpi është duke e tërhequr SHBA-në nga disa prej marrëveshjeve më të rëndësishme botërore dhe duke e izoluar përherë e më shumë. Ai ka kritikuar haptazi aleatët në NATO dhe ka refuzuar ta riafirmojë kapitullin 5 të Traktatit. Ka paralajmëruar daljen nga Marrëveshja historike për Klimën, të arritur kohë më parë në Paris. Ka kritikuar Gjermaninë. E kancelarja e këtij shteti, Angela Merkel, i është kundërpërgjigjur. Si rezultat marrëdhëniet midis Trumpit dhe liderëve evropianë tani kanë arritur një pikë të re të ulët.

Por, kjo nuk është hera e parë që dy aleatët më të fuqishëm botërorë kanë pasur ftohje të tilla marrëdhëniesh. Kohë më parë, më saktë më 2003, këta aleatë përjetuan çarje shkaku i vendimit të administratës së atëhershme të Bushit për ta pushtuar Irakun. Ky qe vendimi që e ndau Evropën dhe i çoi marrëdhëniet mes tyre në pikën thyese.

Njësoj ndodhi edhe atëherë kur marrëdhëniet e akullta ndërmjet kancelarit gjerman, Gerhard Schroeder, dhe shefit të Elyse-së, Jacque Chirac, në njërën anë, dhe Tony Blairit të Britanisë dhe Bushit, në anën tjetër, e shënuan një tjetër periudhë relacionesh të akullta.

Ama, gati secilën herë ishin argumentet e forta për ruajtjen e një marrëdhënie të kamotshme ato që mbizotëruan në fund. Edhe tani, sado e hidhur të jetë gjendja, nuk është gjithçka zi. “Në fund të pusit”, evropianët duket se kanë gjetur forcë për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve.

***

Evropianët së paku duket se e kanë mësuar leksionin. Atë se sado të rëndësishme të jenë raportet transatlantike, Evropa do të duhej që një pjesë të telasheve të veta t’i zgjedhë vetë. Së paku të dalë e të flasë me një zë, e në këtë aspekt duket sikur Trumpi po del një faktor unifikues.

Asgjë nuk i bashkon më shumë njerëzit sesa “një armik i përbashkët”. Të paktën ashtu thuhet. Pa marrë parasysh se sa shije të hidhur u ka lënë liderëve evropianë vizita e Trumpit, ata duken sikur kanë vendosur ta nxjerrin më të mirën. Ai tani sikur po i kontribuon integrimit më të ngushtë të Evropës. Vizita e tij mund t’ua ketë krijuar evropianëve përshtypjen se ajo që vijon është një botë me shumë paqartësi, por ua ka rikujtuar edhe domosdoshmërinë për të qenë unikë. E kjo vjen në kohën e duhur.

Vjen atëherë kur shtetet anëtare të bllokut kanë goxha ndasi ndërmjet vete për një mori çështjesh. Si pikë e parë ishin kundërthëniet përbrenda lidhur me përgjigjen që duhej dhënë krizës së refugjatëve. E dyta dhe më aktualja është telashi me divorcin me Britaninë. Dhe Rusia, e cila gjithnjë e më shumë po përpiqet që nëpërmjet mjeteve propagandistike të ndërhyjë në çështjet e brendshme të bllokut, por edhe të Ballkanit.

Ndërsa Amerika ende po merret me çështjen e ndikimit rus në zgjedhjet presidenciale të nëntorit të shkuar, Bashkimi Evropian të paktën ka shprehur zotime për të mos lejuar që ky ndikim të përhapet në bllok. Dhe madje është treguar e gatshme që ta pamundësojë ndërhyrjen e shtetit të Vladimir Putinit në Ballkan. Kjo kryesisht pasi një tentim i tillë është bërë. Në rastin e zgjedhjeve parlamentare të Malit të Zi, në tetorin e shkuar. Dhe ky shtet i vogël ballkanik, që porsa është bërë zyrtarisht një anëtar i NATO-s, po e vazhdon përballjen me elementet proruse në shtetin e saj. Në anën tjetër, kriza politike pas zgjedhjeve në Maqedoni duket sikur u tejkalua, ndonëse mund të përshkallëzojë në çdo moment. Tensionet në Bosnjë janë të përhershme, me një rregullim institucional shtetëror që nuk është në gjendje të marrë asnjë vendim të rëndësishëm politik.

Edhe Shqipëria u përball me krizat e veta, edhe madje parazgjedhore.

Me një Ballkan të paintegruar, me shtete ku krizat mund të përshkallëzojnë në secilin moment, Evropa zor se mund të ecë përpara.

E në këtë sfond duket sikur ekziston gatishmëria për veprime konkrete. Me vetë procesin e Berlinit, fuqia më e madhe e Evropës, Gjermania, tash e tre vjet po e dëshmon interesimin e vet për Ballkanin. Një përpjekje kjo për ta mbajtur këtë pjesë të botës sa më afër saj.

***

Me të ndjekur shembullin gjerman, shprehur nga deklarata historike e Merkelit se “Evropa duhet ta marrë në duart e veta fatin e vet”, mbase edhe kosovarët do të duhej që të mos jenë totalisht të varur prej të tjerëve. Tekefundit kosovarët nuk duhet pritur përherë që të dalë dikush, ndonjë forcë e madhe, dhe t’u ndihmojë. Pa e ndihmuar së pari vetveten.

Pikënisje do të ishte një qeveri stabile, e gatshme për reforma. Me korrupsionin që ka përfshirë vendin nuk mund të ecet përpara. Si e thotë edhe gazetari i njohur i “The Economist”, në një intervistë për “Kohën Ditore: “… jeni ju njerëzit në Ballkan që po i votoni këta njerëz. Nuk keni pse t’i votoni. Votojeni dikë tjetër nëse nuk ju pëlqejnë ata”.

Si një model për këtë mund të shërbejnë rastet e fundit që i dhanë pikërisht disa prej shteteve më të rëndësishme të Bashkimit Evropian. Në këtë mes Emmanuel Macron u zgjodh së fundmi president i Francës dhe e eliminoi rrezikun për ta shpënë BE-në në ujëra të turbullta. Kjo, pasi që po të fitonte rivalja e tij, Marine le Pen, do ta hapte rrugën për nxjerrjen e Francës nga blloku. Një votim tjetër, me rezultat po kaq trimërues, u mbajt edhe në Holandë.

Pra, janë qytetarët ata që vendosin. Natyrisht me votë. Dhe ky është një tjetër leksion që jep Evropa.

Pra, diku po vërehet një dritë në fund të tunelit. Kosovës i mbetet ta shfrytëzojë këtë momentum.