Arbëri

Katër komunave u bllokohen llogaritë bankare

Katër komunave u janë bllokuar llogaritë bankare, si pasojë e kontratave kolektive. Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave (AKK), Sazan Ibrahimi, ka thënë se si shkak i kësaj, shumë projekte në këto komuna janë ndërprerë. E në Institutin Kosovar për Qeverisje Lokale e kanë kualifikuar të papranueshme që institucionet lokale të bartin barrën e vendimeve të nivelit qendror

Ferizaj, Lipjani, Drenasi dhe Vushtrria janë katër komunat të cilave u janë bllokuar llogaritë bankare gjatë ditëve të fundit.

Sazan Ibrahimi, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), ka konfirmuar se bllokimi i llogarive është bërë si shkak i vendimeve gjyqësore për kontratat kolektive.

“Niveli qendror po ua bllokon xhirollogaritë bankare derisa të kryhen këto pagesa ndaj vendimeve të gjykatave. Kjo është shqetësuese, sepse është duke ndodhur në vazhdimësi dhe po besojmë që niveli qendror duhet t’i marrë parasysh financat komunale, sepse komunave deri më tani që nga viti 2022 deri në gjysmën e parë të këtij viti u janë marrë 210 milionë euro e shumica prej tyre janë marrë prej kontratave kolektive”, ka theksuar ai. 

Për bllokimin e llogarive bankare të komunave kanë reaguar edhe në Institutin Kosovar për Qeverisje Lokale, duke e kualifikuar të papranueshëm që “institucionet lokale të bartin barrën e vendimeve të nivelit qendror”. 

“Kontratat kolektive të nënshkruara në nivel qendror, pa konsultim me komunat, janë shndërruar në një pengesë serioze për funksionimin normal të tyre dhe për ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Në vend që të përkrahen në përmirësimin e shërbimeve dhe realizimin e projekteve për komunitetin, komunat po detyrohen të përballojnë kosto të paparashikuara që tejkalojnë kapacitetet e tyre buxhetore. Niveli qendror duhet ta trajtojë me urgjencë këtë çështje, përmes një zgjidhjeje institucionale dhe afatgjate”, kanë thënë në institut.

Kritika për nivelin qendror ka adresuar edhe drejtori ekzekutiv i AKK-së. Ibrahimi ka theksuar se për këtë, shumë projekte në komuna janë duke u ndërprerë.

“Përveç pasojave që mund të ndërpriten projektet, të cilat shkojnë në dobi të qytetarëve, operatorët ekonomikë mund t’i padisin komunat, sepse kontratat janë të nënshkruara dhe nëse bëjnë një padi ndaj komunave, normal që mund t’i fitojnë për shkak që kontratat janë të nënshkruara. Ne gjatë vitit të kaluar kemi pasur takime me nivelin qendror, ia kemi shpjeguar në detaje problemet, mirëpo ata nuk kanë gatishmëri fare që ta zgjidhin këtë problem”, ka thënë Ibrahimi.

Vetëm gjatë vitit të shkuar, 86 milionë euro kanë shpenzuar komunat për pagesa të vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore. Kontrata kolektive parasheh përfitime financiare për punonjësit e arsimit, si pagesa për shujtat ushqimore apo për shpenzime të udhëtimit e deri te paga shtesë pas pensionimit.

Me ligj, këto përfitime duhet të paguhen nga komunat, të cilat janë punëdhënës të punëtorëve të arsimit. Por, qeveritë e deritashme qendrore nuk u kanë dhënë atyre buxhet shtesë për këtë qëllim.

Punonjësit e arsimit, të cilët nuk kanë përfituar, u janë drejtuar gjykatave dhe kur rasti është përmbyllur në favor të tyre, ata kanë arritur që të nxjerrin kompensim nga buxheti i Komunës.