OpEd

Larg duart nga Kosova e kosovarëve!

“Kosova i ka kufijtë e vet me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Serbinë. Ne i respektojmë këta kufij dhe nuk mendoj se duhet ndonjë kreativitet i ri për rishikim të tyre, por duhet të respektojmë kufijtë që kemi”( KM i Kosovës, Ramush Haradinaj)

Ridgefield,CT. - Sot Republika e Kosovës sime zien nga nji kërcënim që synon copëtimin e saj, rrjedhim i një “fantazie” me perspektiva të paparapame për të ardhmen e saj. Akoma e paforcueme mirë si “shtet” në arenën ndërkombëtare, aksione që rrezikojnë të tashmen e brishtë dhe të ardhmen e pa sigurt, në Kosovë kryhen me lehtësi adoleshenti akte që sfidojnë nji rrezik të paaftë me u kontrollue.

Thirrjet e fundit që kanë marrë tone histerike kanë hedh botën kosovare në qendër të nji stuhie që ka prekë edhe botën e jashtme. E papranueme akoma në OKB-në si anëtare me të drejta të plota, as në Bashkimin Evropian si kandidate për anëtarësim, kryesisht si rezultat i mosnjohjes si shtet i pavarun nga pesë anëtarë me të drejtë veto të BE-së, as në organizata të tjera ndërkombëtare që plotësojnë mangësitë e pavarësisë së plotë, njeriu ka përshtypjen se Kosova sot vetëlëkundet pa llogaritë përfundimin e aksionit të saj: ndryshim, modifikim, korrigjim kufijsh me Republikën e Serbisë, nji fenomen negativ që nga viti 1877 me përfundime gjithmonë në dam të hapësinës tokësore të Kosovës! Kryeministri Haradinaj ka të drejtë. Deklarata e masipërme tregon përgjegjësi politike!

Megjithatë, nji takim në mes të dy presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, që promovojnë idenë e ndryshimeve kufitare asht planifikue të mbahet më 7 shtator 2018 në Bruksel, Belgjikë. Para se të gjindemi përballë nji “fakti të kryem” duhet të veprojmë vendosmënisht dhe me shumë kujdes! Duhet të mobilizohemi të gjithë!

Në vitin 1990, KM i Gjermanisë, Helmut Kohl, ndërtoi argumentin për riunifikimin e Gjermanisë si “…shprehje e vullnetit të popullit”, nji akt që inkurajoi shqiptarët e Kosovës dhe serbët e Krajinës me kërkue shtete të lira dhe të pavaruna. Më 2 korrik 1990, Kosova shpalli Deklaratën e Pavarësisë. Më 7 shtator 1990, Kuvendi i Kosovës deklaroi Republikën e Kosovës shtet i lirë e i pavarun.

Momenti historik për “territorin e Kosovës” ka qenë data 13 mars 1991. Parlamenti i Evropës kaloi nji rezolutë ku thuhej: “…republikat konstituente dhe krahinat autonome të Jugosllavisë duhet të kenë të drejtën (“must have the right”) me përcaktue lirisht të ardhmen e tyne me mënyra paqësore dhe demokratikisht”, në bazë të kufijve të njohun ndërkombëtarisht si dhe të kufijve të mbrendshëm” (“on the basis of recognized international and internal borders” (Clause 8) (Theksi i im.SR).

Referenca për kufijtë e mbrendshëm në veçanti sugjeron se parimet e Helsinki Final Act (1975) do të aplikohen edhe për kufijtë e republikave dhe krahinave autonome gjithashtu (paprekshmënia e kufijve). Ky vendim me randësi dhe referenca e Helsinkit nënkuptojnë mosndryshimin e kufijve ekzistues, nji qëndrim që bani të mundun formimin e Republikës së Kosovës ma vonë në të gjithë hapësinën e territorit të ish-“Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë” (KAKM). Fakti që në qershor 1999 Serbia u tërhoq nga i gjithë territori i ish KAKM-së, tregon randësinë e madhe të këtij parimi ndërkombëtar. Për ma tepër, asnji pllambë toke jashtë Kosovës nuk asht marrë me dhunë ose manovrime politike e marrëveshje të mshefta. Kosova ka fitue pavarësinë e saj si rezultat i shtypjes së patolerueshme serbe dhe përpjekjeve të shumanshme të popullit të saj, të njohuna ndërkombëtarisht.

Fatmirësisht, qëndrime të këtilla u banë të mundshme për hir të ndryshimit të klimës politike botnore dhe evropiane veçanërisht. Hapat e mëdhej të ndërmarrun nga Fuqitë Aleate në ngritjen e strukturës ndërkombëtare të mbasluftës parashikuen nji botë ma të lirë, ma paqësore dhe ma të zhvillueme ekonomikisht. Bota e Versailles kishte dekë njiherë e përgjithmonë. Mbas Kartës së OKB-së për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes (1945), u aprovuen edhe dokumente të tjera si Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut (1948), dy Konventat për të Drejtat Politike dhe Ekonomike (19 dhetor 1966), themelimi i Evropës së Bashkueme, Akti Final i Helsinkit (1975), Karta e Parisit (1980) e të tjerë instrumentë që u përdorën në ndërtimin e botës së mbasluftës. Me shkatërrimin e strukturës shtetnore artificiale të ish-Jugosllavisë, u mundësue përpunimi i dispozitave me frymë ma liberale dhe sidomos ma të drejta. Nga këto zhvillime përfitoi edhe “problemi” i Kosovës dhe avancimi i tij drejt pavarësisë së plotë (17 shkurt 2008) në territoret e njohuna ndërkombëtarisht.

Më 25 shtator 1991, “UN Resolution 713, bashkë me thirrjen për armëpushim në Jugosllavi dha mbështetjen e plotë përpjekjeve të Bashkësisë Evropiane, tue përfshi edhe pozitën e saj të marrun mbi mosshkeljen e kufijve republikanë dhe krahinorë”. (Susan Woodward). Më 3 tetor 1991, përfaqësuesi i Bashkësisë Evropiane (EC) van der Broeck dhe Lordi Carrington, pranuen, in principle, nji plan paqe që nisej nga koncepti “konfederacion”, dhe parashikonte pavarësinë eventuale për të gjitha republikat që e dëshirojnë. Më 15 tetor 1991, u vunë tri kondita për njohje të pavarësisë:

1) Garanci për të drejtat e minoriteteve, përfshi edhe status special për disa regjione.

2) Asnji ndryshim kufitar arbitrarisht.

3) Pjesëmarrje në negociata mbrenda Konferencës së Paqes mbi krijimin e nji aleance shtetesh të pavaruna e sovrane (që nënkuptonte pavarësia e shteteve individuale të njihet vetëm në kuadrin e nji marrëveshjeje të përgjithshme).

Ndërkaq OKB-ja pranonte gjykimin e Komisionit Badinter të BE (EC) se doktrina legale e utis possidetis (“mbaj atë që zotnon”) zbatohet edhe për kufijtë e mbrendshëm të Jugosllavisë (Theksi i im SR) –“nji referencë që u përdorue për Kosovën për të parën herë jashtë situatave koloniale” (Marc Weller)

Në shtator 1994, kemi nji situatë ma të komplikueme. Mbas kërkesës nga ana e kroatëve të Bosnjës-Hercegovinës me u “konfederue” me Kroacinë, ministri i Jashtëm francez, Alain Juppe, deklaroi se nuk shihte nji arsye përse edhe serbët e Bosnjës dhe të Krajinës të mos konfederohen me Serbinë. Ky qëndrim rezultoi në reagimin e shpejtë të presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, më 9 shtator, 1994, se shqiptarët gjithashtu kanë të drejtën me u konfederue me Shqipërinë. Ai deklaroi: “Në rast se marrëdhanjet konfederale të serbëve boshnjakë legalizohen, atëherë na menjiherë do të kërkojmë marrëdhanje të njillojta me Shqipërinë” njoftonte Borba, Biletin Vesti, 10 shtator 1994 (citue nga Susan Woodward). Nga Qeveria shqiptare nuk erdhi inkurajim!

Dy aspektet themelore të problemit të Kosovës - pavarësia dhe integriteti territorial - po merrshin drejtimin e duhun: pozita e Kosovës si njisi politike dhe njisi territoriale në vete priste momentin për njohjen ndërkombëtare të kësaj situate. Ky moment erdhi në vitin 1999, kur bashkësia ndërkombëtare, nën udhëheqjen e SHBA-së, vendosi t’i japë fund agresionit dhe shtypjes serbe në Kosovë me ndërhymje ushtarake. Në qershor, me hymjen e trupava aleate në Kosovë, rruga për konfirmimin legal të gjendjes së krijueme për nji Kosovë të lirë e të pavarun ishte e hapun. Aspektet legale të problemit dhe pozita e Kosovës u konfirmuen me dokumente të njimbasnjishme dhe përfunduen me Planin Ahtisaari, akti i fundit që solli pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt 2008, mbrenda kufijve të njohun ndërkombëtarisht.

* * * * *

Asht nji situatë inkurajuese kur shohim se që nga dita e parë e deklaratës së presidentit Thaçi për ndryshim/shkëmbim territorial me Republikën e Serbisë, nji numër i konsiderueshëm studiuesish, nga të gjitha trojet shqiptare, filluen shqyrtimin e kësaj ideje në përgjithësi me dyshim dhe frikë. Arsyeja asht e thjeshtë. Kosova sot ma shumë se kurrë ma parë asht nji “problem gjithëshqiptar”, i pandashëm dhe shumë sensitiv. I ndërmarrun me iniciativën e presidentit Thaçi, ndryshimi/korrigjimi i kufijve shtetnorë të dy shteteve evropiane asht “nji çështje evropiane”, aq ma shumë për dy vende që aspirojnë anëtarësimin e tyne në Evropë.

Simbas Kushtetutës së Kosovës:

“Neni 1/3 - Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnji shteti ose pjese të ndonji shteti. (Në këtë rast ndaj shtetit fqinj të Serbisë. SR)

Neni 2 - Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës asht i pacenueshëm, i patjetërsueshëm (me ndryshim/shkëmbim. SR), dhe i pandashëm, dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktueme me këtë Kushtetutë dhe me ligj”.

Çdo republikë parlamentare, ashtu siç asht edhe Republika e Kosovës, ka faktorin e vet stabilizues: Parlamentin, i vetmi organ i zgjedhun lirisht nga “sovrani” (populli i Kosovës). Funksionarët e “shtetit” – ose pushteti ekzekutiv- janë parimisht qytetarë të aftë, profesionistë, të besueshëm, dhe të ngarkuem me zbatue ligjet e aprovueme nga Parlamenti. “Korrigjimet/ndryshimet e kufijve” nuk asht prerogativë e tyne, dhe ata që shkelin ligjin, përgjigjen para gjykatave të pavaruna. Kështu vepron nji shtet demokratik!

Në takimin e fundit të mbajtun në Vjenë nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, 30 gusht 2018, me ata të vendeve kandidate për anëtarësim, ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas quejti “të gabuara” idetë e ndryshimeve të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë. “Ne mendojmë se kjo mund të hapë shumë plagë të vjetra dhe se këndejmi jemi shumë skeptikë” u tha ai gazetarëve. (Zëri i Amerikës) Kështu deklaruen edhe ministrat e Luksemburgut, Finlandës, Austrisë. Edhe Britania e Madhe e kundërshton nji shkëmbim të këtillë. Ndërsa shefja e Politikës së Jashtme evropiane, F.Mogherini, tha se do të mbështesë çdo zgjidhje që nuk çon në “krijimin e shteteve etnike”. Nji qëndrim i këtillë asht diametralisht i kundërt me atë të presidentit serb, A. Vuçiq, se “ndarja ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në vija etnike” asht pikësynim i tij.

Përsëri, kundërshtimi i KM Haradinaj erdhi menjiherë dhe i plotë: ai ritheksoi kundërshtimin e tij ndaj ideve për korrigjim kufijsh e shkëmbim territoresh, nji qëndrim që presidenti i Kosovës, H.Thaçi e cilësoi si “disa individë të caktuar po tentojnë të krijojnë panik dhe paqartësi…”. Z.Haradinaj shtoi: “Kosova ka paguar nji çmim të shtrenjtë për paqen që kemi sot dhe nuk duam të hyjmë përsëri në skenarë të rrezikshëm… Njohja reciproke dhe paqja e qëndrueshme duhet të jetë rezultati vetëm kredibël nga kjo marrëveshje. Diskutimi për shkëmbimin e territoreve… krijon pasiguri dhe rrezikon investimet afatgjata politike dhe të sigurisë për stabilitetin dhe paqen në Kosovë dhe rajon”. Para nji situate të këtillë, “partitë opozitare synojnë që më 4 shtator të mbajnë nji séancë të jashtëzakonshme të Parlamentit ku do të hidhet për miratim një rezolutë që, si thuhet, ‘i ndalon presidentit dhe kujdo tjetër të negociojë për tërësinë territoriale të Kosovës’ ”.(Zëri i Amerikës, 31 gusht). Çdo shqiptar duhet të përkrahë këtë qëndrim!

Qëndrimi i dy fuqive të mëdha del nga deklaratat e përfaqësuesve të tyne. Shkurtimisht: nëse dy palët arrijnë nji marrëveshje, ata nuk do të sjellin pengesa.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, u shpreh: “Dialogu Serbi-Kosovë asht ndërtuar jo për të ndryshuar realitetin, por për të udhëhequr procesin e pranimit të tij, në emër të paqes dhe stabilitetit. Ai është parakusht për integrimin evropian të dy vendeve. Çdo diskutim dhe debat që ndihmon në kuptimin dhe pranimin e këtij realiteti është i mirëpritur. Çdo devijim nga ky realitet, përveç se provokon emocione dhe retorikë populiste nuk sjell dobi. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është realitet i njohur dhe i pranuar tashmë nga shumica bindëse e vendeve anëtare të OKB-së… Pavarësia e Kosovës ka qenë një nga investimet më të mëdha dhe të suksesshme të BE-së dhe të SHBA-së në Ballkan… Çdo tentativë për të imponuar modele të ndryshimit të kufijve, jo vetëm do të cenonte stabilitetin e rajonit, por do të vinte në rrezik edhe frymën e parimet e BE-së”.

Eksperti britanik për Ballkanin, Paddy Ashdown, shqetësohet se nji ndryshim i kufijve Serbi-Kosovë do të lehtësojë mundësinë e bashkimit të të gjitha zonave të banueme nga serbët në nji shtet të vetëm serb. Deklaratat e KM serb Vuçiq se dëshiron “ndamjen e serbëve dhe shqiptarëve” gjithashtu kanë këtë synim: formimin e shtetit etnik serb. Nji qëndrim i tmerrshëm, nji zgjidhje që rrezikon çdo kohë paqen në Ballkan.

* * * * *

“Në mes të serbëve dhe shqiptarëve pothuajse nuk ka komunikim. Kur të kalojë breznia e tashme kosovare që u rrit nën Jugosllavi, shqiptarët do të komunikojnë me ne në gjuhën angleze. Në Prishtinë në vitin e parë të hapjes së fakultetit të sllavistikës në universitetin lokal nuk u regjistrue njeri. Në Serbi askush nuk mëson gjuhën shqipe, as edhe kur kishim ‘Vëllaznim-Bashkim’. Praktikisht na nuk njohim njani-tjetrin” shkroi Zelko Pantelic në “Vjesnik on line”, më 30.VIII.2018).

Këtë dëshiron KM serb Vuçiq: anmiqsi të përjetshme, frikë e pasiguri!

Qëndrime të këtilla tallen me idenë e evropianizimit të Ballkanit. E kaluemja e hidhët e këtij kontinenti u përshtatet ma shumë sepse u lejon me grabitë tokët e të tjerëve - zakonisht të vendeve ma të vogla; shqiptarët e dinë mirë këtë eksperiencë!-dhe me krijue shtete që i përngjasin “imperatorive” mesjetare të Car Dushanit…

Për fat të mirë, koha ka ba punën e vet, dhe Evropa me gjithë “gabimet” e së kaluemes ka hy në nji fazë të qëndrueshme përparimi, paqje dhe stabiliteti, e mbështetun në respekt reciprok, dhe në respektimin e të drejtave të njeriut në të gjithë kontinentin. Idetë e renesancës dhe të humanizmit e frymëzojnë!

Ideja e “europianizimit” të vendeve tona asht forma ideale e përparimit në të ardhmen tonë. Shqiptarët, kudo që banojnë, duhet ta përshëndesin dhe ta përkrahin. Për mendimin tim, asht e vetmja e ardhme që premton për ne dhe për breznitë tona.

Le ta përqafojmë!

Më 5 shtator 2001, ish-ambasadori amerikan në Tiranë, William E.Ryerson, shkruente këtë letër: “…Pa dyshim, merita për çlirimin e Kosovës i takon Sekretares (së Shtetit) Albright, që pati urtësinë me përkrahë atë që ishte e drejtë, si dhe aftësisë saj me bindë ‘boss-in’ (Presidentin Clinton) dhe kolegët e tij me veprue e jo me u kufizue në deklarata pa efekt. Megjithatë, ajo nuk do të dilte me sukses sikur ju, dhe të tjerë si ju, të mos kishin shpenzue vite të gjata sidomos me edukimin e publikut amerikan dhe, akoma ma me randësi me edukimin e udhëheqësve tonë (amerikanë) mbi problemin serioz që paraqiste shtypja serbe në kurriz të shqiptarëve të Kosovës.

Ju keni të drejtë me qenë kryenaltë për të gjithë sukseset e juaja. Jo, ju nuk i keni arrit vetëm këto suksese; por unë dyshoj nëse pa përpjekjet e juaja të gjata, udhëheqësit politikë amerikanë do të kishin veprue ashtu si vepruen.

Sinqerisht i jueji, William E. Ryerson, ish-ambasador i SHBA-së në Tiranë”.

(Letter, to: prof. Sami Repishti).

Asht me këtë frymë që shkruej unë sot këto radhë në lidhje me zhvillimet e fundit politike në Kosovë: nji dashuni e sinqertë për “Nanën Kosovë” – nji vëlla për motër e vëlla!

(Në vitin 2003, autori asht dekorue nga i ndjeri dr.Ibrahim Rugova, president i Republikës së Kosovës, me “Medaljen e Artë, 125-vjetori i Lidhjes së Prizrenit)