Një shpjegim tjetër është se ndërsa vendet e rastit filluan të eksportonin më shumë në SHBA ose Kinë, kostot e tyre për njësi të prodhimit ranë, sepse ekonomitë e shkallës i lejuan ata të ofronin më shumë me çmime më të ulëta
Lufta tregtare SHBA-Kinë filloi në vitin 2018 dhe nuk ka përfunduar kurrë zyrtarisht. Pra, cila anë e ka “fituar” atë? Hulumtimet e fundit ofrojnë një përgjigje të qartë: Asnjëra. Tarifat amerikane për mallrat kineze çuan në çmime më të larta të importit në SHBA në kategoritë e produkteve të prekura dhe tarifat hakmarrëse të Kinës për mallrat amerikane përfunduan duke dëmtuar importuesit kinezë. Tregtia dypalëshe midis dy vendeve është ulur. Dhe për shkak se SHBA-ja dhe Kina janë dy ekonomitë më të mëdha në botë, shumë e cilësojnë këtë zhvillim si një pararojë të fundit të globalizimit.
Megjithatë, argumenti i “deglobalizimit” injoron shumë vende “kalimtare” që nuk ishin shënjestruar drejtpërdrejt nga SHBA-ja apo Kina. Në një punim të ri që hulumton efektet e luftës tregtare në këto vende, bashkautorët e mi dhe unë arrijmë në një përfundim të papritur: Shumë, por jo të gjitha nga këto vende kalimtare kanë përfituar nga lufta tregtare në formën e eksporteve më të larta.
Me siguri do të pritej që eksportet nga vendet e treta (Meksika, Vietnami, Malajzia, etj.) të zënë vendin e eksporteve kineze në SHBA. Por ajo që është befasuese është se këto vende kanë rritur eksportet e tyre jo vetëm në SHBA, por edhe në pjesën tjetër të botës. Në fakt, tregtia globale e produkteve të prekura nga lufta tregtare duket se është rritur me 3% në krahasim me tregtinë globale të produkteve që nuk janë cak i tarifave. Kjo do të thotë se lufta tregtare nuk çoi vetëm në rialokimin e eksporteve të vendeve të treta në SHBA (ose Kinë); rezultoi gjithashtu në krijimin e tregtisë neto.
Duke qenë se luftërat tregtare përgjithësisht nuk shoqërohen me këtë rezultat, çfarë e arsyeton këtë? Një shpjegim i mundshëm është se disa vende kalimtare e panë luftën tregtare si një mundësi për të rritur praninë e tyre në tregjet botërore. Duke investuar në kapacitete shtesë tregtare ose duke mobilizuar kapacitetin ekzistues të papunë, ata mund të rrisin eksportet e tyre pa rritur çmimet e tyre.
Një shpjegim tjetër është se ndërsa vendet e rastit filluan të eksportonin më shumë në SHBA ose Kinë, kostot e tyre për njësi të prodhimit ranë, sepse ekonomitë e shkallës i lejuan ata të ofronin më shumë me çmime më të ulëta. Në përputhje me këto shpjegime, punimi ynë konstaton se vendet me rritjen më të madhe të eksporteve globale janë ato në të cilat çmimet e eksportit janë në rënie.
Teksa efekti neto i luftës tregtare në ekonominë botërore ishte një rritje në tregti, kishte ndryshime të mëdha midis vendeve. Disa vende rritën ndjeshëm eksportet e tyre; disa rritën eksportet e tyre në SHBA në kurriz të eksporteve të tyre gjetkë (ata rialokuan tregtinë); dhe disa vende thjesht humbën eksportet duke shitur më pak në SHBA dhe në pjesën tjetër të botës. Çfarë i arsyeton këto dallime dhe çfarë mund të kishin bërë vendet për të siguruar përfitime më të mëdha nga lufta tregtare?
Përsëri, përgjigjet janë disi befasuese. Dikush mund të kishte marrë me mend se faktori më i rëndësishëm që shpjegon përvojat e ndryshme të vendeve do të ishin modelet e specializimit të para luftës tregtare. Vende të tilla si Malajzia dhe Vietnami, për shembull, ishin me fat që prodhonin një kategori produktesh të prekura shumë si makineritë. Megjithatë, modelet e specializimit duket se kanë pak rëndësi, duke gjykuar nga fituesit e mëdhenj të eksporteve të luftës tregtare: Afrika e Jugut, Turqia, Egjipti, Rumania, Meksika, Singapori, Holanda, Belgjika, Hungaria, Polonia, Sllovakia dhe Republika Çeke.
Në vend të kësaj, ajo që kishte rëndësi ishin dy karakteristika kryesore të vendit: pjesëmarrja në marrëveshjet “të thella” tregtare (të përcaktuara si regjime që mbulojnë jo vetëm tarifat, por edhe masat e tjera të mbrojtjes prapa kufirit); dhe investimet e huaja direkte të akumuluara. Vendet që kishin një shkallë të lartë paraekzistuese të integrimit të tregtisë ndërkombëtare përfituan më shumë. Marrëveshjet tregtare priren të reduktojnë kostot fikse të zgjerimit në tregjet e huaja dhe marrëveshjet ekzistuese mund të kenë kompensuar pjesërisht pasigurinë e krijuar nga lufta tregtare. Në mënyrë të ngjashme, IHD-të më të larta janë tregues i besueshëm për lidhje më të mëdha sociale, politike dhe ekonomike me tregjet e huaja.
Efektet e zinxhirit të furnizimit gjithashtu mund të kenë luajtur një rol të rëndësishëm. Në një konferencë parashikuese të politikave bazuar në bisedat private me drejtuesit e kompanive të mëdha shumëkombëshe, analistët në Institutin Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare parashikuan në vitin 2016 se tarifat e SHBA-së do të “shkaktojnë një zinxhir të madh ndryshimesh prodhimi”.
Nëse një kompani vendos të zhvendosë prodhimin e një produkti të synuar nga tarifat kineze në një vend të tretë, kjo do të kërkonte një riorganizim të aktiviteteve të tjera në vendin e tretë, duke prekur nga ana tjetër shumë vende të tjera. Modeli i saktë i këtyre përgjigjeve do të kishte qenë i vështirë të parashikohej, duke pasur parasysh kompleksitetin e zinxhirëve modernë të furnizimit. Mirëpo shkalla e integrimit ndërkombëtar të një vendi duket se ka qenë një faktor vendimtar në vendimet e zhvendosjes së një firme.
Duke iu rikthyer pyetjes sonë fillestare, atëherë, fituesi i madh i luftës tregtare duket se janë vendet “kalimtare” me lidhje të thella ndërkombëtare. Nga këndvështrimi i SHBA-së, lufta tregtare nuk çoi në riforcimin e reklamuar të aktivitetit ekonomik, të paktën në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme. Në vend të kësaj, importet kineze në SHBA thjesht u zëvendësuan me importe nga vende të tjera.
Nga këndvështrimi i vendeve “kalimtare”, lufta tregtare, për ironi, tregoi rëndësinë e integrimit tregtar, veçanërisht marrëveshjeve të thella tregtare dhe IHD-ve. Për fat të mirë, lufta tregtare kino-amerikane nuk shënon fundin e globalizimit. Përkundrazi, mund të shënojë fillimin e një sistemi të ri tregtar botëror që nuk i ka më SHBA-në apo Kinën në qendër.
(Pinelopi Koujianou Goldberg, ish-kryeekonomiste e Grupit të Bankës Botërore dhe kryeredaktore e American Economic Review, është profesoreshë e Ekonomisë në Universitetin Yale. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).