OpEd

Kujdesi selektiv për këshillat e miqve dëmton Kosovën

Politikanët shqiptarë, në Kosovë e Shqipëri, thirren në “këshillat e miqve ndërkombëtarë” kur duan t’u shesin qytetarëve ndonjë vendim jo të popullarizuar. Por kur ata miq i qortojnë për korrupsion, krim të organizuar dhe dukuri të tjera negative e të dëmshme, ata më nuk i përfillin “këshillat e miqve”. Në këtë mënyrë mbesin të pakënaqur edhe miqtë, edhe populli, e përfitojnë politikanët

Para disa vjetësh një diplomat i lartë amerikan në një bisedë private thoshte se shpesh, pa asnjë arsye, përballet me situata të panevojshme në raporte me politikanë shqiptarë. Shpjegonte se janë dy gjëra që u shkonin shumë në nerva. Njëra ishte, thoshte ai, “kur pa asnjë nevojë na pyesin që ne të japim ndonjë këshillë për ndonjë çështje që nuk na takon neve”. Dhe e dyta, sipas të njëjtin, ishte “kur ne, pas shumë hezitimeve, japim mendimin tonë e ata nuk e respektojnë”.

Ky diplomat, megjithatë, thoshte se ekziston një dallim i madh mes politikanëve nga Shqipëria dhe atyre nga Kosova. Sipas tij, ata të Kosovës ishin “më shumë të dëgjueshëm dhe tregonin më shumë respekt” ndërsa për ata nga Shqipëria, pa marrë parasysh se nga cila parti vinin, nga miq të mëdhenj të kthenin në armik nëse thoshe diçka kundër qëndrimeve dhe interesave të tyre.

Kultura e varësisë nga të huajt për shumë vjet është shndërruar në sëmundje kronike të politikanëve, por edhe të qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës. Ka shumë arsye për këtë. Por ajo kryesore është mungesa e guximit për të marrë përgjegjësinë për veten dhe për veprimet që bëjnë. Ka pasur edhe arsye logjike para disa vjetësh. Shqipëria ishte në procesin e daljes nga izolimi. Dhe ishte e natyrshme që nga opsesioni zyrtar i kohës së komunizmit që të gjithë të huajt janë armiq potencialë, me përjashtim të herëpashershëm të kinezëve apo rusëve, dhe në këtë proces “këshilltarët e këqijve të huaj” u bënë argumentet kryesore për secilin veprim. E ato këshilla sot e kësaj dite kërkohen edhe kur duhet zgjidhur ndonjë konflikt të brendshëm politik, pa marrë parasysh se ato konflikte nuk kanë asnjë rëndësi gjeostrategjike globale.

Në rastin e Kosovës varësia nga bashkësia ndërkombëtare ishte e logjikshme, duke marrë parasysh ndërhyrjen për çlirimin e Kosovës, vendosjen nën administratë ndërkombëtare dhe procesin e udhëhequr nga bashkësia ndërkombëtare që solli tek shpallja e pavarësisë.

Por tash edhe në Kosovë kërkohet ndërhyrje ndërkombëtare për t’i zgjidhur problemet e brendshme, shpesh të nivelit lokal.

Nuk ka ditë që nga qytetarët e Kosovës nuk dëgjohet pyetja se “se nuk po na i heqin këta politikanë të korruptuar” apo “çfarë mendojnë ata në Bruksel, deri kur mund të presim na me këta në pushtet”.

Javën e shkuar, i përballur me kritikat pse kanë raporte të mira me qeveritë autoritare në disa vende të Ballkanit, të cilat bëjnë presion ndaj mediave, ndërhyrje politike në gjyqësor dhe janë të lidhur me strukturat e krimit të organizuar, komisari i BE-së për Negociata të Zgjerimit dhe Fqinjësi, Johanes Hahn, tha: “Nëse keni menduar se roli ynë është që të ndërrojmë qeveritë, atëherë nuk e keni kuptuar si duhet rolit tonë”.

Mund të gjinden shumë shembuj se si politikanët si Hahni, me apo pa vetëdije, kanë ndihmuar në forcimin e politikanëve të caktuar në rajonin e Ballkanit, por fjalët që tha në një debat në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian janë të vërteta.

Ka pasur raste kur Brukseli ka ndërhyrë për të mohuar respektimin e parimeve të demokracisë në Kosovë e madje edhe kur mbyllte sytë ndaj vjedhjes zgjedhore vetëm për të mbrojtur interesat e dialogut me Serbinë. Ka pasur edhe raste kur nga Brukseli janë mbështetur edhe liderë me të kaluar të errët, vetëm për interesa të ngushta politike të momentit. Por është e vërtetë se kanë qenë qytetarët e vendeve të rajonit ata të cilët me vota të tyre ua kanë dhënë legjitimitetin atyre që janë në krye të këtyre shteteve.

Është e vërtetë se për bashkësinë ndërkombëtare politikanët e dyshuar për korrupsion janë partnerë e jo ata që luftojnë kundër tyre. Por qytetarët duhet të kuptojnë porosinë e komisarit Hahn se Brukseli, Washingtoni, Moska e kushdo tjetër, do të kenë raporte me shtetet e jo me individët, me ata që janë në pushtet dhe janë në krye të institucioneve. Pra, vetëm nëse bëhen ndryshime në ato vende, atëherë, u pëlqej apo jo “miqve ndërkombëtarë” ata që vijnë në pushtet do të jenë të pranueshëm. Mund të shihet ky shembull në rastin e Shqipërisë: bashkësia ndërkombëtare është sjellë njëlloj ndaj Shqipërisë edhe kur në pushtet ka qenë PD-ja, edhe kur ka qenë PS-ja. Edhe PD e PS janë sjellë njësoj: kur kanë qenë në pushtet e kanë fajësuar opozitën për dështime të shtetit, ndërsa kur kanë qenë në opozitë kanë bojkotuar punën e Kuvendit, e kanë quajtur Qeverinë “kriminale” dhe kanë bërë protesta. Në Kosovë, me përjashtim të Vetëvendosjes, të gjitha partitë tjera kanë qenë pjesë e pushtetit në një moment të caktuar. Dhe asnjëra nuk është shquar në luftën kundër dukurive për të cilat kanë folur kur kanë qenë në opozitë.

Në Serbi, Evropa ka festuar kur nga pushteti është rrëzuar Milosheviqi me mbështetësit e tij që quheshin “forcat e errëta të së klauzurës”, ndërsa tash, kur po njerëzit e Milosheviqit janë në pushtet, ata konsiderohen si pro evropianë dhe “njerëz të paqes”.

Ajo që nuk ka ndryshuar në qasjen e “miqve ndërkombëtarë” është bashkëpunimi me pushtetet në vendet e rajonit dhe prodhimi i raporteve për të njëjtat pushtetet për korrupsion, krim të organizuar, shtypje të mediave dhe politizim të gjyqësorit dhe shërbimeve publike.

porositë e “miqve ndërkombëtarë” gjithmonë janë dëgjuar në mënyrë selektive.

Politikanët shqiptarë, në Kosovë e Shqipëri, thirren në “këshillat e miqve ndërkombëtarë” kur duan t’u shesin qytetarëve ndonjë vendim jo të popullarizuar. Por kur ata miq i qortojnë për korrupsion, krim të organizuar dhe dukuri tjera negative e të dëmshme ata më nuk i përfillin “këshillat e miqve”. Në Kosovë politikanët u zunë në siklet për kritikat dhe qortimet që i dha ambasadori i Zvicrës për keqpërdorimin e parave të taksapaguesve për veteranë të rrejshëm. Një ish-koleg i tij, ambasadori i Kroacisë, mik i dëshmuar i Kosovës, ishte tërhequr dhe dërguar në një vend tjetër, pas kritikave “zyrtare” të Kosovës për “sjellje jo diplomatike” sepse kishte thënë se disa politikanë në Kosovë po e kuptojnë shtetin si “lopë që duhet mjelë”.

E kur ndonjë diplomat pohon se duhet bërë kompromise me Serbinë, atëherë menjëherë politikanët, për shkak se janë të përfshirë në pazare të tilla, thirren në këto “këshilla” për të arsyetuar veprimet kundër të cilave janë qytetarët.

Në këtë mënyrë mbeten të pakënaqur edhe miqtë edhe populli, e përfitojnë politikanët. Dhe kjo është mënyra më e mirë për të humbur edhe miqtë e vërtetë të Kosovës, gjë që po ndodh.