Ikja e trurit dhe e muskujve shqiptarë ka qenë fenomen i përhershëm si pasojë e okupimeve të njëpasnjëshme dhe i eksploatimit të kombeve të vogla nga kombet e mëdha. E vërtetë: sado i madh të jesh si individ, në një komb e shtet të vogël mbetesh "i vogël" për shkak të tavanit të ulët.
Në një hulumtim të vitit të kaluar pata hasur në fakte tronditëse.
• Sipas Bankës Botërore, arsyeja kryesore që njerëzit largohen nga Kosova është për ta siguruar një të ardhme më të mirë për edukimin e fëmijëve. Dy arsyet e radhës janë siguria shëndetësore dhe punësimi.
• Ballkani Perëndimor është më i prekuri nga problemi i ikjes së trurit në Evropë dhe Kosova është më e prekura nga problemi i ikjes së trurit në rajon. Kosova shpenzon 519 milionë euro në vit për arsimimin e njerëzve më të zgjuar që largohen. Mesatarisht shpenzon 1.66 herë më shumë se vendet fqinje, ku përfshihen Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Kosova shpenzon çdo vit 288 euro për kokë banori në Brain Drain, që mesatarisht është 1.84 herë më shumë se vendet fqinje. Kosova shpenzon 8% të GDP-së në Brain Drain, që mesatarisht është 2.81 herë më shumë se vendet fqinje.
Po ashtu, sistemi arsimor nuk është i balancuar si duhet.
• Numri i studentëve për 100.000 banorë në Bashkimin Evropian është 3987 dhe në Kosovë është 6669, që është 67% më shumë.
• Numri i institucioneve të arsimit të lartë për 1 milion banorë në BE është 7 dhe në Kosovë është 20, që është gati 3 herë më shumë.
• Raporti mësues-nxënës në Kroaci është 1 me 9, dhe në Kosovë është 1 me 62, që është gati 7 herë më shumë.
• 15.5% e fëmijëve nuk janë të regjistruar në arsimin e mesëm të lartë, gjë që është alarmante. 51% e të regjistruarve shkojnë në gjimnaze dhe 49% në shkolla profesionale. Në Finlandë 30% shkojnë në gjimnaze dhe 70% në shkolla profesionale.
• Analfabetët funksionalë në Kosovë: në vitin 2008: 62%, në 2015: 78%, në 2018: 82%
• Kur një fëmijë e mbaron shkollën e mesme është 5-7 vjet prapa një fëmije në Evropën Perëndimore.
• Në Webometrics, Universiteti i Prishtinës renditet i 3027-ti në botë. Mesatarisht është 2.57 herë më poshtë se vendet fqinje. Krahasuar me vendet më të zhvilluara evropiane është 170 herë më poshtë.
Kjo gjendje ka shkaktuar shpërndarje e shkapërderdhje të shqiptarëve kudo nëpër botë. Shqiptarët kryejnë punë të ndershme, fizike e mendore, artistike e kulturore, akademike e politike, në të gjitha fushat. Në anën tjetër, një pjesë e madhe e shqiptarëve kanë qëndruar në trojet etnike dhe kanë vazhduar të punojnë, po ashtu, punë të ndershme të të gjitha fushave. Të dy rrugët janë me shumë sfida e sakrifica. Të shkosh jashtë, të integrohesh në një shtet të huaj, ta mësosh gjuhën e kulturën e vendit nga zero, të ndihesh "inferior" apo të trajtohesh si i tillë ndoshta me vite, është e vështirë. Por edhe të rrish në vendin tënd të pazhvilluar dhe të shkollohesh, zhvillohesh e të punosh me nder në këtë kohë ku nderi është valuta më e nënvlerësuar, është e vështirë.
Si mund të nisin të kthehen shqiptarët e ndershëm në trojet e veta?
Duhet një marrëveshje e ndershme. Për shembull, në Universitetin e Prishtinës mund të merremi vesh që 20% apo 30% (apo sa të konsiderohet e përshtatshme) e stafit mësimdhënës të jetë nga kthimi i trurit. Kjo do të nënkuptonte që për atë përqindje të stafit, hapet konkurs për mërgatën që do të kthehet. Garojnë shkencëtarët shqiptarë të mbarë botës me bagazhin e punimeve të tyre shkencore. Dhe, le të fitojnë më të mirët. Atyre, "të mërgatës", pastaj, dhe këtyre "të vendit", do t'u duhet kohë të përshtaten me njëri-tjetrin. Do të duhet respekt i ndërsjellë. Mërgata duhet t'i respektojë profesorët e brendshëm që vërtet nuk kanë mundur të bëjnë aq shumë punime shkencore, por e kanë mbajtur "frontin", e kanë mbajtur gjallë sistemin shkollor, me aq sa kanë mundur e me aq sa kanë ditur në këtë ambient jo shumë të ndershëm. Profesorët e brendshëm duhet t'i respektojnë ata të mërgatës për sakrificën e tyre dhe për punën e madhe shkencore që kanë arritur ta vjelin jashtë dhe ta sjellin këtu. Kështu do të përfitonin të gjitha palët: profesorët e mërgatës do të mësonin nga profesorët këtu se ku jemi, si t'u qasemi studentëve të sotëm, si ta menaxhojmë burokracinë dhe ambientin e pandershëm e 1001 sfida të tjera. Profesorët këtu do të mësonin nga profesorët e mërgatës se si bëhet shkenca jashtë, do të nisnin bashkëpunimet shkencore dhe për 5 apo 10 vjet do të kishim shkrirje dhe një gjendje goxha më ndryshe se kjo që e kemi tani. Nga kjo do të përfitonin të gjithë studentët, duke e pasur një përzierje më të pasur të profesorëve, dhe rrjedhimisht do të përfitonte gjithë shoqëria shqiptare.
Kjo do të jepte shembull në të gjitha fushat e tjera: në industri, në biznese e kudo tjetër.
(Autori është ish-mësimdhënës shumëvjeçar në Universitetin e Prishtinës dhe tani mësimdhënës në një kolegj privat dhe aktivist në shoqata të informatikës)