Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Kryengritja autentike e shqiptarëve të Kosovës

Demonstratat e vitit 1968 përkujtohen një herë në vit më 27 nëntor dhe rrallëherë tjetër gjatë vitit futen në projeksionet e politikanëve me qëllim për t’u shërbyer politikave të tyre ditore. Kjo, për meritë të shumicës së organizatorëve dhe pjesëmarrësve të 1968-s (me ndonjë përjashtim të vogël), të cilët nuk lejuan mitizimin e kësaj ngjarjeje përmes fryrjes së saj si formë, por e ruajtën substancën e saj duke e lënë vetëm popullin pronar të ngjarjes. 1968-ta nuk ishte një revolucion, por nuk ishte as kundërrevolucion, siç cilësohej nga pushteti jugosllav. Ajo thjesht ishte një kryengritje autentike e shqiptarëve të Kosovës

Për të shpjeguar kronologjinë e organizimit të demonstratave të vitit 1968 në Prishtinë, të cilat kulmuan me një sukses pothuaj monumental për atë kohë, gjatë këtyre ditëve mediat u kanë dedikuar hapësirë të madhe protagonistëve kryesorë të asaj kohe. I tërë procesi i organizimit të demonstratave, përveç nga të tjerët, këto ditë është shfaqur jashtëzakonisht mirë sidomos në një dokumentar të transmetuar nga KTV-ja (prodhuar në mars 2017). Këto edhe janë disa nga arsyet pse në këtë shkrim jemi përqendruar më pak në përshkrimin e organizimit të këtyre demonstratave dhe më shumë në shtjellimin e demonstratave të vitit 1968, në kontekst të vlimeve që ndodhnin gjithandej nëpër botë gjatë atij viti. Për këtë qëllim shkrimi ka për fokus pyetjet, si: A ishin këto demonstrata përpjekje për të kopjuar demonstratat që u organizuan në mbarë botën në vitin 1968 apo ishin një ventil stihik për të kanalizuar pakënaqësitë e popullit shqiptar në kuadër të Jugosllavisë së atëhershme? Sa, si dhe pse përfitoi populli i Kosovës përmes demonstratave të vitit 1968? A ishin revolucion këto demonstrata apo ishin një kryengritje autentike? Dhe krejt në fund, a u mitizuan këto demonstrata dhe a përfitoi dikush karrierë përmes tyre?

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve në këtë shkrim do të përpiqemi të bëjmë krahasimin e motivit të organizimit të demonstratave të vitit 1968 në Perëndim dhe në Lindje, si dhe krahasimin e motivit të demonstratave të vitit 1968 brenda ish-Jugosllavisë, siç ishin ato të Prishtinës, Beogradit dhe Zagrebit.

“Shpërthimi i fundit global”

Kanë kaluar 50 vjet nga ai që njihet si “shpërthimi i fundit global”, i cili u manifestua në të gjithë botën me atmosferë rebelimi të iniciuar përmes revoltës së të rinjve që kryesisht ishin studentë. Duke filluar nga Free Speech Movement, e cila u zgjerua nga Universiteti i Kalifornisë në Berkeley, në krejt ShBA-në, në vitin 1964, e deri tek trazirat e shumta studentore në mbarë botën, gjatë viteve 1967 dhe 1968 ka pasur konflikte dhe demonstrime në Paris, Berlin, Barcelonë, ​​Madrid, Ciudad,Tokio, Beograd, Zagreb, Prishtinë, etj., si dhe ka ndodhur “Pranvera e Pragës”. Bota vlonte e të rinjtë gjithandej kërkonin ndryshime. Nuk ka arsye të besohet se viti 1968 ishte i veçantë, sepse ai ishte një vit kalendarik si çdo tjetër. Rrënjët e një rebelimi të tillë në mbarë botën duhet kërkuar në të kaluarën ashtu siç sot ngjarje të ngjashme kanë shpesh burim të kaluarën. Një nga shkaqet kryesore të fillimit të demonstratave gjithandej nëpër botë ishte pakënaqësia me luftën në Vietnam dhe ndarja e Evropës. Përderisa në njërën anë në Evropën Lindore kërkoheshin reforma, në anën tjetër patëm ndërhyrjen e Paktit të Varshavës në Çekosllovaki, kurse bazë e demonstratave në Jugosllavi ishin arsyet sociale dhe nacionaliste. Pasojat e të gjitha këtyre ngjarjeve ishin në përputhje me motivimin e tyre dhe mund të thuhet se shumica e qëllimeve të tyre, në një mënyrë ose në tjetrën, janë arritur.

Edhe Mustafa: Demonstratat e vitit 1968 ishin kthesë e rëndësishme për ndryshimin e rrjedhës politike Arbëri 8 muaj më parë Mustafa: Demonstratat e vitit 1968 ishin kthesë e rëndësishme për ndryshimin e rrjedhës politike

Protestat kundër luftës në Vietnam, edhe pse u dhunuan, ato dhanë efektin e tyre, sepse racizmi në ShBA megjithëse nuk u eliminua në tërësi, gjatë atyre viteve u shënua përparim i madh në rritjen e barazisë dhe të drejtave qytetare. Administrata e Richard Nixonit dhe Henry Kissingerit u rezistoi protestave dhe kërkesave të tyre, por fundi rezultoi me faktin se presidenti i Shteteve të Bashkuara duhej të tërhiqej nga ky pozicion para kohës dhe vetëm falja e pasardhësit të tij e shpëtoi atë nga përgjegjësia penale.

SHBA-ja dhe masivizimi i protestave në Evropë

Këto lëvizje në SHBA ndikuan edhe në masivizimin e protestave në Evropë, edhe pse me motivime të tjera. Në Gjermani studentët protestuan, sepse ishin të pakënaqur me mënyrën se si funksiononte sistemi parlamentar. Nuk mund të thuhet se ata shprehnin simpati për socializmin totalitar, megjithatë, në demonstratat dhe rebelimin e tyre konsideronin se demokracisë gjermane i mungonte legjitimiteti edhe me gjithë funksionimin e mirë ekonomik, me çka pajtohej edhe Jürgen Habermas, edhe pse nuk kishte simpati për studentët e rebeluar. Varësisht se si definohen, disa nga kërkesat e studentëve të rebeluar u realizuan. U forcua karakteri antinazist i Gjermanisë, kurse socialdemokracia gjermane pas vitit 1968 pati një rol të rëndësishëm në bashkimin me Gjermaninë tjetër dhe në bashkimin e Evropës në përgjithësi. Rebelimi në Francë, me objektiv revolucionin, ishte i ndryshëm nga ai gjerman. Në Francë protestohej kundër konservatizmit shoqëror. Mirëpo, gjatë rebelimeve në Francë dhe okupimit të Sorbonës është interesant fakti se disa ideologë protestues gradualisht nga e majta kaluan në të djathtën dhe në fund ishte Jean-Paul Sartre, i cili mbeti pothuajse i vetëm në shpërndarjen e fletushkave të rrugës që bënin thirrje për revolucionin. Këto ishin ndryshimet në kërkesa prej ShBA-së në Gjermani e deri në Francë. E përbashkëta e Francës dhe e Gjermanisë ishte se me gjithë përmbushjen e disa kërkesave për reforma, revolucioni nuk ndodhi. Fatkeqësisht, as kundërrevolucioni në Çekosllovaki nuk ndodhi pasi që atje hynë trupat ruse në Pragë. E vërteta është se e majta e re ripërcaktoi nocionin e revolucionit dhe subjekteve revolucionare dhe kthesat që ndodhën më 1968 ndihen edhe sot.

Protestat në Jugosllavi larg atyre në Perëndim

Ndërkohë ajo që ndodhi në Jugosllavi në vitin 1968 nuk kishte shumë lidhje kauzale e as ngjashmëri me protestat në Perëndim apo kërkesat për reforma në Lindje. Edhe pse studentët jugosllavë ishin mjaft të internacionalizuar deri në vitin 1968 (jo vetëm për shkak të luftës në Vietnam), megjithatë demonstratat në Beograd e Zagreb nuk kishin slogane me karakter global. Këto ngjarje ishin shumë jugocentrike dhe si të tilla lidheshin kryekëput me situatën socio-politike në Jugosllavi, për ç’gjë këto ngjarje ndryshonin edhe me karakterin e demonstratave në Prishtinë. Në Beograd demonstratat ishin kryesisht të motivuara për reforma sociale, siç ishte rasti edhe në Zagreb (me dallimin se në Zagreb kërkesat evoluuan në nacionale në vitin 1971), kurse në Prishtinë demonstratat kishin karakter nacional.

Viti 1968 tregon funksionimin e fshatit global, sepse ishte televizioni ai që sot është interneti. Pavarësisht kësaj, demonstratat në Beograd e Zagreb nuk ishin kopje të atyre në Perëndim e Lindje, ndërsa demonstrata në Prishtinë nuk ishte kopje e asnjërës, pra ishte shumë autentike në kërkesat e veta. Edhe pse përcillej çfarë po ndodhte në botë nëpërmjet televizionit, organizatorët e demonstratës së vitit 1968 në Kosovë veshët i mbanin edhe nga Radio-Tirana. Por shtrohet pyetja: pse shqiptarët përfituan aq shumë e aq shpejt pas vitit 1968, duke filluar me Universitetin e deri te Kushtetuta, si dhe një lloj liberalizimi të jetës shoqërore politike që më herët ishte i paimagjinueshëm? Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje duhet parë konteksti edhe i ngjarjeve në Beograd dhe në Zagreb. Edhe pse demonstratat në Beograd e Zagreb ishin një kritikë ndaj sistemit politik, është e nevojshme të bëhet një dallim i qartë: kritikat nuk i ishin drejtuar Titos, por politokracisë, dhe më shumë demokratizim nuk nënkuptonte sistem shumëpartiak. Megjithatë, Tito kishte frikë për tërmete më të rrezikshme për pushtetin e tij jugosllav dhe ai me dinakëri dhe taktizime mirë të kalkuluara politike e menaxhoi situatën në Beograd, Zagreb dhe Prishtinë. Jugosllavia në vitin 1968 nga jashtë dukej me një fasadë të bukur dhe prestigji i saj dhe i Titos në botë rritej sa që edhe presidenti Nixon kishte shprehur dëshirën ta vizitonte diku nga viti 1969, megjithatë, përbrenda situata ishte shumë problematike, jo vetëm për mungesën e lirive politike, por edhe për reformën ekonomike në krizë. Tito e dinte këtë, prandaj edhe ndërmori hapa konkretë për të qetësuar gjakrat nga brenda.

Dy fytyrat e Titos

Është interesante kur Svetozar Vukmanoviq - Tempo në kujtimet e tij shkruan se në të gjitha seancat ai po dëgjonte Titon duke qenë shumë i ashpër dhe kritik ndaj demonstratave, kurse në daljet e tij publike Tito shfaqte komplet një fytyrë dhe qasje tjetër. Fillimisht nuk komentonte publikisht për ngjarjet, bile ai në këtë kohë ia dërgon një telegram të vesë së Bobby Kennnedyt, e pranon në vizitë Willy Brandtin dhe kardinalin Tisserant. Ai kthehet në Beograd nga vizitat dhe mban një seancë, ku shprehet shumë i ashpër dhe i vrazhdë për demonstratat, protestuesit nuk e dinin këtë, këto i dëgjonin vetëm njerëzit që merrnin pjesë në takimet në nivel federate me Titon. Tito ndërkohë kishte dalë me deklaratë në televizion, por kur u kthye në seancë. Ai nuk i tregoi askujt atë që tha për publikun. Toni i tij në seancë dhe çfarë deklaronte publikisht ishin në një kontrast të pastër. Manipulimi, përshkruan Tempo, ishte i përkryer, i cili pasi u kthye nga seanca e pa se në shtëpinë e tij festohej, sepse Tito i ka mbështetur studentët në Beograd e Zagreb, ndërsa Vladimir Bakariqi më vonë nuk ishte negativ për kërkesat në Prishtinë. Tempo në këtë rast u thotë familjarëve: “Si është e mundur kur unë po vij nga takimi me Titon?” Këto taktizime Tito i bënte nga frika se pakënaqësia nga rruga mund të merrte përkrahje edhe në strukturat politike jugosllave, ndërsa në kokë kishte një plan që t’i menaxhonte kërkesat në njërën anë me fillimin e një reforme sociale dhe në tjetrën me ndryshimet kushtetuese.

Edhe Kolumne 2 j. më parë Një Ballkan i ri

Kosova dhe zhvillimi i impulsit etnik

Me këtë të fundit përfituan më së shumti shqiptarët e Kosovës. Hrvoje Klasiq nga Fakulteti Filozofik i Universitetit të Zagrebit, në librin e tij “Jugoslavija i Svijet 1968”, thotë se në fillim të vitit 1968 Tito me gjithë këto pakënaqësi as që e imagjinonte që më vonë do të dilte kaq i fortë, por ai u tregua se ishte një manipulues dhe një taktizues shumë i aftë. Tito pra nuk i ndihmoi shqiptarët nga dashuria për ta apo nga dhembshuria për pozitën e tyre të diskriminuar, por përmes këtij taktizimi për ngjarjet në Beograd, Zagreb e Prishtinë ai e ruajti dhe e mbajti të fortë pushtetin e vet. Duke mos i mohuar në asnjë mënyrë meritat e organizatorëve dhe përcaktimin e paluhatshëm të popullit të Kosovës në kërkesat e tyre të vitit 1968, megjithatë duhet të theksohet se arsyeja shtesë pse përfituan shqiptarët pas demonstratave të vitit 1968 ishin rrethanat socio-politike në Jugosllavi, të cilat favorizonin edhe fatin tonë politik. Këtë e dëshmon edhe fakti se në demonstratat e radhës së vitit 1981, edhe pse ishin shumë më agresive dhe më masive, ato u shuan me përdorim të dhunës që ishte shumëfish më e madhe se në vitin 1968, dhe se dënimet nëpër gjyqe ishin më të larta sesa ato në vitin 1968.

E rëndësishme ishte se që nga viti 1968 e tutje Kosova hyri në një proces evolutiv (përveç atij kushtetues), ku qartë pranohej në qarqet jugosllave se ajo s’është Serbi. Prej vitit 1968 e deri në vitin 1981 Kosova krijoi një identitet të ri politik, kulturor e social. Kosova krijoi Universitetin, Radiotelevizionin, Akademinë e Shkencave, Institutin Albanologjik e Teatrin Kombëtar. Kosova shpërtheu me Muslim Mulliqin, Gjelosh Gjokajn, Rexhep Ferrin, Enver Petrovcin, Bekim Fehmiun, Mirko Gashin, Ali Podrimjen, Nexhmije Pagarushën, e të tjerë. Prishtina u bë një qytet i këndshëm me auditoriume dhe salla sporti moderne, me një qendër ku në mbrëmje shëtitej, këndohej, bliheshin karamelet e “Krašit”, farmerkat e “Varteksit” dhe akulloret e “Korzos”. Kosova prodhoi rock-bendet e njohura si: “MAK”, “Lindja”, “Gjurmët” dhe “403”, përmes “lifestyle”-it e imazheve të të cilave u krijua edhe elita urbane në Prishtinë dhe qytete të tjera kryesore e që identifikoheshin me “slangun” e tyre dhe shijet e veçanta për muzikën. Shqiptarët filluan në numër më të madh të bëjnë turizmin veror dhe dimëror. Prishtina krijoi Lah Nimanin e Fadil Vokrrin e që u bënë legjenda të sportit përtej Kosovës. Shqiptarët e Kosovës e shfrytëzuan për mrekulli këtë periudhë më liberale krahasuar me vitet e mëparshme, duke ia pamundësuar Titos modelin maqedonas në Kosovë. Përderisa në Maqedoni krijimi i Republikës i futi në dashuri të madhe me Jugosllavinë shqiptarët në Kosovë përmes të gjitha këtyre institucioneve të lartpërmendura e zhvilluan tutje impulsin e tyre etnik. Fatkeqësisht, këto zhvillime nuk i përjetuan si duhet familjet e të burgosurve politikë dhe të izoluarve politikë për shkak të mungesës së më të dashurve të tyre që ishin nëpër burgje.

Shpëtimi 1968-s nga mitizimi

E vërteta është se 1968-ta nuk u mitizua ashtu siç më vonë u mitizuan shumë procese politike e ushtarake në Kosovë për t’u shërbyer karrierave personale të dhjetëra e qindra individëve të caktuar. Me ndonjë përjashtim shumë të vogël, që mund të numërohen në pak gishta, shumë pak individë tentuan ta zaptojnë kontributin për demonstratat e vitit 1968 apo edhe të përfitojnë pushtet përmes asaj të kaluare, gjë që nuk është rast pas vitit 1999 e tutje. Demonstratat e vitit 1968 përkujtohen një herë në vit më 27 nëntor dhe rrallëherë tjetër gjatë vitit futen në projeksionet e politikanëve me qëllim për t’u shërbyer politikave të tyre ditore. Kjo, për meritë të shumicës së organizatorëve dhe pjesëmarrësve të 1968-s (me ndonjë përjashtim të vogël), të cilët nuk lejuan mitizimin e kësaj ngjarjeje përmes fryrjes së saj si formë, por e ruajtën substancën e saj duke e lënë vetëm popullin pronar të ngjarjes. 1968-ta nuk ishte një revolucion, por nuk ishte as kundërrevolucion, siç cilësohej nga pushteti jugosllav, ajo thjesht ishte një kryengritje autentike e shqiptarëve të Kosovës.

Pas liberalizimit që ndodhi prej vitit 1968 e deri në vitin 1981, moskonformizmi politik dhe kulturor i shqiptarëve të Kosovës në raport me Serbinë ra në sy dhe shpesh ishte objekt i aparateve të sigurimit të shtetit jugosllav të ndikuar gjatë viteve nga ai serb dhe nuk është që bash çdo gjë ecte si në ujë. Edhe gjatë kësaj periudhe pati presione politike e diskriminime ndaj Kosovës dhe pati të arrestuar politikë, por më pak se në çdo periudhë tjetër të bashkëjetesës në Jugosllavi. Situata degradoi në tërësi pas demonstratave të vitit 1981 dhe nga aty e tutje populli i Kosovës përjetoi edhe dy dekada tmerri, njërën nën Jugosllavi dhe tjetrën nën Serbi, deri në vitin 1999.

Për fund është me rëndësi të ceket se përveç mbështetjes masive popullore, demonstruesit e 1968-s kishin përkrahje edhe nga profesorët e njohur të kohës, si: Gazmend Zajmi, Ali Hadri, Mark Krasniqi, Fehmi Agani, Dervish Rozhaja, e të tjerë, të cilët për dallim nga profesorët në Zagreb, si Petroviq, Kangrga e Çaldaroviq, nuk u mbyllën nëpër shtëpi, por dolën hapur në mbështetje të kërkesave të studentëve të tyre.

Nuk diskutohet se gjenerata e 1968-s kishte në motivin e saj thellë çështjen shqiptare dhe se ata ishin të brumosur rreth trajektores me vuajtjet apokaliptike disadekadëshe të shqiptarëve që nga kryengritjet antiosmane, luftërat ballkanike, okupimin serb, periudhën e vështirë mes dy luftërave botërore, masakrat në Drenicë në fund të Luftës së Dytë Botërore, e deri te aksioni i dhunshëm i dëbimit të shqiptarëve në Turqi, motiv ky që u mbajt i gjallë në të gjitha gjeneratat më pas. Këtë përveç tjerash e konfirmon fakti se autori i parë i këtij shkrimi u gjend në ballë të demonstratave të vitit 1968 duke u plagosur nga breshëria e plumbave të policisë pranë hotelit “Grand” më 27 Nëntor 1968, kurse autori i dytë i këtij shkrimi ishte një nga anëtarët e Kryesisë së Lëvizjes Studentore që organizuan protestat masive gjatë viteve 1997-1998. Pra, dy gjenerata të ndryshme me një qëllim. Tani mbetemi me shpresë se establishmenti politik i së ardhmes nuk do ta rekrutojë gjeneratën e radhës në projekte të njëjta, por duke mos ia vrarë ëndrrat rinisë së Kosovës, do t’ua ofrojë mundësinë dhe hapësirën që ato me energjinë e protestave të gjeneratave të mëparshme dhe me dijen e këtij shekulli ta çojnë Kosovën në Bashkimin Evropian.

Edhe Kolumne 2 j. më parë Sakrilegji i pyetjeve historike

Sylejman Kastrati, profesor i historisë në pension

Ardian Kastrati, mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës