Është e pabesueshme se Qeveria e Kosovës vërtet të ketë besuar se me një letër të Ministrisë së Jashtme në momentin e fundit t’ua ndryshojë mendjen shteteve kryesore dhe të votohej pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës. Por duket se pas kalkulimeve të kujdesshme, Qeveria vendosi se dëmi nga nisja e procedurës për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të ishte më i madh sesa dobia nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës. Ishte ky rast i humbur, i cili nuk do të vijë më së shpejti. Por a ishte gabim apo jo kjo është çështje e interpretimeve dhe pozicionimeve. Përgjegjësinë e mban Qeveria, e cila edhe ka mandatin të vendosë ashtu siç vlerëson se është më së miri
Më 10 prill, pra plot një javë para se të votohej në Asamblenë Parlamentare raporti për rekomandimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, “Koha Ditore” kishte shkruar se fati i anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë është në duart e vendeve të QUINT-it.
“Janë shtuar ditëve të fundit zërat nga burimet diplomatike në vendet anëtare që tërheqin vërejtjen se mund të ndodhë shtyrja e votimit, apo edhe të rrezikohet që Kosova të mos i marrë votat e mjaftueshme për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Sipas këtyre burimeve, krejt kjo varet nga qëndrimi i QUINT-it. Nëse QUINT-i mbështet anëtarësimin, atëherë kjo pritet të vendoset në rend dite dhe në atë rast edhe mund të sigurohen 31 votat sa janë të nevojshme për ta pranuar Kosovën. Por nëse nga QUINT-i vjen ndonjë mesazh jo i mirë, atëherë gjithçka ndryshon. Dhe në atë rast ose do të shtyhet ose do të rrezikohet arritja e shumicës së nevojshme prej dy të tretave të votave”.
“Nuk është sekret se dyshimet që i ka, dhe i ka nxitur te të tjerët QUINT-i rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, kanë të bëjnë me nisjen e procedurës së themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe”.
“Disa burime diplomatike perëndimore kanë thënë se në takimin e fundit që Ambasadorët e QUINT-it kanë pasur me tre liderët institucionalë të Kosovës (presidenten, kryetarin e Parlamentit dhe kryeministrin) gojarisht ua kanë përcjellë një demarsh me kërkesë që së paku ta dërgojnë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese draftin e Statutit për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe“.
Këto janë pjesë nga teksti që kemi shkruar për të njoftuar se vendet kryesore tashmë e kishin lidhur mbështetjen e tyre për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës me dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të draftit të statutit për Asociacionin. Nëse ne si gazetë këtë e kemi marrë vesh nga burimet diplomatike, nuk ka dyshim se e ka marrë vesh me kohë edhe Qeveria e Kosovës. Pra së paku për më shumë se një muaj është i njohur si kusht. Dhe kur është vendosur ky kusht, kur ai është përfshirë edhe në shkëmbim të letrave mes krerëve të pushtetit në Kosovë dhe vendeve të QUINT-it, kur edhe është thënë publikisht nga ambasadorët e tyre, kishin mbetur vetëm dy mundësi. Ose që Qeveria e Kosovës të përfillë kërkesën e vendeve të QUINT-it, ose vendet e QUINT-it ta ndërrojnë mendjen. Të besohej në këtë të dytën do të ishte naivitet, papërgjegjësi ose analfabetizëm diplomatik nga ana e Kosovës. Pra për më shumë se një muaj, ishte e qartë se Kosova, nëse nuk do të bëjë hapa drejt themelimit të Asociacionit, e ky hap ishte specifikuar me dërgimin e draftit në Kushtetuese, nuk do të bëhej më 16 apo 17 maj të këtij viti, anëtare e Këshillit të Evropës. Pasi besojmë se me aq shumë këshilltarë, të brendshëm dhe të jashtëm, pas aq shumë kontaktesh, autoritetet e Kosovës nuk janë aq naive, atëherë duhet konkluduar se me vetëdije Kosova vetë vendosi se duhet dhënë prioritet në këtë moment refuzimit të draftit të Statutit të Asociacionit krahasuar me anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
Është e pabesueshme se Qeveria e Kosovës vërtet të ketë besuar se me një letër të Ministrisë së Jashtme në momentin e fundit t’ua ndryshojë mendjen shteteve kryesore dhe të votohej pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës. Por duket se pas kalkulimeve të kujdesshme, Qeveria vendosi se dëmi nga nisja e procedurës për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të ishte më i madh sesa dobia nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës. Ishte ky rast i humbur, i cili nuk do të vijë më së shpejti. Por a ishte gabim apo jo kjo është çështje e interpretimeve dhe pozicionimeve. Përgjegjësinë e mban Qeveria. Sepse ajo e ka besimin e qytetarëve që të vendosë në emër të Kosovës. Siç e patën ata që ishin në pushtet kur në emër të Kosovës morën përgjegjësinë për të themeluar Asociacionin dhe ata që me shumicën prej dy të tretave e votuan në Kuvendin e Kosovës.
Prej kur kaloi raporti me shumicë shumë të madhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës u përmbyll faza që ka të bëjë me kushtet formale, me përmbajtje, fakte dhe kritere. Prej atëherë gjithçka kaloi krejtësisht në sferën e politikës dhe diplomacisë. Dhe këtu pak ka rëndësi e vërteta dhe drejtësia. Kushti që paraqiti QUINT-i, pa vendet që mbështesin pavarësinë e Kosovës e jo ato që janë kundër, ishte i padrejtë.
Por nuk ishte i panjohur. Edhe qëndrimi i Kosovës nuk ishte i panjohur. Sepse kryeministri Kurti edhe me letër ua kishte sqaruar liderëve të vendeve kryesore arsyet pse ai nuk mund ta dërgojë këtë draft në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim. Dhe pasi as Qeveria e as vendet e QUINT-it nuk lëshuan pe, nuk ndodhi asgjë më 17 maj. Dhe nuk do të ndodhë asgjë, së paku deri më 14 maj të vitit që vjen. Sepse nuk mund të besohet që tash qeveria e Kosovës ta dërgojë draftin në shqyrtim, pasi me vetëdije u humb ky rast. E në anën tjetër nuk mund të pritet që befasisht Gjermania, Franca e Italia, të mbështetura edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përnjëherë të ndërrojnë mendjen dhe të pranojnë se e kanë pasur gabim, se i kanë bërë padrejtësi Kosovës, dhe me urgjencë të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Pasi gjithçka që nuk ndodhi në Starsburg më 17 maj ishte e pritur, duket e pakuptimtë drama që u krijua këtë fundjavë. Pritjet që u krijuan se kinse një letër e Ministrisë së Jashtme, disa postime në rrjetet sociale nga organizata joqeveritare apo deputetë nga Gjermania, do të shënojnë “kthesë në minutën e fundit” dhe Kosova të pranohej në Këshillin e Evropës, ishin të panevojshme. Ato mund të kenë pasur qëllim vetëm relativizimin e dështimit. Edhe ngushëllimet e diplomatëve se kinse do të mund të ketë takim urgjent ku Kosova do të mund të bëhet anëtare, janë me të njëjtin qëllim. Pra me qëllim të relativizimit të dështimit, sepse është edhe dështim i tyre. Dhe nga ky dështim do të ketë dhe duhet të ketë pasoja edhe për proceset e tjera, nisur nga ai i dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë. Është i kuptueshëm qëndrimi ndaj Kosovës, pasi refuzoi të përfillë një kërkesë specifike për një obligim specifik nga dialogu. Por nuk është e kuptueshme, e aq më pak e pranueshme, heshtja e tyre ndaj refuzimit “me mendime, fjalë dhe vepra” të Serbisë që të respektojë obligimet kryesore nga Marrëveshja. Kjo është një qasje e padrejtë, e pabalancuar mes palëve.
Kapitulli i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë në pushim për një vit. Me këtë do të pushojë edhe çfarëdo nisme që Kosova të bëhet anëtare e ndonjë organizate tjetër ndërkombëtare. Sepse nëse nuk e pranojnë në Këshill të Evropës, për të njëjtat arsye nuk do ta pranojnë në asnjë organizatë tjetër relevante ndërkombëtare. Nuk do të shqyrtohet as kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE. Nuk është reale të ripërsëritet kërkesa, dhe të fitojë mbështetje, edhe për anëtarësim në UNESCO apo Interpol. Por në anën tjetër, nëse anëtarësimi në këto organizata “nuk është real”, nëse njohja “nëse jo de jure atëherë de facto“ nga Serbia nuk është reale, atëherë as themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe mund të mos jetë më real. Këtë rrezik e ka marrë kjo qeveri duke vendosur refuzimin në këtë moment të kërkesës ndërkombëtare, e vetëdijshme se me këtë dështon anëtarësimi në Këshillin e Evropës.
LEXO EDHE: