OpEd

Kosova të mësojë se në politikë nuk mjafton të jesh në anën e drejtë

Nga trazirat e fundit në veri të Kosovës të gjithë duhet të “nxjerrin mësime” nëse nuk duan të pranojnë se kanë gabuar. Po ashtu, Kosova duhet ta kuptojë se në politikë dhe në raporte me partnerë nuk mjafton të jesh në anën e drejtë

Shpeshherë zyrtarët e BE-së dinë të thonë se “ne nuk gabojmë, por nxjerrim mësime”, që është një shprehje diplomatike për të mos përdorur terme më të rënda gjuhësore; ekziston një diapazon i gjerë i thënieve që përdoren në politikë për të dhënë mesazhin e për të evituar përdorimin e fjalive të mëdha. Për “probleme” përdoret termi “sfidë” për shembull. Për “kushte” përdoret termi “prioritete”, ndërsa për “sanksione” termi “masa”. Kur duan të thonë se një shtet “ka dështuar të bëjë diçka” përdorin thënien “akoma duhet të bëjnë“ (they have yet to do).

Javën e shkuar u hoq dorë nga çfarëdo termi diplomatik, nga ndonjë gjuhë e mirësjelljes politike dhe nga “sweet talks” kur nga të gjitha anën u qortua Kosova dhe autoriteteve të saja iu bart përgjegjësia për provokimin e dhunës në veri të Kosovës. U tha se Qeveria e Kosovës “nuk i ka dëgjuar partnerët” dhe se “ka nxitur dhunën”. Kësaj radhe më e zëshmja në kritika, qortime e në nivele dhe të kërcënimeve ishte SHBA-ja, pa dyshim shteti që më së shumi i ka dalë zot Kosovës. Në BE pas qortimit amerikan nuk kanë mundur të jenë më të butë, por vetëm më të ashpër. Sepse në BE ekziston bindja se Kosova e dëgjon vetëm Amerikën. Sikurse në Kosovë që dominon bindja se Amerika është më shumë krah Kosovës sesa BE-ja. Ka një histori të çuditshme të qëndrimeve të zyrtarëve të BE-së rreth simpative që kosovarët kanë për Amerikën. Deri kur nisi agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës shumë zyrtarëve të BE-së më shumë u pengonin qëndrimet proamerikane të Kosovës sesa qëndrimet proruse të Serbisë. Për shembull, Kosova u qortua shumë nga Brukseli kur, sipas marrëveshjes me Administratën Amerikane, hapi Ambasadën në Jerusalem që ishte edhe kusht për njohjen e Kosovës nga ky shtet.

Shumë zyrtarë të BE-së, përfshirë edhe përfaqësuesin e lartë, Josep Borrell, dhe të dërguarin për dialog Miroslav Lajçak, para disa vjetësh nuk donin që SHBA-ja në asnjë mënyrë të jetë e përfshirë në dialog. Nuk donin që në këtë proces të ketë rol as Mbretëria e Bashkuar. Bile disa zyrtarë të BE-së rreth dialogut më shumë komunikonin me diplomatët e Rusisë sesa me ata të Britanisë. Këtë e arsyetonin privatisht me “interesin që të fitohet pajtimi i Rusisë për Këshillin e Sigurimit”.

Por tash BE-ja po punon në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe rreth dialogut. Dhe roli amerikan është shumë aktiv. Por ky rol është më shumë për të bërë presion ndaj Kosovës sesa ndaj Serbisë. Sepse, me gjithë fuqinë që ka, dhe me gjithë faktin se Kosova synon të anëtarësohet në BE, ndikimi i Brukselit në Kosovë nuk është aq i madh sa i Washingtonit. E në dialog Washingtoni shpreh qëndrimet e veta, por në fund mbështet propozimet e BE-së, që nuk janë në përputhje me qëndrimet e shprehura amerikane. Për shembull, u pranua që të hiqet dorë nga “marrëveshja finale gjithëpërfshirëse, që do të përfshinte njohjen e ndërsjellë”. Ky ishte qëndrim amerikan, por jo edhe i BE-së. U pranua në fund edhe që të mos ketë “marrëveshje bazë për normalizimin e raporteve”, por në vend të saj u bë një “marrëveshje për rrugën drejt normalizimit”. Të arrish “marrëveshje për rrugën drejt normalizimit” 12 vjet prej kur ka nisur dialogu, të na falin zyrtarët e BE-së, por është më shumë dëshmi e dështimit sesa suksesit. Dhe në fund as ajo marrëveshje nuk u nënshkrua e presidenti i Serbisë thotë se ai as nuk e ka pranuar dhe nuk ka marrë obligime që ta zbatojë atë në tërësi. E në të gjitha këto përfaqësuesit amerikanë kanë thënë se ata “mbështesin dialogun, por ky është dialog ku vendosin palët dhe BE-ja”.

“Ku i keni tash amerikanët e juaj!” ose “shikoni çka po ju bëjnë amerikanët dhe kuptojeni sa është ora”, kanë qenë disa nga ngacmimet cinike që disa diplomatë evropianë na i kanë përcjellë këto ditë. Dhe me seriozitet kanë tërhequr vërejtjen se “është një moment shumë, shumë i keq për Kosovën”. Dhe nuk kemi dyshim.

niveli i qortimit të Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare i është afruar edhe kufirit të histerisë. Është e pamundur të bësh pyetje logjike për përgjegjësinë e ekstremistëve serbë për dhunën në veri e të mos nis përgjigjja me “kjo pyetje mund të devijojë fokusin nga përgjegjësia kryesore, e ajo është e Qeverisë së Kosovës”. Edhe ata që thonë se “Qeveria Kurti nga aspekti legal ka të drejtë”, thonë se ajo bëri “veprime të njëanshme dhe kundër kërkesave tona”.

Në këtë kohë të ndasive të mëdha në botë duket se fajësimi i Kosovës për dhunën në veri është diçka që ka bashkuar botën. Se Kosova e ka fajin kryesor e thonë edhe Amerika, edhe BE-ja, edhe Rusia e Kina, edhe Koreja e Veriut e edhe Irani. E thonë edhe Beogradi, edhe Tirana, edhe Banja-Lluka e edhe Vjena.

Dhe Kosova duhet t’i kuptojë këto kritika. Nuk duhet të relativizojë dëmin. Sepse ku do dëm më të madh sesa përjashtimi i Kosovës nga ushtrimet ushtarake që udhëheqin Shtetet e Bashkuara. Kosova nuk duhet të harrojë se e ka krijuar ushtrinë pa pajtimin e NATO-s, madje duke injoruar kërkesat nga selia e kësaj aleance në Bruksel. Dhe nuk ka mundësi tjetër të rritë kapacitetin e forcave të armatosura në rrethanat kur NATO-ja nuk e konsideron Kosovën si shtet pos me marrëveshje dhe bashkëpunim bilateral me ato shtete që duan ta ndihmojnë ushtarakisht Kosovën. Ushtria e Kosovës është bërë dhe ishte duke u forcuar me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Turqisë, Shqipërisë, Kroacisë dhe disa vendeve të tjera që kishin vullnetin ta bëjnë këtë, jashtë kornizave të NATO-s si kolektiv. Kosova ka dëme dhe është edhe më e dëmshme përpjekja për të krijuar përshtypjen se këto dëme nuk janë të mëdha. Por nëse vërtet duan sukses në rajon, si në dialog po ashtu edhe në siguri dhe stabilitet në terren, BE-ja, SHBA-ja dhe NATO-ja duhet të bëhen më serioze. Nuk duhet të mendojnë sikur gjithçka ishte duke shkuar mirë deri të premten e 26 majit dhe atëherë “Qeveria Kurti prishi gjithçka”. Sepse asgjë nuk ishte duke lëvizur në implementimin e marrëveshjeve të dialogut. Në atë moment kur SHBA-ja dhe BE-ja heshtën kur Serbia votoi kundër Kosovës në Këshillin e Evropës, që ishte vetëm nisje e një procedure e asgjë tjetër, marrëveshja vdiq. Nëse që në fillim i jepet hapësirë njërës palë të injorojë pikën që për Kosovën ishte ndër më të rëndësishmet, e ajo është moskundërshtimi i Serbisë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, atëherë e tërë marrëveshja është gjykuar të dështojë. Dialogu ndikon në situatën në terren sikurse situata ndikon në dialog.

trazirat e fundit në veri të Kosovës të gjithë duhet të “nxjerrin mësime” nëse nuk duan të pranojnë se kanë gabuar. Kosova duhet ta kuptojë se në politikë dhe në raportet me partnerë nuk mjafton të jesh në anën e drejtë. Të kuptojë se për Amerikën mund të ketë interesa momentale të cilat nuk i thotë dhe kur kërkon një gjë specifike të përfillet. Por edhe BE-ja, SHBA-ja dhe NATO-ja duhet të kuptojnë se ekziston kufiri deri ku mund të shkohet duke toleruar kërcënimet dhe sjelljen destruktive të Serbisë për interesa momentale politike. Tash edhe ata duhet të insistojnë që, pos dënimeve verbale të dhunës ndaj qytetarëve, organeve të rendit, KFOR-it e mediave, të sillen para drejtësisë ata që i kryen këto sulme. Fajësimi i Kosovës nuk duhet të jetë edhe shfajësim i plotë i Serbisë.

Është e drejtë legjitime e BE-së dhe e SHBA-së që ta qortojnë Kosovën për veprime politike. Por tolerimi i strukturave kriminale për të mbajtur një përshtypje të stabilitetit politik është e dëmshme në afat të gjatë. Një sjellje e tillë vetëm nxit dhe inkurajon strukturat e tilla dhe mban gjithmonë të hapur mundësinë e shpërthimit të situatës në çdo moment. Nuk është e rastësishme se në deklaratën e BE-së, ku thuhet se “Bashkimi Evropian dënon fuqishëm dhunën ndaj qytetarëve, trupave të KFOR-it, organeve të rendit dhe mediave në veri të Kosovës” mungon thënia që në rastet tjera do të pasonte “ftojmë që këto raste të hetohen dhe kryesit e tyre të nxirren para drejtësisë”. Nëse diçka na kanë mësuar BE-ja dhe SHBA-ja atëherë është parimi i shenjtë i ndarjes së pushteteve. Pra, nuk do të duhej të kishte ndërhyrje politike në hetimet dhe procesimin e atyre që shkaktuan dhunë, sulmuan ushtarë, policë e gazetarë, shkatërruan pronë e pajisje, dhe i penguan që këta profesionistë që në rolet e tyre të kryejnë funksionet. Dhe, bazuar në gjithë përvojën dhe pajisjet që kanë KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës, dhe pamjet e mediave, nuk është shumë e vështirë të zbulohen dhe identifikohen fajtorët e vërtetë. Përgjegjësia politike që i bartet Qeverisë së Kosovës nuk mund të jetë zëvendësim për fajësinë penale të sulmuesve. Duhet të ndalet absurdi i heshtjes ndërkombëtare ndaj propagandës serbe për “serbët e pambrojtur duarthatë që protestojnë në mënyrë paqësore”, sepse motrat mjekësore, mësueset, mjekët, nëpunësit komunalë dhe pensionistët duarthatë nuk mund të plagosin dhe lëndojnë rëndë ushtarë me pajisje të plotë luftarake. Edhe këta ushtarë të NATO-s ishin viktimë e kalkulimeve politike, jo vetëm të Prishtinës por edhe të Brukselit. Nuk i takon një ushtaraku të bëjë negociata se kush ka e kush jo mandatin të hyjë në një ndërtesë të një komune. Ushtarakët nuk duhet të merren me politikë, por as politika nuk duhet t’i vërë ata në rrezik.

E sa u përket qëndrimeve të Amerikës, Kosova duhet ta kuptojë se partneriteti nuk është si një partneritet mes dy superfuqive - Kosovës dhe SHBA-së, por është partneritet ku Kosova përfiton më shumë. Për këtë arsye edhe është krijuar pritja se Kosova gjithmonë duhet të dëgjojë, dhe kur ndonjëherë nuk dëgjon, qortohet dhe dënohet. Në anën tjetër nënkuptohet se Serbia nuk dëgjon dhe, nëse ndonjëherë dëgjon, atëherë duhet të shpërblehet dhe lavdërohet. Duket gjithnjë e më shumë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një interes vital për të mbajtur raporte të mira me presidentin e Serbisë, Vuçiq. Kosova këtu nuk mund të ketë ndikim. As nuk duhet të mendojë, e aq më pakë ta thotë, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë naive. “A e dinë ata se kush është Vuçiqi?” nuk është në këtë moment pyetje me të cilën duhet të preokupohet Kosova.

Ky konfrontim verbal publik me administratën amerikane për Kosovën është shumë më i rëndë sesa ai që Qeveria Kurti 1 e kishte herën e shkuar që rezultoi me rrëzimin e Qeverisë. Sepse atëherë për veprimet e tij Kurti kishte simpati në shumë qarqe edhe në BE edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sepse në atë kohë akoma ishte në pushtet administrata e Trumpit. Sepse në atë kohë punohej për ndarje të Kosovës dhe idenë e shkëmbimit të territoreve. Por tash çështja e pronësisë së ndërtesave të komunave në Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan, për opinionin e jashtëm dhe qarqet politike duket një arsye absurde për të sjellë situatën para shpërthimit të luftës. Është e saktë se kush do të punojë në ato ndërtesa dhe cili flamur do të valojë në to mund të tregojë edhe kujt i takon ai territor dhe kush e ka pushtetin atje, por për ata që nuk janë në hollësi të informuar për problemet specifike brenda Kosovës, është e pakuptueshme pse ushtarët e NATO-s rrezikohen duke mbrojtur ndërtesa të komunave në një pjesë të Ballkanit, më shumë sesa duke mbrojtur kufirin e NATO-s me Rusinë diku në vendet baltike.