Kjo Kosovë e mjerë është e këtillë çfarë është, për shkak se ka shumë komandanta e pak ushtarë. Kosova ende, edhe pas 20 vjetësh, nuk kupton se asnjë ushtri nuk mund të funksionojë me një milion komandanta e tre ushtarë. Nuk e kupton se asnjë ushtri nuk mund të funksionojë pa prapavijë; se nuk mund të funksionojë përderisa atë e udhëheqin njerëz injorantë, të cilët të vetmen aftësi që kanë është të veprojnë me maksimën “e nxantë UÇK”, ani që i kanë mësuar nja katër fjali në anglishte, që kanë bërë para që skajin nuk ia dinë dhe pse vishen me tesha të shtrenjta. Fake politicans!
Abri e Epërme, 13 mars 1998
Morëm vesh që një numër i madh civilësh ishte zhvendosur nga Prekazi dhe fshatrat e Skënderajt në të dy Abritë. U nisëm nga kjo e Gllogovcit, fillimisht për ta takuar Bacën Xhemajl Bajrami, koordinatorin e “Nënës Terezë”. U ndalëm në Shtëpinë e Shëndetit për ta marrë dr. Arsimin, mjekun e përkushtuar që punonte edhe në terren si vullnetar i Shërbimit shëndetësor të SHHB “Nëna Terezë”.
U nisëm kodrës dhe diku nja një kilometër para hyrjes në fshat hasëm në një trung të madh, të shtrirë në rrugë -- shenjë se duhej ngadalësuar, dhe disi përvjedhur nga cepi i djathë i rrugës me dhé për të shkuar tutje. Nja njëqind metra më larg na ndali një grup njerëzish me armë -- pushka gjuetie. “Ooo, dr. Arsim, kah jeni nisë?” -- “Qe me ekipin e UNICEF-it po shkojmë deri në Abri t'i vizitojmë të zhvendosurit e t'i lëmë do sende që i kemi marrë me vete për fëmijë”. -- “Duheni me pritë, se s'un kaloni pa leje”.
Nga ana e majtë u shfaq një njeri në uniformë kamuflazhi. Mbante emblemën e UÇK-së në gjoks dhe në kapelë. Mbante edhe një kallash në krah. Me radiolidhje do të dëgjohej me “bazën”, një kamionçinë në dukje e braktisur në fund të rrugës. “Kaloni”, tha 5-i (kështu morëm vesh se e kishte nofkën), “në mes të fshatit ju presin”.
Shtëpitë ishin mbushur “mysafirë”. Shumë fëmijë ndër ta. Por, kishin përkujdesje jo të keqe -- qe fillimi i luftës, “Nëna Terezë” kishte mall ushqimor të mjaftueshëm në depo, por jo edhe mjete sanitare. Me t'u kthyer nga njëra shtëpi që vizituam, nën një dru na prisnin gjashtë të uniformuar, që të gjithë me emblema të UÇK-së dhe të armatosur me kallashë. Njëri nga ta bartte në brez një revole “Colt 45”, findo e re -- t'i merrte sytë nga vezullima.
I refuzuan pelenat për fëmijë. “Kapi këto pelena e ktheji prej kah i ke pru. S'kemi nevojë për to. Na kujdesem' vet për fëmijët tanë. E ti kape pushkën e dil lufto -- se kemi nevojë për pushka e jo për pelena”. -- “Ani bre ti komandant, qysh të thuash. Mos i harro veç dy sende: që s'o gjithkush trim për me luftu deri në fund, dhe asnjë luftë nuk fitohet pa prapavijë. E prapavija për ty është edhe qekjo që po t'i bjen pelenat te kam'të”, i thashë. “Paçi fat, ushtarë!”, i thashë. -- “Qeta që po na sheh jena katër komandanta e dy ushtarë”, ma ktheu. -- “Me bo me na gjujt një bombë qetash, fluturojmë me komandanta e me pelena krejt tubë”, i thashë, tek u nisa kah vetura, për t'u kthyer në Gllogovc.
I lamë pelenat në depon e Selimit. Pasdite vonë Baca Xhemë, që kishte qenë arsimtar i tyre, i kishte qortuar për sjelljen dhe për refuzimin e pelenave. Tri ditë më vonë do të ma përcillnin porosinë se kishin nevojë edhe për një kontingjent pelenash dhe mjetesh sanitare për fëmijë. Numri i të zhvendosurve kishte vazhduar të rritej, e fëmijët s'kishin nevojë për kallasha.
Krejt komandanta 1
Në mëngjes, tek vija në punë, takova njërin nga 70 a 80 zëvendësministrat e kësaj Qeverie. I dëshpëruar dhe i hutuar me gjithë atë që po ndodhte në ekzekutiv. “Krejt komandanta, e asnjë ushtar”, më tha.
Nuk m'u desh më shumë se kaq për ta kujtuar herën e parë që i kisha takuar pjesëtarët e UÇK-së në terren. Siç e përshkrova, nga gjashtë sa ishin, katër më thanë të ishin komandantë -- një sjellje jo fort e mençur strategjike ushtarake, se një goditje do të mjaftonte për t'i fshirë të gjithë përnjëherë.
Nuk do ta besoja se tash, 20 vjet pas kësaj ngjarjeje, ende do të jetonim me logjikën “krejt komandanta, asnjë ushtar” dhe se do të vinim në pikën e shkatërrimit të shtetit nga njerëz që veprojnë me logjikën e komandantit pa ushtri.
Të tilla janë sjelljet e shefit të ekzekutivit, i cili orë e çast na tregon se sa shumë po punon dhe se kjo Qeveri është më e mira që ka pasur Kosova ndonjëherë. Përderisa në asnjë mënyrë nuk mund t'ia mohoj luftën e përnjëmendshme që e ka bërë në Dukagjin, megjithatë në asnjë mënyrë nuk mund t'ia pranoj aftësitë që i ka për ta udhëhequr Qeverinë -- sepse këtë aftësi nuk e ka. Aftësinë e vetme që tregon ta ketë është shpartallimi i buxhetit sipas tekeve të veta dhe përdorimi i tij për nevoja populiste -- siç ishte rasti me premtimin se do t'ia kompensonte shitësit të mjaltës, të cilit iu thyen kavanozat nga fryma një ditë në shesh. “Do ta kompensojmë dëmin nga linja e mjeteve rezervë të buxhetit të shtetit”. Po pse jo të buxhetit personal, edhe ashtu ia ka rritur rrogën vetes dhe ka marrë diferencë retroaktive? Pse është më lehtë me iu qasë buxhetit të “dërzhavës”.
E nga ana tjetër, aty ku do të duhej të ishte bartës, me lehtësinë më të madhe e le përgjegjësinë mbi supet e dikujt që do të na marrë në qafë me veprimet e veta prej injoranti. Refuzimi të merret me çështjen e bisedimeve dhe madje heqja dorë nga shqyrtimi i platformës së vet, pavarësisht sa e keqe, në Kuvend, tregon shumë. Tregon se me një çështje madhore do që t'i hakmerret “djalit të Burojës” për shpërfilljen që ia ka bërë me vite.
Krejt komandanta 2
Është një tjetër komandant që nuk e dimë sa ka luftuar -- trashëgimtar i Thaçit në parti, dhe një kryetar Kuvendi i pasuksesshëm, me aspirata për t'u bërë ja kryeministër, ja kryetar -- qysh t’i bjerë lotaria.
Pasi që mandatin e parë e kaloi më shumë duke mbyllur seanca të tymosura dhe duke përdorur gjuhë të papranueshme në ballafaqimin me deputetët, sivjet më shumë kohë kalon duke u shëtitur sesa duke i mbajtur seancat.
Nuk e ka fuqinë as për ta siguruar kuorumin, e as për t'i detyruar ministrat që të marrin pjesë në seanca, posaçërisht kur ka interpelanca e pyetje deputetësh. Atë që e ka dëshmuar është se mund ta çojë Kuvendin në pushim në mes të debatit për Platformën politike për bisedimet me Serbinë, dhe që për këtë të qortohet nga Thaçi në konferencë për shtyp. Ky i fundit thotë: “Është për keqardhje që Kuvendi të mos e miratojë Platformën për bisedime, e të shkojë në pushim”. Për keqardhje është natyrisht, që nuk ka as parti në pushtet e as në opozitë që e kupton peshën e lëmshit në të cilin është duke na futur Thaçi. Është për keqardhje që komandanti tjetër që vepron pa ushtarë, Veseli, t'ia mbajë zhagun këtij, dhe që për këtë as të mos skuqet e as të zverdhet.
Kuvendi nën udhëheqjen e Veselit është dëshmuar më i keqi edhe sa u përket vendimeve me rëndësi jetike, si dhe sa u përket shpenzimeve marramendëse në emër të reprezentacionit dhe shëtitjeve lart e poshtë.
PDK-ja nën udhëheqjen e tij mbetet në hijen e thellë të Thaçit, i cili ende duket të jetë shefi kryesor që i tërheq penjtë dhe tregon se kush ku duhet të vendoset për të kryer punë për partinë. Është aq i pafuqishëm, saqë edhe propozim-platformën që e ka përgatitur partia e tij për negociata me Serbinë nuk ka mundur t'ia impononte Thaçit -- me të cilin supozohet se e ndan ideologjinë dhe “vizionin” e zhvillimit, përkatësisht ngecjes së Kosovës shtet.
Krejt komandanta 3
Komandanti i fundit, për të cilin gjithashtu nuk e dimë se sa ka luftuar, dhe për të cilin me të madhe flitej se kohën më të madhe të luftës e kishte kaluar në “Rogner” të Tiranës, është edhe më i rrezikshmi ndër të tre që u përmendën. Kjo për shkak se është njeri arrogant, është njeri që gënjen, që mashtron dhe merr përgjegjësi që nuk i takojnë.
Në kohën e Rugovës e dinim se e kishim një konferencë shtypi në javë -- të premteve do ta dëgjonim tek i përsëriste gjërat kryesisht të njëjta, porse e dinim se ato do t'i dëgjonim vetëm një herë në javë. Tash në kohën e Thaçit, për çdo ditë të lume, po duhet ta dëgjojmë tek i ndërron fjalët. Njëherë thotë: S'ka vija të kuqe. Mandej thotë, gabim e keni marrë vesh. Mandej thotë marrëveshja ka me qenë e dhimbshme dhe duhet të ndërrohet Kushtetuta, mandej thotë gabim e keni marrë vesh. Mandej thotë shkëmbim territoresh, dhe prapë del e thotë gabim e keni marrë vesh. Mandej thotë korrigjim kufijsh, dhe kur ia tërheqin vërejtjen se kjo paraqet shkelje të Kushtetutës thotë, keq e keni marrë vesh, se kjo bëhet me mirëkuptim.
Po atë që e kemi marrë vesh është se e ka nisur procesin e negociatave pa platformë dhe pa pëlqimin e Kuvendit. Atë që e kemi marrë vesh është se nuk është simbol uniteti dhe nuk e ka as fuqinë e as aftësinë për ta mbërritur konsensusin politik rreth kësaj çështjeje në të cilën na ka futur si pa kokë. Madje, edhe pse fajin ua hedh të tjerëve, thotë: “Është për keqardhje paaftësia për ta arritur konsensusin politik për bisedime”. Atë që e kemi marrë vesh se diskursin të cilin e përdori në javët e fundit e ka plotësisht të koordinuar me Vuçiqin: që të dy, secili në formën e vet i përdorin fjalët “dhimbshëm”; “kompromis”; më pas, Vuçiqi i urdhëron ushtarët e vet që të përdorin terme si “korrigjim” e të ngjashme, kurse ky, meqë nuk ka ushtarë, i thotë ato vetë.
Ky komandant është edhe demagog, ndër të tjera. Në çastin kur po e sheh se nuk ka shans për t'i përfshirë krejt në procesin e dialogut, e dëgjon një deklaratë të mençur të Vjosa Osmanit dhe në fund thotë: “Marrëveshjen përfundimtare duhet ta votojë populli me referendum”. Dhe tha: “Po ta kishim pasur referendumin më 2014-n, do ta kishim ushtrinë dhe do ta kishim edhe demarkacionin e zgjidhur me Malin e Zi dhe nuk i kishim humbur tre vjet në Kuvend”. E do të shtoja, po të kishim pasur referendum nuk kishte kaluar Zajednica, EN-XHI-O-ja e Thaçit, dhe nuk do të vinim te pika ku serbët do ta shpallin atë krye më vete dhe në bazë të marrëveshjes “historike” që e ka nënshkruar vetë ky, e që është në kundërshtim me Kushtetutën.
Por, kush qe kryeministër prej 2007-s deri në 2014-n? Pse nuk u miratua Ligji për referendumin kur ai ishte kryeministër, e bile edhe deri më 2016 kur ishte zëvendëskryeministër? Nuk u miratua, për shkak se do të mundë të organizohej edhe një referendum, që do ta shkarkonte atë nga posti i kryetarit, apo që edhe do t'ia mohonte të drejtën që ia dha vetes për të na përfaqësuar me duar në xhepa në Bruksel.
* * *
Kjo Kosovë e mjerë është e këtillë çfarë është, për shkak se ka shumë komandanta e pak ushtarë. Kosova ende, edhe pas 20 vjetësh, nuk kupton se asnjë ushtri nuk mund të funksionojë me një milion komandanta e tre ushtarë. Nuk e kupton se asnjë ushtri nuk mund të funksionojë pa prapavijë; se nuk mund të funksionojë përderisa atë e udhëheqin njerëz injorantë, të cilët të vetmen aftësi që kanë është të veprojnë me maksimën “e nxantë UÇK”, ani që i kanë mësuar nja katër fjali në anglishte, që kanë bërë para që skajin nuk ia dinë dhe pse vishen me tesha të shtrenjta.
Fake politicans!
Këta na kanë rënë hise, e ne ende po i durojmë.