OpEd

Kina do të jetë humbësja më e madhe e deglobalizimit

Borxhi i lartë, plakja e shpejtë e popullsisë dhe sektor në rënie të pasurive të paluajtshme do të vazhdojnë të pengojnë rritjen e PBB-së, ndërkohë që pabarazia e mprehtë e të ardhurave, rritja e kostove të strehimit dhe mbrojtja e pamjaftueshme sociale do të kufizojnë kërkesën e konsumatorëve

Lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës ka përshpejtuar ndarjen e botës në dy blloqe, njëra që përfshin demokracitë e botës dhe tjetra autokracitë e saj. Kjo, nga ana tjetër, ka ekspozuar rreziqet e natyrshme në ndërvarësinë ekonomike midis vendeve me ideologji të kundërta dhe interesa sigurie. Dhe ani pse procesi i ardhshëm i deglobalizimit do t'i lërë të gjitha në gjendje të keqe, Kina do të humbasë më së shumti.

Sigurisht, Kina po shkonte drejt një shkëputjeje të pjesshme me Shtetet e Bashkuara shumë përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën. Dhe ajo ka kërkuar të sigurojë që ky proces të ndodhë sipas kushteve të saj, duke reduktuar varësinë nga tregjet dhe teknologjia amerikane. Për këtë qëllim, në vitin 2020 Kina zbuloi të ashtuquajturën ‘strategjinë e saj të qarkullimit të dyfishtë’, e cila synon të nxisë kërkesën e brendshme dhe vetëmjaftueshmërinë teknologjike.

E megjithatë, vitin e kaluar, Kina ishte ende eksportuesi më i madh në botë, duke dërguar 3.3 trilionë dollarë mallra në pjesën tjetër të botës, me SHBA-në tregun kryesor të eksportit. Në fakt, tregtia e përgjithshme me SHBA-në u rrit me më shumë se 20% në vitin 2021, pasi tregtia totale kineze arriti një nivel të ri. Tregtia me Bashkimin Evropian gjithashtu u rrit, duke arritur në 828 miliardë dollarë, edhe pse mosmarrëveshjet mbi të drejtat e njeriut përmbysën marrëveshjen e investimit BE-Kinë.

Ajo marrëveshje kishte lindur nga besimi se Evropa do të ruante neutralitetin strategjik në luftën e ftohtë kino-amerikane, në mënyrë që të korrte përfitimet ekonomike të angazhimit me Kinën. Por nëse shqetësimet për të drejtat e njeriut do të mjaftonin për të bindur Parlamentin Evropian që të mos ratifikojë marrëveshjen, lufta e Rusisë kundër Ukrainës – të cilën Kina e ka mbështetur në heshtje dhe që ka shtyrë SHBA-në dhe BE-në më afër njëra-tjetrës – duket se do ta shtyjë BE-në drejt një shkëputje më të gjerë ekonomike nga Kina.

Nuk mund të fajësohen demokracitë perëndimore ose kundërshtarët e tyre autokratikë për prioritizimin e sigurisë mbi mirëqenien ekonomike. Por duhet të përgatiten për pasojat ekonomike. Dhe një autokraci me të ardhura mesatare si Kina do të përballojë koston shumë më të madhe se demokracitë e pasura si SHBA-ja dhe aleatët e saj evropianë.

Si fillim, Kina do të vuajë nga qasja e reduktuar në tregjet kryesore perëndimore. Në vitin 2021, eksportet e mallrave kineze në SHBA, BE dhe Japoni – që përbëjnë 38% të totalit të eksporteve – arritën në afro 1.3 trilionë dollarë. Nëse qasja e Kinës në këto tre tregje përgjysmohet gjatë dekadës së ardhshme - skenar i mundshëm - vendit do t'i duhen tregje të tjera për të absorbuar afërsisht 20% të eksporteve të saj, me vlerë rreth 600 miliardë dollarë (bazuar në të dhënat tregtare të vitit 2021).

Këtu, Kina duket se nuk ka mundësi të mira. Strategjia e qarkullimit të dyfishtë të Kinës tregon se as liderët e saj nuk presin që tregjet e tjera të jashtme të ndiejnë zbrazëtinë e lënë nga SHBA-ja dhe aleatët e saj. Por besimi i dukshëm i Kinës se kërkesa e brendshme mund të kompensojë këtë humbje duket gjithashtu e pavlerë.

Borxhi i lartë, plakja e shpejtë e popullsisë dhe sektor në rënie të pasurive të paluajtshme do të vazhdojnë të pengojnë rritjen e PBB-së, ndërkohë që pabarazia e mprehtë e të ardhurave, rritja e kostove të strehimit dhe mbrojtja e pamjaftueshme sociale do të kufizojnë kërkesën e konsumatorëve. Mbyllja e fabrikave që prodhojnë mallra për eksport dhe humbja e vendeve të punës do t'i përkeqësojë më tej këto sfida. Një pjesë e konsiderueshme e infrastrukturës së Kinës – veçanërisht energjia dhe rrjetet e transportit – do të mos përdoren ose do të bëhen të tepërta.

Përveç përballjes me tkurrjen e tregjeve të eksportit, Kina do të humbasë qasjen në teknologjitë që i nevojiten për të ndërtuar ekonomi të dijes. Sanksionet e SHBA-së tashmë kanë gjymtuar gjigantin e telekomunikacionit Huawei dhe kanë penguar SMIC, prodhuesin gjysmëpërçues, të marrë në dorë teknologjitë më të avancuara. Nëse SHBA-ja e bind BE-në dhe Japoninë që të ringjallin Komitetin Koordinues për Kontrollet Shumëpalëshe të Eksportit (CoCom) për të mbytur flukset teknologjike në Kinë – perspektivë e bërë më e mundshme nga lufta në Ukrainë – Kina do të ketë pak shanse për të fituar garën e teknologjisë me SHBA-në.

Kostoja e tretë kryesore e deglobalizimit për Kinën është më e vështirë për t'u matur, por mund të rezultojë të jetë më e larta: humbja e përfitimeve të efikasitetit nga konkurrenca dinamike. Produktet e prodhuara dhe të shitura në Kinë janë të një cilësie shumë më të lartë sot, sesa që ishin dy dekada më parë, kryesisht sepse kompanitë kineze duhet të konkurrojnë me rivalët e tyre perëndimorë. Por nëse janë të izoluar nga një presion i tillë, ata nuk do të përballen me presion për të prodhuar produkte me cilësi më të lartë me kosto më të ulët. Kjo do të pengojë inovacionin dhe do të dëmtojë konsumatorët.

Të gjitha këto kosto mund të jenë të përballueshme nëse shkëputja ekonomike do ta bënte Kinën më të sigurt. Dhe, në fillim, mund të duket se po bën pikërisht këtë, me Kinën që redukton cenueshmërinë e saj ndaj llojeve të armëve ekonomike dhe financiare që Perëndimi ka vendosur kundër Rusisë. Por ndërsa fuqia ekonomike e Kinës bie, po ashtu do të bjerë edhe pozicioni i saj në skenën globale – dhe statusi i Partisë Komuniste në vend.

Shtatë dekada më parë, Mao Zedong përqafoi vetëbesimin ekonomik dhe militantizmin e politikës së jashtme, gjë që e ktheu Kinën në shtet të varfër. Kjo histori duhet të jetë paralajmërim i ashpër për presidentin Xi Jinping: nëse ai lejon Rusinë, partnerin strategjik "pa kufi" të Kinës, të ndajë botën me luftën e saj kundër Ukrainës, është Kina ajo që do të paguajë çmimin më të rëndë.

(Minxin Pei, profesor i qeverisjes në Kolegjin Claremont McKenna, është anëtar i lartë jorezident në Fondin Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara. Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)