Plotësimi i narracionit historik përmes gjeneratës së re të grave politikane
Për dy dekada një kastë politikanësh burra kanë qeverisur me vendin kryesisht duke imponuar një narracion historik të njëanshëm. Narracioni që ka mbizotëruar deri më tani është ai i burrave heronj, të cilët udhëhoqën rezistencën paqësore gjatë viteve ’90 dhe burra të tjerë, të cilët i prinë luftës çlirimtare në fund të viteve ’90.
Menjëherë pas çlirimit të Kosovës, këta burra u veshën me pushtetin legjitim dhe hartuan politika, të cilat glorifikonin pikërisht të kaluarën e tyre. Për këtë qëllim u vendosën skema sociale për kompensimin e sakrificës së tyre, siç janë skema sociale për kompensimin e të burgosurve politikë, skema sociale për deputetët e viteve ’90, skema sociale për veteranët e luftës, etj. Njëkohësisht, në mbarë vendin u ngritën shtatore kryesisht për burrat. Shumë vonë u ngrit një monument në qendër të Prishtinës për “të gjitha gratë” – ngase heronjtë kanë emër, kurse heroinat jo.
Në anën tjetër, deputetët e Kuvendit të Kosovës, me shumë rezistencë të madhe aprovuan Ligjin për statusin e grave të dhunuara gjatë luftës, dhe mezi ndanë 1.2 milion euro për pensionin e viktimave. Për dy dekada u bë shumë pak për të pagjeturit gjatë luftës, si dhe kurrë nuk u përfundua projekti për evidentimin e krimeve të luftës. Madje, nuk ekziston asnjë evidencë zyrtare për viktimat civile të luftës.
Në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021, në mesin e 15 deputetëve më të votuar ishin edhe katër gra, secila prej tyre ka një rrëfim tjetër nga ai që kemi parë deri më tash në politikën zyrtare.
Saranda Bogujevci është e mbijetuara e një ndër masakrave më të mëdha në Kosovë. Në mars të vitit 1999 ajo humbi 14 anëtarë të familjes së saj dhe u mbijetoi 16 plumbave. Si 18-vjeçare ajo mori forcën që të dëshmojë në Beograd kundër kryerësve të krimit. Në vitin 2013 ajo organizoi ekspozitë në Beograd me dëshmi nga masakra mbi familjen e saj, ekspozitë e cila ngjalli kundërshtime të ashpra nga nacionalistët serbë. Kur ajo u zgjodh deputete për herë të parë në vitin 2017, në një intervistë për “Reuters”-in deklaroi se një ndër arsyet përse ka vendosur të hyjë në politikë, është edhe pakënaqësia e saj me qeveritë e kaluara për shkak të papërgjegjshmërisë dhe mosinteresimit të mjaftueshëm për të gjetur drejtësi për viktimat e luftës. Dy dekada pas luftës, Kosova nuk është ajo çfarë Saranda ka imagjinuar. Në legjislaturën e tetë të Kuvendit të Kosovës, ajo është nënkryetare e Kuvendit dhe do të vazhdojë të kërkojë drejtësi për viktimat e luftës, ashtu siç ka bërë vazhdimisht deri më tani, por nga një pozitë shumë më e lartë vendimmarrëse.
Vasfije Krasniqi është e mbijetuar e dhunës seksuale në luftën e Kosovës. Ajo ishte ndër gratë e para dhe të vetme, e cila publikisht rrëfeu për përdhunimet dhe paditi policët serb, të cilët u liruan nga Gjykata Supreme e Kosovës më 2014. Besohet se gjatë luftës janë përdhunuar rreth 20 mijë gra e vajza, por ende nuk ka asnjë të dënuar për këto krime. Vasfija ka qenë zëri i viktimave të dhunës seksuale, duke dëshmuar edhe para Kongresit Amerikan. Tani, si një ndër deputetet më të votuara, Vasfija mund të ndikojë që kërkimi i drejtësisë për gratë e dhunuara gjatë luftës të jetë një ndër prioritetet e qeverisë së re.
Donika Gërvalla ishte e përndjekur politike dhe familja e saj, viktimë e terrorit serb. Donika ishte dhjetë vjeç kur babai i saj, aktivisti Jusuf Gërvalla, u vra në Gjermani. Gjatë viteve ’90, Donika Gërvalla ka qenë pjesë aktive e organizimit të rezistencës paqësore, si anëtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe pjesëmarrëse e shpeshtë në emisionet më të shikuara politike në Gjermani duke avokuar për çështjen e Kosovës. Si ministre e Punëve të Jashtme, Donika tani ka mundësi që të vazhdojë aktivitetet e saj lobuese nga një pozitë shumë më e fuqishme.
Vjosa Osmani - Sadriu është personi më i votuar në historinë e Kosovës dhe nga kjo javë edhe Presidente e vendit, presidentja e dytë në dhjetë vjetët e fundit. Vjosa përfaqëson gjeneratën e re të politikanëve, atyre që gjatë viteve ’90 iu mohua edukimi në gjuhën amtare, u shndërruan në refugjatë dhe u rikthyen për të drejtuar shtetin e pavarur të Kosovës. Si presidente e vendit, Vjosa do të ketë mundësi të bëjë shumë më shumë për eliminimin e pabarazive gjinore dhe diskriminimit.
Deri më 14 shkurt 2021 secila nga këto gra është përbuzur dhe fyer. Kur si deputete opozitare Saranda Bogujevci kërkonte llogari nga Qeveria për diskutimet rreth çështjes së të pagjeturve, anëtarët e Qeverisë përgjigjeshin se kjo temë është konsumuar, kurse deputetët të tjerë e akuzonin për viktimizim. Kur Donika Gërvalla kërkonte reformim të partisë së saj, ajo u nxor zvarrë nga mbledhja e partisë. Kur Vjosa Osmani mbronte parimet e partisë, ajo u përjashtua nga partia.
Saranda Bogujevci, Vasfije Krasniqi, Donika Gërvalla e Vjosa Osmani janë katër nga shumë gratë në Kuvend, të cilat në zgjedhjet e fundit parlamentare u votuan në shkallën më të lartë historikisht, pikërisht për shkak të qëndrimeve të tyre për një politikë më ndryshe.
Me politikane si gratë e lartpërmendura, frymëzohet një elitë e re në politikë-bërje dhe një impakt më i theksuar demokratik. Tanimë që votuesit dhe votueset e konfirmuan qartë që koha e pushtetarëve zhvatës ka kaluar, është koha që një model konstruktiv i politikanit të dalë më shumë në pah. Një politikan si Lumir Abdixhiku, që si kryetar i sapozgjedhur i LDK-së, nuk i reflektoi të njëjtat qëndrime të vjetruara të anëtarëve të partisë së tij, por i kontribuoi procesit të zgjedhjes së presidentes dhe konstituimit të institucioneve. Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka krijuar hapësirë të mjaftueshme për gratë në parti, duke u dhënë hapësirë të barabartë në debatet zgjedhore, çfarë ka bërë që në dy palë zgjedhje parlamentare të gjitha gratë në listën e VV-së të hyjnë në Kuvend, pa pasur nevojë për kuotën për vendet e rezervuara. Hajrulla Çeku, tash ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, vetëm se është dëshmuar me angazhimin e tij për barazi gjinore. E, edhe strukturat tjera politike do të detyrohen (nëse jo me dëshirë), që të adaptohen.