OpEd

Kasaveti

Dy jetë të shuara janë viktima të mungesës së sundimit të ligjit në këtë shtet, sundim ligji i cili qëllimisht u ndrydh e ngufat për shkak se ashtu vendosi kasta politike. Për shkak se ligji është elastik dhe ai zbatohet kur të vidhen viçat a delet, e harrohet kur vidhen milionat, kur manipulohet me gjithçka, kur fëmijët e politikanëve rrahin policë dhe kur vriten njerëzit. Ato, për fat të keq, janë viktima edhe të këtij populli inert, që pajtohet të jetojë në kasavetin që e kanë krijuar ata që na akuzojnë dhe trillojnë teori konspiracioni vetëm pse ne nuk rrejmë

Një burrë merr kallashnikovin dhe shkon në shtëpi të ish-miqve. Nis të shtie dhe vret ish-bashkëshorten dhe fëmijën e përbashkët nëntëvjeçar. Ikën nga vendi i ngjarjes, e përhumb armën diku dhe dikur vonë vendos të dorëzohet në Polici.

Ish-bashkëshortja kishte shkuar dhe paraqitur rastin në Polici -- u kishte thënë se kishte marrë mesazhe kërcënuese. Vëllai i saj deklaroi sesi policia kishte ardhur t'i merrte dy nga pesë fëmijët e çiftit nga shtëpia ku po strehoheshin, me dhunë e pa urdhër, vetëm me kërkesë të tash dorasit. Policia, nga ana tjetër, fillimisht kishte deklaruar se e kishin kërkuar kërcënuesin në shtëpi të veten, e më pas edhe e kishin thirrur në telefon, por ky nuk qenka lajmëruar. Sipas Policisë, kishin vazhduar ta vëzhgonin situatën. Por jo edhe ta parandalonin vdekjen shumë të paralajmëruar.

Në fund, për të hequr përgjegjësinë nga vetja, Policia deklaroi se viktima nuk kishte kërkuar masën e mbrojtjes (fizike) dhe urdhrin për largim të kërcënuesit. Se kjo kishte qenë arsyeja se përse s'kishte polici para shtëpisë ku u vranë Valbona dhe Kiara. Larje duarsh.

Dorëheqja nuk mjafton

Në këtë situatë kaq evidente të mosfunksionimit të zinxhirit operativ në Polici, po të kishte rend e përgjegjësi, i pari që do të dorëhiqej do të duhej të ishte drejtori i Policisë së Kosovës, për arsye morale. I dyti pas tij, shefi i Policisë në Gjakovë, kurse në bankën e të akuzuarve, si bashkëkryerës, do të duhej renditur të gjithë ata policë që dështuan t'ua ofronin mbrojtjen viktimave. E që u mjaftuan me një thirrje telefonike një njeriu që e kishte kaluar një muaj në burg, për shkak të dhunës së ushtruar ndaj ish-bashkëshortes para dy muajsh.

Dhuna ndaj grave është e përhapur në të gjithë botën, dhe ky është fakt. Porse kjo në asnjë mënyrë nuk do të duhej të shërbente si arsyetim për këtë që ndodh në Kosovë. Do të mundë të thoshte dikush se dhuna në familje ka ekzistuar përherë, porse tash ka filluar raportimi më i shpeshtuar, e prandaj po vetëdijesohemi për këtë fenomen të shëmtuar. Porse duket se vetëdijesimi do të duhej të ndodhte fillimisht në Polici. Kur dikush i qaset Policisë për ta paraqitur një kërcënim, nuk do të duhej pritur se ai person i di krejt dispozitat e ligjeve që mund të sigurojnë mbrojtje -- kjo mundësi duhet t'i ofrohet nga ata që janë aty për t'i zbatuar ato.

Dhe nëse dikush më thotë se nuk kemi mjaft policë, nuk do ta merrja seriozisht. I kemi 8 mijë sish, krahasuar me 4 mijë sa i kishim para luftës -- e jo që popullsia na është shumëfishuar. Mbase krimi do të jetë shtuar, porse gjasat janë se ky po lulëzon pikërisht pse policia nuk po e kryen punën e vet si duhet. Me gjithë hajninë që na ndodh në nivelet e larta, prej nga avullohen paratë e buxhetit, lajm në Kosovë bëhet dënimi i katër njerëzve me gjashtë vjet burgim që paskan vjedhur nja tre viça e një kali. Dakord, edhe vjedhja e një euroje është hajni -- porse a krahasohen miliardat me katër viça a pesë dele?

Trishtimi i Kosovës

E dele me gjasë i duket populli i Kosovës Hashim Thaçit, rekordmenit sa i përket intensitetit të konferencave për shtyp që i mban, si dhe për sasinë e gënjeshtrave që është në gjendje t'i prodhojë dita më ditë.

Republikën parlamentare, sipas përkufizimit kushtetues, e ka shndërruar në bahçe të babës ku sillet si gazda dhe merr kompetenca që nuk i takojnë. Përderisa përshkrimi i vendit të tij të punës është përcaktuar shumë mirë në Kushtetutë -- dhe si i tillë paraqet një post më shumë ceremonial, e assesi ekzekutiv, ky e merr rolin e Qeverisë së painteresuar për asgjë, pos për paranë dhe e bishtnon Kuvendin e fjetur që nuk ka kohë me u marrë me punë madhore.

Njeriu që për vete thotë se jam kryetari më i votuar në Kosovë, tregon sa ka respekt për popullin të cilin supozohet se duhet ta bashkojë, si simbol i unitetit që duhet me qenë. Me vetëdije rren kur e thotë këtë, për shkak se kryetarja më e votuar në historinë e Kosovës është Jahjaga, e cila i ka marrë madje 80 vota në rrethin e parë të votimit, gjë e cila nuk i kishte bërë vaki as Rugovës para Pavarësisë, as Sejdiut, as Pacollit e as Thaçit. Madje do ta kujtojmë se Thaçi i fitoi 71 vota në rundin e tretë duke e urdhëruar me vetulla Isa Mustafën që t'i bindte të pabindurit e partisë së tij. Pra, të vetmen gjë që do të mundë ta thoshte për zgjedhjen e tij është se është i vetmi që u zgjodh falë vetullave, për dallim nga sms-të te zgjedhja e Pacollit dhe muskujt e Sami Lushtakut te Sejdiu.

E se ka qenë më i votuari në disa zgjedhje e di edhe ai vetë mirë, se ato vota nuk i janë dhënë vetëm atij, por edhe partisë, se ashtu e ka kurdisur ligjin zgjedhor. Për të mos e përmendur hajninë industriale të votave e cila ia siguroi jo një, por dy mandate në Ekzekutiv.

Në vazhdën e deklaratave nonsens që i ka specialitet, flet për korrigjimin e kufijve. Dhe thotë se nuk do të ketë as ndarje, as autonomi për serbët, as shkëputje, por korrigjim kufijsh. Kushtetuta thotë se Kosova ka territorin e përcaktuar, prandaj edhe territori nuk mund të korrigjohet pa u ndryshuar kufijtë. Po ku e merr ky autoritetin për të vendosur vetë nëse do të ketë korrektim kufiri këndej e andej, përderisa vepron në kundërshtim me aktgjykimin e Kushtetueses, që thotë se Qeveria duhet ta udhëheqë dialogun me pëlqimin e Kuvendit. Si mund të thotë se kjo është win-win situation (d.m.th. fitore e dyfishtë për të dyja palët) - a njëmend ia merr mendja se Kosovës i bashkohet Lugina e Preshevës, përderisa Beogradi këqyr seri dhe nuk kërkon asgjë në këmbim. Vërtet duhet pasur trurin e deles për ta besuar një kombinim të këtillë.

Para një kohe na tha se negociatat nuk kanë vija të kuqe. E harroi atë pas nja dy konferencash, dhe na tha, po more, ka vija të kuqe, veç ne nuk e kemi kuptuar kur e ka thënë "s'ka vija të kuqe". Mbase truri i deles është dashur ta kuptonte se bëhet fjalë për vija të verdha.

Tema e tij më e pëlqyer është marrëveshja "historike" me të cilën na ka bërë çirak në Bruksel më 2013-n. Flet për Zajednicën, statuti i së cilës është përpiluar vetëm nga serbët e të cilën Qeveria thotë se nuk e ka parë, dhe deklaron: "Kosova do t'i kryejë të gjitha obligimet që i ka marrë nga marrëveshjet e arritura në Bruksel. Në kuadër të kësaj edhe krijimin e Asociacionit në bazë të Kushtetutës së Kosovës, marrëveshjeve të Brukselit, që respekton edhe realitetin e krijuar në terren". Përderisa Serbia i ka shpallur krejt marrëveshjet kundërkushtetuese, Kushtetuesja jonë e ka shpallur marrëveshjen e 2015-s kundërkushtetuese thuajse në tërësi, porse këtë nuk ia qet goja ta thotë. E thotë një gjë që nuk është thënë deri tash në formë kaq eksplicite: se do të respektohet realiteti i krijuar në terren. Pra, mosshtrirja e sovranitetit shtetëror të Kosovës në veri, të cilën gjë ka dështuar ta bëjë si kryeministër në dy mandate dhe si zëvendëskryeministër në gjysmë mandati të tretë.

Me këtë na tregon se do të ketë autonomi territoriale si rrafsh i tretë i pushtetit në Kosovë, pikërisht në veri, për shkak se ashtu ka vendosur ai, krye më vete, kur e ka qitur nënshkrimin në një copë letër që quhet marrëveshje.

Ankthi i Kosovës

Në ankth janë shndërruar të gjitha deklaratat që i jep -- sepse sa herë që thotë kjo nuk do të ndodhë, duhet të jemi të përgatitur se një gjë e tillë ose po bisedohet ose tashmë është duke u zier në pritje të pikës së vlimit.

Sa herë që thotë se gjithë jetën ia ka kushtuar Kosovës dhe se ka punuar për të mirën e saj, do të dimë se ka diçka që përgatit dhe se tashmë e ka bërë një plan me të cilin do t'ia sigurojë vetes njëfarë rehatie e mbrojtjeje për ndonjë moment që do të zhvillohet në perspektivë.

Dhe kësaj here i bëri dy poteza sa të pabesueshëm aq edhe të parashikueshëm. Fillimisht e dekretoi zëvendësministrin e përjetshëm Gjergj Dedaj në postin e ambasadorit në Maqedoni. Vetë Dedaj kishte deklaruar: "Në vitin 1998 Thaçi e ka ndalur delegacionin e shtetit të Kosovës. Unë isha nënkryetar i Kuvendit. Ishim në vizitë në zonat e luftës. Na ka ndalu Hashim Thaçi me njerëzit e tij. Tha, jeni të arrestuar. Arsyeja, thjesht që jeni parti që e përkrahni Ibrahim Rugovën. Ka pas maltretim fizik, psikik, moral… disa anëtarë të delegacionit janë torturu edhe fizikisht. Edhe unë jam maltretu fizikisht. Ai edhe na ka marrë në pyetje, na ka bërë presion. Është një krim, e jo një incident". A thua çka pos kësaj di Gjergj Dedaj që tash ka nevojë të rehatohet në postin e ambasadorit te një shtet fqinj, dhe kështu ta mbyllë gojën, bile përkohësisht?

Pas kësaj, nuk kaluan shumë ditë, i dekretoi edhe disa anëtarë të Kushtetueses, dhe kjo me mandat nëntëvjeçar. Ndër ta, një njeri që ishte dënuar për marrje ryshfeti në Serbi dhe është i kërkuar nga Interpoli, serbi Laban, dhe një tjetër, ish-anëtar aktiv i PDK-së, Safet Hoxha nga Suhareka. Pra, tash e ka një Gjykatë Kushtetuese skajshmërisht të politizuar dhe me bile një njeri të shantazhueshëm, që do të duhej të vendosnin për përgjegjësinë e tij politike e kushtetuese sa herë që dikush do të përpiqet t'i qaset këtij institucioni për ta shkarkuar -- sepse për fakt të keq, nuk ekziston tjetër procedurë.

* * *

Valbona dhe Kiara, pos që ishin viktima të dhunës së pakuptimtë, janë viktima edhe të një sistemi të instaluar që nga paslufta -- aty ku gjithkush mund të bartë armë, çfarëdo arme, e të shkrepë nëpër ahengje e vende publike, e të mos marrë dënim gjyqësor për armëmbajtje pa leje.

Janë viktimat e një sistemi patriarkal, i cili është rikthyer që nga paslufta me gjithë vrullin, sepse kështu e orientojnë politikanët diskriminues: mjafton të numërohen postet ekzekutive që i mbajnë gratë në nivele komunale e ato qendrore dhe gjithçka është e qartë.

Të dyja qenë viktimë e sistemit të rrënuar arsimor, i cili nuk di e as nuk mëson edukatë qytetare, për shkak se në Kosovë nuk duhet pasur shkollë për të avancuar: duhet pasur lidhje dhe përkrahje politike. Shkollimi edhe mund të falsifikohet, e të shpëtosh edhe këtu pa dënim. Për më tepër, bile ke gjasa edhe të përparosh.

Dy jetë të shuara nga fillimi i kësaj kolumneje janë viktima të mungesës së sundimit të ligjit në këtë shtet, sundim ligji i cili qëllimisht u ndrydh e ngufat për shkak se ashtu vendosi kasta politike. Për shkak se ligji është elastik dhe ai zbatohet kur të vidhen delet, e harrohet kur vidhen milionat, kur manipulohet me gjithçka, kur fëmijët e politikanëve rrahin policë dhe kur vriten njerëzit.

Ato, për fat të keq, janë viktima edhe të këtij populli inert, që pajtohet të jetojë në kasavetin që e kanë krijuar ata që na akuzojnë dhe trillojnë teori konspiracioni vetëm pse ne nuk rrejmë.

[email protected]