OpEd

Jeta e Ademit

Shkoi si fëmijë në Zvicër, punoi 40 vjet punët më të rënda në ndërtimtari dhe u kthye në Kosovë me shëndet të rrënuar. Një histori mërgimi, rrëfyer në avion

“Mos u frikëso, jam vaksinuar”, tha Ademi sapo zuri vend pranë meje në avion. Po kthehej në Kosovë pasi kishte kaluar disa javë në Zvicër, më saktë në Thun, një nga qytetet më të bukura të Konfederatës Helvetike, një qytet me liqen, me kodra të mbuluara me borë, me shtigje të rregulluara mirë për të ecur të rinj e të moshuar.

Nga këto bukuri Ademi mund të ketë parë pak gjatë jetës së tij, sepse Ademi i përket gjeneratës së parë të mërgimtarëve të Kosovës që gjetën punë e strehë në Zvicër. Dhe s’patën pothuaj një ditë të lirë për të shijuar sadopak jetën e tyre. Jeta e kësaj gjenerate ishte një betejë e përditshme për të fituar e kursyer para, me të cilat përkrahej familja në Kosovë. Me familje në Kosovë nënkuptojmë jo vetëm anëtarët e ngushtë të familjes, por edhe vëllezërit, kushërinjtë, dajallarët etj.

Ademi braktisi fshatin e tij të lindjes në pjesën perëndimore të Kosovës në vitin 1974. Ishte fëmijë. 16-vjeçar. “Ishim gjashtë fëmijë, baba na kishte vdekur herët dhe ne po vdisnim për bukë. Një ditë një kushëri, i cili e njihte gjendjen tonë të vështirë, më mori me vete – në Zürich”. Kështu e nisi jetën në kurbet Ademi. Shiste birra e pije nëpër kantiere pune, kryente ndonjë punë tjetër të vogël, kursente edhe nga kafshata e gojës që ta nxirrte familjen nga mjerimi i thellë në Kosovë. Por, paratë s’mjaftonin.

Më 1974 kriza e naftës kishte shkaktuar tensione sidomos në shoqëritë perëndimore. Në Zvicër ishin bërë të zëshëm politikanët racistë, të cilët dëshironin të dëbonin nga vendi dhjetëra e mijëra të huaj, para së gjithash italianë. Pas aventurës në Zvicër, Ademi shkoi për pak kohë në Gjermani, punoi dhe mësoi edhe disa fjalë të reja në gjermanisht.

Sa ishte në Zvicër një ditë i kishte thënë shefit kështu disi: “Chef, kein Geld, kein Essen” (Shef, s’kam para, s’kam ushqim). Dhe shefi ia kishte dhënë 500 franga, një shumë marramendëse për atë kohë. Si shumë shqiptarë edhe Ademi u kthye nga Gjermania në Zvicër – për shkak të rrogës. Si atëherë, si sot: rrogat në Zvicër janë ndër më të lartat në Evropë.

Punoi me zell të madh 4 vjet dhe pak para se t’i plotësojë kushtet për të marrë lejen e qëndrimit në Zvicër, pra për të braktisur statusin e punëtorit sezonal, ndodhi e papritura. Një mëngjes herët në derën e tij trokiti Policia zvicerane, bashkë me zyrtarë të Konsullatës së Jugosllavisë në Zürich. Shteti jugosllav po e kërkonte kosovarin për të kryer shërbimin ushtarak.

Ademin e mbajtën një natë në një dhomë në Konsullatë, pastaj e kthyen në Beograd, e dërguan në një kazermë në Bosnjë. Pasi kreu shërbimin ushtarak, u kthye sërish në Zvicër, ku duhej t’ia niste prapë nga fillimi. Për herë të tretë. Prapë punëtor sezonal, prapë, çdo vit, me frikë se shefi nuk do t’ia dërgojë garancinë për punë. “Njeriu është më i fortë se guri”, thotë Ademi në 11 mijë metra lartësi.

Punoi prapë, si përherë, me zell të madh, i plotësoi kushtet ligjore, mori lejen e qëndrimit, vizën B, pastaj vizën C dhe në fund u bë shtetas zviceran, me pasaportë të kuqe, të cilën e tregon me krenari në avion. Herën e tretë gjeti një vend pune në Thun, në malësinë e Bernit. Punoi murator, nga agu i mëngjesit deri në muzg. Në mbrëmje, kur kthehej nga puna i mbuluar me pluhurin e kantierit, duhej të përgatiste ushqimin. “Jetonim në baraka. Shpesh duhej të prisnim në rend para shporetit për të përgatitur ushqimin. Nganjëherë bëhej ora dhjetë e natës duke pritur”.

Jo, nuk ka qenë jetë e mirë jeta e Ademit dhe e mijëra ademëve të tjerë nga Kosova në Zvicër. “Gati 40 vjet nuk jetova për vete. Jetova për familje, jetova për vëllezër, jetova që atyre t’u krijojë kushte më të mira për jetë. Tash po jetoj pak për vete, qe 5 vjet kam dalë në pension”.

Të jetosh pak për vete pas kësaj jete nuk është lehtë. Kush punon 40 vjet një punë aq të rëndë, siç ka bërë Ademi, shpejt i vëren pasojat për shëndetin. Zemra, gjymtyrët, sistemi i qarkullimit të gjakut e çka jo tjetër. Sistemi shëndetësor i Zvicrës është arsyeja që shumë mërgimtarë edhe pas pensionimit vazhdojnë të jetojnë një pjesë të kohës në Zvicër. Por pjesën më të madhe e kalojnë në Kosovë. Sepse si çdo mërgimtar, edhe Ademi ka ndërtuar një shtëpi në atdhe. Ajo është krenaria e tij. Kur shkon në Zvicër, i porosit njerëzit e lagjes që t’ia ujisin lulet. “Por qysh vadit dora jote, s’vadit dorë tjetër”, thotë ai me humor. “Kur po kthehem nga Zvicra, lulet që i kam mbjellë në kopsht po qeshin, qe besa”. Kësaj radhe edhe Ademi ka një arsye më shumë për të qeshur. Është vaksinuar dhe jetën do ta vazhdojë edhe jashtë oborrit të tij, me kujdes, por pa frikë se infektimi me virus do t’ia marrë jetën.