Parlamenti Evropian, i njohur si shtëpia kryesore e demokracisë evropiane, tash duket si zonë krimi ku policia dhe hetuesit hyjnë çdo ditë, konfiskojnë para të pista, izolojnë zyra dhe hapësira, ndërsa deputetë të tashëm dhe ish-deputetë të tij kalojnë Krishtlindjen në paraburgim, të dyshuar për pjesëmarrje në ndërmarrje të bashkuara kriminale, në shpëlarje parash dhe korrupsion. Dhe të dyshuarit dhe të akuzuarit ishin pikërisht luftëtarë për të drejta të njeriut, udhëhiqnin OJQ që luftonin kundër mosndëshkueshmërisë. Është goditja më e rëndë për imazhin e institucioneve të BE-së, por që është edhe më e rëndë, goditje e madhe edhe për OJQ-të
Jo rrallë policia e Belgjikës ua ofron mediave pamjet e çantave me para, qeseve me para të konfiskuara, të mbështjella dhe të lidhura mirë. Shpesh ato janë konfiskuar nga grupet e krimeve të organizuara dhe kontrabandistët e drogës. Por kësaj radhe pamjet e qindra mijëra eurove që dolën në media ishin konfiskuar jo nga kriminelë ordinerë, por nëpër shtëpi të zyrtarëve më të lartë të Parlamentit Evropian, të kësaj dhe legjislaturës së mëhershme. Ishin konfiskuar nëpër dhoma të hoteleve apo nga çantat që bartnin familjarët e tyre.
Brukseli është tronditur nga skandali ndoshta më i madh në historinë e institucioneve të BE-së. Disa janë shokuar nga zbulimet e autoriteteve hetuese dhe gjyqësore të Belgjikës. Por të tjerët i ka kapur frika se e gjithë elita e BE-së tashmë është nën vëzhgim strikt të autoriteteve të Belgjikës, shtetit mikpritës të institucioneve të Bashkimit Evropian, por shtet i cili deri tash nga aspekti ligjor nuk është përzier shumë në “punët e brendshme“ të institucioneve të Bashkimit Evropian.
Gjithçka ka ndryshuar në mënyrë dramatike në fillim të muajit dhjetor. Autoritetet e Belgjikës arrestuan hiç më pak se nënkryetaren e Parlamentit Evropian, Eva Kaili, nga Greqia. Arrestuan edhe të dashurin e saj që punon si asistent në Parlamentin Evropian. Arrestuan edhe ish-deputetin Antonio Panzeri, i cili kur nuk u rizgjodh themeloi një OJQ në Bruksel për të luftuar kundër mosndëshkueshmërisë së krimineleve. Policia e Belgjikës hynte dhe dilte nga Parlamenti Evropian si në një skenë krimi nga filmat e Holywoodit. Bastiste shtëpitë e disa deputetëve, nganjëherë edhe në prani të presidentes së Parlamentit Evropian, sepse kështu e kërkon protokolli pasi deputetët kanë imunitet. Por imuniteti nuk vlen nëse deputetët në territorin e Belgjikës kapen “me pelë për dore”. Dhe pikërisht kjo ndodhi. Policia konfiskoi gjatë bastisjeve, jo vetëm në Belgjikë, por edhe në Itali, hiç më pakë se 1.5 milion euro. Dyshohet se këto para ishin dhënë nga shtetet nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut (përmenden Maroku dhe Katari) për të ndikuar në qëndrimet politike të institucioneve të BE-së.
Parlamenti Evropian, i njohur si shtëpia kryesore e demokracisë evropiane, tash duket si zonë krimi ku policia dhe hetuesit hyjnë çdo ditë, konfiskojnë para të pista, izolojnë zyra dhe hapësira, ndërsa deputetë të tashëm dhe ish-deputetë të tij kalojnë Krishtlindjen në paraburgim, të dyshuar për pjesëmarrje në ndërmarrje të bashkuara kriminale, në shpëlarje parash dhe korrupsion. Dhe të dyshuarit dhe të akuzuarit ishin pikërisht luftëtarë për të drejta të njeriut, udhëhiqnin OJQ që luftonin kundër mosndëshkueshmërisë. Është goditja më e rëndë për imazhin e institucioneve të BE-së, por që është edhe më e rëndë, goditje e madhe edhe për OJQ-të.
Ironia është e madhe. I akuzuari kryesor, Piere Antonio Panzeri nga Italia, jo vetëm se e kishte pagëzuar OJQ-në e tij „Fight Impunity“ (Lufto mosndëshkueshmërinë), por në bordin e saj kishte arritur të mblidhte një listë impresive të emrave. Në mesin e tyre fitues të çmimit “Nobel”, pastaj ish-përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federika Mogherini, ish-kryeministrin e Francës, Bernard Cazeneove, ish-komisionerin e BE-së, Dimitris Avramopoulos, dhe shumë të tjerë. Të gjithë ata ndërkohë kanë dhënë dorëheqje. Tash thonë se emrat e tyre janë keqpërdorur dhe ishin mashtruar. Por thonë se në fillim nuk kishin dyshuar, sepse besonin se fjala ishte për një nismë shumë fisnike.
Vetëm ish-komisioneri Avramopoulos ka pranuar se ka marrë nga kjo OJQ për shërbimet e tij 60.000 euro, por i ka deklaruar ato. Është marrë në pyetje dhe është vendosur në arrest shtëpiak edhe shefi i organizatës së njohur “No peace without justice”. Kjo organizatë ndan të njëjtën adresë në Bruksel me “Fight impunity” të Panzerit.
Dhe hetimet nuk kanë fund. Duket se autoritetet e Belgjikës kanë prekur në një zgjua bletësh. Dita-ditës dalin hollësi të reja nga hetimet dhe emra të rinj të të dyshuarve. Institucionet e BE-së kanë nisur edhe hetimet e brendshme. Përmenden edhe hetime në vetë Komisionin Evropian dhe në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së, EEAS. Përmenden edhe hetimet lidhur me “tregti me pozita” dhe ndikimi “i palejuar politik” nëpër agjenci, institucione dhe organizata të ndryshme. Me kujdes tash shikohet dhe analizohet secila deklaratë që ka mundur ta ketë thënë ndonjë zyrtar i BE-së, amendamentet që i kanë propozuar deputetët e Parlamentit. Sepse nga to mund të dalin edhe motive për dyshime. Dhe kjo ka bërë që kredibiliteti i Parlamentit Evropian të pësojë goditjen më të madhe në histori. Dhe nuk do të jetë e lehtë të kthehet besimi, pa marrë parasysh premtimet e liderëve të BE-së për hetime të brendshme dhe miratime të planeve të veprimit për të siguruar respektimin e vlerave morale. Këto nuk do të mjaftojnë, sepse as institucionet e BE-së nuk mund të bazohen në përgjegjësinë dhe integritetin moral të politikanëve apo zyrtarëve të lartë. Sepse as ata nuk janë imunë ndaj korrupsionit.