Take it or leave it! Rrëfimi për hakmarrjen e përsosur të politikanit miliarder
“HAJT SE KA ME më ardhë dita kur krejt këta kanë me më ra në dy gjunjë!”, iu betua në heshtje vetvetes.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoI ulur mbi kolltukun prej lëkure të avionit privat po e shikonte relievin e fushave të Kosovës.
Po kthehej drejt Zvicrës. I mundur e i thyer keq nga të gjithë.
Vetëm shtatë vjet më parë ishte ulur në aeroportin e vogël të Sllatinës me betimin se do të bëhej president i vendit. Njësoj, nga avioni privat – simboli më i fuqishëm i njeriut që ia kishte dalë në jetë - po kujtonte ditën kur e kishte braktisur Marecin e Kosovën, duke mos mundur më t’i duronte përbuzjet e shokëve “qytetarë e të pasur”.
“Çka ndodhi!”, kishte qenë refreni i vetëm që i kumbonte në vesh, prejse KQZ-ja kishte certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të fundit. Vetëm 34.170 vota, vetëm 4.67 për qind.
Herën e parë lehtësisht, 13 deputetë, herën e dytë bashkë me shtatë parti – 8 deputetë. Tash, jashtë Parlamentit.
I kishin thënë rus. I kishin thënë tyxhar. Muxhahedin. I shitur.
Përfundimisht, e kishin mundur.
“TAKE IT OR leave it, është”, më tha të martën në “Rubikon”.
Miliarderi politikan një ditë më herët kishte nënshkruar “bussiness deal”-in më të mirë në jetë. Me vetëm 4 deputetë, aq sa nuk do të mjaftonin as për t’u përfaqësuar në Kuvend, ai po rrumbullakonte ciklin e Hakmarrjes së Madhe.
Si me skenar të Stephen Kingut, ai po vinte “tick”-un e fundit në listën e hakmarrjes.
Po, i kishin rënë në gjunjë të gjithë.
Po, të gjithë i kishin shkuar në shtëpinë e madhe në Hajvali, të menduar si rezidencë presidenciale.
Teksa, asnjëri nuk kishte dashur ta pranonte si president dhe përfundimisht e kishin rrëzuar, tash po i shkonin për ta lutur në “rezidencën presidenciale”. Në Hajvali.
Take it or leave it!
I’m taking it, i ishte përgjigjur Albin Kurti. Lëvizja Vetëvendosje! kishte krijuar grupet punuese për të harmonizuar programet qeverisëse me AKR-në. Për më tepër, lëvizja që dikur thoshte se nuk do të merrte pjesë as në zgjedhje “për të mos u zbutur” kishte vendosur të regjistrohej si parti, vetëm për të ngopur kushtet ligjore për të bërë koalicion parazgjedhor. Me AKR-në.
I’m taking it, i ishte përgjigjur edhe Isa Mustafa. Një ditë para se të mbyllej afati ligjor për regjistrim koalicionesh parazgjedhore, LDK-ja ishte hapur pa kushte për AKR-në. S’ka dert se vetëm pak vite më parë e kishin denoncuar si president, s’e kishin dashur për zv.kryeministër.
We’re taking it, i kishin bërë be pas Bajramit në “rezidencën presidenciale” në Hajvali bashkë e duke i ngrënë thonjtë me dhëmbë, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj.
ISHTE KURBAN BAJRAMI dhe ai po i shkonte edhe një herë ngadalë listës.
“Po, tash bon. Krejt janë bërë kurban për mu”.
Nën 1. Hashim Thaçi. Shkon n’shpi. Më rrëzoi, po e rrëzoj. Nuk do të mundë të kandidohet më për president, se edhe ish-partia e tij, por edhe AAK-ja, NISMA e AKR-ja do të më kenë vetëm mua kandidat për president.
Nën 2. Enver Hoxhaj. Shkon n’shpi. Më pengoi si zv.kryeministër i Jashtëm, tash unë do të jem edhe zv.kryeministër edhe ministër i Jashtëm.
Nën 3. Kadri Veseli. S’la gjë pa thënë kundër meje gjatë fushatës e para fushatës. Tash unë marr më shumë në Qeveri se ai vetë.
Nën 4. Ramush Haradinaj. Një kohë s’donte as dorën me ma shtri. Tash po ia marr gjysmën e Qeverisë, plus nuk do të ketë të drejtë t’i prekë ministrat e mi.
Nën 5. Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi. Këta që ma luajtën lojën në Kuvend kur u votova për president. Tash vetë do të më kandidojnë për president.
Nën 6. Albin Kurti e Isa Mustafa. Aq i kam bërë për vete, saqë tash kur i kam prishur koalicionet me partitë e të dyve, ata s’do të guxojnë të më shajnë mu’, por do ta shajnë njëri-tjetrin.
Nën 7. Mimoza Kusari - Lila. S’pat çare pa u kthy’. Hala s’e kam kry’ me të.
Nën 8. Votuesit e Kosovës. Kujtuan se po më lënë prapë jashtë Kuvendit, unë po ua marr gjysmën e Qeverisë edhe të parin e vendit.
“Nesër dita e parë pas Kurban Bajramit. Po ia fus gjumë. Përhajr na qoftë!”
MORALI I RRËFIMIT:
Atë që nuk e bëri populli me votë, e bënë politikanët me pazare.
Por këta politikanë harruan se pazar për pazar – ka dikush që është master i fushës. Miliarderi.
E fatura, fatura i mbetet popullit!
Twitter: @adriatikk