OpEd

“Dalai Lamat” e tempujve të nudizmit politik kosovar

“Edhe pas tij unë, e edhe pas meje, unë” postulat ky i Dalai Lamave tanë politikë, të cilët në çdo çast janë të gatshëm që t’i shkëmbejnë dhe bëjnë rokadat e kolltukëve të tyre politikë ndërmjet vete, gjithnjë në emër të “sakrificës” dhe “unitetit” për popullin, dhe kështu qe 20 vjet rresht. Të bëmat dhe aftësitë e juaja politike i pamë, frytet e tyre do t’i vjelim edhe një kohë të gjatë. Përderisa qytetari i thjeshtë i rrëzuar përtokë nga efektet ekonomike të shkaktuara nga COVID-19 pret pagesën e pjesës së dytë me 170-euroshin e tij për të mbijetuar, Qeverisë ku partia e Ramush Haradinajt është partner qeverisës i trokasin faturat ku pritet që Devollët të paguhen 27 milionë euro, Bektel Enka 52 milionë euro e pse jo edhe Contour Globali 20 milionë euro. Të gjitha këto si pasojë e vendimeve të arbitrazheve për rastet e lartcekura

Mëngjes i errët në Londër. Edhe pse ditë verore nuk shoh asnjë shenjë se sot do ta shohim diellin këndej. Por ajo për çka Anglia është e njohur është se këtu mund t’i përjetosh edhe tri stinët brenda ditës.

Nga kabllogramet diplomatike do të veçoja se sot do të bëhet dita e katërt e intervistimit të presidentit Thaçi nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë në lidhje me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria, por të pakonfirmuar nga gjykatësi i lëndës paraprake, e cila rëndon mbi Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe nëntë pjesëtarë të tjerë të UÇK-së për vrasjen e mbi 100 civilëve gjatë periudhës 1999 - 2000.

Nuk do të jem i vetmi i cili do ta them se është shumë e çuditshme dhe njëkohësisht e dëmshme për Kosovën fakti se Hashim Thaçi në Hagë shkoi nga posti i tij i presidentit të Kosovës, dhe të gjitha këto “intervista” në lidhje me aktakuzat shumë të rënda të cilat rëndojnë mbi të po mbahen me të si president i Republikës së Kosovës. Çdo lajm i ndërlidhur me këtë rast i referohet ashtu secilit raportim nga Haga. Në një mënyrë ende as pa filluar gjykimi (edhe nëse do të fillojë ai ndonjëherë), Kosovës i është hedhur një njollë e zezë në bazë të veprimeve të pretenduara të presidentit të saj.

Por si duket kushdo që ta ketë këshilluar Hashim Thaçin se do të duhej të vepronte kështu, apo varianti për të cilin mua më duket më i qëndrueshëm është se egoja e tij nuk e lejon që ai të dorëhiqet nga pozita e të parit të shtetit, pasi që ai atë do ta shihte si humbje personale dhe fati i Kosovës me logjikën e tij do të duhej të ndërlidhej me fatin e tij personal. Shumë do të dëshiroja që ja këtu, kundër Ditarit tim të më demantonte dikush nga këshilltarët e tij të afërm dhe të më thoshte se jo, ishte ai presidenti i cili insistonte se ai duhej dorëhequr, por ishim ne të cilët e këshilluam që të mos e bënte një gjë të tillë.

Sido që të jetë, tashmë ky dëm është shkaktuar, neve na mbetet të shohim nëse gjykatësi i lëndës paraprake do t’i vërtetojë këto aktakuza deri më 24 tetor 2020, deri në atë kohë pozita e presidentit mbetet një pozitë me të cilën emri i Republikës së Kosovës do të vazhdojë që të nëpërkëmbet nëpër mediat botërore, pavarësisht se a do të ketë proces të konfirmuar gjyqësor apo jo!

Në të njëjtën kohë bisedimet me Serbinë po vazhdojnë të ndodhin tashmë edhe pa praninë e protagonistit kryesor të tyre nga ana e palës shqiptare të Kosovës, presidentit Hashim Thaçi. Tashmë pritet edhe takimi real në Bruksel ndërmjet presidentit Vuçiq dhe kryeministrit virtual Avdulla Hotit.

Në skenën politike të Kosovës pas uraganit politik të shkaktuar nga prokurori i Dhomave të Specializuara të Gjykatës së Hagës, vazhdojnë potezat e “priftërinjve tibetianë” për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Republikës së Kosovës nëse do të ngriheshin aktakuzat kundër presidentit aktual, Hashim Thaçit. Në vazhdën e këtyre ngjarjeve të “budistëve tanë politikë” i pyetur nëse do ta merrte në konsideratë një propozim për t’u bërë president në rast se konfirmohet aktakuza ndaj Thaçit, Ramush Haradinaj e la të hapur mundësinë që do ta shqyrtonte propozimin.

“Edhe pas tij unë, e edhe pas meje, unë” postulat ky i Dalai Lamave tanë politikë, të cilët në çdo çast janë të gatshëm që t’i shkëmbejnë dhe bëjnë rokadat e kolltukëve të tyre politikë ndërmjet vete, gjithnjë në emër të “sakrificës” dhe “unitetit” për popullin, dhe kështu qe 20 vjet rresht. Të bëmat dhe aftësitë e juaja politike i pamë, frytet e tyre do t’i vjelim edhe një kohë të gjatë. Përderisa qytetari i thjeshtë i rrëzuar përtokë nga efektet ekonomike të shkaktuara nga COVID-19 pret pagesën e pjesës së dytë me 170-euroshin e tij për të mbijetuar, Qeverisë ku partia e Ramush Haradinajt është partner qeverisës i trokasin faturat, ku pritet që Devollët të paguhen 27 milionë euro, Bektel Enka 52 milionë euro, e pse jo edhe Contour Globali 20 milionë euro. Të gjitha këto si pasojë e vendimeve të arbitrazheve për rastet e lartcekura.

Tashmë përmbaruesi ka bllokuar edhe të gjitha llogaritë e Telekomit të Kosovës, dhe kjo kompani është sjellë buzë falimentimit të saj. Natyrisht “nudistat politikë”, të cilët edhe e sollën situatën deri këtu, e preferojnë heshtjen dhe vazhdojnë me medikrimin e tyre ekonomiko-politik.

Në të njëjtën kohë, heshtja e Dalai Lamave politikë të Kosovës përballë kësaj situate e në të njëjtën kohë tentimi i privatizimit të IPKOS nga ana e Telekom Srbija është vetëm edhe një indikator se ky tempull i pashtershëm krimi ka dy dekada që ka ra në duart e Vallai Llomave më të mëdhenj që të ketë mundur t’i nxjerrë populli ynë.

Më falni, mirëpo unë jam tepër i indinjuar me qasjen e politikëbërësve tanë. Përse duhet ne që të pranojmë një të tillë? Ku është këtu vullneti i sovranit? Ku qëndron këtu legjitimiteti? Apo ashtu ne jemi mësuar se çdo gjë është pazar, e po ashtu edhe fati i shtetit dhe i popullit të tij është në pazarin e tuxharëve tashmë nudistë. Por që nudizmi politik është bërë shumë normal dhe nuk parasheh asnjëfarë problemi pse janë të zhveshur deri në atë masë, edhe për këtë fenomen jemi dëshmitarë që të gjithë.

Edhe kjo qeveri është po ashtu nudiste e zgjedhur në mënyrë klandestine, që tashmë gjithashtu jemi në dijeni. “Dalai Lamat” e errësirës duke bindur deputetë në mesnatë për votën e tyre pro Qeverisë Hoti.

Tempuj të heshtjes e mediokritetit politik përballë stërkeqjes së vendit, tempuj të nudizmit politikë, pasi që tashmë jo vetëm që kanë rënë maskat, por ka rënë secila leckë nga trupi i politikanëve, dhe për fat të keq në Kosovë nuk mbin fiku që së paku të mbulohen nga gjethi i tij.

Sapo lexova në një kabllogram tjetër diplomatik se gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë 7 persona kanë vdekur si pasojë e COVID 19.

Numrat e të infektuarve me COVID-19 javëve të fundit në Kosovë ka qenë alarmantë. Në Ditarin tim unë e kam paraparë edhe kolapsin e sistemit tonë shëndetësor, dhe ai tashmë është duke u mbajtur për një fije të hollë të perit. Është pikërisht politika tashmë nudiste e cila e ka sjellë atë në këtë gjendje gjatë 2 dekadave të fundit. Pa asnjë investim kapital në të, përveç me donacione të ndryshme. Shëndetësia nuk ndërtohet vetëm nga vullneti i mirë i mantelbardhëve dhe nga donacionet ndërkombëtare. Aty do të duhej të ekzistonte një plan dhe strategji afatgjatë kombëtare për zhvillimin e shëndetësisë dhe ofrimin e të gjitha shërbimeve të saja për popullatën e Kosovës. E jo si diçka gjysmake, ku nuk e di as dreqi e as i biri se çfarë ndodh aty, por një gjë e cila dihet botërisht është se askush nuk e dëshiron që të përfundojë aty. E në këtë aspekt nudistët politikë, si edhe në çdo gjë tjetër në jetën e tyre kanë qenë të privilegjuar edhe në këtë aspekt dhe shërimin e shpëtimin e kanë kërkuar gjetiu nëpër qendra të njohura spitalore evropiane, në kurriz të taksapaguesit kosovarë, natyrisht.

Vetëm gjatë 2-3 ditësh nga kabllogramet e ndryshme diplomatike kam mësuar se tashmë vaksina kundër COVID-19 qenka zbuluar në Oxford të Anglisë, Izrael, Amerikë e edhe në Suedi. Kompanitë farmaceutike do të jenë në një betejë që t'ia ofrojnë botës shpëtimin nga ky virus dhe kjo pandemi, dhe natyrisht të mos flasim për profitin e tyre financiar me zbulimin dhe shitjen e së njëjtës. Por deri atëherë edhe shumë njerëz do të infektohen, edhe shumë të tjerë do të humbin betejën e tyre me këtë virus, edhe shumë ekonomi dhe biznese do të pësojnë kolaps si pasojë e kësaj pandemie dhe masat e ndërmarra për mbrojtjen nga ajo, të cilat patën impakt direkt në ekonominë e shteteve dhe popujve të tyre. Kosova nuk bën përjashtim. Në fakt, duke marrë parasysh se ekonomia e Kosovës një pjesë shumë të madhe varet edhe nga remitencat e diasporës, dhe numri i vogël i saj për vizita në vendlindje këtë vit, pasojat do t’i shohim pak më vonë.