OpEd

Gozhda e radhës në arkivolin e prestigjit rus

Epilogu i zgjedhjeve të kësaj fundjave në Moldavi ishte gozhdë e fundit në arkivolin e fuqisë gjeopolitike ruse. Fitorja e Moldavisë nuk ishte vetëm për lirinë e një vendi demokratik, por edhe shembulli i radhës i paaftësisë së Rusisë për ta projektuar fuqinë e saj, madje edhe në zonat tradicionale të interesit të saj

Përderisa beteja e Ukrainës kundër Rusisë është në epiqendër të vëmendjes së botës, një tjetër betejë e ashpër është zhvilluar në sfondin e saj. Një vend i vogël, me popullsi pak a shumë sa të Kosovës, ka qenë fushëbetejë intensive në mes të Perëndimit dhe Rusisë në këta dymbëdhjetë muaj të fundit. 

Tri herë gjatë vitit të fundit Rusia ka tentuar ta destabilizojë Moldavinë dhe rrugën e saj perëndimore. Tri herë dështoi. Dështimi i parë ishte tentativa për ta parandaluar rizgjedhjen e presidentes properëndimore të Moldavisë, Maia Sandu. Dështimi i dytë qe tentativa për të ndikuar në referendumin evropian dhe dështimi i tretë ndodhi këtë fundjavë me fitoren e thellë të krahut properëndimor në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. 

Fitorja e fundit e krahut properëndimor ishte edhe më e thellë sesa që është pritur. Ndonëse sondazhet paraprake parashikonin një garë shumë më të ngushtë, partia e presidentes Sandu fitoi 50 për qind të votës, përderisa blloku prorus fitoi 24 për qind. Pas shpalljes së rezultateve, presidentja Sandu tha se populli i Moldavisë nuk lejoi që “të blihet, të kërcënohet apo të frikësohet. Ne u mobilizuam dhe e mbrojtëm vendin tonë përmes zgjidhjes së sinqertë dhe demokratike”. Po kështu, as liderët evropianë nuk e fshehën gëzimin e tyre. Kryeministri britanik Starmer tha se qytetarët e Moldavisë e kanë zgjedhur “rrugën e lirisë”. Në reagimin e përbashkët, liderët e Gjermanisë, Francës dhe Polonisë i përgëzuan qytetarët e Moldavisë, të cilët “përsëri treguan se nuk do të lejojnë të privohen nga paqja dhe liria”. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i përgëzoi qytetarët e Moldavisë për zgjedhjen e tyre, duke thënë: “Ju e keni bërë të qartë zgjedhjen tuaj: Evropë. Demokraci. Liri”.

Përdorimi i fjalës “liri” në urimet e perëndimoreve nuk është rastësi. Për ata, zgjedhjet e fundit të Moldavisë janë parë si litmus testi nëse një demokraci e vogël dhe e re mund ta mbijetojë një sulmi të madh hibrid të një vendi autokratik, sikurse Rusia. Për më tutje, rënia e Moldavisë do të hapte një tjetër telash për Perëndimin në kohën kur e gjithë vëmendja është te mbështetja e Ukrainës. Kësisoj, fitorja e Moldavisë nuk ishte vetëm për lirinë e një vendi demokratik, por edhe shembulli i radhës i paaftësisë së Rusisë për ta projektuar fuqinë e saj, madje edhe në zonat tradicionale të interesit të saj. 

Çfarë e bën edhe më të rëndësishme humbjen e Rusisë në Moldavi është se ajo vjen tani si humbja e pestë e Rusisë në ballafaqimin me Perëndimin që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës. Që nga pushtimi rus i Ukrainës, Perëndimi dhe Rusia janë ballafaquar në pesë beteja të ndryshme: në Kaukaz, Siri, Lindje të Mesme, Rumani dhe Moldavi. Në secilën nga këto pesë beteja, Rusia ka humbur duke e rrënuar edhe më tej statusin e saj si fuqi globale.

Që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, Rusia ka mbështetur përpjekjet e Armenisë për kontrollin e Nagorno-Karabakhut. Armenia ia ka kthyer favorin duke e ruajtur aleancën me Rusinë, duke u anëtarësuar në rivalin e NATO-s - Organizatën e Sigurisë së Përbashkët - dhe duke e lejuar qëndrimin e ushtarëve rusë në territor të Armenisë. E gjithë kjo u shpërbë brenda një dite të vetme, kur Rusia dështoi ta ndihmojë Armeninë për ta zmbrapsur ofensivën azerbajxhanase për marrjen nën kontroll të Nagorno-Karabakhut. Si pasojë, Armenia ia ktheu shpinën Rusisë duke e pezulluar anëtarësimin e vet në Organizatën e Sigurisë së Përbashkët, duke u afruar me BE-në dhe duke lidhur marrëveshje paqeje me Azerbajxhanin, nën fasilitimin e SHBA-së. Kësisoj, brenda një dite të shtatorit u shemb ndikimi rus në Kaukaz, i cili gjithmonë është konsideruar zonë e interesit ekskluziv rus.

Që nga pranvera arabe, regjimi i Assadit në Siri u mbajt në pushtet vetëm falë mbështetjes ruse. Për arsye historike, ushtarake dhe gjeopolitike, Siria ishte shumë e rëndësishme për Rusinë. Ajo ishte shtyllë e rëndësishme e strategjisë së Rusisë për ta projektuar pushtetin përtej kufijve të saj të menjëhershëm dhe për të sfiduar rendin global të udhëhequr nga SHBA-ja. Në kuptimin praktik, Siria ishte në veçanti e rëndësishme për Rusinë për shkak të bazës detare Tartus (bazë e vetme ruse në Mesdhe) dhe bazës ajrore Khmeimim. Kjo është edhe arsyeja përse rënia e Assadit dhe paaftësia e Rusisë për ta mbrojtur ishin humbje e madhe gjeopolitike e Rusisë.

Nëse Siria ishte e rëndësishme, Irani ishte edhe më i rëndësishëm. Irani, sikur Siria, ka qenë shtyllë kyç për projektimin e fuqisë ruse në botë, për arsye gjeopolitike dhe ushtarake. Në kuptimin gjeopolitik, Rusia e ka parë Iranin (së bashku me Kinën dhe me Korenë Veriore) si pjesë të koalicionit global antiperëndimor. Në Lindjen e Mesme, Irani ishte mjet kyç nëpërmjet të cilit Rusia e synonte destabilizimin e planeve perëndimore. Në kuptimin ushtarak, që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, Rusia ka qenë furnizuesi kryesor ushtarak i Iranit. Ky bashkëpunim u intensifikua në nivele rekord që nga pushtimi rus i Ukrainës. Që atëherë, Irani e intensifikoi furnizimin e Rusisë me dronë “Shahed” dhe me raketa balistike, ndërsa Rusia ia ktheu favorin me transferimin e teknologjisë ushtarake. Kësisoj, Irani ka menduar se kurdo që të vijë koha e konfliktit të paevitueshëm me Izraelin, do ta ketë mbështetjen e Rusisë. Ky iluzion iranian u shemb më 13 qershor të këtij viti, kur për dymbëdhjetë ditë Izraeli e rrënoi makinerinë ushtarake iraniane dhe së bashku me të, edhe reputacionin e Rusisë si akter i rëndësishme gjeopolitik në Lindjen e Mesme. 

Ndërhyrja e Rusisë në zgjedhjet e Rumanisë kishte për qëllim krijimin e një kali trojan përbrenda NATO-s. Ajo synonte që me instalimin e një qeverie proruse do të arrinte ta përçante unitetin e NATO-s dhe ta destabilizonte krahun e saj lindor. Rumunia nuk është çfarëdo shteti i NATO-s. Ajo është nikoqire e instilacioneve ushtarake kyç të NATO-s, por edhe urë e rëndësishme e furnizimit ushtarak dhe humanitar të Ukrainës. Sidoqoftë, tentativat e Rusisë për ndërhyrje në zgjedhjet rumune, sikurse në rastin e Moldavisë, dështuan. Zgjedhjet u fituan nga kandidati properëndimor, Nicușor Dan.

Pesë raste të diskutuara: Kaukazi, Siria, Lindja e Mesme, Rumania dhe tani Moldavia, janë ilustrim i paaftësisë së Rusisë për ta projektuar fuqinë e saj qoftë në rajonin e vet imediat, qoftë në botë. Pushtimi rus i Ukrainës u projektua si ngjarje që do të duhej të shërbente si fillimi i rikthimit të Rusisë, si fuqi globale. Në vend të kësaj, ajo u shndërrua në varrmihësin e prestigjit dhe pozitës ruse në botë. Kësisoj, epilogu i zgjedhjeve të kësaj fundjave në Moldavi ishte gozhdë e fundit në arkivolin e fuqisë gjeopolitike ruse.