OpEd

Enver Hoxha, 1984, Prishtinë

Nga bota e lirë perëndimore në vitet tetëdhjetë u nisën dy rrugëtime librash, një me projekt të CIA-s për në Poloni, Bashkim Sovjetik e Hungari dhe tjetri me autor ende të pazbuluar për në Kosovë. Kështu lexuam “Titistët” e ndaluar në vendin ku ishte i lejuar George Orwell

1.

Dukej sikur doganierëve të Republikës së Maqedonisë (tash RMV) nuk u kishte lajmëruar kush se ka vdekur Jugosllavia socialiste, madje se ishin së paku formalisht policë të një shteti që sapo kishte hyrë në rend demokratik dhe u bë i pavarur. Me të njëjtat mërrola në fytyrë, gjuhë trupore dhe ton urdhërues kërkuan që të deklarojmë a kemi apo jo libra me vete. I shikuan një nga një, kontrolluan me pedanteri nëse ishte ndonjëri prej titujve në listën të cilën e mbanin mbështetur për gjoksi- në mos rastësisht donim të shihnim se çka ishte e ndaluar e çka jo prej librave të futet në territorin e shtetit të tyre- dhe ndonëse nuk u gjet ndonjë libër që do të ishte në listën e tyre, diku kah fundi gjetën një që kishte në titull “Histori” dhe e ndalën, në mos kurrgjë, për të treguar se e kishin përmbushur detyrën. “Histori” do të ketë qenë koncept i rrezikshëm për doganierët; në atë sistem që ishte zhbërë, por këtë nuk ua kishte thënë kush doganierëve maqedonas, rrëfimet për të kaluarën trajtoheshin me kujdes të veçantë, mbase me një frikë se mund të ishin rrëfime për të ardhmen. 

Libri i ndalur me titull “Histori” nuk mbaj mend se për çka ishte, mund të kenë qenë edhe “Historia e Ilirisë”, “Historia e lavërtarisë në Myzeqe” apo “Historia e një dashurie të shpërfillur”, ç’rëndësi ka, histori ishte dhe “Historia” nuk mund ta kalonte traun e doganës maqedonase.

2.

Sikur të kishte kopertinë tjetër mbase do ta kalonte kufirin libri me titull “Histori”, sikur ndodhi me “Titistët” e Enver Hoxhës disa vjet më herët, kur ende ishte gjallë Jugosllavia. Ma dha njëri i lexuar në sociologji e filozofi- në rininë e hershme miqtë e tij e konsideronin trockistin e rrallë në qytet, atëherë kur pakkush interesohej a kuptonte çka është trockizmi-të mbështjellë në kopertinën e një romani të Pearl Buck, një nga ato që shiteshin si koleksion me kredi konsumi dhe mbushnin pjesën e caktuar të komodes më të madhe të banesës. Ishin vitet tetëdhjetë dhe libri që m’u dorëzua ishte zyrtarisht “propagandë armiqësore”; trockisti dhe unë mund të shkonim në burg, ai pse ma dha e unë pse pranova librin.

Adam Michnik, njëri prej intelektualëve prijës të “Solidarnoshç” në Poloni, më kishte rrëfyer për një përvojë të veten me libra të ndaluar, por tashmë prej një perspektive tjetër, nga pozita e një të burgosuri. Ai kishte kërkuar që në burg të kontrabandoheshin librat e ndaluar dhe aty lexoi “Arkipelagun Gulag” të Sholzenjicinit, kishte arritur në qeli në formën e një libri me kopertina të tjera. 
Shumë vjet më vonë – sivjet - gazetari i njohur britanik, John Simpson, do të shkruante si e kishte kontrabanduar një kopje të këtij libri të disidentit rus në Moskën komuniste. E kishte mbështjellë atë në kopertinën e “librit më të mërzitshëm të bibliotekës sime, me titull ‘Libani: një shtet në tranzicion’”.

3.
Fati i “Titistëve” ishte i çuditshëm. 

Libri që ishte i ndaluar për Michnikun në Poloni nuk ishte i ndaluar për ne në Kosovë. Mund ta lexonim Sholzenjicinin, ndonëse fillimisht në kroatisht. Pastaj mund të lexonim serbokroatisht e shqip edhe vepra të tjera të ndaluara në Poloni, Bashkim Sovjetik dhe gjithandej kampit socialist. Në një ambient ku mund të blihej libri i  Leshek Kolakovskit, kritikut më të madh polak të marksizmit apo ku diskutohej gjerë e gjatë për “Një ditë në jetën e Ivan Denisoviqit” të Sholzenjicinit apo ku inskenohej shfaqja e “Varrezës për Boris Davidoviqin” të Danilo Kishit, “Titistët” u bë libër i ndaluar, mbajtja e të cilit cilësohej si provë për dënim për “veprimtari armiqësore”. 

E, pikënisja e librit të Enver Hoxhës ilustrohet në një fjali: “Për gjithë lëvizjen komuniste e punëtore dhe opinionin publik botëror, në verën e 1948-s u bë e njohur se Titoja dhe shokët i tij kishin tradhtuar marksizëm-leninizmin dhe kampin e socializmit”. Njëra pre dëshmive më mbresëlënëse për Enver Hoxhën e kësaj tradhtie ishte kur fluturonte mbi Jugosllavi, rrugës për në Rumani dhe “nga avioni shihnim tokat e Jugosllavisë me fusha që nuk u kolektivizuan kurrë, toka të pasistemuara, siç ishin në kohët e para të çlirimit edhe tonat”.

Dhe tash ky pushtet që kishte “tradhtuar marksizëm-leninizmin”,  që u ndërtua pa kolektivizuar toka dhe duke lejuar botimin e Sholzenjicinit - kritikut më të madh letrar të Stalinit e stalinizmit - ishte i gatshëm të përndiqte çdo njeri që kishte në dorë librin “Titistët”, autori i të cilit fton shqiptarët që të mbrojnë marksizëm-leninizmin autentik.

4.

Sivjet u botua libri “Klubi i librave të CIA-s” të autorit Charles English. Autori, duke u bazuar në gërmim të thellë të arkivave, shkruan për një program të CIA-s të shpikur nga një mendje e ndritur që u nis me premisën se sa më shumë të dëgjohej (në radio), të shkruhej (në Samizdat, shtyp shaptilografik) e mbi të gjitha të lexohej mendimi i lirë, aq më shumë do të shembej nga brenda pushteti i diktaturës socialiste. Dhe, kështu mbërriti te Michniku libri i Sholzenjicinit apo të arrinte popullaritet në Bashkimin Sovjetik, Poloni a Çekosllovaki, George Orwell me “Fermën e kafshëve” që qe shkruar drejtpërsëdrejti si kritikë stalinizmit, por më shumë romanit “1984”, klasikut të kritikës ndaj diktaturës.
Nuk di nëse do të dalë nga arkivat ndonjë program i veçantë i Sigurimit të Shtetit në Shqipëri për të shpërndarë librat e Enver Hoxhës në mesin e shqiptarëve të ish -Jugosllavisë, por pak a shumë dihej se si mbërritën kopjet e “Titistëve” në Kosovë, mbase edhe ajo e imja. Në ditët e pushimeve (Pashkë, Krishtlindje, pushime verore) “gastarbajterët” kosovarë nga Gjermania e Zvicra mbushnin veturat me gjësende për familjet e tyre në Kosovë e në ndonjërën prej veturave do të gjendej edhe ndonjë kopje e “Titistëve” apo ndonjë libri tjetër të Enver Hoxhës.

Kështu, në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar nga bota demokratike u nisën dy rrugëtime krejtësisht të kundërta. Në Evropën Lindore komuniste mbërrinte libri i ndaluar “1984”, i kontrabanduar nga programi QRHELFUL, ndërsa në Kosovë, ku nuk ishte i ndaluar “1984”, mbërrinte libri i ndaluar “Titistët”.

Librat e ndaluar në Evropën Lindore në fund ngadhënjyen - vitet tetëdhjetë krijuan një lëvizje që shembi sistemin e “1984” në Poloni, Gjermani Lindore, Hungari… Ndërkaq, Kosova u zu në paradoksin e të ndaluarit të “Titistëve” e të lejuarit të “1984”. Në “1984”, Orwell shkruan fjalinë e famshme: “Kush kontrollon të kaluarën, kontrollon të ardhmen; kush kontrollon të tashmen, kontrollon të kaluarën”, sikur ta kishte lexuar “Titistët”, një përpjekje e Enver Hoxhës për të treguar pagabueshmërinë e tij në rrugën e drejtë të mbrojtjes së marksizëm-leninizmit. Në këtë rrugëtim Enver Hoxha u ndihmua prej atyre që nuk e priste, pushtetit në Jugosllavi që e shpalli librin e tij propagandë armiqësore, në një përpjekje monumentalisht të dështuar (apo mbase të dizajnuar për dështim) që me metoda staliniste të ndalet mendimi stalinist. 

Për këtë nuk ishin informuar ende doganierët maqedonas, të vëmendshëm ndaj titujve që përmbajnë fjalën “histori”.