OpEd

Drama me happy end

"Fatkeqësia" e kësaj qeverie është se pritjet nga ajo janë shumë të mëdha dhe një pjesë e konsiderueshme e votuesve të saj janë ata që nuk e kanë dhënë votën e tyre blanko dhe tani të lejojnë Qeverinë e gjithëpushtetshme që të veprojë si të dojë ajo, duke mos hasur në kritikat e votuesve të tyre. Mendoj se opozita më e madhe ndaj Qeverisë do të vijë pikërisht nga ky grup votuesish, mirëpo kritikat do të jenë të sinqerta dhe pa asnjë prapavijë apo ndërskamcë politike. Për opozitën në Kuvend, fatkeqësisht në mënyrën se si e kanë filluar të të bërit e opozitës, hiq këtu momentalisht LDK-në, të tjerët në një të afërme jo të largët mund të llogarisin në një theqafje të re politike të tyre të radhës

Festa e Pashkëve këtë vit koincidoi me zgjedhjen e zonjës Vjosa Osmani për presidente të Republikës së Kosovës. Kjo e përfundon ciklin e formimit të institucioneve që nga përfundimi i zgjedhjeve më 14 shkurt 2021.

Me gjithë tentimet për bllokim dhe pamundësim të bërjes së numrave të nevojshëm për zgjedhjen e presidentit në seancën e Kuvendit nga ana e opozitës, e cila e bojkotonte atë me mospjesëmarrje, në fund u arrit të siguroheshin ato.

Merita të mëdha do të duhej t’i atribuoheshin kryetarit të ri të Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Lumir Abdixhiku, i cili nuk lejoi që edhe ashtu partia e dërrmuar të cilën e drejton të bëhej pjesë e lojërave të PDK-së dhe AAK-së për bojkot të seancës, dhe që çmimin e fundit sigurisht se do ta paguante LDK-ja. Ç'është e vërteta, treshja famoze Agim Veliu, Avdullah Hoti dhe Driton Selmanaj, edhe pse ishin prezentë në seancë, nuk votonin fare. Ata vetëm i morën mëditjet për pjesëmarrjen në seancë plenare. I hongshin me të shëndoshë.

Tani që edhe kjo dramë përfundoi dhe çdo gjë ra në vendin e vet do të dëshiroja që të merresha pak me këtë qeveri të Vetëvendosjes dhe presidenten e re të sapozgjedhur. Do t’i jap ca këshilla nga diçka, dëshmitarë të të cilave dukuri ishim të gjithë, dhe thënë të drejtën mua më ka lënë mjaft shije të hidhur.

Ka të bëjë me homazhet të cilat po bëhen nga ana e kryeministrit dhe presidentes.

Jam i mendimit se ato u bënë aq shumë edhe aq shpesh saqë po ua humbin edhe kuptimin, edhe rëndësinë. E tëra që po mbetet është një propagandë televizive me konotacion politik dhe vetëpromovues. E kuptoj se kjo dukuri është nga pararendësit e tyre, por kjo nuk do të thotë se ata duhet vazhduar me atë traditë e aq më pak të shtojnë numrin e atyre homazheve. Fillimisht vitin e kaluar ishin ato pyetjet pse Albin Kurti nuk e vizitonte varrin e Ibrahim Rugovës, tash ato u ndërruan me pyetjen pse presidentja Vjosa Osmani nuk e vizitoi dhe bëri homazh pranë varrit të Adem Demaçit.

Natyrisht me këto ekspedita të homazheve të ditëve dhe javëve të fundit, këto pyetje edhe i bënë pastaj legjitime.

Do të dëshiroja të shihja nga ana e Qeverisë dhe e presidentes ndryshimin e kësaj qasjeje dhe formimin e njëfarë rregulloreje, ligji apo protokolli, i cili do ta qartësonte saktësisht se homazhet bëhen në një datë të caktuar 1 apo 2 herë në vit dhe ajo do të mjaftonte. Respekti më i madh i cili do t’iu bëhej figurave të larta kombëtare do të ishte puna e sinqertë dhe rezultatet e prekshme të tyre. Kurorat e luleve të plastikës nuk çojnë asnjë peshë. Me të vërtetë do të dëshiroja që ekipet e këshilltarëve dhe të PR-it të presidentes dhe kryeministrit t'ua tërhiqnin vërejtjen në këtë dukuri bezdisëse, për të cilën jam i sigurt se unë nuk jam i vetmi që ndaj një mendim të tillë.

***

Qeveria mori masat e reja të mbylljes si preventivë mbrojtëse nga përhapja e mëtutjeshme e Covid-19.

Mbyllja është bërë, por se si do të rimbursohen bizneset për humbjet e tyre ekonomike mbetet paksa e paqartë, pasi që një plan konkret i tillë ende nuk është prezantuar nga ana e Qeverisë.

Mendoj se vaksinat do të duhej të ishin top-prioriteti nr.°1 i kësaj qeverie dhe nuk do të duhej të lihej gurë pa u rrotulluar për të gjetur mënyrën e porositjes dhe liferimit të tyre, si dhe një plan detajues për vaksinimin e popullatës. "Fatkeqësia" e kësaj qeverie është se pritjet nga ajo janë shumë të mëdha dhe një pjesë e konsiderueshme e votuesve të saj janë nga ata që nuk e kanë dhënë votën e tyre blanko dhe tani të lejojnë Qeverinë e gjithëpushtetshme që të veprojë se si të dojë ajo duke mos hasur në kritikat e votuesve të tyre. Mendoj se opozita më e madhe ndaj Qeverisë do të vijë pikërisht nga ky grup votuesish, mirëpo kritikat do të jenë të sinqerta dhe pa asnjë prapavijë apo ndërskamcë politike. Për atë opozitën në Kuvend, fatkeqësisht në mënyrën se si e kanë filluar të të bërit e opozitës, hiq këtu momentalisht LDK-në, të tjerët në një të afërme jo të largët mund të llogarisin në një theqafje të re politike të tyre të radhës. Qasja është e gabuar dhe destruktive. Në vend se të merren me veten e tyre, çka ishte ajo që e bëri votuesin që ta votonin VV-në me 50,20% të votave e t’i ndëshkonte partitë e tjera. Ata vazhdojnë të merren me Vetëvendosjen dhe kryetarin e saj, kryeministrin aktual, z. Albin Kurti.

Janë bërë irritues. Kakofonive të PSD-së, tani nëpër studiot televizive e debatet e begatshme politike u është bashkangjitur edhe korpusi i analistëve nga AAK-ja dhe PDK-ja. Ramush Haradinaj është duke shkuar në drejtimin e duhur për ta çlajmëruar "Clickun".

Akuzat e deridjeshme se është përgjegjësi e Albin Kurtit si kryeministër t'ia sigurojë votat znj. Vjosa Osmani në Kuvend për zgjedhjen e saj për presidente të Republikës së Kosovës, pasi që ata ishin të sigurt se ajo gjë do të dështonte për shkak të bojkotimit të tyre, se vendi do të shkonte në zgjedhjet e parakohshme të radhës dhe se për këtë ata do të mund që ta akuzonin Albin Kurtin. Mirëpo mbajtja e seancës së fundit dhe peshkimi i suksesshëm i deputetëve (jo që unë mendoj se kjo është gjë e rregullt), ishte shija e recetës të cilën e kishin përdorur opozita e tashmë shumë herë më parë. Dhimbja për ta po bëhet e padurueshme pasi u mposhtën me vetë recetën të cilën ata e kanë shpikur dhe të drejtat autoriale të së cilës i mbajnë ata. Albin Kurti do të përfundonte i kritikuar nga ky rast sido që të vepronte, kështu që duke u bazuar në situatën momentale dhe gjendjen në vend, jam i mendimit se formimi i institucioneve ka qenë diçka e panegociueshme dhe që është dashur të ndodhte.

Ligji i radhës, i cili mendoj që do të duhej urgjentisht të ndryshohej edhe në Kushtetutë, është mënyra se si bëhet zgjedhja e presidentit. Kjo do të duhej të ishte hera e fundit që presidentin e zgjedhin deputetët në Kuvend dhe që partitë e kanë mundësinë e shantazhimit, si dhe bërjen e pazareve për votimin e presidentit. Zgjedhja e presidentit të ardhshëm do të duhej të bëhej direkt nga vota e popullit dhe assesi ndryshe. Dramave të panevojshme të shantazheve të partive politike në Kuvend duhet t'iu vijë fundi.

Populli ka filluar të vetëdijesohet politikisht dhe kam bindjen se zgjedhjen do ta bënte adekuate nga gara e kandidatëve potencialë dhe do të zhdukej mundësia për lojëra, pazare dhe shantazhe të ndryshme politike në emër të votimit të presidentit.

Drama e fundit e pati një happy end, mirëpo dramat do të duhej të merrnin fund në Kuvend një herë e përgjithmonë.

Vitin e kaluar të pafytyrët politikë e rrëzuan Qeverinë në kohë pandemie, ndërsa tash ishin në gjendje që me veprimin e tyre përsëri ta dërgonin vendin në zgjedhjet e parakohshme vetëm për ta pasur argumentin e akuzimit ndaj Albin Kurtit dhe pafuqisë së tij për t’i krijuar numrat e nevojshëm në Kuvend për të formuar kuorumin dhe votuar zonjën Vjosa Osmani për presidente të Republikës së Kosovës.

Ato plane të dështakëve politikë dështuan dhe nuk do të rreshtin së dështuari përderisa qasja e tyre mbetet kështu kaq antagonizuese dhe destruktive.

Kishte edhe ca ngjarje të tjera sporadike të cilat më kishin arritur në formën e kabllogrameve diplomatike, por për disa as që ia vlen të diskutohet e as shpenzohen shkronja virtuale, kurse për maniakët e citimeve të Faik Konicës do ta shfrytëzoj rastin ta ndaj një citat nga ai me ju, të cilin kur e lexova sot rastësisht duke e shfletuar internetin më bëri të qeshja shumë. "Jeta është e shkurtër e studimi është i lodhshëm, njeriu është përtac nga mendja, publiku është i durueshëm dhe perdja është e siguruar kundrejt vërshëllimave, kështu që përse dikush të shqetësohet për faktet, kur është kaq e lehtë të lëshosh nga goja hamendje në tym"?