Këshilltari i dikurshëm për siguri shtetërore i presidentit Trump, John Bolton, rishtazi e ka dërguar librin e tij për botim "The Room Where It Happened - The White House Memoir" (Dhoma ku ajo ndodhi - Memoare nga Shtëpia e Bardhë), ku ai shpalos shumë gjëra nga mënyra e të udhëhequrit të Amerikës nga presidenti Trump. Një nga shembujt, të cilët ai i shpalos aty, ka të bëjë me takimin që Trumpi e kishte pasur me presidentin kinez Xi, nga i cili kishte kërkuar që t’i ndihmonte në rizgjedhjen e tij president në vitin 2020. Kina do të mund t’i ndihmonte atij duke i blerë produktet bujqësore nga Amerika e të cilën pastaj ky do t'ua shiste popullit amerikan si storie suksesi ekonomik amerikan
Të gjithë jemi dëshmitarë të antagonizmave, të cilat politika i ka sjellë në jetët tona. Antagonizmat përbrenda familjarësh, antagonizma përbrenda shokësh të vjetër, antagonizma ndërmjet partive politike dhe, ç'është më e keqja, jemi dëshmitarë edhe të antagonizmave politikë midis shtetesh, të cilat deri dje ishin partnerë në çdo storie suksesi në glob, në qindvjeçarin e fundit. Njëra nga këto storie suksesi ishte bashkërendimi i botës perëndimore që të ndërpriste gjenocidin e aparatit shtetëror të Slobodan Milosheviqit mbi shqiptarët e Kosovës dhe që para 21 vjetësh Aleanca e NATO-s të bënte intervenim ushtarak kundrejt një shteti sovran siç ishte Serbia. Do të ishte intervenimi i vetëm i kësaj natyre që nga themelimi i kësaj aleance të fuqishme ushtarake. Në fakt, ai intervenim u realizua as duke e kërkuar pëlqimin e Kombeve të Bashkuara që në vete përmbante një lloj precedenti. Mirëpo kjo e tregon përkushtimin e botës perëndimore që të keqen ta ndalnin njëherë e përgjithmonë.
Ishte Amerika ajo e cila do ta udhëhiqte këtë makineri ndërkombëtare, ishin edhe vendet evropiane, si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia dhe shumë vende të tjera, të cilat u bashkërenditën në luftën kundër së keqes, e cila e kishte përfshirë Ballkanin edhe një herë me gjakderdhjen që po e ushtronin ushtria, policia, njësitë paramilitare dhe mercenare serbe ndaj shqiptarëve autoktonë të Kosovës.
Nuk do të hyj në përshkrime, në detaje të këtyre ngjarjeve, sepse është thënë shumë dhe është shkruar shumë për këtë periudhë. Edhe vitet e pasluftës Kosovën do ta gjenin të rreshtuar pas Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Ndihma të mëdha janë dhënë edhe nga Amerika, edhe nga BE-ja për Kosovën në forma të ndryshme, qoftë në garantimin e mbrojtjes së lirisë dhe qetësisë së saj, qoftë me ndihmat për rindërtimin dhe rimëkëmbjen e vendit. E thashë vendit, sepse statusi fillimisht nuk ishte një çështje e zgjidhur dhe po administrohej nga Kombet e Bashkuara. Por viti 2008 e gjeti Kosovën në një udhëkryq të ri. Me ndihmën e miqve të saj, kryesisht Amerikës dhe shumicës së vendeve të BE-së, Kosova e shpallë Pavarësinë e saj.
Populli shqiptar i Kosovës është flijuar mjaft dhe ka hequr të zitë e ullirit gjatë historisë së tij nga pushtuesit e ndryshëm, të cilët shkelën nëpër ato troje.
Mirëpo thjesht, pa përkrahjen e fuqive të mëdha, ajo nuk e pati forcën që as të mbetej pjesë integrale e shtetit amë, Shqipërisë, e aq më pak që të pavarësohej. Ndoshta padrejtësia e bërë ndaj Kosovës në fillimvitet e shekullit të kaluar nga fuqitë perëndimore u mundua që të balancohej me njohjen e Pavarësisë së saj në vitin 2008. Rrugëtimi i Kosovës deri në atë ditë ishte i përgjakshëm, me shumë vuajtje, viktima dhe shkatërrime gjatë një shekulli. Nuk mund ta gjesh një familje shqiptare të Kosovës, e cila mund të kishte shpëtuar gjatë këtij 100-vjeçari duke mos qenë viktimë e represalieve sistematike shtetërore kundër tyre. Me një kosto të tillë, duke mos e anashkaluar në asnjë moment diasporën e Kosovës, secili nga ne e dhamë kontributin tonë për të arritur deri tek ajo ditë. Ishin edhe ushtarët e UÇK-së, djem e vajza të reja kosovare, të cilët nuk hezituan që t'ia drejtonin tytën armikut dhe t’i dilnin pragut të shtëpisë në mbrojtje. Shumë nga ta e dhanë jetën dhe ranë në altarin e lirisë. UÇK-ja kishte edhe eksponentët e saj të quajtur komandantë, të cilët ne i njohëm më shumë në angazhimet e tyre politike të pasluftës. Në fakt politike quheshin, por ishin angazhime biznesore të tyre, familjarëve të tyre, bashkëpartiakëve dhe sejmenëve të tyre. Të gjitha këto aksione të përbashkëta të tyre e paralizuan rrugëtimin e shtetit të ri evropian që të kyçej në proceset e integrimit evropian. Korrupsioni kishte arritur përmasat pandemike, fjalë me të cilën tashmë jemi shumë të mësuar me të. Për të qenë korrekt, edhe partitë e tjera të cilat nuk përbëheshin nga ish-komandantët e luftës nuk u treguan aspak më të mëshirshme ndaj Kosovës dhe buxhetit të saj, i cili po konsolidohej nga viti në vit nga tatimpaguesi kosovar. E rropën pamëshirshëm, majtas e djathtas, lart e poshtë, ish- luftarakë dhe të ashtuquajturit institucionalistë dhe pacifistë. Në etjen e tyre të tendermanive, ato dallime ishin pak të dukshme, aty të gjithë bëheshin një.
Qysh nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj nga 115 shtetet më të fuqishme demokratike botërore, Serbia do ta shfaqte pakënaqësinë e saj dhe nuk do të ndalej duke e kundërshtuar këtë pavarësi me secilin lloj të trukut, të cilin do të mund ta gjeje në librin e truqeve diplomatike. Problemi ishte se në Serbi aktorët politikë qysh nga koha e Milosheviqit nuk kishin ndërruar, ishin po ata të njëjtit. Në një periudhë kur u tentua që Serbia të merrte një kah më moderues dhe ndoshta edhe bashkëpunues, derisa ishte kryeministër Zoran Gjingjiq, ata atë e vranë dhe aktorët e vjetër në rroba të reja prapë u kthyen në skenën politike tashmë si të "moderuar". Mendimi im është se gabimi i Bashkësisë Evropiane dhe Amerikës me këtë rast është se me sa lehtësi i ka pranuar këta njerëz si partnerë të barabartë pa asnjë lloj kushtëzimi. Në fakt, Serbia nuk ndërroi asnjëherë aspiratat e saj ndaj Kosovës, mbetën ato të njëjtat e 100-vjeçarit të fundit. Sytë dhe zemra e saj janë të kthyer nga Rusia dhe Kina, ndërsa Evropa dhe Amerika u shërbejnë për thithje fondesh, investime kapitale dhe shantazhime me ato dy të parat.
Kosova e shkretë, e udhëhequr nga politikanë të korruptuar deri në palcë, të shantazhuar deri në asht, qoftë për të bëmat e tyre gjatë pasluftës, secilën herë e më shumë e gjen veten në qorrsokakët diplomatikë nga të cilët nuk jam i sigurt se si do të dalë. Qysh nga viti 2008 apo 2009, kur kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, i filloi bisedimet "teknike" me Serbinë, i zhvillonte ato totalisht në një mënyrë jotransparente ndaj Kuvendit të Kosovës, partive politike, si dhe vetë popullit të Kosovës. Ato shumë shpejt u shndërruan në bisedime të mirëfillta politike të negocuara nga BE-ja dhe gjithashtu me mbështetjen amerikane në prapavijë.
Unë personalisht jam një euroskeptik dhe nuk jam aq i ngazëllyer me mënyrën se si funksionon Bashkësia Evropiane. Njerëz të emëruar e të pazgjedhur nga askush vendosin për fate njerëzish në kontinentin e vjetër, sasia e sistemit burokratik të instaluar aty është që të dhemb koka nga ajo gjë. Edhe në këto bisedime politike me Serbinë, Hashim Thaçi asnjëherë nuk ishte i sinqertë se çka saktësisht po bisedohej dhe ku kishin arritur ato biseda. Ato i kuptonim kur gazetarë të huaj e diplomatë i rridhnin informatat e atyre bisedimeve dhe marrëveshjeve.
Sot kemi arritur në pikën kur skenën e administratës amerikane e udhëheqin kaubojt biznesmenë, të cilët me qasjen e tyre ende asnjë rezultat pozitiv nuk e kanë sjellë për Amerikën nga arena ndërkombëtare. Në arenën brenda shtetit gjithashtu punët janë llugë, mirëpo atyre u duhet një storie suksesi. Kosova është e kollajshme për t’u shndërruar në një storie të tillë, sepse popull më proamerikan nuk mund të gjesh në rruzullin tokësor. Çfarëdo që do të vinte nga Amerika, proamerikanizmi ynë shkon deri në nivel nënshtrimi.
Mos më akuzoni për antiamerikan, sepse ai etiketim nuk pi ujë. E përcjell shtypin amerikan, e përcjell edhe shtypin evropian dhe pastaj është e lehtë që t’i arrish konkludimet duke u bazuar në këto analiza të qëndrueshme. Kjo administratë kaubojsh biznesmenë ka arritur që të antagonizojë veten me Bashkësinë Evropiane, sidomos me Gjermaninë, si shtetin më të fuqishëm të BE-së. Partneritetet shumëvjeçare vihen në pikëpyetje dhe veprimet e njëanshme të kësaj administrate amerikane për të zgjidhur çështjen e Kosovës dhe Serbisë duke e anashkaluar dhe përjashtuar Evropën, sado që ajo është burokratike dhe sillet si një breshkë e kthyer përmbys, nuk mendoj se do t’i sjellë ndonjë gjë pozitive Kosovës. Sidomos duke marrë parasysh ngutjen me të cilën këto biseda po imponohen, sidomos kur jam i vetëdijshëm se aktorët e saj e bënë të gjithë presionin për të rrëzuar edhe Qeverinë e mëparshme të Kosovës.
Këshilltari i dikurshëm i presidentit Trump, John Bolton, rishtazi e ka dërguar librin e tij për botim "The Room Where It Happened - The White House Memoir" (Dhoma ku ajo ndodhi - Memoare nga Shtëpia e Bardhë), ku ai shpalos shumë gjëra nga mënyra e të udhëhequrit të Amerikës nga presidenti Trump. Një nga shembujt të cilët ai i shpalos aty ka të bëjë me takimin të cilin Trumpi e kishte pasur me presidentin kinez Xi, nga i cili kishte kërkuar që t’i ndihmonte në rizgjedhjen e tij president në vitin 2020. Kina do të mund t’i ndihmonte atij duke i blerë produktet bujqësore nga Amerika e të cilën pastaj ky do t'ua shiste popullit amerikan si storie suksesi ekonomik amerikan.
Nuk kam unë ndonjë respekt për John Boltonin, sidomos me qëndrimet e tij kundër bombardimeve të Serbisë dhe qëndrimeve proserbe në përgjithësi, por mendoj se ky libër do të dalë në treg në një kohë të duhur që shumë nga ne të kuptojmë se kjo administratë amerikane nuk është as ajo e para 20 vjetëve e as ajo e para 30 vjetëve, prioritetet dhe ambiciet e saja politike nuk janë të njëjta as për popullin amerikan se lëre për rezultatin final të bisedimeve Kosovë - Serbi.
Uroj që të jem gabim, por shpresoj që kombinimi i kaubojve biznesmenë, cubit biznesmen dhe çetnikut biznesmen të mos jetë fatal për fatin e Kosovës.
P.S. Hashim, çkado që t’i premtojsh Trumpit edhe Grenellit, vetëm shtatore në Kosovë mos ju premto, se kur t’i shohim çfare i mbarojmë ne ato, droj që ato dy bombat e tua të Rambujesë në xhepa kanë me t’i kërsitë!