Si është e mundur që kryeministri i Shqipërisë të ketë raporte të acaruara me pothuaj çdo kryeministër të Kosovës? Me Isa Mustafën, me Ramush Haradinajn, me Albin Kurtin. Si është e mundur që kryeministri i Shqipërisë në prani të kancelares gjermane të sulmojë Kosovën? Dhe vetëm Kosovën. Sepse Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën nuk i përmendi, ndonëse edhe ato refuzojnë “Open Balkan”. Madje kryesuesi i presidencës së Bosnjës, Zhelko Komshiq, të martën deklaroi se Serbia nuk mund të jetë padrone e Ballkanit. Kurrë nuk do e dëgjoni presidentin serb duke atakuar politikanët serbë jashtë Serbisë. Pse e bën këtë kryeministri i Shqipërisë ndaj politikanëve të Kosovës?
1.
Kryeministri i Shqipërisë konsideron se vendi i tij do të integrohet në BE duke krijuar aleancë me kryeministrin antieuropian të Serbisë, i cili ka qenë pjesë e regjimit që kryeministrin e tanishëm të Kosovës e ka dënuar me 15 vjet burg për shkak se ka përkrahur çlirimin e Kosovës dhe është angazhuar për vlera euroatlantike. Aleanca aktuale mes kryeministrit në Tiranë dhe presidentit në Beograd nuk është aleancë vlerash. Besoj këtë e di edhe opinioni.
2.
“Open Balkan” nuk u përmend të martën fare nga kancelarja gjermane. Ajo tha se asnjë nismë tjetër nuk mund ta zëvendësojë “Procesin e Berlinit”. Në siklet e sipër kryeministri i Shqipërisë u përpoq ta prezantojë “Open Balkan” si derivat të “Procesit të Berlinit”. Njëjtë ka bërë edhe presidenti serb para disa javësh. Është një përpjekje e kotë. “Open Balkan” është një ide e pamenduar mirë ku secili nga pjesëmarrësit përpiqet t’ia hedh tjetrit. Beogradi me “Open Balkan” synon izolimin e Kosovës dhe zgjerimin e dominimit serb në Ballkan, kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duan që përmes “Open Balkan” t’i bëjnë presion BE-në duke përçuar mesazhin: ju s’po na pranoni, atëherë do bëjmë ne vetë një BE ballkanike. Kjo i ngjan një loje fëmijësh të frustruar. BE dhe shtetet e saj nuk e mbështesin, por as nuk e kundërshtojnë hapur “Open Balkan”. Ato vetëm thonë se janë kundër nismave paralele. Sa i përket “Procesit të Berlinit” – aty Kosova është e barabartë.
3.
Kemi dëgjuar në këto 30 vjet shpesh polemika mes politikanëve shqiptarë. Disa politikanë të Prishtinës kanë folur marrëzira në drejtim të Tiranës. Edhe anasjelltas ka ndodhur kjo. Por gjuha e egër, e helmët, konfliktnxitëse, përçarëse që kryeministri i Shqipërisë po e përdor kundër homologut të tij kosovar është shumë e dëmshme për interesat e shqiptarëve në rajon. Si është e mundur që kryeministri aktual i Shqipërisë të ketë raporte të acaruara me pothuaj çdo kryeministër të Kosovës? Me Isa Mustafën, me Ramush Haradinajn, me Albin Kurtin... Si është e mundur që kryeministri i Shqipërisë në prani të kancelares gjermane të sulmojë Kosovën? Dhe vetëm Kosovën. Sepse Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën nuk i përmendi, ndonëse edhe ato refuzojnë “Open Balkan”. Madje kryesuesi i presidencës së Bosnjës, Zhelko Komshiq, të martën deklaroi se Serbia nuk mund të jetë padrone e Ballkanit. Kurrë nuk do e dëgjoni presidentin serb duke atakuar politikanët serbë jashtë Serbisë. Pse e bën këtë kryeministri i Shqipërisë ndaj politikanëve të Kosovës? Nuk ka asnjë dilemë që Albin Kurti ka bërë disa gabime në raport me Tiranën zyrtare. Pjesëmarrja në fushatën elektorale në Shqipëri ka qenë gabim. Për këtë është kritikuar ashpër në Kosovë. Por asnjë gabim i Kurtit nuk mund të jetë aq i madh, saqë kryeministri i Shqipërisë ta shohë Kosovën si problem në Ballkan dhe jo Serbinë, e cila shqiptarët e Kosovës dëshiron t’i trajtojë si një fis të egër që duhet shtypur me kërbaç. Siç dihet historikisht Kosova nuk është mposhtur nga kërcënimet e tilla. Por mund të dëmtohet nëse Tirana nuk sillet si vasale e Beogradit.
4.
Presidenti serb tashmë ka filluar të tallet me kryeministrin e Shqipërisë, duke ia bërë publike bisedat konfidenciale. Më 24 gusht Vuçiqi doli në një televizion serb dhe tregoi këtë histori: “Unë dhe Edi Rama nganjëherë qeshim kur pranojmë komentet nga rajoni se përse nuk duan të futen në nismën ‘Ballkani i Hapur’. Me të vërtetë, ne së paku nja gjysmë ore qeshim në telefon kur ia lexojmë njëri-tjetrit se kush çfarë ka thënë, pasi që ai i përcjell në shqip, ndërsa unë shikoj këtë pjesën nga hapësira ku flitet serbishtja. Pra, kështu qeshim ne dy”. – Nuk e di nëse kjo është e vërtetë, por çuditërisht kjo deklaratë e Vuçiqit nuk është demantuar nga qeveria në Tiranë.
5.
Me sa duket më lehtë është që qeveritarët në Tiranë të zhvillojnë polemika bajate kundër politikanëve të Kosovës se sa të merren me problemet reale të qytetarëve. Mbi 60 mijë fëmijë nga Shqipëria kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian gjatë 10 viteve të shkuara (2011-2020). Këta janë gati 10 për qind e fëmijëve të Shqipërisë. Të dhënat i ka bërë publike EUROSTAT-i, agjencia e statistikave e Bashkimit Europian. Eurostat konstatoi se në vitin 2020 kishte 2’125 kërkesa për azil nga fëmijët shqiptarë në vendet e BE-së dhe Zvicër. 83 për qind e tyre ishin nën moshën 14-vjeçare. Sa i përket lirisë së mediave Shqipëria është në vendin e 83-të, pesë vende pas Kosovës (78). Në lidhje me ketë, ja çfarë thotë organizata e njohur Reporterët pa Kufij: “Fyerje, kërcënime me vrasje dhe me padi, përfshirë kërkesat për dëmshpërblim të lartë krijojnë në Shqipëri një klimë të frikësimit dhe të autocenzurës sidomos në mesin e gazetarëve hulumtues. Politikanët udhëheqës njollosin gazetarët rregullisht duke i quajtur ‘kazan’ apo ‘të blerë’. Mediat më të rëndësishme informative janë në duart e disa familjeve të biznesmenëve, të cilët kryesisht ndjekin interesa politike. (...) Autoritetet refuzojnë apo zvarrisin përgjigjet ndaj mediave dhe parapëlqejnë mediat besnike ndaj qeverisë për shembull në qasjen ndaj konferencave për shtyp”. Një lajm alarmant u dha sonte: në të gjithë Shqipërinë janë regjistruar në klasë të parë vetëm 20’235 fëmijë, rreth 10 mijë fëmijë më pak se në vitin e shkuar shkollor. Ndërkohë në një gazetë gjermane sot shkruante se ndërmarrjet gjermane në Serbi kanë punësuar 72 mijë njerëz. Ne, ndërkaq, duhet të jemi të lumtur nëse çdo vit nuk largohen nga Shqipëria 72 mijë shqiptarë.