OpEd

Çfarë mund të bëjë NATO pasi u vranë qytetarë në territor të saj

Është pak e besueshme që NATO do ta aktivizojë Artikullin 5 të Aleancës për mbrojtjen kolektive, i cili thotë se sulmi në një shtet anëtar është sulm ndaj tërë NATO-s.

Kjo mund të ndodhë vetëm nëse konfirmohet se Rusia qëllimisht ka sulmuar caqet brenda Polonisë, pra brenda territorit të NATO-s.

Për momentin reagimet nga liderët e vendeve të NATO-s dhe të zyrtarëve në selinë e kësaj Aleance kanë qenë të matura, duke shprehur shqetësim dhe kanë kërkuar që të hetohet se çfarë saktësisht ka ndodhur.

Do të kërkohen sqarime dhe nga Rusia, megjithëse pak kush beson se Moska do ta tregojë të vërtetën, duke pasur parasysh sjelljen e saj në të kaluarën dhe mohimin e të gjitha krimeve që ka bërë.

Po për komentin shumica besojnë se fjala mund të jetë për një gabim, më shumë sesa për një sulm të qëllimshëm.

Gjasat janë që NATO-ja ta aktivizojë Artikullin 4. Ky artikull nënkupton nisjen e konsultimeve intensive në NATO. Aktivizimi i Artikullit 4 mund të kërkohet nga secili vend anëtar i NATO-s i cili ndjehet i kërcënuar nga jashtë.

Polonia ka paralajmëruar se po e shqyrton mundësinë e aktivizimit të artikullit 4. Edhe nëse Polonia nuk e aktivizon këtë artikull është pothuajse e sigurt se Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të thërrasë takim urgjent të Këshillit të Atlantikut të Veriut.

Artikulli 5 i NATO-s për mbrojtje kolektive është aktivizuar vetëm një herë në historinë mbi 7 dekadash të Aleancës. Ka ndodhur kjo pas sulmeve terroriste më 11 shtator në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por artikulli 4 është aktivizuar disa herë, më së shpeshti nga Turqia që ka qenë cak i sulmeve terroriste.

Në rast se zbulohet se Rusia qëllimisht ka sulmuar caqe në territorin e NATO-s, e në Poloni ka edhe ushtarë të vendeve aleate, përfshirë edhe amerikanë, atëherë NATO-ja do të jetë e detyruar të përgjigjet.

Sepse NATO-ja ka thënë gjithmonë se, ndonëse nuk do të përfshihet në mënyrë direkte në luftë në Ukrainë e cila nuk është anëtare e NATO-s, do të mbrojë çdo pëllëmbë të secilit shtet anëtarë të saj.