Para se të jenë beteja armësh dhe ekonomish, luftërat janë betejë karakteresh dhe të lidershipit. Në prag të çdo beteje të kaluar për kontrollin e Euroazisë, SHBA-ja ka qenë e bekuar me lidership të jashtëzakonshëm. Në Luftën e Parë Botërore presidenti Wilson e udhëhoqi botën drejt fitores. Në Luftën e Dytë, FDR. Në Luftën e Ftohtë, Trumani. Dhe kësisoj, pyetja që sot shtrohet është nëse e ka Trumpi karakterin e nevojshëm për t’i udhëhequr SHBA-në dhe botën perëndimore në betejën e pestë për Euroazinë
Euroazia ka qenë prej kohësh teatri kyç i përplasjeve të fuqive të mëdha për kontrollin e botës. Ky kontinent është nikoqir i shumicës së popullsisë së botës, i burimeve ekonomike dhe i potencialit ushtarak. Ai shtrihet në katër oqeane, të cilat transportojnë mallra dhe ushtri në të gjithë botën. Një perandori që arrin të sundojë Euroazinë, e kontrollon botën. Kjo është edhe arsyeja përse katër herë në epokën moderne bota është tronditur nga betejat për Euroazinë.
Ambicia e Napoleon Bonapartit ishte që ta krijojë një Evropë të dominuar nga Franca, duke e kontrolluar në mënyrë efektive një pjesë të konsiderueshme të tokës dhe të burimeve të Euroazisë. Thelbi i konfliktit ishte lufta e Napoleonit me Britaninë për supremaci globale përmes bllokadës kontinentale që kishte për synim paralizimin e ekonomisë së Britanisë, duke ia mohuar asaj qasjen në tregjet evropiane.
Lufta e Parë Botërore ishte përsëri në thelb një luftë për kontroll dhe ndikim mbi Euroazinë. Konflikti lindi nga rrjeti kompleks i aleancave dhe i rivaliteteve perandorake midis fuqive evropiane, të gjitha duke u përpjekur t’i kontrollonin territorin, burimet dhe ndikimin në të gjithë kontinentin Euroaziatik dhe më gjerë. Ambicia e Gjermanisë për të krijuar një pozicion dominues në Evropën Qendrore e sfidoi drejtpërdrejt ekuilibrin ekzistues të fuqive evropiane, duke çuar në një konflikt global që e ndau botën në dy kampe të kundërshtarëve.
Lufta e Dytë Botërore ishte vazhdimësi e ndjekjes së ëndrrës për kontrollin e Euroazisë. Lufta u nxit nga synimi i Gjermanisë për pushtimin e të gjithë kontinentit Euroaziatik, politikat ekspansioniste të Japonisë në Azi dhe përpjekjet e Bashkimit Sovjetik për të siguruar kufijtë dhe ndikimin e saj. Kjo ishte një garë e drejtpërdrejtë për kontroll mbi territorin dhe mbi pasuritë euroaziatike. Betejat e zhvilluara në frontin lindor midis Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik ishin disa nga betejat tokësore më të mëdha dhe më të rëndësishme në histori, me rezultatin që përcaktonte se kush do ta kontrollonte Euroazinë. Lufta përfundoi me ndërhyrjen e SHBA-së, e cila po ashtu e kuptoi rëndësinë e Euroazisë dhe rëndësinë e evitimit të çfarëdo situate që e lejon ngritjen e një hegjemoni euroaziatik. Kjo ndërhyrje për përfundimin e luftës së nxehtë ishte njëkohësisht edhe fillimi i një lufte tjetër.
Lufta e Ftohtë ishte një luftë e zgjatur ideologjike dhe gjeopolitike për kontrollin e Euroazisë ndërmjet Shteteve të Bashkuara (me aleatët e tyre evropianë) dhe Bashkimit Sovjetik. Ndarja e Evropës nga “perdja e hekurt” ishte një manifestim fizik i kësaj lufte për kontroll mbi superkontinentin. Lufta në kontinentin euroaziatik qëndroi e ftohtë, por ajo u bë shumë e nxehtë në periferi të përplasjeve të dy superfuqive - në vendet sikur Koreja apo Vietnami. Pas gjysmë shekulli rezistencë, Bashkimi Sovjetik kolapsoi duke i dhënë jetë unipolaritetit të fuqisë amerikane apo “Pax Amerikanes”.
SHBA-ja bëri investime të mëdha për ta mbajtur Euroazinë në paqe, duke krijuar një rend të ri liberal që prodhoi rezultate historike. Nën udhëheqjen amerikane, bota demokratike ngriti institucione të reja ndërkombëtare që shërbyen për të fasilituar zgjidhjet e mosmarrëveshjeve në mënyrë paqësore. Rendi i ri i parandaloi agresionet e reja në Evropën Perëndimore dhe në Azinë Lindore dhe i zvogëloi tensionet e vjetra brenda këtyre teatrove. Në kuptimin ekonomik, tregtia e lirë dhe globalizimi u ofruan përfitime ekonomike të gjitha vendeve pjesëmarrëse dhe i frenoi impulset radikale dhe proteksioniste.
Por jo të gjithë ishin të kënaqur. Përderisa vendet, sikur Kina dhe Rusia, e përqafuan dhe përfituan ekonomikisht nga rendi i ri amerikan, ato njëkohësisht e perceptuan rendin e ri si kërcënim politik për ambiciet e tyre gjeopolitike. Kësisoj lindi realiteti i sotëm gjeopolitik. Dhe, përsëri, beteja kryesore për supremacinë globale po zhvillohet në Euroazi. Sot në të gjithë Euroazinë shohim konflikte të hapura. Në Evropë, pushtimi rus i Ukrainës është një përpjekje për ta rivendosur perandorinë e saj post-sovjetike dhe për të destabilizuar strukturën aktuale evropiane të sigurisë. Rusia po e zhvillon gjithashtu një fushatë të fshehtë sabotimi dhe destabilizimi politik në vendet kyç evropiane.
Në Lindjen e Mesme, një amalgamë interesash e shkaktoi një konflikt të shkurtër, por serioz, ndërmjet Iranit dhe mbështetësve të tij në një anë, dhe Izraelit dhe SHBA-së në anën tjetër. Ky konflikt është larg prej të përfunduarit. Tragjedia e Gazës çdo ditë e më shumë i afrohet gjenocidit.
Ndërkohë në Azinë Verilindore, Koreja e Veriut po i zgjeron programet e saj bërthamore dhe raketore. Pyongyangu synon ta përdorë këtë levë për ta prishur aleancën midis SHBA-së dhe Koresë së Jugut dhe për ta marrë kontrollin e gadishullit Korean.
Së fundmi, Kina po e synon fronin global. Po i frikëson fqinjët e saj në përpjekjen për ta krijuar një sferë të madhe ndikimi, të cilën udhëheqësi kinez, Xi Jinping, e ka quajtur “Azia për aziatikët”. Për ta bërë këtë realitet, Kina po përgatitet për një luftë të mundshme në Paqësorin Perëndimor, duke e ndërmarrë njërën prej modernizimeve më të mëdha ushtarake në historinë moderne.
Kësisoj, sot jemi në prag të betejës së pestë për kontrollin e Euroazisë. Dhe, përsëri, SHBA-ja është në epiqendër të mbrojtjes së rendit perëndimor. Bazuar në çdo parametër ushtarak, ekonomik dhe teknologjik, SHBA-ja zotëron supremaci materiale krahasuar me kundërshtarët e saj. Dhe përderisa SHBA-ja patjetër se ka resurse materiale për ta ruajtur rendin perëndimor, pyetja ngelet a e ka ajo sot karakterin e nevojshëm për fitore?
Para se të jenë beteja armësh dhe ekonomish, luftërat janë betejë karakteresh dhe të lidershipit. Në prag të çdo beteje të kaluar për kontrollin e Euroazisë, SHBA-ja ka qenë e bekuar me lidership të jashtëzakonshëm. Në Luftën e Parë Botërore presidenti Wilson e udhëhoqi botën drejt fitores. Në Luftën e Dytë, FDR. Në Luftën e Ftohtë, Trumani. Dhe kësisoj, pyetja që sot shtrohet është nëse e ka Trumpi karakterin e nevojshëm për t’i udhëhequr SHBA-në dhe botën perëndimore në betejën e pestë për Euroazinë. Vetëm koha do ta tregojë.