OpEd

BE-ja pranon se ka probleme të brendshme me demokracinë

Brenda një jave në BE ndodhën gjëra të pabesueshme. Parlamenti Evropian miratoi një raport ku konstatoi se një shtet anëtar, Hungaria, nuk është më “demokraci e plotë”. Komisioni Evropian miratoi aktin mbi mbrojtjen e lirisë së mediave, me qëllim të mbrojtjes së pluralizmit dhe pavarësisë editoriale. Të dielën Komisioni Evropian miratoi vendimin për të propozuar ngrirjen e mbi 7 miliardë eurove mjete financiare për Hungarinë, për shkak të problemeve me sundimin e ligjit. E gjithë kjo ndodhi pas fjalimit vjetor të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ku ajo pranoi se brenda saj BE-ja ka probleme me vlerat demokratike dhe se ato duhet të mbrohen dhe të promovohen në vendet e BE-së, përderisa BE-ja i afirmon ato tek vendet e treta

Bashkimi Evropian pa dyshim është suksesi më i madh i ndonjë procesi të integrimit që ka njohur njerëzimi. Është hera e parë që një union krijohet me vullnetin e lirë të popujve të lirë. Nuk është ndonjë perandori, e cila okupon territore dhe popuj dhe i detyron t’i nënshtrohen. Është një bashkim vullnetar bazuar në interesa të përbashkëta. I krijuar nga gjashtë shtete në mesin e shekullit të kaluar, sot numëron 27. Deri vonë i kishte 28. Se fjala është për union ku vendet me vullnetin e tyre bëhen pjesë dhe po me vullnetin e tyre mund edhe të largohen, dëshmon Brexiti, më saktësisht largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja.

Pikërisht pse ka qenë proces demokratik zgjerimi i BE-së, ka qenë edhe aq i suksesshëm. Edhe ato që nuk kanë dashur të jenë pjesë të BE-së, si Zvicra, Norvegjia dhe Islanda, edhe ato që nuk janë në Evropë si SHBA-ja, Japonia, Australia apo Kanadaja, pranojnë se Bashkimi Evropian promovon dhe mbron vlerat më të larta të demokracisë, mbrojtjes së gazetarëve, ruajtjes së mjedisit, lirive themelore dhe tregut të lirë me mundësi të barabarta. Për këto vlera është konsideruar kampione në botë.

Por tash BE-ja po e pranon se erozioni i demokracisë ka marrë përmasa aq të mëdha brenda bllokut sa është vënë në pikëpyetje nëse akoma Bashkimi Evropian e mban me meritë epitetin e një “unioni të vendeve plotësisht demokratike”.

Sado ironike të tingëllojë, Parlamenti Evropian është institucioni i parë i BE-së që vetë ka pranuar se në BE ka shtete të cilat më “nuk janë demokraci të plota”.

Brenda një jave në BE ndodhën gjëra të pabesueshme. Parlamenti Evropian miratoi një raport ku konstatoi se një shtet anëtar, Hungaria, nuk është më “demokraci e plotë”. Komisioni Evropian miratoi aktin mbi mbrojtjen e lirisë së mediave, me qëllim të mbrojtjes së pluralizmit dhe pavarësisë editoriale. Të dielën, Komisioni Evropian miratoi vendimin për të propozuar ngrirjen e mbi 7 miliardë eurove mjete financiare për Hungarinë, për shkak të problemeve me sundimin e ligjit. E gjithë kjo ndodhi pas fjalimit vjetor të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ku ajo pranoi se brenda saj BE-ja ka probleme me vlerat demokratike dhe se ato duhet të mbrohen dhe promovohen në vendet e BE-së, përderisa BE-ja i afirmon ato tek vendet e treta.

Hungaria është shembulli më i dukshëm i krisjes së unitetit të BE-së, jo vetëm sa i përket kuptimit dhe respektimit të vlerave themelore të përbashkëta, por edhe unitetit politik. Kur pretendohet në unitetin e botës së lirë në mbrojtjen e Ukrainës nga agresioni i Rusisë, Hungaria, sipas shumë diplomatëve dhe analistëve, është shndërruar në “kalë Troje” të Putinit në BE. Ky epitet i është dhënë edhe Serbisë, por ajo nuk është anëtare e BE-së. Për ironi, në ditën kur Parlamenti Evropian konstatoi se Qeveria e Viktor Orbanit e ka shndërruar shtetin në “autokraci elektorale”, që më nuk është “demokraci e plotë funksionale”, Orbani u dekorua me medalje të lartë nga Serbia, si nga shteti ashtu edhe nga Kisha Ortodokse Serbe. Kisha Ortodokse Serbe në ditën e njëjtë ka dekoruar edhe kriminelin e dënuar të luftës, Vojislav Sheshel. Ndërsa shteti i Serbisë ka ditur të dekorojë edhe diktatorë që janë të akuzuar për gjenocid, si liderin e Sudanit, Omar al-Bashir. Por akuzat për gjenocid ndaj Bashirit nga ana e Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Hagë nuk janë asgjë me “meritat e tij për Serbinë”, pasi ka refuzuar ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Anëtarësimi në BE është i vullnetshëm e jo i detyrueshëm. Por ata që duan me vullnetin e tyre të bëhen anëtarë, duhet edhe t’i përqafojnë dhe zbatojnë vlerat e përbashkëta. Dhe anëtarësimi duhet të jetë një zgjedhje strategjike e atyre që duan të bëhen anëtarë. Kjo ka qenë e vërtetë në fund të shekullit të kaluar, kur Hungaria nisi rrugën drejt BE-së dhe në fillim të shekullit të tashëm mbaroi me sukses negociatat dhe u bë anëtare. Por sikur sot Hungaria të ishte vend kandidat, me gjasë nuk do të mund të përmbyllte negociatat dhe të bëhej anëtare.

Do të ishte e padrejtë të kritikohet vetëm Hungaria. Ajo është demokraci dhe askush nuk e ka mohuar se Viktor Orban i ka fituar me meritë zgjedhjet e fundit shumë bindshëm. Sikur i ka fituar edhe Aleksandar Vuçiqi në Serbi. Nëse për Parlamentin Evropian Hungaria “nuk është demokraci e plotë”, çfarë është atëherë Serbia.

Ka shtete të cilat po “presin në radhë” për të pasur qeveri, të cilat deri tash janë konsideruar si “pari radikale që janë kundër vlerave të demokracisë”. Në Itali mund të vijnë në pushtet persona që me mburrje kanë mbajtur në bluzat e tyre fotot e Vladimir Putinit, të tillë që kanë qenë të financuar nga Rusia. Mund të vijnë në pushtet edhe njerëz që në të kaluarën kanë pasur qëndrime që janë parë si të afërta me ideologjinë fashiste. Italia është para një sfide të tillë. Dhe këto forca tash po gjejnë aleatë edhe te politikanët nga qendra.

E gjithë kjo po ndodh kur BE-ja edhe vetë pranon se as liria e mediave nuk mund të merret si diçka e garantuar vetvetiu. Në BE është rrezikuar liria e mediave, pavarësia editoriale. Mediat janë nën presione financiare, nën presione të rrjeteve sociale që janë bërë konkurrencë e padrejtë për gazetarinë profesionale. Nuk ka më as në BE transparencë të pronësisë së mediave. Nuk ka as transparencë të shpenzimeve shtetërore për shpallje dhe reklama, që janë mjet për presion dhe ndërhyrje politike ndaj mediave. Me fjalë të tjera, as BE-ja nuk është më çfarë ka qenë dikur. Ky është një dështim i kësaj gjenerate të politikanëve. A do të gjejnë guxim gjeneratat e tashme dhe të reja që ta nxjerrin BE-në nga ky qorrsokak, mbetet të shihet. Por me situatën e tashme, BE-ja gjithnjë e më pak mbetet shembulli më i mirë për të tjerët.