Zgjedhjet amerikane shihen më të rëndësishme për fatin e Evropës sesa konfirmimi i anëtarëve të Komisionit Evropian, që do ta udhëheqë BE-në në pesë vjetët e ardhshëm
Por për të nisur mandatin komisioni i ri duhet që secili komision përkatës parlamentar të konfirmojë kandidatët një nga një dhe në fund në seancë plenare Parlamenti Evropian konfirmon Komisionin Evropian në përbërje të plotë, pra si ekip. Prandaj kjo ngjarje që zhvillohet një herë në pesë vjet konsiderohet si zhvillimi më i rëndësishëm në Parlamentin Evropian. Ky institucion i BE-së kryesisht injorohet nga Komisioni, injorohet edhe më tepër nga vendet anëtare në Këshill, dhe nuk ka ndonjë fuqi të madhe. Por dy fuqitë më të mëdha janë pikërisht konfirmimi i komisionerëve të BE-së dhe miratimi i buxhetit të BE-së. Dhe këto Parlamenti i shfrytëzon për të treguar muskujt e tij. Për më shumë se 20 vjet nuk ka ndodhur që Parlamenti t’i konfirmojë që në dëgjimin dhe votimin e parë të gjithë kandidatët. Gjithmonë së paku një apo dy janë refuzuar. Dhe refuzimi është bërë mënyrë e shfaqjes së fuqisë së Parlamentit. A do të jetë ndryshe kësaj radhe është pyetja që bëhet këto ditë në Bruksel.
Ka pasur në javët e fundit një lobim shumë të madh nga presidentja e Komisionit Evropian, Von der Leyen, dhe nga grupimi më i madh partiak në Parlamentin Evropian, Partia Popullore Evropiane (EPP), që kësaj radhe do të dominojë fuqishëm në Komisionin Evropian, që të gjithë kandidatët të konfirmohen menjëherë dhe të mos ketë vonesa të reja në nisjen e mandatit të komisionit të ri. Nëse ndonjë kandidat nuk merr shumicën e nevojshme të votave, atëherë vendi nga i cili vjen ai duhet të dërgojë një kandidat të ri. Pastaj kandidati i ri duhet të kalojë përmes procedurës së njëjtë. Kjo mund të zgjasë në rastin më të mirë disa javë. Por mund të shndërrohet edhe në vonesa më të gjata. Dhe këtu tash BE-ja dëshiron të shfrytëzojë zgjedhjet amerikane si ndihmë. Thirrjet që kësaj radhe të mos ketë vonesa dhe që të mos e rrëzojë asnjë kandidat argumentohen me “gjendjen në botë” dhe “pa parashikueshmëria rreth raporteve të ardhshme me Amerikën”. “Në këto rrethana kur nuk e dimë se si do të sillet Amerika, kur kemi luftë në afërsi të BE-së, më së paku kemi nevojë për krizë institucionale që mund të shkaktojnë vonesat në konfirmimin e komisionit”, është porosia që më së shumti dëgjohet këto ditë në Bruksel.
Përderisa parlamentarët evropianë mund të ndiejnë presion që të mos jenë aq të ashpër ndaj kandidatëve për komisionerë, ata në anën tjetër do të duken si të dobët nëse nuk e rrëzojnë askënd. Do t’i bie që Parlamenti Evropian nuk ka rol të rëndësishëm, por vetëm duhet të vulosë atë që vendosin të tjerët. Dhe Parlamenti nuk dëshiron ta shikojë veten në atë mënyrë. Kjo bën që dy javët e ardhshme në Bruksel të kalojnë në ethe edhe rreth konfirmimit të komisionerëve, por edhe më shumë në pritje të numërimit të votave të amerikanëve.
Zgjedhjet amerikane shihen më të rëndësishme për fatin e Evropës sesa konfirmimi i anëtarëve të Komisionit Evropian që do ta udhëheqë BE-në në pesë vjetët e ardhshëm. BE-ja në njërën anë shpreson në fitoren e Kamala Harrisit, ndërsa në anën tjetër bëhet gati edhe për fitoren e mundshme të Donald Trumpit. Sfida për BE-në dhe për NATO-n do të ketë kushdo që të fitojë. Por së paku Harris do të ndjekë një politikë të kontinuitetit dhe nuk do të vërë në pikëpyetje as përkushtimin ndaj NATO-s si shtylla e sigurisë euroatlantike dhe do ta shohë BE-së para së gjithash si partnere e jo si konkurrente. Trump do të jetë i paparashikueshëm dhe kjo i shqetëson shumë evropianët. Por jo të gjithë. Nuk duhet harruar se në BE ka edhe të tillë që dëshirojnë haptas fitoren e Donald Trumpit.
Kushdo që të fitojë në zgjedhjet amerikane, sfidat për BE-në do të jenë brenda BE-së, po ashtu. Sepse BE-ja i ka Trumpat e vet. Ka liderë në BE që ndjekin një politikë populiste, që me thjeshtësi flasin për menaxhimin e migracionit, që për secilin problem fajin ua hedhin të huajve, dhe që kanë admirim për diktatorët dhe regjimet autoritare nëpër botë. Të tillët duan që Trumpi të fitojë edhe për shkak se besojnë se ai do të zvogëlonte ndihmën amerikane për Ukrainën, që do të çonte në zvogëlimin e ndihmës edhe nga BE-ja dhe do t’i ndihmonte Rusisë. Është fatkeqe që në BE të ketë liderë, dhe atë që vijnë nga vendet lindore, të cilat ishin nën diktaturën komuniste sovjetike, e që anojnë nga Putini dhe Rusia. Kjo dëshmon se ato që quhen “vlerat evropiane“ nuk janë më vlerat, të cilat përqafohen nga të gjithë.
Prandaj kur të mendojnë se si t’iu qasen raporteve me Amerikën pas zgjedhjeve presidenciale duhet të mendojnë edhe më shumë se si të përballen me populistët brenda Bashkimit Evropian. Trumpi në mandatin e parë nuk e shkatërroi as BE-në e as NATO-n. Nuk do ta bëjë këtë as në mandatin e dytë nëse e fiton. Por ajo që mund të dëmtojë NATO-n dhe BE-në janë ndasitë brenda tyre, që janë duke u thelluar gjithnjë e më shumë.
Kushdo që të fitojë në Amerikë, kurdo që të konfirmohet Komisioni i ri Evropian, na pret një fillim i ri. Edhe në punën e BE-së, edhe në raportet mes aleatëve në të dyja anët e Atlantikut.