OpEd

Bari i keq

Mbase do të duhej kujtuar se më 2021, vota e ndëshkimit ia dha VV-së shumicën absolute, të cilën kjo nuk diti ta materializonte sa prej mosdijes, aq për shkak të veprimit përbrenda sistemit të atyre njerëzve që politika i ka vendosur aty, jo për merita, por për interesa

Pas dy javësh pauze të detyruar, ngase e kishin konfiskuar, në “panagjyr” u rikthye “The boxer”. Për lexuesit që nuk janë të njohur me të, kjo është pajisje e sofistikuar që prodhon zhurmë konsistente dhe ritmike, varësisht se sa “vullnetarë” do të gjenden për t’ia mëshuar “dardhës”.

Pra, është kutia që mat fuqinë e goditjes me grusht, e cila sa herë qyteti shndërrohet në “panagjyr” të vërtetë, me kabinat e drurit të shpërndara gjithandej, është rekuizitë e cila nuk mund të mungojë.

Tash, shkrimin e kësaj kolumne po e bëj nën ritmin e pazëvendësueshëm të këtij aparati. E edhe të kakofonisë muzikore të një DJ-i të humbur në “sheshin” e Ramës dhe një adhuruesi i basit nga liqeni i dështuar, po ashtu i Ramës.

Edhe kjo kuti, e besoj, tregon shumë se çka nënkupton “dëfrim” për shoqërinë tonë.

* * *

Në adoleshencë, kam qenë dëshmitare e kohës kur “Radniçki” i Prishtinës (siç quhej klubi i boksit që më vonë ndërroi emrin në “Prishtina”) ishte shpallur madje pesë herë kampione e Jugosllavisë në boks, nën udhëheqjen e Lah Nimanit.

As atëherë, e as këtë herë, nuk mund ta pranoj se goditjet me grushte në trup e në kokë mund të quhen “shkathtësi bujare”. Për mua, sado që e respektoj zgjedhjen e secilit të merret me një sport, megjithatë, olimpik, boksi nuk paraqet më shumë sesa dhunë të kontrolluar me minuta.

E dhuna është një diçka së cilës duket se nuk mund t’i ikim, edhe pse vetë kemi qenë viktima të një dhune masive ndaj së cilës na nënshtruan gjatë historisë, e sidomos në periudhën e represionit që përfundoi me luftën më 1998/99.

Që nga çlirimi, nuk e di nëse është bërë një përpjekje për legalizimin e bartjes së armëve, duke e ditur se në Kosovë me siguri ka shumë më shumë armë të turli lloji, sesa ato që janë të regjistruara për t’u bartur me leje.

Po të hynte kush t’i shikonte aktgjykimet dënuese, kushedi sa arma do të dilte mes atyre që kryen ndonjë vepër tjetër penale. Vetë bartja e paautorizuar e armëve është vepër penale e dënueshme sipas nenit 366 (Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve) të Kodit penal të Kosovës, që thotë:

1. Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.

2. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni përfshin më shumë se katër (4) armë ose më shumë se katërqind (400) fishekë, kryesi dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet.

3. Arma në pronësi, kontroll apo posedim në kundërshtim të këtij neni konfiskohet.

Vetë formulimi i nenit 1 tregon joseriozitet në trajtimin e këtij problemi, sepse bëhet fjalë për dënim alternativ: ose me para ose me burg. Ai që ka para për të blerë armë, lehtë mund ta blejë edhe lirinë. E pas asaj edhe një armë tjetër.

* * *

Kështu, të dielën e shkuar ndodhi një vrasje e trefishtë në Gjilan, mu në qendër të qytetit dhe në afërsi të stacionit të Policisë. Një recidivist, në përcjellje të të bijve dhe të një personi të tretë, vrau në një lokal një argjendar të njohur në Gjilan dhe të birin e tij, si dhe një person të tretë që ishte ulur me ta. Një person i katërt, i plagosur rëndë, është ende në trajtim në QKUK.

Policia i identifikoi sulmuesit nëpërmjet kamerave të sigurisë përreth vendit ku ndodhi krimi, dhe menjëherë i shpalli në kërkim, duke ua bërë publike fotografitë.

I dyshuari kryesor, Mefail Shkodra, sipas prokurorit të rastit ishte njeri i njohur për drejtësinë. Në karrierën e tij kriminale i kishte kryer 13 vepra penale: prishja e rendit dhe qetësisë publike në dy raste; fajde në tri raste; mashtrim në një rast; kërcënim në tri raste; shantazh e ka një rast; detyrim në dy raste; pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal një rast, si dhe 31 kundërvajtje komunikacioni.

“I keni duart me gjak”, “Gjykata në shërbim të fajdexhive”, “Fajdexhia i fortë me gjykatës shumë”, “kriminelë me çekiq”, ishin grafitet, që me gjithë gabimet gjuhësore, aguan të nesërmen në kompleksin e gjykatës në Gjilan. Por doli që problemi mund të mos kishte qenë e kësaj gjykate, por e një tjetre. Sipas evidencës aty, Shkodra ishte dënuar tri herë në Gjilan dhe të tri dënimet i kishte mbajtur.

Për rastin e fundit, kur ishte arrestuar së bashku me njërin djalë për fajde dhe detyrim, kompetente kishte qenë Gjykata Themelore në Prishtinë.

Themelorja e Prishtinës u lajmërua një ditë pas vrasjes dhe sqaroi se Shkodra me të birin kishin qenë në paraburgim që nga 21 qershori 2024 dhe pas dy muajve, prokuroria kishte kërkuar zgjatjen paraburgimit edhe për dy muaj, ngase dyshoheshin edhe për dy vepra penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Por, ndodhi ndodhia.

Pak para se të skadonte edhe muaji i katërt i paraburgimit, Departamenti Special i Themelores mori propozimin nga Prokuroria Speciale e RSK për zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e dorëzanisë.

Dorëzania u caktua në 70 mijë euro (ndërkohë thuhej se dëmi i shkaktuar viktimës së fajdesë e kalonte gjysmëmilionëshin). Të paraburgosurve iu lejua që këtë shumë ta zëvendësonin me hipotekën mbi një patundshmëri. Dhe u lanë të lirë, ndërkohë që gjykimi për këtë rast, duket të mos jetë mbajtur fare, as një vit e fiu që nga burgosja e tyre.

Ka diçka të kalbur në sistemin e drejtësisë së Kosovës.

* * *

E tash, po të kishte sistem të mirëfilltë mbikëqyrjeje në gjyqësi, ashtu siç duket se ka, bile sipërfaqësisht në Polici, KPK-ja dhe KGJK-ja do të duheshin ndërmarrë masa disiplinore të menjëhershme.

Përderisa në Gjilan u suspenduan katër zyrtarë policorë (“Inspektorati Policor i Kosovës nisi një hetim paraprak nëse ka pasur ndonjë lëshim apo përfshirje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në veprimtarinë kriminale të të dyshuarit”), nga prokuroria a gjyqi nuk u dëgjua asnjë zë. Thuajse nuk ka ndodhur asnjë gjë.

U prononcua ministrja në detyrë e Drejtësisë dhe tha se ndërprerja e paraburgimit tregon problem serioz në trajtimin e rasteve nga institucionet e drejtësisë, pikërisht aty ku në thuajse pesë vjetët e fundit i dështoi njëri nga premtimet më të mëdha: vettingu. Se a bartin përgjegjësi politikanët? Pa dyshim se po, por jo të gjithë në të njëjtën masë.

I tillë do të mund të ishte edhe ish-ministri i Drejtësisë nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri, i cili në emër të partisë së tij doli dhe tha se “vrasjet e rënda të javës janë pasqyra më e qartë e dështimit të plotë të shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve, për shkak se pushteti në largim e ka vënë vendin në një gjendje alarmante të sigurisë, ku po mbretërojnë bandat kriminale të inkurajuara dhe mbrojtura nga vetë pushteti”.

Po ta kishte thënë këtë cilido njëri që kurrë nuk ka mbajtur pushtet në Kosovë, që nuk ka pasur gisht në emërimin e asnjë prokurori, a gjyqtari, a kryeprokurori shteti, a drejtori policie – edhe kisha mundur ta merrja këtë si argument të mirëqenë.

Porse, fjalitë e këtilla të eksponentit të një strukture që mbajti pushtetin në Kosovë gati një dekadë e gjysmë, sidomos pas pavarësisë e këndej, më së lehti mund t’i marr si përshkrim i paqëllimshëm i subjektit politik të cilit i takon.

Në këtë kontekst, mbase do të duhej kujtuar se më 2021, vota e ndëshkimit ia dha VV-së shumicën absolute, të cilën kjo nuk diti ta materializonte sa prej mosdijes, aq për shkak të veprimit përbrenda sistemit të atyre njerëzve që politika i ka vendosur aty, jo për merita, por për interesa.

Kjo çka po e përjetojmë tash është rezultat i asaj që është mbjellë që nga çlirimi e këndej. Bari i keq i shtrirë gjithandej nuk mund të hiqet pa iu shkulur rrënjët.

E shkulësi i rrënjëve ende s’u gjet.

[email protected]