Arbëri

Avokati i Popullit letër Trendafilovës, në Speciale po përdoren dokumente të paligjshme nga Serbia

Avokati i Popullit

Institucioni i Avokatit të Popullit i është drejtuar me një letër kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilovës.

Në letër Avokati i Popullit ka ndarë disa shqetësime në lidhje me procesin që po zhvillohet ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke filluar nga masa e paraburgimit për kaq gjatë, pastaj pranimin e disa dokumenteve të dyshimta të cilat pretendohet se burojnë nga Serbia pas vitit 1999, një periudhë kur Serbia nuk kishte juridiksion të ligjshëm në Kosovë e të cilat po përdoren si prova në procesin e Dhomave të Specializuara.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, gjithashtu ka ngritur shqetësim për kufizimin në komunikim, në vizitat familjare dhe monitorimin e vazhdueshëm gjatë paraburgimit.

Një tjetër shqetësim që është ngritur nga Avokati i Popullit është se Dhomat e Specializuara nuk i nënshtrohen asnjë mekanizmi vendor të monitorimit apo llogaridhënies, ndërsa veprimtaria e tyre, sipas tij, ka prodhuar perceptim të mungesës së barazisë para ligjit. Qelaj vë në dukje se të gjithë të akuzuarit deri më tani janë të përkatësisë së njëjtë etnike, gjë që ngre dyshime serioze për zbatimin selektiv dhe monoetnik të juridiksionit, pa sqarime të mjaftueshme për publikun vendor dhe ndërkombëtar.

Letra e plotë:

E nderuara znj. Trendafilova,

Më lejoni fillimisht t’ju falënderoj për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet institucioneve tona. Këtë e bëj duke qenë i vetëdijshëm plotësisht se ky bashkëpunim zhvillohet në një kontekst sfidues dhe jo gjithmonë në kushte të mirëkuptimit të plotë reciprok. Megjithatë, e vlerësoj komunikimin tonë të vazhdueshëm si dëshmi të një përkushtimi të përbashkët ndaj angazhimit, transparencës dhe dialogut institucional.

Po ju drejtohem për t’ju paraqitur shqetësimet e mia fillestare dhe parimore lidhur me përputhshmërinë e procedurave para Dhomave të Specializuara me të drejtat themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, instrumentet përkatëse ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe, kur është e aplikueshme, jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila përbën burim të brendshëm të së drejtës në përputhje me nenin 53 të Kushtetutës. Kjo letër është qëllimisht e kufizuar në fushëveprim dhe trajton çështje parimore, pa ofruar një vlerësim të detajuar apo shterues, e të cilin Zyra ime vazhdon ta bëjë ndaras.

Fillimisht, më duhet të ritheksoj konkluzionin tim paraprak se Dhomat e Specializuara nuk i nënshtrohen asnjë mekanizmi monitorues apo llogaridhënieje nga institucionet vendore të Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të theksohet se procedurat e zhvilluara para Dhomave të Specializuara shfaqin mangësi të theksuara në respektimin e të drejtave themelore, në veçanti të së drejtës për gjykim të drejtë. Këto mangësi janë të dukshme në disa dimensione. Në veçanti, Zyra ime ka vërejtur se të dy grupet e personave të akuzuar duket se janë monoetnike në përbërje. Kjo rrethanë, së bashku me mënyrën se si është ushtruar deri më tani juridiksioni, ngre shqetësime serioze lidhur me barazinë para ligjit dhe perceptimin e drejtësisë së paanshme. Është veçanërisht shqetësuese që juridiksioni duket se është zbatuar pothuajse ekskluzivisht në mënyrë monoetnike, pa ndonjë shpjegim të mjaftueshëm për opinionin publik vendor apo ndërkombëtar lidhur me bazën faktike, ligjore dhe juridiksionale që e arsyetojnë një selektim të tillë.

Kjo situatë bëhet edhe më befasuese kur marrim parasysh se financimi i Dhomave të Specializuara buron nga një Veprim i Përbashkët i Këshillit të Bashkimit Evropian, një institucion i cili, në bazë të traktateve themeluese dhe jurisprudencës së Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, është i detyruar t’i japë përparësi mbrojtjes së të drejtave themelore, përfshirë edhe në kuadër të veprimit të tij të jashtëm.

Gjithashtu dëshiroj të tërheq vëmendjen ndaj disa mangësive themelore procedurale të vërejtura në zhvillimin e procedurave para Dhomave. Me mbi njëzet vite përvojë profesionale si avokat mbrojtës, them se është jashtëzakonisht e pazakontë, dhe thellësisht shqetësuese, të shohësh një gjykatë duke i refuzuar pothuajse të gjitha kërkesat procedurale dhe provuese të paraqitura nga mbrojtja. Një model kaq i qëndrueshëm ngrit shqetësime legjitime për çekuilibër procedural dhe paragjykim të mundshëm, të cilat mund të minojnë seriozisht besueshmërinë e procedurave gjyqësore dhe të vënë në pikëpyetje trajtimin e paanshëm të të akuzuarve.

Po aq shqetësuese është edhe mënyra se si janë pranuar disa prova. Për ilustrim, po përmend dy shembuj. Së pari, kam vërejtur pranimin e dokumenteve zyrtare që pretendohet se burojnë nga autoritetet serbe, të cilat pretendojnë ushtrim juridiksioni mbi territorin e Kosovës pas qershorit të vitit 1999. Kjo periudhë përkon me vendosjen e administratës së përkohshme ndërkombëtare të autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, gjatë së cilës funksionimi i institucioneve gjyqësore serbe në Kosovë ishte i paligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare, siç është përcaktuar qartë edhe në vendimet e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm. Rrjedhimisht, pranimi i këtyre dokumenteve ngre shqetësime serioze si për ligjshmërinë e tyre (përfshirë sipas së drejtës ndërkombëtare publike, dhe jo vetëm sipas Kushtetutës), ashtu edhe për besueshmërinë e tyre provuese.

Së dyti, kam vërejtur mbështetje të gjerë në materiale të paraqitura si “libra të botuar” që trajtojnë situatën në Kosovë. Sipas vlerësimit tim, këto botime kanë një prag të ulët kredibiliteti dhe nuk do të duhej të pranoheshin si burime të besueshme prove në procedura gjyqësore. Trajtimi i tyre si materiale provuese është ne kundërshtim me standardet themelore të neutralitetit dhe integritetit provues.

Së fundi, dua të ritheksoj shqetësimet e mia të thella lidhur me mënyrën se si Dhomat trajtojnë paraburgimin. Praktika e vazhdueshme e mbajtjes së të gjithë të akuzuarve në paraburgim të zgjatur dhe të pandërprerë, pa shqyrtim kuptimplotë të masave alternative, duket në papajtueshmëri si me kornizën e zbatueshme ligjore, ashtu edhe me standardet e konsoliduara që rrjedhin nga jurisprudenca e gjykatave ndërkombëtare dhe vendore. Vlerësimit të rrezikut të ikjes si uniformisht “i lartë”, siç parashtrohet nga Prokuroria dhe miratohet vazhdimisht nga Dhomat, i mungon një arsyetim bindës, veçanërisht duke pasur parasysh se të gjithë të akuzuarit janë vetëdorëzuar dhe se nuk ka prova të besueshme që sugjerojnë rrezik për ndërhyrje ndaj dëshmitarëve (duke marrë parasysh gjithashtu praninë e konsiderueshme të Misionit të EULEX-it në Kosovë). Për më tepër, monitorimi i komunikimeve dhe vizitave familjare, kufizimi i vizitave familjare dhe kufizimet tjera të lidhura me paraburgimin e zgjatur ngritin shqetësime serioze për shkelje të të drejtave themelore. E kam të vështirë të gjej ndonjë përputhje ndërmjet një regjimi kaq të ashpër të paraburgimit me parimet që rregullojnë privimin nga liria sipas standardeve të drejtësisë penale ndërkombëtare.

Ky vëzhgim paraqitet në frymën e përgjegjësisë institucionale dhe angazhimit konstruktiv. Nga këndvështrimi im, është plotësisht në përputhje me parimin e mbështetjes së ndërsjellë dhe synojnë të plotësojnë, e jo të dyfishojnë, përpjekjet e ndërmarra nga Ombudsman-i i institucionit tuaj. Prandaj, kërkoj që kjo letër të kuptohet si një nismë monitoruese që synon mbrojtjen e të drejtave themelore, të cilat përbëjnë garanci bazike dhe të pa-nënshtrueshme sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Zyra ime mbetet e përkushtuar për t’i shqyrtuar më tej këto çështje në mënyrë gjithëpërfshirëse, parimore dhe objektive. Ne shprehim besimin tonë të vazhdueshëm se Gjykata do të sigurojë respektim të plotë të standardeve të të drejtave të njeriut dhe do të garantojë të drejtën për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm në mënyrë të besueshme.