Festim Rizanaj
Gjatë zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025, subjekti politik serb, Lista Serbe, fitoi 9 nga 10 komunat me shumicë serbe. Por mënyra se si Serbia dhe Rusia e kornizuan këtë proces zgjedhor, si dhe fitoren e Listës Serbe, doli përtej dimensionit lokal. Në vend që të trajtoheshin si zgjedhje komunale, ato u paraqitën si një betejë për mbijetesë kombëtare, një luftë midis protagonistëve “mbrojtës” të popullit serb dhe antagonistëve “shtypës” shqiptarë. Përmes një fushate të koordinuar mediatike, Beogradi dhe Moska krijuan një narrativë që i dha ngjarjes përmasa të një referendumi simbolik për legjitimitetin e Serbisë në Kosovë.
Në këtë skenar mediatik dhe politik, Lista Serbe (LS) u pozicionua si forca e vetme mbrojtëse dhe protagonisti absolut. Qëllimi kryesor i fushatës së LS-së ishte “rikthimi i kontrollit serb” mbi komunat me shumicë serbe, ndërsa vota për këtë subjekt u interpretua si një “akt rezistence kombëtare ndaj represionit” dhe si “votë për të ardhmen, për ruajtjen e komunitetit serb”. Lideri i LS-së, Zlatan Elek, e përshkroi procesin si “betejë për mbijetesën e popullit serb në Kosovë”, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me politikën e Beogradit dhe rolin e Aleksandar Vuçiqit si figurë mbrojtëse.
Në këtë narrativë, Beogradi u vendos në qendër si garancia e vetme e ekzistencës së komunitetit serb në Kosovë. Për të legjitimuar këtë qëndrim, udhëheqësit serbë u shfaqën si garantuesit e vetëm të këtij misioni politik dhe kombëtar. Presidenti Aleksandar Vuçiq e cilësoi Listën Serbe si “të vetmen që mbron interesat e popullit serb”, duke e shndërruar fushatën zgjedhore në një projekt të mbijetesës identitare. Ai e lidhte drejtpërdrejt pjesëmarrjen në votim me “të ardhmen e serbëve në Kosovë”, ndërsa premtimet për hapjen e qindra vendeve të reja pune dhe ndihmën financiare ndaj komunave serbe u përdorën si mjete mobilizimi elektoral. Petar Petkoviq, drejtori i Zyrës për Kosovën, shkoi më tej, duke e përshkruar procesin si “çështje gjithëkombëtare” dhe duke bërë thirrje për bashkim “nën një flamur të vetëm serb”, duke theksuar se Beogradi “nuk po ndërhyn në zgjedhjet lokale, sepse Kosova është Serbi”.
Në anën tjetër të kësaj kornize dramatike, Albin Kurti dhe institucionet e Kosovës u portretizuan në mënyrë të qëndrueshme si antagonistët kryesorë. Ata u akuzuan si burim i “terrorit”, “diskriminimit”, “represionit” dhe “provokimeve të qëllimshme” kundër serbëve. Narrativa e viktimizimit ishte shtylla kryesore e këtij diskursi: mediat serbe dhe ruse pretenduan se zgjedhjet po zhvilloheshin nën “presion institucional” dhe “censurë nga Prishtina zyrtare”. Akuzat përfshinin pengimin e akreditimit të mediave serbe, ndalimin e spoteve zgjedhore, heqjen e mbishkrimeve në cirilikë, si dhe “rrezikun e ndryshimit etnik” përmes regjistrimeve të reja të votuesve shqiptarë. Petkoviq e portretizoi Kurtin si nismëtar të një politike “pa serbë, pa probleme”, duke e paraqitur procesin si përpjekje për dëbimin gradual të serbëve nga veriu.
Në këtë atmosferë, korniza e “aparteidit institucional” u bë një prej metaforave më të fuqishme të propagandës serbe. Politikanë dhe analistë akuzuan Kurtin për “sundim me 3% mbi 97% serbë”, duke e quajtur këtë një formë të “aparteidit modern”. Kjo gjuhë u përdor për të krijuar kontrast midis “dhunuesit institucional” dhe “popullit të robëruar”, duke i dhënë fitores së Listës Serbe kuptimin e një akti çlirimi, jo vetëm elektoral, por edhe moral.
Ky kornizim nuk mbeti brenda kufijve të politikës lokale, por u përdor si mekanizëm i fuqishëm për ndërtimin e një narrative gjeopolitike. Në këtë linjë, fushata e mediave ruse – RT Balkan dhe Sputnik Serbia – theksoi nocione si “uzurpimi i pushtetit” nga kryetarët shqiptarë dhe “terrori institucional” ndaj serbëve. Kjo u pasua nga diplomacia zyrtare ruse: më 17 tetor 2025, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, deklaroi se zgjedhjet ishin zhvilluar “nën presion të madh” dhe se fitorja e LS-së përbënte “hap të rëndësishëm për rikthimin e kontrollit në komunat veriore”. Kjo strategji e sinkronizuar media–diplomaci e pozicionoi Moskën si mbështetëse të palëkundur të Beogradit dhe e përdori procesin zgjedhor lokal për të legjitimuar sfidën ndaj sovranitetit të Kosovës.
Krahas këtyre përpjekjeve diplomatike, aparati mediatik rus luajti rolin e megafonit për narrativat serbe. Sputnik Serbia (43 artikuj) dhe RT Balkan (31 artikuj) prodhuan një fluks të qëndrueshëm përmbajtjesh midis 13 shtatorit dhe 15 tetorit 2025, duke e kthyer fushatën zgjedhore në një sagë të “shpëtimit kombëtar”. Fitorja e Listës Serbe në nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe u shpall si “çlirimi i komunave të uzurpuara” dhe si “shfuqizim i aparteidit të Kurtit”. Mediat serbe përdorën fraza të tilla si “fitore e lapsit kundër dhunës” për të dramatizuar procesin dhe për ta paraqitur atë si triumf të unitetit serb ndaj politikës “represive të Prishtinës”.
Në këtë narrativë, Beogradi dhe Vuçiqi u paraqitën si garantues të mbijetesës së serbëve në Kosovë, ndërsa Kurti si simbol i shtypjes dhe terrorit institucional. Kjo ndarje e qartë protagonistësh dhe antagonistësh shërbeu si një instrument i fuqishëm për të kanalizuar ndjenjat kombëtare dhe për të forcuar lidhjen emocionale të komunitetit serb me Serbinë. Për më tepër, kjo strategji ndihmoi Beogradin dhe Moskën të projektojnë ndikimin e tyre në rajon, duke e përdorur procesin zgjedhor lokal si arenë për legjitimimin e politikave të tyre ndaj Kosovës.
(Autori është hulumtues në “hibrid.info”)