Sa herë që takoja presidentin Xi Jinping gjatë kohës si kryeministër, e vendosa gjithmonë si rregull t’i përcillja qartë se ai nuk duhet të gjykonte gabim qëllimin e Japonisë për t’i mbrojtur ishujt Senkaku dhe se qëllimet e Japonisë ishin të palëkundura. Tragjedia njerëzore që ka ndodhur në Ukrainë na ka dhënë një mësim të hidhur. Nuk duhet të ketë më vend për dyshim në vendosmërinë tonë në lidhje me Tajvanin dhe në vendosmërinë tonë për t’i mbrojtur lirinë, demokracinë, të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës
Pushtimi rus i Ukrainës u ka kujtuar shumë njerëzve marrëdhëniet e tensionuara mes Kinës dhe Tajvanit. Mirëpo, teksa ka ngjashmëri mes situatës në Ukrainë dhe Tajvan, ka edhe dallime të rëndësishme.
Ngjashmëria e parë është se ekziston hendeku shumë i madh i fuqisë ushtarake midis Tajvanit dhe Kinës, ashtu siç ishte midis Ukrainës dhe Rusisë. Për më tepër, ky hendek po rritet çdo vit.
Së dyti, as Ukraina e as Tajvani nuk kanë aleatë zyrtarë ushtarakë. Të dyja vendet janë të detyruara të përballen vetëm me kërcënimet ose sulmet.
Së treti, për shkak se Rusia dhe Kina janë anëtare të përhershme dhe me veto të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, funksioni i ndërmjetësimit të OKB-së nuk mund të mbështetet për konfliktet në të cilat ato janë të përfshira. Ky ka qenë rasti me sulmin aktual rus ndaj Ukrainës, dhe do të ishte gjithashtu rasti në çdo krizë mbi Tajvanin.
Mirëpo, situata rreth Tajvanit është edhe më e pakëndshme. Derisa Tajvani nuk ka aleatë, ai e ka Aktin e Marrëdhënieve me Tajvanin, një ligj i vitit 1979 i SHBA-së që kërkon nga Shtetet e Bashkuara t’i ofrojnë Tajvanit pajisjet dhe furnizimet ushtarake “të nevojshme për t’i mundësuar Tajvanit të ketë kapacitet të mjaftueshëm vetëmbrojtës”. Ky ligj ka funksionuar si formë kompensimi për mosgatishmërinë e Amerikës për të thënë në mënyrë eksplicite se do ta “mbrojë Tajvanin” nëse sulmohet. Marrëveshja tani duhet të ndryshojë.
Edhe
Pushtimi i Ukrainës reformoi aleancat, por nxiti frikën
Në përgjigje të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, SHBA-ja ka deklaruar herët se nuk do t’i vendoste trupat e saj në mbrojtjen e Ukrainës. Mirëpo, kur bëhet fjalë për Tajvanin, SHBA-ja ka adoptuar një politikë të paqartësisë strategjike. Kjo është pika e dytë e dallimit: mbetet e paqartë nëse SHBA-ja do të ndërhynte me forcë në ndonjë krizë që do ta përfshinte Tajvanin.
Për shkak se SHBA-ja preferon ta lërë të papërcaktuar pozicionin e saj se si do t’i përgjigjej një sulmi ndaj Tajvanit, Kina, të paktën deri më tani, është dekurajuar nga aventurizmi ushtarak. Kjo është kështu ngaqë sundimtarët e Kinës duhet të japin llogari për mundësinë që SHBA-ja të ndërhynte vërtet ushtarakisht. Në të njëjtën kohë, paqartësia e SHBA-së e ka detyruar Tajvanin ta shqyrtojë mundësinë që SHBA-ja të mos ndërhyjë ushtarakisht dhe kjo i ka penguar grupet radikale pro-pavarësisë në ishull.
SHBA-ja e ka ruajtur politikën e saj të përballur me Janusin për dekada. Mirëpo, dallimi i tretë, më i rëndësishmi mes Ukrainës dhe Tajvanit bën me dije fuqishëm që është koha që SHBA-ja ta rishqyrtojë qasjen e saj. E thënë thjesht, derisa Ukraina është shtet i pavarur përtej çdo dyshimi, Tajvani nuk është.
Pushtimi i Rusisë nuk është vetëm një shkelje e armatosur e sovranitetit territorial të Ukrainës, mirëpo edhe një përpjekje për ta rrëzuar qeverinë e një shteti sovran me raketa e predha. Në këtë pikë, nuk ka asnjë polemikë në bashkësinë ndërkombëtare për interpretimin e së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së. Teksa shkalla në të cilën vendet marrin pjesë në sanksionet kundër Rusisë ka ndryshuar, asnjë vend nuk ka pretenduar se Rusia nuk është në shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar.
Në të kundërtën, Kina pretendon se Tajvani “është pjesë e vendit të vet” dhe pozicioni i SHBA-së dhe Japonisë është respektimi i këtij pretendimi. As Japonia dhe as SHBA-ja nuk kanë marrëdhënie zyrtare diplomatike me Tajvanin, kurse shumica e vendeve në mbarë botën nuk e njohin Tajvanin si shtet sovran. Ndryshe nga Ukraina, udhëheqësit kinezë mund të pretendojnë se çdo pushtim i Tajvanit që Kina fillon, është i nevojshëm për t’i shtypur aktivitetet antiqeveritare në një nga rajonet e saj dhe se akte të tilla nuk do ta shkelin ligjin ndërkombëtar.
Kur Rusia e aneksoi Krimenë, bashkësia ndërkombëtare përfundimisht u pajtua, ani pse Rusia e kishte shkelur sovranitetin e Ukrainës. Duke e pasur parasysh këtë precedent, nuk është për t’u habitur që liderët kinezë mund të presin që bota të jetë më tolerante në rast se edhe ata adoptojnë logjikën e nënshtrimit “rajonal” – dhe jo kombëtar.
Kjo logjikë e ka bërë të paqëndrueshme paqartësinë strategjike. Politika e paqartësisë funksionoi jashtëzakonisht mirë për sa kohë që SHBA-ja ishte mjaft e fortë për ta mbajtur atë dhe për sa kohë që Kina ishte shumë inferiore ndaj SHBA-së në fuqinë ushtarake. Ama, ato ditë kanë mbaruar. Politika e paqartësisë së SHBA-së ndaj Tajvanit tani po nxit paqëndrueshmëri në rajonin Indo-Paqësor, duke e inkurajuar Kinën ta nënvlerësojë vendosmërinë e SHBA-së, ndërkohë që e bën Qeverinë në Taipei në ankth të panevojshëm.
Duke pasur parasysh ndryshimin e rrethanave që nga miratimi i politikës së paqartësisë strategjike, SHBA-ja duhet të lëshojë një deklaratë që nuk është e hapur për keqinterpretim apo interpretime të shumëfishta. Ka ardhur koha që SHBA-ja ta bëjë të qartë se do ta mbrojë Tajvanin kundër çdo përpjekjeje për pushtim kinez.
Edhe
Xi pritet t’i kërkojë Trumpit ndalimin e shitjeve të armëve për Tajvanin
Sa herë që takoja presidentin Xi Jinping gjatë kohës si kryeministër, e vendosa gjithmonë si rregull t’i përcillja qartë se ai nuk duhet të gjykonte gabim qëllimin e Japonisë për t’i mbrojtur ishujt Senkaku dhe se qëllimet e Japonisë ishin të palëkundura. Tragjedia njerëzore që ka ndodhur në Ukrainë na ka dhënë një mësim të hidhur. Nuk duhet të ketë më vend për dyshim në vendosmërinë tonë në lidhje me Tajvanin dhe në vendosmërinë tonë për t’i mbrojtur lirinë, demokracinë, të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës.
(Autori, kryeministër i Japonisë gjatë viteve 2006-07 dhe 2012-2020. Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).