Teksa Kombet e Bashkuara po e festojnë 80-vjetorin e tyre – dhe teksa kanë mbetur edhe pesë vjet për t’i jetësuar Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) – ka ardhur koha që ato ta përmbushin vizionin e tyre për “të mos e lënë askënd prapa” dhe për të qenë “më të mirë së bashku”, duke e përfshirë edhe Tajvanin. Tajvani fton botën që “të bashkohet” dhe të ndihmojë, duke ia njohur Tajvanit vendin e merituar në skenën botërore dhe duke i përqafuar kontributet që ai ka për t’i ofruar. Vetëm duke punuar së bashku ne mund të krijojmë një të ardhme më të mirë dhe më të ndritur për rajonin e Indo-Paqësorit dhe për mbarë botën
Lin Chia-lung
Sot bota po ballafaqohet me pasiguri dhe sfida në rritje – nisur nga konfliktet e zgjatura dhe rënia e demokracisë deri te shtrëngimi ekonomik dhe fushatat e dezinformimit. Regjimet autoritare përherë e më shumë po përdorin taktika të “zonës gri” që e minojnë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Në këtë mjedis global të brishtë, paqja nuk mund të merret si e mirëqenë. Demokracitë duhet të bashkohen për ta forcuar qëndrueshmërinë dhe për t’i mbrojtur vlerat dhe mënyrën tonë të jetesës.
Tajvani është akter kyç dhe partner i domosdoshëm në rajonin Indo-Paqësor, që punon për paqen, stabilitetin dhe mirëqenien globale. Ai qëndron në vijën e parë të zinxhirit të ishujve të parë të Indo-Paqësorit, duke i mbrojtur demokracinë dhe lirinë nga ekspansionizmi autoritar. Tajvani gjithashtu kontribuon theksueshëm për stabilitetin dhe mirëqenien nëpërmjet ekonomisë së tij të fuqishme dhe ekosistemit të gjysmëpërçuesve. Si ekonomia e 21-të më e madhe në botë, Tajvani udhëheq në fushën e inteligjencës artificiale dhe të gjysmëpërçuesve – duke prodhuar mbi 60 për qind të çipave të botës dhe 90 për qind të atyre më të avancuarve. Kjo forcë ekonomike nxit rritjen globale dhe e bën Tajvanin partner të pazëvendësueshëm për zhvillimin global në fusha të ndryshme.
Tajvani është i vendosur t’i mbrojë vlerat demokratike, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Presidenti Lai Ching-te e lansoi vitin e kaluar planin e veprimit “Katër shtyllat e paqes”, i cili angazhohet për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje dhe për forcimin e qëndrueshmërisë në të gjitha nivelet e shoqërisë. Tajvani nuk kërkon konflikt me Kinën dhe nuk do ta provokojë atë. Përkundrazi, Tajvani e nxit Pekinin që ta vazhdojë dialogun mbi bazën e barazisë dhe dinjitetit.
Për më tepër, Ministria e Punëve të Jashtme e ka adoptuar “Diplomacinë e integruar” për të shfrytëzuar fuqitë diplomatike, mbrojtëse, teknologjike dhe ekonomike të Tajvanit. Me këtë qasje të “fuqisë së mençur”, Tajvani po i orienton me kujdes marrëdhëniet ndërkombëtare komplekse, po e rrit praninë e tij globale dhe po kontribuon për një botë më të qëndrueshme dhe më të begatë.
Nëpërmjet zinxhirit të vlerave demokratike globale, Tajvani po e forcon partneritetin me demokracitë që përballen me rreziqe të paqarta gjeopolitike për t’i rezistuar ndikimit autoritar, për t’i promovuar të drejtat e njeriut, për ta avancuar qeverisjen digjitale dhe për ta mbrojtur rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Qëndrueshmëria e Tajvanit karshi kërcënimeve autoritare dëshmon se demokracia mund të mbijetojë dhe të lulëzojë edhe nën presion.
Edhe
Tajvani thotë se Kina po forcon kontrollin ajror dhe detar përreth tij
Si një fuqi e zhvilluar ekonomike, Tajvani udhëheq në prodhimin e gjysmëpërçuesve dhe të teknologjive të avancuara. Pikat e tij të forta ekonomike i nxisin inovacionin dhe rritjen në sektorë të Inteligjencës Artificiale, digjitalizimit dhe kujdesit shëndetësor. Për të forcuar këtë pozitë, Tajvani e ka lansuar një strategji të diplomacisë ekonomike, të përqendruar në zinxhirë furnizimi jo të lidhur me Kinën, në synimin për të ndërtuar rrjete të besueshme dhe transparente që i mbrojnë industritë kritike nga ndërhyrja autoritare.
Tajvani njashtu e avancon aktivisht Projektin e Mirëqenies për Aleatët Diplomatikë, duke e përdorur bashkëpunimin publik-privat për t’i konsoliduar burimet qeveritare dhe për t’i shfrytëzuar pikat e forta industriale të Tajvanit për zhvillim të ndërsjellë, të dobishëm. Iniciativat përfshijnë bashkëpunimin me Paraguain për zhvillimin e një sistemi të integruar informativ për spitalet (HIS) për menaxhimin e të dhënave mjekësore në nivel kombëtar; partneritetin me Eswatinin në një projekt të rezervave të naftës për ta forcuar sigurinë energjetike dhe për ta nxitur industrinë vendore; dhe ndihmën për Palaun që t’u bërë komb ishullor i zgjuar dhe i qëndrueshëm për ta dëshmuar përkushtimin e Tajvanit për bashkëpunim ndërkombëtar të qëndrueshëm.
Fatkeqësisht, me gjithë kontributin e rëndësishëm global të Tajvanit, ai mbetet kryesisht i panjohur nga komuniteti ndërkombëtar dhe nuk është në gjendje që të marrë pjesë në sistemin e Kombeve të Bashkuara. Përjashtimi i pajustifikuar i Tajvanit buron nga keqinterpretimi i qëllimshëm i Rezolutës 2758 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nga ana e Kinës. Kjo rezolutë lidhet gabimisht me të ashtuquajturin “parim të një Kine” dhe vazhdon të shfrytëzohet padrejtësisht për ta bllokuar pjesëmarrjen e Tajvanit.
Megjithëkëtë Rezoluta 2758 e OKB-së nuk e përmend fare Tajvanin – ajo e adreson vetëm përfaqësimin e Kinës në Kombet e Bashkuara. Kjo rezolutë nuk cek se Tajvani është pjesë e Republikës Popullore të Kinës (RPK) dhe as nuk ia jep të drejtën RPK-së që ta përfaqësojë Tajvanin në sistemin e OKB-së. Megjithëkëtë Kombet e Bashkuara i janë nënshtruar presionit politik të Kinës, duke e përdorur këtë rezolutë si pretekst për ta përjashtuar Tajvanin nga komuniteti ndërkombëtar.
Si përgjigje Tajvani po e ngre zërin kundër kësaj padrejtësie dhe po përfiton përherë e më shumë mbështetje. Përderisa mbështetja ndërkombëtare për Tajvanin po rritet, vendet anembanë botës gjithnjë e më shumë po e spikasin rëndësinë e paqes dhe stabilitetit përgjatë Ngushticës së Tajvanit nëpër forume dypalëshe dhe shumëpalëshe, si samiti i G7-s. Ndërkaq degët ekzekutive dhe legjislative të shumë vendeve publikisht kanë sqaruar se Rezoluta 2758 e OKB-së as nuk e përcakton statusin e Tajvanit dhe as nuk e pengon pjesëmarrjen e tij në organizatat ndërkombëtare, përfshirë sistemin e OKB-së.
Teksa Kombet e Bashkuara po e festojnë 80-vjetorin e tyre – dhe teksa kanë mbetur edhe pesë vjet për t’i jetësuar Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) – ka ardhur koha që ato ta përmbushin vizionin e tyre për “të mos e lënë askënd prapa” dhe për të qenë “më të mirë së bashku”, duke e përfshirë edhe Tajvanin.
Edhe
Trumpi paralajmëron se do ta thyejë protokollin 47-vjeçar në lidhje me Tajvanin
Tajvani fton botën që “të bashkohet” dhe të ndihmojë, duke ia njohur Tajvanit vendin e merituar në skenën botërore dhe duke i përqafuar kontributet që ai ka për t’i ofruar. Vetëm duke punuar së bashku ne mund të krijojmë një të ardhme më të mirë dhe më të ndritur për rajonin e Indo-Paqësorit dhe për mbarë botën.
(Autori është ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kinës (Tajvani))