Mirë është që ekziston një arkiv që e shpalos natyrën e politikës kosovare: “Bëje si them unë, e jo çka bëj unë”, e cila politikë vishet me ngjyrat e partisë fituese me numra relativë, që kur është në pushtet, përpiqet t’ia zgjasë vetes pushtetin edhe për sado mandate që mundet, pa u brengosur fare se sa dëm i shkakton një shoqërie të tërë me papërgjegjësinë e vet politike
“Glauk Konjufca, kryetar i grupit parlamentar të LVV-së, ka thënë në Kuvend se strategjia e PAN-it konsiston në qëllimin për të marrë sa më shumë kohë, që t’iu qasen veç e veç deputetëve, të cilëve ata ua kanë mësyrë, për t’ua ndërruar qëndrimin politik dhe që t’i bindin për të votuar për Kadri Veselin ose edhe për Qeverinë Haradinaj.
‘Kjo është e papranueshme me standardet e demokracisë. Kjo është shkelje e rëndë e demokracisë. Të mbahen peng institucionet për shkak të një emri dhe të blihet sa më shumë kohë që t’i takojnë deputetë të caktuar kafeneve që me presion e shantazh t’i bindin ata për ta votuar një kryetar të papëlqyeshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës’, ka thënë Konjufca.
‘Ne e dënojmë këtë praktikë. Kjo praktikë nuk duhet të zërë vend në një shtet që i thotë vetes demokratik dhe rregullimi i të cilit është një demokraci parlamentare’. Ai ka thënë se deputetët që po marrin pjesë në seancën konstitutive angazhohen për themelimin sa më të shpejtë të legjislaturës së gjashtë, sipas rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit. Po kështu, e ka ftuar PAN-in që ta ndërpresë bojkotin e seancës konstitutive dhe që ta propozojë kandidatin për kryetar të ardhshëm të Kuvendit”.
(KOHA Ditore, 10 gusht 2017)
“Insistimi i koalicionit PDK-AAK-Nisma që me çdo kusht ta zgjedhë në krye të Kuvendit Kadri Veselin mund të çojë në bllokadë institucionale. Kjo pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014, përkitazi me kryeparlamentarin, nuk e specifikon nëse kandidati që nuk merr votat e mjaftueshme herën e parë, nuk mund të kandidojë sërish. Kushtetuesja vetëm ka obliguar që kandidati duhet të propozohet prej koalicionit fitues. Edhe pse nuk e kanë zyrtarizuar emrin e Veselit, bashkëpartiakë të tij kanë thënë se ai do të jetë kandidati i vetëm për kryeparlamentar”.
“’Në konstituimin e Kuvendit, të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë si të dëshirojnë, në mënyrë të hapur ose të fshehtë, të votojnë për, kundër ose të abstenojnë, dhe nuk mund të Iirohen nga të vepruarit kështu’, shkruan në vendim.
Por rregullat e Kuvendit kanë paparaparë edhe mundësinë e mungesës së deputetëve në seancën konstituive, pasi ka dhënë mundësinë që betimi të bëhet në seancën e radhës në të cilën deputeti merr pjesë. Po ashtu, këto rregulla parashohin edhe mungesën e deputetëve në Kuvend për një periudhë prej gjashtë muaj pa arsye”.
(KOHA Ditore, 28 korrik 2017)
“Pas gati tre muajsh bllokimi politik në kërkim të numrave, koalicioni PDK-AAK Nisma (PAN) arriti të sigurojë shumicën e brishtë që ia mundëson qeverisjen me vendin. Brenda ditës së enjte, Kadri Veseli i PDK-së u zgjodh në krye të Kuvendit, ndërsa Haradinaj i AAK-së u mandatua për kryeministër nga presidenti Hashim Thaçi. Të shtunën pritet që Qeveria të votohet në Kuvend. Por, edhe tentativa e shtatë e arritjes së numrave për PAN-in nisi me vonesa e zvarritje”.
(KOHA Ditore, 8 shtator 2017)
* * *
Citateve të mësipërme do të mund t’ua ndërronim emrat e folësve, dhe dallimet në përshkrimin e asaj që po ndodh tash e tre muaj do të ishin kryesisht procedurale. Intenca e palëve, tash në pozicione të kundërta, do të ishte po e njëjta: si të bllokohet Kuvendi që të sigurohen votat për qeveri.
Dallimi pak më i veçuar kësaj radhe është në rastin e konstituimit të kësaj legjislature, ka edhe një aktgjykim të Kushtetueses, që e pati rastin për t’i dhënë zgjidhje një problemi të krijuar më 2014, dhe dështoi. Dhe siç do të thoshte miku, secili mbindërtim mbi mbindërtimin e keq, pos që duket i shëmtuar, edhe mund ta shembë strukturën krejtësisht.
Pra, e mira e së mirës në këtë situatë është se ekziston një arkiv që ka shënuar thuajse secilën lëvizje më të madhe politike dhe ekonomike e shoqërore në 27 vjetët e fundit e që nuk mund të kontestohet.
Si i tillë, ky arkiv e shpalos natyrën e politikës kosovare alla nasradinçe, “Bëje si them unë, e jo çka bëj unë”, e cila politikë vishet me ngjyrat e partisë fituese me numra relativë, që kur është në pushtet, përpiqet t’ia zgjasë vetes pushtetin edhe për sado mandate që mundet, pa u brengosur fare se sa dëm i shkakton një shoqërie të tërë me papërgjegjësinë e vet politike
* * *
Në përvojën parlamentare kosovare të pasluftës së fundit, kanë qenë dy seri telenovelash thuajse të pafund të cilat janë inskenuar për të arritur te pika kur vendi më në fund u bë me qeveri të brishta që nuk e përfunduan mandatin. E treta duket se po zhvillohet tash.
Pra, më 2014, uria e PDK-së për të mbetur në pushtet, e mbajti shtetin në bllokadë më shumë se gjashtë muaj, deri në daljen e Aktgjykimit të keq të Kushtetueses po atë vit.
Koalicioni PLAN u shpartallua një vit para se t’i skadojë mandati dhe u shkua në zgjedhjet e reja që e sollën një rezultat shumë të ngushtë zgjedhor dhe me formimin e qeverisë omnibus (prej nja 20 a sa partish), së cilës i parapriu saga njëmujore për zgjedhjen e Veselit kryeparlamentar.
Tash, tetë vjet më vonë, në vend të Veselit, figura rreth të cilës nominalisht po thyhen shtizat quhet Albulena Haxhiu, e cila që nga data 19 prill nuk ia del të zgjidhet kryeparlamentare. Pasi nuk kaloi gjashtë herë me vota të hapura, procesi ngeci te përpjekja imponuese dhe pa marrëveshje e VV-së për votimin e fshehtë.
“Kjo është e papranueshme me standardet e demokracisë. Kjo është shkelje e rëndë e demokracisë. Të mbahen peng institucionet për shkak të një emri dhe të blihet sa më shumë kohë që t’i takojnë deputetë të caktuar kafeneve që me presion e shantazh t’i bindin ata për ta votuar një kryetar të papëlqyeshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës...”
Është ironike që ky që e ka thënë këtë fjali para tetë vjetësh, ishte pikërisht ai i cili në emër të partisë së tij e propozoi Haxhiun për kryeparlamentare në secilin tentimvotimi të hapur. I vetëdijshëm se nuk do të kalonte propozimi.
* * *
Tash kemi arritur në fazën kur vendimi i ri i Kushtetueses do të kërkojë sqarime shtesë, qoftë me ankesa të reja, qoftë me kërkesa për interpretim. E nëse Kushtetuesja do të veprojë sipas procedurës paraprake, do të duhet të presim edhe nja një muaj për ta marrë një përgjigje, që në rastin më të mirë nuk do të jetë njësoj e paqartë si ky vendimi i fundit.
Veseli ia doli të zgjidhej në tentimin e shtatë. Haxhiu, mund të ketë gjasa që të mos zgjidhet fare. E nëse zgjidhet, kjo do të mund të ndodhte dikur pas vazhdimit të 50-të jubilar, po qe se respektohet afati 30-ditor i përcaktuar me aktgjykim, që skadon më 26 korrik.
Ndërkohë, një numër i vogël pjesëtarësh të shoqërisë civile dhe një avokat do të protestojnë para Kuvendit. Dhe sado që Koci u kritikua fort nga përkrahësit e VV-së për formën e protestës, kur i solli katër gomarë para Kuvendit, në fakt atë që e bëri qe ta replikonte një protestë të ngjashme, të cilën më 2004 e kishin bërë Kurti, Konjufca dhe Shkëlzen Gashi: e kishin sjellë një gomar, të cilin e kishin mbështjellë me një pankartë ku shkruante “Votoni për mua”. Një vit më vonë do ta themelonin VV-në.
Tash e vetmja gjë që ka mbetur të shihet që e bën dikush tjetër e jo VV-ja, është hedhja e ngjyrës së kuqe nëpër objektet institucionale, nxjerrja e kubëzave nga rruga për të thyer xhama dhe hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend, që ta shikojmë edhe njëherë filmin e njëjtë, po në të cilin aktorët i kanë ndërruar rolet.
Filmi quhet “Asnjëra parti s’jeni engjëj”.