OpEd

A mund ta shpëtojë 5-përqindëshi NATO-n

Paralelisht me dobësinë ushtarake të aleatëve evropianë në NATO, të ardhmen e kësaj aleance e dëmtojnë edhe mospajtimet politike. Pothuajse nuk ka krizë rreth së cilës nuk ka dallime të mëdha mes vendeve anëtare. Kthimi i NATO-s në unitet për vlerat bazike, krahas rritjes së investimeve në mbrojtje në vlerë 5% të BPV-së, mund ta shpëtojë të ardhmen e kësaj aleance

Kur në Hagë të Holandës të takohen liderët e tash 32 vendeve anëtare të NATO-s, fokusi kryesor i tyre do të jetë pajtimi për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje. Të gjitha krizat që aktualisht e kanë kapluar botën, prej luftës në Ukrainë, sulmeve mes Iranit e Izraelit dhe përfshirjes së pashmangshme të SHBA-së në këtë konflikt e deri tek tragjedia për njerëzit në Gazë, janë vetëm dëshmi të paqëndrueshmërisë në sigurinë globale. Por, nevoja për rritjen e kapaciteteve të NATO-s është diçka jetike për këtë aleancë. Kjo para se gjithash vlen për aleatët evropianë, të cilët akoma varen nga gatishmëria amerikane për t’u dalë në mbrojtje në rast sulmi të ndonjë agresori serioz.

Kështu “përqindëshi“ do të jetë kryefjala e secilës bisedë, secilës paraqitjeje dhe secilit koment që do të bëhet në Samitin e NATO-s dhe në takimet e konferencat në margjina të tij. Dhe personazhi kryesor do të jetë edhe kësaj radhe presidenti amerikan, Donald Trump. Është herë e parë që ai do të takohet me shefat e shteteve apo qeverive të NATO-s, prej kur ka nisur mandatin e tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë. Dhe ai do të lavdërohet se si në mandatin e parë i kishte detyruar aleatët evropianë të rrisnin në 2 për qind të bruto prodhimit vendor shpenzimet për mbrojtje, ndërsa tash do të kërkojë 5 për qind.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mar Rutte, i cili vetë si kryeministër i Holandës nuk i kishte rritur sa duhet shpenzimet e vendit të tij për mbrojtje, fuqishëm është angazhuar për të bërë këtë 5-përqindësh si obligim për të gjitha vendet anëtare të NATO-s. Dhe ai vazhdimisht thotë se ”Trumpi ka pasur të drejtë“ kur ka kërkuar rritjen e investimeve në mbrojtje nga ana e aleatëve evropianë nëse duan të kenë siguri për vete dhe për fëmijët e tyre. Rutte kishte shkuar aq larg saqë pati thënë se vendet evropiane ose duhet të rrisin investimet në mbrojtje, ose duhet që tash të fillojnë të mësojnë gjuhen ruse. Ai po ashtu e ka kuptuar se mbështetja dhe përkushtimi i Trumpit ndaj NATO-s mund të ruhet edhe duke e lavdëruar atë. E, këtë po e bën gjithnjë e më shumë.

Se nuk është lehtë që të rritet kaq shumë përnjëherë investimi në mbrojtje dëshmon e kaluara. Vendet e NATO-s para dhjetë vjetësh ishin zotuar për të rritur investimet në mbrojtje në 2 për qind. Këtë akoma nuk e kanë arritur të gjitha vendet anëtare. E si do të mund tash përnjëherë ta rrisin në 5 për qind. Ndoshta frika vjen në ndihmë këtu. Frika nga Rusia, pas sulmit gjithëpërfshirës të saj në Ukrainë, ka ndryshuar shumë të të menduarit në Evropë. Tash edhe qytetarët janë më të prirë për të mbështetur investimet në mbrojtje. Edhe qeveritë janë po ashtu të interesuara ta bëjnë këtë. Por, frika ekziston se në këtë rast mund të pësojnë sektorët e tjerë, të cilët për evropianët janë shumë të ndjeshëm si sigurimet shëndetësore dhe sociale, ruajtja e mjedisit, bujqësia, shkollimi dhe disa të tjera.

Por vendet e Evropës janë pajtuar se nuk mund të vazhdojnë të sillen sikur në 75 vjetët e fundit, kur mirëqenien e tyre ekonomike e kanë ndërtuar duke qenë të sigurt se mbrojtjen ua ka garantuar NATO-ja, ku rolin kryesor e ka SHBA-ja. Shtetet e Bashkuara të Amerikës aktualisht kanë gati 80 për qind të fuqisë së përgjithshme ushtarake të NATO-s. Nëse merret parasysh se në NATO janë edhe vendet si Britania e Madhe, Kanadaja, Turqia, Norvegjia dhe disa të tjera që nuk janë në BE, atëherë vendet e BE-së brenda NATO-s paraqesin vetëm një fuqi simbolike të Aleancës. Kjo në të njëjtën kohë dëshmon se sa larg është BE-ja nga momenti kur mund të bëhet ndonjë faktor relevant në fushën e mbrojtjes, sidomos pasi nga BE-ja është larguar Britania e Madhe.

Vendet e NATO-s tashmë janë pajtuar se duhet të rrisin në 5 për qind investimet në mbrojtje, e ka vende si Spanja që thonë se do të duan përjashtim nga kjo. Pak a shumë pajtimi ishte arritur në nivelin e ministrave të Mbrojtjes kur u takuan para dy javësh në Bruksel. Por, kanë mbetur edhe disa gjëra për t’u sqaruar në Hagë në samit. Duhet të definohet afati kohor kur të arrihet ky nivel. Mes propozimeve që kjo të ndodhë deri në vitin 2040 dhe atij deri në vitin 2030, kompromisi do të mund të ishte diku në mes, pra deri në vitin 2035. Po ashtu do të definohet edhe fusha që përfshin “mbrojtja“. Sepse sot nuk është vetëm armatimi klasik i mbrojtjes, por edhe zhvillimi digjital dhe infrastruktura. Kështu NATO-ja ka paramenduar se 3.5 për qind do të investoheshin në “mbrojtjen klasike bazike“, ndërsa 1.5 për qind në infrastrukturën përcjellëse.

Edhe kur 32 vendet e NATO-s të pajtohen për të rritur në 5 për qind shpenzimet  për mbrojtje, duke përfillur kështu edhe kërkesën amerikane, por edhe duke marrë përgjegjësi për mbrojtjen e vetvetes, sfidë për Aleancën mbetet edhe mungesa e unitetit për disa qëndrime parimore. Është larg edhe në qasjen ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë, meqë nuk janë të gjithë në të njëjtën anë. Njëherë Turqia dhe Hungaria që nuk mbështetën sanksionet ndaj Rusisë, e pastaj edhe vetë SHBA-ja duke e fajësuar më shumë Ukrainën sesa Rusinë për luftë, dëshmuan se nuk ka unitet politik në NATO. Kjo duhet të ndryshojë, sepse këtë e përdorin armiqtë dhe kundërshtarët.

Paralelisht me dobësinë ushtarake të aleatëve evropianë në NATO, të ardhmen e kësaj aleance e dëmtojnë edhe mospajtimet politike. Pothuajse nuk ka krizë rreth së cilës nuk ka dallime të mëdha mes vendeve anëtare. Kthimi i NATO-s në unitet për vlerat bazike, krahas rritjes së investimeve në mbrojtje në vlerë 5 për qind të BPV-së, mund ta shpëtojë të ardhmen e kësaj aleance. Sepse, para se të jetë aleancë ushtarake, NATO-ja është një aleancë politike, ndërsa përdorimi i fuqisë ushtarake u nënshtrohet qëndrimeve politike.