Zgjidhja për Kosovën do të ishte që krejt politikanët që e kanë zhvatur këtë vend në 20 vjetët e fundit të ishin ata që do të iknin nga Kosova, së bashku me të gjithë familjarët e dostat që i kanë akomoduar nëpër kompani e institucione. Por jo pa i kthyer krejt ato që i kanë marrë për vete, e supozohet se kanë qenë e mirë e të gjithëve. Duke qenë se këta e bëjnë pakicën, shumë jam e bindur se ikje të të rinjve do të kishte më pak.
E dëgjoja deklaratën e Marko Gjuriqit, i cili i doli në mbrojtje vartësit të tij, Teodosijeviqit, që kishte deklaruar se Reçaku kishte qenë inskenim i "terroristëve shqiptarë". Çka të mendojë njeriu kur e sheh një papak 36-vjeçar, i cili gjithë jetën ka jetuar në Beograd, dhe që me Kosovën u njoftua vetëm pasi ia dhanë një titull pretencioz -- njëfarë koordinatori të nuk e di çkaje. Çfarë duhet menduar për dikë që i mori madje tetë vjet për ta përfunduar një fakultet katërvjeçar, që punën e parë e ka pasur atë të këshilltarit të Toma varrmihësit, e që tash, në manirin e një fashisti çohet e flet broçkulla.
E vetmja gjë që më kujtohet ta mendoj është fytyra e tij e tmerruar kur njëmend u inskenua arrestimi, si dhe zvarritja e tij nëpër rrugët e Prishtinës. Fytyra e tij e reflektonte të njëjtën frikë të cilën e kemi ndier sa herë na janë kanosur uniformat e MUP-it. Me gjasë të tillën frikë do ta kenë pasqyruar edhe fytyrat e mijëra civilëve shqiptarë që u ekzekutuan mizorisht nga serbët e uniformuar gjatë luftës. Dallimi këtu qëndron te fakti se civilët u vranë dhe kufomat e tyre u fshehën, përderisa Gjuriqi u la i lirë, dhe kjo me transport special deri në kufi, dhe sot çohet e mban ders, për të mos e cituar një shprehje kolokuiale që aq shpesh e përdorim.
E për pasojë, kjo më shpie te përfundimi se ky është përfaqësuesi më i denjë i fashizmit shtetëror serb që tash e ka ndërruar qimen, dhe paraqitet si paqedashës dhe evropian, duke mbetur në esencë ai që është: makineri që i urren shqiptarët pse janë ndryshe, e cila makineri nuk di ndryshe të veprojë nga ajo që ka bërë në 100 vjetët e fundit. Kjo, duke e synuar qëllimin përfundimtar: shfarosjen tonë.
* * *
E për të na shfarosur do të jetë pak si vështirë. Për dallim nga Serbia që vuan nga e ashtuquajtura "murtajë e bardhë", pra shtet që ka rënie të natalitetit që nuk ia lejon as riprodhimin e thjeshtë, ne ende nuk kemi ardhur në atë pikë, edhe pse jemi nisur asaj rruge. Megjithatë, shqiptarët po shtohen vit pas viti (pyetmëni mua - e ju tregoj se rekordi i vjetshëm i regjistruar në kompaninë tonë ka gjasa të përsëritet sivjet - në këta katër muaj, punëtorëve të kompanisë u kanë lindur 5 fëmijë... dhe jemi në pritje edhe të nuk e di saktësisht sa foshnjave :) ).
Sidoqoftë, duket se na është bërë tashmë cikël, që çdo të tretin vit ta kemi nga një valë të rinjsh, kryesisht, që vendosin të ikin nga Kosova për shkak se këtu nuk gjejnë perspektivë. Javëve të fundit po i shohim pamjet para ambasadave të ndryshme në Prishtinë të të rinjve duke pritur në rend për të caktuar terminë për viza pune, kryesisht. Dallimi kësaj radhe, krahasuar me herët e tjera, është se ikja ilegale është zvogëluar në mënyrë drastike, porse ajo që mbetet është kërkesa përherë më e madhe që të shkohet jashtë për punë e jetë. Për shkak se gjendja në Kosovë përditë po bëhet më vështirë e përballueshme.
* * *
Arsyet se pse kjo është kështu duhet kërkuar te politika. Politika e Kosovës së pasluftës ka qenë ajo e grabitjes së gjithçkaje me vlerë nga një grup i caktuar mujsharësh që janë bërë me pushtet, edhe falë votuesve. Kjo politikë e ka shkatërruar bërthamën ekonomike të këtij vendi: bujqësinë e ka mbytur krejtësisht; nuk ka lënë hapësirë për investime të jashtme që kushtëzohen me dhënie ryshfeti dhe na ka shndërruar në popull dembel, që e zgjedh rrugën e lehtë për ta siguruar një rrogë a ndonjë beneficion.
Punësimet masive partiake e kanë mbytur konkurrencën e shëndoshë, sepse ata që i kanë kapacitetet dhe njohuritë nuk kanë shans, për shkak se analfabetët dhe kushërinjtë i zënë vendet ku duhet dije e jo laritje. E se ka shumë njerëz kualitativë, që nuk i gjejnë vetes zgjidhje në këtë ambient, e dëshmon një konkurs i shpallur në gazetë para ca ditësh: për një vend pune si gazetar/e kanë konkurruar 25 veta, që të gjithë të papunë. E të mos e përmend rastin me Policinë, ku konkurrojnë me mijëra veta për një vend pune - pa marrë parasysh rrezikshmërinë që e ngërthen aktivizimi në forcën policore.
Rritja e proklamuar ekonomike, më e madhja në rajon, është e padeshifrueshme për mua, që jam laike për projeksionet makroekonomike. Nuk e kuptoj se ku po rritemi ekonomikisht, kur për çdo vit po e shoh fenomenin e përsëritur - se po të mos ishin remitancat, ne nuk do të kishim pasur para as për ushqimin bazik. Dhe mu këto remitanca pushtetit ia kanë dhënë komoditetin që të veprojë sipas tekave, për të ndërtuar rrugë të shtrenjta pa ndonjë arsyeshmëri ekonomike dhe e kanë bërë popullin edhe më përtac. Për më tepër, e kanë krijuar iluzionin se puna jashtë do t'i bëjë që të gjithë milionerë. Tash, është fakt se punësimi jashtë sjell siguri financiare, të cilën këtu nuk e kanë, dhe ofron të njohurit me rendin, disiplinën dhe ligjin, që gjithashtu mungojnë këtu. Por jo, shumica nuk bëhen milionerë me punë të ndershme. Por gjithsesi shndërrohen në financues të rinj të kosovarëve që mbijetojnë falë diasporës.
* * *
Përderisa secili pushtet e mohon ikjen e popullsisë, e cila nuk mund të shlyhet për shkak se ka ente kredibile statistikore evropiane që i tregojnë shifrat edhe pa pyetur, ishin interesante deklaratat e zyrtarëve më të lartë shtetërorë javën e shkuar.
Deklarata dyfytyrëshe qenë të Veselit e të Limajt: "Mos ikni nga Kosova", porse nuk treguan se çfarë u ofronin të rinjve që kanë vendosur ta provojnë fatin tjetërkund, e as nuk kërkuan falje që për shkak tyrin, ngase PDK-ja që nga paslufta thuajse përherë ka qenë në pushtet, këta ikin sepse nuk kanë si ta jetojnë një jetë me dinjitet në Kosovë.
Deklaratë më inventive qe ajo e kryeministrit: "Po ia lëshoj vendin tim atij që ka zgjidhje për këtë punë", në gjendjen kur në kohën e tij u zbuluan të gjitha këto punësime partiake të stilit “Pronto” dhe u zbulua shifra e 19 mijë e kusur veteranëve të rremë, ku "i madh e i vogël kanë luftuar". E problemi në gjithë këtë muhabet është që posti i kryeministrit nuk është tapi, dhe se kalkulimet dhe interesat e ngushta politike nuk lejojnë që ata që dinë të ulen në kolltukun e kryeministrit. Do të kujtojmë, janë po këto interesa që e kanë krijuar ekzekutivin më të madh madje edhe sesa të Indisë, e besoj.
Nuk ka nevojë me qenë shumë i mençur për të ditur më mirë, sepse krejt ka të bëjë me mënyrën se si duhet menaxhuar paratë. E pos parave, duhet zvogëluar edhe administratën e kotë, dhe mbi të gjitha, të zgjidhen njerëz njëmend të merituar për ta zënë ulësen në Kuvend.
* * *
Zgjidhja për Kosovën do të ishte që krejt politikanët që e kanë zhvatur këtë vend në 20 vjetët e fundit të ishin ata që do të iknin nga Kosova, së bashku me të gjithë familjarët e dostat që i kanë akomoduar nëpër kompani e institucione. Por jo pa i kthyer krejt ato që i kanë marrë për vete, e supozohet se kanë qenë e mirë e të gjithëve. Duke qenë se këta e bëjnë pakicën, shumë jam e bindur se ikje të të rinjve do të kishte më pak.
Një tjetër zgjidhje ideale për Kosovën do të ishte ardhja në pushtet e një gjenerate të re njerëzish që janë syngopur dhe që do ta kishin të qartë se zhvillimi ekonomik i këtij vendi do të bëhej me investimin, e jo vjedhjen, e parave. Për shembull, në agroindustri, për ta siguruar ushqimin pa nevojë importi, në vend se t'i shpenzojmë ato në projekte të shtrenjta që nuk i mirëmbajmë as disa vjet pasi përurohen. Ky brez do ta kishte guximin që t'i shkurtonte vendet e punës në administratë; do ta kishte guximin ta bënte vetingun në gjyqësi e polici, dhe do ta kishte pasur aftësinë për t'i shkurtuar një milion skemat sociale që blejnë vota ashtu që të dëshmonte se ky vend ka edhe rend edhe ligj. Dhe se i respekton ata që do të mundë të vinin për të investuar në këtë vend, pa frikën se dikush do t'ua kërkojë 25% e investimit për xhepat e tyre.
Brez i ri, i cili do ta kuptonte se punën që do ta bënte me përkushtim dhe pa hile, ia ka borxh popullit të vet, dhe jo e kundërta. Borxh që ta çojë shtetin përpara, e që shumë pak të presin në rend për viza pune e shumë më shumë për viza shëtitjeje.
* * *
Por përderisa ky brez, që për dikë mund të jetë imagjinar, e për mua ekzistues, nuk do ta ketë rastin e duhur për t'u dëshmuar, të rinjtë a kushdo që të mundet, do t'i kenë sytë e kthyer nga Perëndimi, e mbase edhe Lindja. Për shkak se i kemi humbur 20 vjet të çmuar që për dikë janë gjysmë jete. Për shkak se kemi mundur shumë më mirë, e vetes ia kemi humbur shpresat. Për shkak se ende nuk jemi pjekur si shoqëri për të kuptuar se pa u bërë zot të vetes nuk do të kemi shpëtim dhe se nuk do të kemi asgjë më shumë sesa një renditje disfatash.
Na kanë rrahur, maltretuar e vrarë shumë herë në histori. E, megjithatë, kemi mbijetuar. Do t'i mbijetojmë edhe këta që na katandisën. Mbase me një çast do të jemi më pak, se valët e ikjeve nuk do të mundë të ndalen me fjalë. Porse sërish do të jemi ne që kemi vendosur të mbesim ata që do të luftojnë që e mira të mbisundojë këtu. Sepse ia kemi borxh vetes, si dhe atyre që po i sjellim në këtë Kosovë që të jetojnë pa ngurrime e pa frikën se dikush mund t'ua vjedhë ardhmërinë.